NË SYTË E TYRE KISHTE VETËM DIELL… / Tregim nga Mimoza Leskaj

 

Mimoza Leskaj

Tregim nga Mimoza Leskaj

 

 

 

NË SYTË E TYRE KISHTE VETËM DIELL…

 

Dielli i ngrohtë i jepte bukurinë atij takimi që të ngjethte trupin.

Ishte hera e parë që asistoja një skenë të tillë! Plot një jetë e tërë e humbur mes tyre.!

Shumë kanë folur dhe shkruar për dashurinë. Të tjerë i kanë kënduar, kam lexuar histori që më kanë bërë të qaj me orë të tëra, por ishte hera e parë që isha dëshmitare e një dashurie të jetuar dhe të lënë përgjysmë, për t’iu rikthyer atij çasti të pashmangshëm dhe të dëshiruar ndoshta kushedi sa herë gjatë viteve.

Menjëherë pas telefonatës, mora makinën dhe rrëmbimthi shkova drejt saj, për t’i qëndruar afër, për të mos e lënë vetëm në ëndrrën e saj dhe në emocionet e panumërta që e kishin mbytur.

U përqafuam dhe ndjeva se duart i dridheshin.

-Meri, …mos të lutem, nuk ka arsye të bësh kështu,-i thashë.

– Eh…po sikur të ishe ti në vendin tim ?- mu përgjigj me një zë që i dridhej nga emocioni…

– Bah…s’di ç’të them, mbase ke të drejtë, – fola me një zë të ulët. Por mendova, ndoshta të tjerëve dimë t’u falim këshilla, pa menduar se kur ndodhesh vetë në situata të tilla, nuk është e njëjta gjë.

Pritëm disa çaste kur një makinë ndaloi te këmbët tona. Hodha sytë me një qetësi të shtirur dhe pashë se djaloshit brenda në makinë iu deshën disa çaste për të zbritur.

-S’paska ndryshuar fare!- i thashë me zë të ulët,

– Eeee, ashtu duket, – ma ktheu Meri paksa e dridhur.

Djaloshi zbriti dhe ndërsa vura re që kishte ndryshuar fare pak nga vitet e gjata të jetës, u mundova të buzëqeshja. Pashë dy sytë e tij të hirtë me një shkëlqim që s’ia kisha parë kurrë në kohën kur e njihja.

Ai buzëqeshi si në faj si për të thënë: “Më falni, po pak më vonë do t’ju përshëndes…” Me ata sy që thuajse ju mbushën me lot, mori fytyrën e saj dhe e mbështolli rreth vetes. Shikoja ato çaste dhe ngriva e tëra nga emocioni. Ishte ndoshta momenti më prekës që kisha jetuar deri në atë kohë. Sa bukur, thashë me vete, u ndjeva e privilegjuar për skenën që po jetoja ato çaste.

Mbasi u përqafuan me shumë mall, djaloshi m’u afrua me ndrojtje dhe tha:

– Zotëri…oh…më fal të lutem, si jeni ?…

Iu përgjigja me një buzëqeshje të çiltër si për ti thënë: “është e natyrshme, je i falur”… dhe ndërsa sytë e tyre brilonin nga lumturia, mendova se isha e tepërt për të qëndruar më gjatë….

– Atëherë..më falni!-  thashë, unë po largohem.

-S’di si të të falënderoj…-u përgjigj Meri me një zë të dridhur që tashmë se fshihte dot më.

Tunda kokën, qesha, i përshëndeta dhe u largova duke marrë një copëz nga lumturia e tyre. Bëra disa hapa pa kthyer kokën mbrapa duke pasur frikë mos ndërhyja padashur në ata sy që tashmë ishin mbërthyer me njëri-tjetrin dhe nuk shihnin më asgjë përreth tyre. Mendja më fluturoi larg, shumë larg tek dashuria ime e parë. Sa vite kisha pa e menduar. Çuditërisht një zë i brendshëm m’u duk sikur më foli, “ty s’ka për të të ndodhur kurrë një gjë e tillë!…

Ecja duke dëgjuar radion që transmetonte një këngë të mrekullueshme, dhe u ndjeva mirë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s