NGJYRË E MISHTË / Prozë poetike nga libri”Fjetëm njëqind shekuj” i autorit Adem Zaplluzha

NGJYRË E MISHTË

 

 

adem

Prozë poetike nga libri”Fjetëm njëqind shekuj” i autorit Adem Zaplluzha

 

 

Nuk di në cilën kohë ike ose te cila kohë je duke ikur, por ti vrapon diku duke mos menduar se ku.
Vrapi yt i çmendur i përngjan trokut të një kalorësi që ikte dikur me një pelerinë të zezë, më e zezë se fytyra e tij prej mishi të mallkuar.
Ajo ngjyrë e mishtë e ndërgjegjes qe mashtruar për verdhushka dhe si një njeri i çmendur vrapove pas famës të cilën e kishe por e humbe pa e përjetuar kurrë bukurinë e saj.
Sa herë që bie shi këndej pari ullukët pikojnë një trishtim të heshtur, pa zë trishtimi i cili nga pesha e ndërgjegjes nuk mund të qëndroj as në këmbët e veta të sëmura
Kur të lutëm të kthehesh, ti asnjëherë nuk mendove se ikja e jote lë një pikë të zezë në shpirtin tënd, ose as që e ndjeve peshën e fajit, po të ishte ndryshe, ti nuk do të ikje prej vetvetes, lëre që ike ti, por e more në qafë edhe kalin e egër të luftës, më kujtohet kur i kafshonte dizgjinët për të mos vrapuar, për të mos ikur drejtë rrugës së turpit, por ishte e pamundur të shpëtoj nga përqafimi i çeliktë i tradhtisë.
Thonë se i doje fluturat e tua të çmendura deri në atë shkallë sa që e harrove ngjyrën e murrme të pendimit.
I doje aq shumë sa që u shndërrove në një flutur të drunjtë e cila sa herë donte, fluturonte nëpër gjeometrin e atdheut të grisur e të kafshuar nga devetë e murrme të një dielli tjetër.
Këtu shkretëtira e bënte më së miri punën e vetë me kaktuset e djersitur të mendjes, e cila kurrë nuk ishte në gjendje të formoj një tregim për një përrallë ku mushkonjat dhe milingonat i përngjajnë mëgojëzave të betejës.
Tregimi i nxjerrë nga psalmet e një kërrabe e cila me mija vjet as nuk e prek tokën e as fundin e qiellit…tregim jashtë kohës dhe hapësirës ngjashëm me furtunën.
Ti i doje pëlhurat e tejdukshme mbas të cilave fshihej një mish i njomë por i ndrydhur nga egërsia e ushtarëve të tërbuar, pas një cope lecke prej gjysmëhëne e cila i mbulonte kryqet e ngulura nëpër çdo fshat dhe qytet.
Mua më lë në pritje, i prita anijet, trenat që kurrë nuk erdhën në atdheun tim, i prita pritjet që askurrë nuk gdhinë në shpirtin e lodhur dhe të dërmuar të rrugëve.
Vetëm ora e vjetër te muri i kishës nuk e ndali asnjëherë tiktakun, as që mërzitej, për vrapimet e trokut të një kambanë të vjetër te plepat, mua më dukej se ishte e vetmja shpresë e cila bisedonte me një korb të bardhë, nga i cili iknin zogjtë besa edhe njerëzit.
Mbi disa çati ku preheshin eshtrat e një kohe tjetër, pushonin zogjtë e dylltë, herë shkriheshin e herë ngriheshin, por kurrë nuk e humbnin formën prej zogu.
Në dimër, po ato fluturime të lëngëta na dukeshin se po vijnë prej një bote krejtësisht tjetër, për të na mashtruar kinse jemi fëmijë, por ne nuk mashtroheshim e dinim fare mirë se prej këtyre zogjve të lëngët do pikojnë qirinj kristalesh prej dëbore, po pikojnë fjalë që janë duke kulluar nga dhembja e lisave të prerë në një agullimë të një mëngjesi.
Ditën tjetër, pasi që u mësuam të kuptojmë se si ndryshojnë gjërat edhe kur bie shi edhe kur bënë acar, nuk i përjetonim më këto ndryshime për të mirë.
Në vetëdijen tonë si nëpër balada të lashta filloi të zgjohej po ai vrap i egër i kalit të çmendur, filloi të dëgjohej troku i ikjes në shpirtin tonë të plagosur, por ne qëndronim stoikisht dhe qeshnim me erën që na e griste lëkurën e regjur.
I përngjanim jeleve të hënës ose më mirë me thënë vetullave të mjegullave të bardha mbi trenat e lodhur të vendlindjes.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s