Poezi nga Fatbardha Xhani Myslimaj
MUND TË KISH NDODHUR NDRYSHE
Nëse do të kish ndodhur ndryshe
të ishim dashur më shumë zemër
mund të kishim folur më pak
e puthur më shumë
Mund të kishim marrë më shumë diell
edhe ditëve me shi
më shumë se mbrëmjeve të Korrikut…
Kur dielli mbi krye
na digjte me zjarrin e fjalës së thënë pa mendje
Po po mund të kish ndodhur ndryshe
në heshtjet e fshehta
ti kishim folur më pak të tjerëve
që kishin pamjen e hiçit
e më kot i kërkonim besën asgjësë
në këmbim të dhimbjes…
Në mbrëmjet plot lëng serme
mundet që po ti kishim kërkuar flladit
pak pluhur të artë
mund të na kish bërë dy unaza hëne
e në besën e një nate
të ishim shkrirë në një rreth të zjarrtë
që ngrin ngadalë
gjer në agun e nesërm…
Mund të kishim ecur një natë të tërë
me këmbë ajri
e majave të paprekura të kishim ngulur
nga një flamur
Të bashkoheshim në pikëtakimet e tyre
e me një këmbë
buzëbashkuar të vallëzonim tangon tonë…
Mund të kishim hyrë në qelizën e fundit
e të shkruanim aty fjalët e dashurisë
në palcën e kockës më të vogël
në pikën e fundit të gjakut
të ëmblin helm të pasionit
të injektonim mes dhimbjesh…
Mund të kishim folur më pak shpirt
e të kishim thënë më shumë!!!
TEH…
Një burrë
Si tehu i shpatës
kaloi mbi buzevarrrin tim
Deshi ndoshta jetë të më japë
Vdekjen
Më pranë se kurrë ma afroi
Me dy fjalë
Vdes për ty!!!
Na vdesin
Më shumë
Ata që na jetësojnë.
DASHNI…
(Gegenisht)
U mbushën plot me dritë errësinat
E s’dita fjalt’ e mia që matnin pa shenja pikësimit dashninë
Ku ti nis e ku ti çoj…
U derdhën zjarret det në zemrën teme
E s’dita prekjet e mia që lagnin me puthje dashninë
Ku ti le, të rrjedhin lumë…
U sosën frymëmarrjet në gojë të mjaltueme
E s’dita jetën e deshta a se deshta pas ksaj dashnie
Jetë e vdekje bashkë…
POEZIA ËSHTË SHTËPI E QIELLTË…
Mos kërko mure
në shpirtin tim
nuk do ti gjesh kërrkund
poezia është shtëpi qielltë
mund ta ndërtosh gjithkund…
Në rrënjët e mia dhembin mendimet
e të gjitha dashurive
që si jetova dot
në gjethet e klorofilta çdo ditë bie vesa
qielli mbi mua derdh lot…
Jam copez natyre praruar nga dielli
lagur nga shiu
mbardhur nga stuhia
tek eci avash në rrugen që zgjodha
pëshpërima më sjell në vesh puhia…
Mësoj të shoh
mbitokës si frymon jeta stinë pas stine
mësoj të frymoj mbi xhamin e kristaltë
të të bukurës, jetës time…
Mos kërko ngrica
në barin ku shkel megjeseve të mia
aty mërmeron ëmbël, mbi vesë
jeta
dashuria…
ÇASTI ESHTE JETA
Jeta është ajër
Ajri është grimca dashurie
Dashuria është aromë
Aroma është ringjallje e jetës…
Jeta është ujë
Uji është tretje në nxehtësi
Nxehtësia është djegie nën flakë
Flaka është drita e dritës
Drita është e vërteta e vetme e jetës…
Jeta është tokë
Toka është begati
Begatia është grua me gjinj plot kulloshtër
Qumështi është pikim i ujshëm yjesh
Yjet janë ëndrra të bardha të jetës…
Jeta është dashuri
Dashuria është pjalmi i lules
Lulja është tërbimi i bletës
Bleta është kokrrizë e hojeve të mjaltit
Mjalti është shija e çastit
Çasti është jeta vetë…
PRANVERË
Netëve të purpurta
me frikën e gjumit
mbaj hapur sytë e ëndrrës
kam frikë
mos bie dhe thyhet
besimi i krisur…
Më flet
më thotë, më ruajte shumë
mbamë fort
me shpërgënjt
e tua më shtrëngo
me sytë zgjuar më ruaj
me zemrën kristal më duaj
Jam e para dhe e fundit çmenduri
për të cilën
pendimi nuk merr frymë…
Shikoji
vragat e dhimbjes
në gotën time
pi verën e kuqe të gjakut
jepi vetes dritën e çastit që une dua…
Me qumështin
e yjeve me bisht mëkohu
dhe kristalit që i dhe krisje
me buzën e zjarrtë lëmoja faqet…
Bëmë të besoj
te përjetësia e marrëzive tona
të vetmet çaste të vërteta
të jetës së vërtetë…
Mëso,ti japësh vlerë
thellësive të tua,
shembi muret prej letre
të njerëzve kartonë
me ngjyra të ndritshme…
Dhe fajtor
nuk do ndjehesh
pse me deshe pa fund,
pa mend pa arsye sepse,
në çastet e fundit mjafton të themi
e desha sa shumë…
Kështu era
do përcjellë grimcat e prekjeve tona
do mësoje njerëzit të duan vdekjen
më shumë se jetën e rrejshme
për shkak të dashurisë…
Kështu
kuptimi do marre kuptim
kështu e vërteta do gjejë tokën e vet
për të buluar gjethe purpur
e lule me zemër
të verdhë…
Kështu
pistili nuk do ketë frikë
pse pluhuri bie mbi të
dhe i thotë
ndizu me jetën
jeto me ëndrrën
vdis me perjetësinë…