The Devil I Paid for Advice – By Jeta Vojkollari / The Reader’s Voice – Lira Alikaj

The Reader’s Voice     The Devil I Paid for Advice By Jeta Vojkollari      Jeta Vojkollari   http://www.JetaVojkollari.com http://www.friesenpress.com/bookstore/title/119734000018904009 http://www.amazon.com/dp/B00ZARLZMU/?tag=friesenpressc-20      Lira Alikaj – Ekonomist, Albania   The force of dialog, the masterful description of the character’s … Continue reading

PORET E SHPIRTIT TIM / Cikël poetik nga Brahim (Ibish) AVDYLI

brahim

Cikël poetik nga Brahim (Ibish) AVDYLI

 

 

 

PORET E SHPIRTIT TIM

 

(POEZI)

 

 

 

LUMEJT E KOHËRAVE

 

Në pafundësi

rrjedhin kohërat

njëra pas tjetrës.

 

I shoh

të ngrisin kokat

e shashtrisura

e të lemerisura

në pakthim,

 

disa këlthasin

e disa përplasen

nëpër dallgë…

 

Herë rreth bregut

dëshirojnë të kapen

edhe nëpër rrënjët e shkundura

nga dheu,

 

e lëkunden

me shpirt në fyt

duke vajtuar tokën

e duke u mbajtur

për rrënjë

që të mos bien

në vllugun e valëve,

 

herë të tjera rendin

nëpër kulmin e ditëve

të gjeneratave të mbytura

që kacafyten

me vdekjen…

 

Nuk kanë kohë të sjellin

faktet e tyre

para etapave

që shkojnë e bien

plot dhembje,

 

disa i ngrisin

sikur duart lart

copat e tyre,

 

disa shkumbëzohen

disa humbin

në mes të ujit

që rritet në vërshim…

 

Ne i shikojmë

të gjitha nga bregu

me shpirtin që na lëngon

 

e nuk dimë

cilat kohëra

janë pak më të mira

e pak më të liga

 

por renditen vazhdimisht

në lumin e pafat

të kohërave…

 

 

 

DALLËNDYSHE KUJTESE

 

1.

 

Je hije e gjallë kujtese

me dhembje fluturon

nëpër botë

 

të gjithë i ndjenë nëpër lotë e mi,

askush nuk të kupton

se ke qenë diku

në këtë botë

 

dallëndyshe-pupël kujtese

apo shibël e papritur

në pluhur ndjenjash…

 

2.

 

Gjallë ke mbetur

nëpër kujtimet e mia-

 

për inat të cicërimeve

nëpër vendet e vjetra

je kthyer,

 

burimeve të fjalëve pi ujë të ftohtë

e kthehesh dikur

freskut të gjelbërimit

 

viseve të lëna

pa dëshirë

 

i përzënë nga urrejta

e atyre që i shqetësove…

 

3.

 

Çuditërisht

nëpër duar t`i kanë lënë

copat e grisura

që të trondisin

 

e askund nuk të pranojnë

nëpër bredhjet e tua

 

e kthehesh

në një dallëdyshe kujtese

 

me dridhjet

e këngës së përlotur!…

 

Dietikon,

07.07.2015

 

 

 

NGJALLJA E LUCIFERRIT

 

Si duket, është ngjallur Luciferri

tani kufomat shëtisin në botën e shashtrisur

prej tragjedisë në tragjedi

të përcjellur me nderim nga kuarteri polico-ushtarak,

askush nuk ua hap dosjen të shohë bishat e veshura

që rrëzojnë kudo me raketa gra e fëmijë

që të mos i përtërijnë qindvjeçarët e tjerë,

ariun e bardhë të Rusisë dhe shimpanzën e zezë të Izraelit

e nxisin të shtjerrë njerëzimin në një pikë

thua se Zoti i Madh i ka lënë vetëm ata që të vendosin

kush është i pari e kush është i mbrami mbi dhé,

e njerëzimit i del gjumi vonë e nuk mund t`ia qëllojë

kush flet e kush bërtet, në vijë të parë…

Njerëzimi është njëlloj, ngjyra nuk e sjellë ndonjë rol

i bardhë apo i zi, i verdhë apo me ngjyrë tjetër,

si duket, ngjyra e arit është fshehur prej listës së popujve

fillimi e fundi janë ngatërruar pa shpresë,

çfarëdo ngjyre të ketë jeta i qarkullon nëpër damarë,

kur lind e perëndon lutet me të njëjtën shpresë

për Zotin e Madh, me fjalorin e vet të lutjeve,

sepse qeniet e llahtarshme e kanë shkelur në gjok

papritur e zaptojnë dhe duan ta prejnë në qindra forma,

sikur këlthet vajtueshëm e me tërë mund-

O Zot i Madh, shpëtoje këtë shpirt që ma ke falur,

më dërgove mes bishave, por të mos copëtohem…

 

si duket, tani, qenka ngjallur Luciferri,

dhembja dhembjen e zgjon e përsëri kthehet në forcë

krimin e patjetërsueshëm

do ta luftojë deri në mbijetesë!

 

Filluar në Calstorta Sud

Autobahn Venecia-Trieste,

25.07.2014.

 

 

 

PORET E DHEMBJES

 

1.

 

Ngjyra e kaltër

në mëngjesin e hershëm të kobit

nëpër errësirë deshi

të më këpuste flatërat

 

e unë ika

në vaj të fluturimit

 

pa më zënë

ai gur i hedhur i vdekjes…

 

2.

 

I vetmuar mbeta

përherë në fluturime

 

duke qarë kohën

që rrinte nëpër procka

përtej çasteve të bjerra,

 

gjithmonë i mendoj

me hidhërimin e përhershëm

ata që thirren

në emrin tim,

 

vetëm më lanë

me poret e dhembjes!…

 

 

 

DRITARET E DITËVE

 

Mëngjeseve

zgjohem e dal përsëri

në dhomë të pritjes

 

e ulem

para tryezës së kohërave…

 

Për dritaret e hapura të ditëve

futet shëndetshëm Dielli

e buzëqesh

sikur dëshironte të më përgëdhellë.

 

Mirë o Diell

pak më ngrohë e më jep shpresë

se ditët do të sjellin

gjithë të mirat

me rrezet tua të pashmangshme

 

e unë, vërtetë,

do të iku përtej të mundshmes

 

e do të kthehem

me Diellin e ëndërrave të mia.

 

 

 

ZEMRA PLOT DIELL

 

Në vrugullin e vërshimeve

të një botë të çoroditur

vetmia të mori

nga dhembja e të dashurve të tu

e të hodhi

në zgripcin e ndjenjave.

 

E prapta i mësoi të praptët

të të luftonin me befasinë e dhelpërave

nëpër llugën e mendimeve të marra

e veprimet e befasishme

të derrave primitivë…

 

Ishte e zbrazët koka e tyre

s`ua priste mendja aspak për të mirë

por bota do të sillej rreth boshtit kryesor

vetëm për hirë të Zotit.

 

Rrotull t`u sollën ujqërit

me rreptësinë e ndyrë të derrave,

deshën të hynin mbreda korpës së gjoksit

zemrën tënde të t`a përbaltin…

 

Nuk i kursyen shpifjet

se qenke çmendur e lajthitur,

se qenke mbyllur prap

në luksin e tepruar të vetmisë,

 

e nuk e dinin të marrët

se kjo ishte vetë tragjedia

me një unazë të izoluar të ndjenjave-

 

ty, shpirti i pastërt

të mbajti gjallë

 

e prisnin kaherë dashurinë

me një buzëqeshje fëmijërore,

 

të të qelnin

lulet, trëndafillat

në zemrën e mbushur plot Diell!

 

 

 

MOLLË E KUQE GJAKU

 

Ju luta mija herë

Krijuesit të Madh-Universit

të më falë një mollë të kuqe gjaku

 

e Ai, me fuqinë fluturuese

i ra botës rreth e për qark

 

mbas sa vitesh më dëftoi

se do të gjëja një pemë toske

e mollën e kuqe

do ta kafshoja, në rremb…

 

Hezitoja të ngul dhëmbët

në mishin e ëmbël të asaj peme

që kot priste nën Diell,

 

e u mora vesh se dhembja

më dërgoi papriturazi

atje, nën Lisin e Jetës-

 

të gjitha furtunave u bënte ballë

flakëve të befta të kohëve

e shkatërrimit të shoqërisë…

 

prandaj, të faleminderoj

o Baba Tomorr,

 

je Fat i mirë

që botës i del ndihmë

me profecitë-

 

jemi një, jug e veri

Druidë apo Shqipëri!

 

 

 

E PAPRITURA

 

1.

 

Papritur më erdhe

mes përmes dhembjeve të vetmisë

 

i zhytur isha

në pusin e tkurrjes

e pandarë kulluar heshtjen,

 

ëndërrimet e ndalura

për të dashurën e ëndërrave

që nuk erdhi

asnjëherë…

 

Qeshë shndërruar në pulëbardhë

kujtesa më tondiste

me përpëlitjen e krahëve

 

sytë më përvëloheshin

me shikimin e dhimbshëm

 

e mbeta mija net

përherë duke pikur

lotët e pikëlllimit…

 

2.

 

Qeshë pajtuar

me pafatin e fatin tim

nëpër llugën e ndjenjave

 

askund nuk e shihja

buzëqeshjen e dhembshme-

portreti i saj i takonte ireales,

 

prore më faniteshe

dikund në pragun e ëndërrave

 

e ngrohja vetminë

me këtë ndjenjë të kallur…

 

3.

 

Zemra më ndrydhej

në boshllëkun e çasteve

të viteve të zbrasta,

 

më plaste qenia

nëpër tradhëtitë e prishta

të botës së përdalur…

 

4.

 

Papritur më erdhe

nga ishulli i ëndërrave,

 

befas më shtrëngove

me sharmin e dashurisë,

 

prej ireales zbrite

në qiellin e këngës,

 

pikëllueshëm buzëqeshje

me dhembjet e padrejtësisë,

 

nën qepallat e rënduara

i ndrydhje

paturpësitë e kohëve

 

e njerërizisht i matje

idealet tona!

 

 

 

SIMBOLIKE

 

Nuk e di

a jam ëndërr

apo zhgjëndërr-

 

zgjohesh e bie

pafundësisht

nëpër trupin tim

me zjarrin e ngadalshëm

të ndjenjave,

 

emri i dytë

Changa Idela-

ideali i lartë i reales

 

simbolikisht më shtrëngon

me duart magjike

të fjalëve

dhe dashurisë…

 

Nuk e di a jam

ende gjallë

 

apo notoj

nëpër një det

zemrash!

 

 

 

KOINÇIDENCA

 

Nga ëndërrat e llahtarshme

heret u zgjova nga dhembjet e padurueshme,

 

fëmijët mbyteshin nga rrugica e shpërthyer

e disa i gjeja me lot në sy

kanaleve të mshefta thellësive të tokës…

 

E kuptoja se ka ardhur një kërcënim

se një shpërthimi i pazakonshën do të bëhej

dikund në qendrën e qenies sonë

 

se ku ndodhemi, nuk kishte peshë…

 

U gëzova pamasë kur e zuri befasia

pas mesnatës, kur qemë thellësisht të zgjuar

tragjedinë e dhembshme të shpërthimit,

 

e vetë, u ula dikur i qetë pranë dheut

të vardisja një letër të veçantë Atdheut

 

edhe një këngë të gëzueshme e krenare!

 

 

Gjakovë, 26.12.2014

 

 

 

PËRTEJ KËNGËS

 

Dhemjet

na patën lodhur

e kurrë

nuk të kanë munguar

Lindjet…

 

Menduan

se u zhduke,

përherë nxore

Lisat e Jetës

në pipa të ri-

 

Liria është gjak

e gjaku rrjedhë

me lumejtë e Dritës

anë e përtej Këngës,

 

andaj

prej Dheut

nëpër luftëra

e nëpër dallgë

gjallë mbete,

 

i paepur je

ndër shekuj

ATDHE!…

 

 

LETËR GJYSHIT / Poezi nga Hamit Taka

Hamit Taka

Poezi nga Hamit Taka

LETËR GJYSHIT

 

O gjyshi im,

I urtë, i sertë,

Sa të pakta i ke harxhet,

Sa të pakta fjalët!

Të të nxjerr nga zemra

Një dert të fshehtë

Më mirë të t’i shkul

Të gjitha dhëmballët.

 

Po unë ta di 
Ty pikën e dobët 
Që herët e di
Si të pastrohet ty zëri:
Të jap dy gota 
Nga ajo verë e vjetër
Dhe ti zbërthehesh
Në çast i tëri;

 

Po hë të shkretën,
Prapë ti nguron
Ta nisësh bisedën
Me gjuhën pa dhëmbur?
Mos do të më thuash
Se ne brezi i sotëm
Jemi sojsëzë 
E jemi të çmëndur?

 

Se ne dimë vetëm
Të prishim para
Me vajza bishtdredhura
Nëpër PABE
Dhe s’dimë të këndojmë
Një këngë lahute
A një polifoni
Me iso labe?

 

Ti je pus
Po ke gjyshen spiune:
Pse, o shpirt,
Më tretej në mendime
Se mos unë 
Dëndem me drogë
Dhe mbetem prapa 
Në mësime?

 

S’e besoj të kesh thënë
Se jam bukëshkalë,
Dredharak idesh
E djallë me brirë
Vetëm se braktisa 
Idealin tënd
Dhe me ty nuk ruajta 
Të njëjtën ngjyrë;

 

Më thuaj atëherë
Ç’bëje ti,
O gjysh i bukur,

Në moshën time?
A s’më ke thënë vetë
Se qeveria
Drogonte skllevërit
Me argëtime?

 

O gjysh i ëmbël,
Je bërë inatçor,
Kur ishe i qetë
Ke qënë racional
Hë mo, thoshje,
Se horra janë, 
Borgjezë të fëlliqur,
Për ideal!

 

Po kur të zë
Me këta të sotmit
Me fjalë harbutshe
Gjuhën bën pis;
Po qenin besnik
Që i leh të zotit
Jashtë e nxjerrin 
Prej avllisë;

 

O gjyshi im naiv,
Kthehu pak prapa,
Kujto sa breza
Ti ke braktisur:
Kalanë e Rozafës
Jo djalli vetë
Të mënçurit natën
E kanë vithisur;

 

Sa keni murosur ju
Në “kështjellën” tuaj, 
Sa nëna latë pa bij,
Sa bij latë pa nëna?
Atje ku sundonte
Zjarri dhe ngrica
Të vetmuar ndiheshin
Dhe dielli dhe hëna;

 

Ta di merakun
Që shpirtin ta bren,
Ke frikë se shokët 
Të quajnë besëprerë;
Po ti hapur dil,
Zbuloi të vërtetat 
Dhe lerua atyre
Dobiçin në derë;

 

Luftën që bëre 
Në emër të idealit
S’ta përflet askush,
Askush s’ta mohon;
Po ti e di
Pelën e kuqe 
Të sëmurë, gërdallë
Asnjë arixhi sot s’e pranon;

 

Avash, mos nxito!
Mos më quaj gjakshprishur!
As mos kërko
Të ndjek rrugën tënde!
Unë të thash:
Stop, ndalo!
Me kocka kundërshtarësh
Nuk shtroj dot kalldrëme!

 

Dhe s’je penduar ende, 
Për frikën që pate
Mos ndërronte për mua
Rolet historia,
Mos më linte pa shkollë
Pa të ardhme, pa ëndërra
Ajo palo
Biografia?…

 

Lavazh truri
S’na bëjnë dot më 
Dhe rini çapkënen
S’na e qeth dot kush;
Me ujë të ndënjur
Dhe sapun tranzicioni
Shpirtit ç’do ditë
I bëjmë ne dush.

 

Po nejse, gjysh,
T’i lëmë këto,
Se ura të reja
U hodhën mes nesh;
Së shpejti, shpirtëngjëll, 
Nipçen tënd
Doktor të shtruar
Ti do ta kesh!

 

Dhe mos kërko përherë
Ilaçe, valiume
Se të prishet gjumi
Tej natës ibret!
Kot po tretesh,
Pëllumbi im,
Pas një pasioni 
Të zvjerdhur krejt;

 

Pa lëre merakun, 
S’të kam braktisur
Dhe ilaçe të mira
Do të bie plot;
Veç të mos thuash
“Atë palo Amerikën,
As në etiketa ilaçesh
S’e duroj dot”.

 

Mjaft me pasione, 
Me besimin e verbër!
E ke parë gjyshen?
E tjerr gjalmin hollë.
Ajo më ka dhënë 
Shpesh leksione
Kur më merrte për dore
Në kopshtin me mollë.

 

Më jepte mësime
Të thjeshta për jetën
Dhe feta buke 
Me gjalp morali;
Dashuria, më thoshte
Eshtë frut i vështirë
Dhe s’është hoshaf
Që e ha nga halli.

 

O gjyshi im zezvek,
S’ta mbaj dot fshehur:
Ca bij “armiqsh”
Sot janë shokët e mi.
Ka mes tyre
Bij baballarësh
Që në jetë s’kanë njohur
Kurrë lumturi;

 

Dhe një vajzë për vete,
Të bukur si ylli,
Të pastër si drita
Mes tyre kam zgjedhur,
Do ta sjell, o zemëflori,
Plot gojën do thuash:
“Ymër, o Zot,
Sa ende s’kam rrjedhur!”

 

Dhe do të pendohesh 
Për mëkatet makabër
S’u kërkuat akoma
Burrërisht një ndjesë.
Kështu çdo nismë
Për kallaisje shpirti,
Do të duket thjesht
Një moral pervers;

 

Oh, mos m’u dëshpëro,
Gjyshi im bujar!
Dhe mos derdh akoma 
Lot hakërrimi!
Shëndeti mendor, 
Vetë dashuria
Thonë se janë 
Si është ushqimi.

Ju flet Çamëria ! / Nga Namik Selmani

Ju flet Çamëria !

 

 

portret namik

Nga Namik Selmani

 

 

Edhe nëse nuk e keni dëgjuar në ndonjë stacion televiziv apo radiofonik këtë shprehje, tashmë kemi kohë që e dëgjojmë thellë vetes. Me zë të lartë e mëe zë të butë si një fëshfërimë ullinjsh që vjen nga ai truall i malluar për ninulla këngësh e urime dasmash. Është një zë që artikulohet dukshëm pas viteve të demokracisë. Një kulm të këtij zëri e dëgjuam në ato ditë të qershor në Qafën e Botës. Atje ku kufiri i Çamërisë është një hap larg. Një hedhje e një luleje te varret e rënë thellë palcës së tokës martire. E dëgjuat edhe ju këtë ZË ? Kishin ardhur shpirtërat e gjyshërve atë ditë atje afër. Shumë afër. Sa një pëllëmbë njeriu. Sa një zgjatje krahu. E zëri i Çamërisë kishte thirrur atë ditë lulet më të freskëta.. Në vend të gjakut të gjyshërve apo të njerëzve të sakatuar 70 vjet më parë, ata kishin mbushur duart me lule. Me tufa e kurora . Por edhe me lotë. Se mund të qeshësh fort sa të kesh fuqi, por nuk mund të rrish të mos rrishë pa qarë me pika të nxehta lotit kur ai buron nga zemra e kërkon një vend ku të dalë.

Ndaj faljani lotin atij burri që fliste e qante për nënën e vdekur!. E të therur në sytë e tij. Ec e mbaji po deshe lotët diku në varrezat që ende sot janë të mbushura me ferra. Janë Varret e Xarrës. Një emër fatkeq që futet në analet e Çamërisë Aty, në atë vend, ku një obelisk i lartë sa një qiell do të ishte pak, shumë pak për të zbutur dhimbjen jo vetëm të atyre që janë aty, të fëmijëve por edhe të stërniprve . Aty ku Deti i Dhimbjes do t’ia kalonte edhe vetë Jonit.
Zëri i Çamërisë kishte thirrur atë ditë në sofër këngën e vallen çame. Këngët e trimave e këngët e dasmës. Si një zjarr furre që mund të ndizet po kaq shpejt edhe tani pas më se 6 dekadave jetë. E të pjekë kuleçet e dasmës së Kthimit. Një këngë e valle që nuk ka nevojë për solistë, por që të gjithë mund t’i kthenin gjokset e tyre në skenë vallesh si gjoksi legjendar i Osman Takës.
Aty ku kufiri i Shqipërisë është një pëllëmbë larg nga toka tjetër çame Zëri kishte thirrur borzilokët me erë, me dafina dhe gjethet e ullirit duke i shkrirë me drithërimën e tramundanën e shpirtit çam. Atje ku djemtë e Partisë për Drejtësi dhe Integrimi për bashkëatdhetarët e tyre zërin e ri të Çamërisë, zërin e së nesërmes.
Zëri i saj kishte thirrur në Odën e Mençurisë poetët e saj. Sa shumë poetë! Mos pyesni se ku janë shkolluar e çfarë veprash poetike kanë bërë! Në një tribunë të improvizuar dilnin njëra pas tjetrës poetët e të gjithë moshave. Që nga fëmijët e deri te më të moshuarit . Ata që nuk dolën dot, folën me sytë e tyre të përlotur. Ishte një Festival i vërtetë Poezie. Pa kurora. Pa fitimtarë. Fitimtare ishte vetë Çamëria.

..Dikush tek mbahej pas bastunit të 85 viteve të tij, tha se Zëri i Çamërisë ishte një prag beteje dhe një Portë malli ku fjalët e gdhendura projektonin e ngrinin një Piedestal të lavdishëm të Mosharresës.
Ky det diku aty pranë, iu jepte një mandile të kaltër për t’ua fshirë djersët e udhës së vaposur të qershorit. Ishte marshimi më i gjatë që ishte bërë ndonjëherë në këto 64 vjet. I një marshimi drejt një Rikthimi. Drejt një pragu ku dera është ende e mbyllur. Një homazh kujtimi e rahmeti për të ndarët nga kjo jetë pa e realizuar ëndrrën.

Ky Det sikur merrte me vete me mijëra puthje nënash, nusesh, vajzash, që dukeshin të gjitha si Vajza e Valëve. Vetëm me një ndryshim. Vajza nuk priste në në shkëmb sado lartë qoftë ai. Por ajo vetë donte të ecte bashkë me shkëmbin drejt trojeve të dashura, drejt luturvive (punishteve të ullirit) te krojet e panumërta. Te djepet që kërkonin ninulla te reja. Nanat tërhiqnin pas vetes fëmijët e tyre. Ishin stërnipërit e stërmbesat. Ca mbesa tërhiqnin gjyshet gati të verbuara dhe të kërrusura nga vitet, ose si i thonë çamçe të glunjasura . Një nënë çame kishte sjellë aty të Qafa e Botës një bakllava dhe po e ndante bujarisht të gjithëve atyre që kishin kapërcyer aq rrugë për të ardhur aty. Kishin thirrur amanetet e padjegura për vitet e pragjet e mbushura me barin e harlisur 64-vjeçar. Pa na kishte ardhur aty, edhe Zëri i arsyes çame atë ditë. Zëri i një dite që kërkon me ngulm të nesërmen, të pasnesërmen, të……të drejtën për të vënë një lule si e gjithë bota që flet një fjalë me gojën që ia ka dhënë Zoti. Me të drejtën që ia kishte dhënë po Zoti. Me flamuj të kombit të tyre që prej shekujsh nuk mungoi në karsellat ( sepetet ) e tyre .

A dëgjuat ca zëra, more vëllezër, atë ditë qershori tek na gjëmonin në veshë ca sirena moderne??? Ishin zgjuar atë ditë të gjitha legjendat e thoshin se në to nuk kishte asnjë gjë të pavërtetë. Ishte Paramithia që ato ditë qershori të 44-s i thoshte Ferrit që të terratisej, të ikte nga vendi se do t’ia zinte vendin me atë tokë të djegur të mbushur me kufoma të pavarrosura burrash e grashë të futur nëpër katonjet e….Mos , O Zot!!!!! Ishte Parga që rilindëte sërish në zëra të lashtësisë. Ishte Dodona. Ishte Filati i diturisë. Ishte Arpica e mbushur tej e ndanë me ullinj. Të gjithë arpiciotët kudo që jetojnë në Shqipëri e në botë tregojnë njëzëri atë fjalë të urtë se, po qe se mund të ndodhte që të derdheshin fuçitë dhe enët e tjera të vajit të luturvive ( punishteve të vajit) të saj aherë duhet të ikte i turpëruar nga shtrati i tij i përjteshshëm vetë Joni për t’ia lënë vendin asaj rrjedhe të pafund.
E patë Gumenicën dhe Prevezën që kishte sjellë nga larg ca spiranca të arta dhe i kishte hedhur të sigurta në atë Det të vërtetë njerëzor nga e gjitha Shqipëria? Edhe nga Kosova që priste të nusëronte sërish me të tjerë krushq që nga viti 1913. I kishin hedhur këto spiranca të arta te Deti i Dashurisë. Te Deti i Luleve. Te Deti i Përqafimeve.
Koska kishte sjellë mjaltin e posrsanxjerrë nga hojet dhe pyeste :“Ç’ish jeni, more djelm? ”U lodhët , ju pastë nana? Ç’ish je, moj Nu? Po ti, more aga Refat? Mjaltosni pak buzët se jeni lodhur!”
E dëgjuat atë që ishte nga Vërsela, Spatari, nga Vrohonai, nga Grikohori….. E dëgjuan edhe gazetarët vendas e të huaj. Në raportet e shërbimit atë ditë ishte vënë shumë litra karburant i harxhuar. Dhe askush nuk ishte ankuar. Shumë djersë në trupat e tyre , edhe pse kishin ca makina luksoze. Në një farë mënyre edhe ata ishin bërë pjesë e një kortezhi të madh, të stërmadh njerëzor në një kërkim paqësor të një të drejte të mohuar. Edhe ata do ta kenë harruar atë ditë statusin e tyre të të “pavarurit “, e kanë brohoritur, e kanë folur, e kanë protestuar., e kanë kuptuar se janë të gjithë shqiptarë të mire, se Çamëria duhet të ishte më afër tyre. “Po politikanët shqiptarë a e dëgjuan ?- thoshte njëri. “Po politikanët grekë ç’thonë ?”- thoshte tjetri, një burrë i moshuar.
Dikush tha se kishte ardhur një çift i sapomartuar. Nipër të Dautit dhe Feridesë nga Grikohori dhe Arpica. Donin edhe ata që ta dëgjonin këtë zë. Edhe fëmijët e tyre që flinin në strehën e artë të amësisë dhe atësisë. Të merrnin edhe ca urime të tjera në Qafën e Botës.
Një invalid në një karrocë, i posazbritur nga një furgon e targa të Durrësit mbante një flamur në duar. Si ke ardhur këtu, o njeri ?!! Si? Mbante edhe një lule. Një lule e një urim. Thanë se ishte nipi i Salikos nga Paramithia që kishte mbetur i vrarë atë qershor kur kishte vënë drapërin e parë të korrjes në grurin e pjekur. Po e kishte korrur drapëri i vdekjes. Atë që gjithë jetën kishte bërë fëmijë e kishte mbjellë grurë e ullinj.
….Një ar fisnikerie kishte rënë në sytë e të gjithëve. Një ar të tillë e kishte çdo sy njerëzor i atij vargani njerëzish që nuk i shihej fundi. Edhe i atyre që nuk mundën të vinin dot, por që më shpirt e me zemër ishin aty.
Dhe u ngritën atë ditë ca gjumëtrazuar të lashtësisë e të së sotmes. U zgjua Pirrua, Bubulina, Dora D’Istria e Haan Tahsini, Abedin Dinua dhe Kolë Idromenoja. Faik Konica dhe Bilal Xhaferri , Absaz Dojaka dhe Haxhi Murati….Na kishte ardhur jo si mik, por si zot shtëpie edhe Naim Frashëri, i prushëruar nga fjala çame, ose nga kjo gluhë e ngrohtë e Perëndive të dëgjuar në Çamëri.

U zgjuan të gjithë zërat e nuk kishin nevojë për megafonë modernë sallash luksoze ku rrinë ca njerëz në kolltuke të kadifenjtë. Jo. Jo. Klithma e së nesërmes që lindëte nga e djeshmja që nuk mund të harrohej përcillej sa në një shtëpi në tjetrën. Sa në një zemër në tjetrën. Për të ardhur më tej në salla të parlamenteve shqiptarë, grekë, evropianë, amerikanë,…Në dyer redaksish, në ekrane kompjuterash, në faqosjen e përherëshme të gazetave, në kronikat e përditshme të gazetave..në skena teatrosh e filmash, në ballina të pafund librash ku sado të mëdha të jenë numrat e fletëve të tyre, historia zulmëmadhe dhe po kaq e dhimbshme, përsëri mbetet ende e pambaruar, thuajse e virgjër. Në dyer gjykatash. Për të ardhur më ndryshe në 27 Qershorët e tjerë. Deri sa të zgjidhet problemi çam. Deri sa të themi se ky ishte Qershori i fundit për marshime të tilla.

Është një zë që mban të fshehur shpresën dhe ëndrrën. Ëndrrën e Shpresën. Shpresën e dashurinë. Na mban të gjallë shpirtin e Mbijetesës. Ishte zëri i 20 000 vetëve që vinin nga të gjitha trojet ku flitet shqip. Nga Kosova dhe Amerika. Një zë i gjallë e asnjëherë i shuar në kohët moderne. Ja kaq apo edhe ca vetë më shumë kalonin kufirin e përgjakur në ato ditë qershori të 1944-s e 1945-s këtë kufi. Projektuesit menduan (sa keq!) se Çamëria mbaroi, u shua.
Eeeeej vëllezër! A e dëgjuat zërin e ri të Çamërisë? Atë ditë të gjithë u bëmë spikerë të malluar e të talentuar duke folur të gjithë me një zë :
“JU FLET ÇAMËRIA!” “ Çamëria është gjallë ! Ajo rron e asnjë nuk mund të humbë historinë e saj , të kaluarën e saj e, aq më tepër të ardhmen e saj!”

 

 

Shtëpia Botuese ” ADA” publikon vëllimin poetik “Shpërthim në ato vite rinore” të autorit Enea Isallari dhe redaktim e parathënie të autorit Kujtim Agalliu.

Shtëpia Botuese ” ADA” publikon vëllimin poetik “Shpërthim në ato vite rinore” të autorit Enea Isallari dhe redaktim e parathënie  të autorit Kujtim Agalliu.   Titulli : Shpërthim në ato vite rinore Autori : ENEA ISALLARI Redaktor: Kujtim Agalliu ©mentor … Continue reading