Poezi nga Delo Isufi
DHURATA E SHËN VALENTINIT
E ç’të të sjell për Shën Valentinin,
Këtë ditë dimri ngarkuar me shi,
T’ju dhuroj të paktën vështrimin,
Ta ruash për gjithë jetën në sy?!
A mos vallë do vetëm një puthje,
Ashtu vjedhurazi e me rrëmbim,
Si çdo puthje kur jepet në ngutje,
Por zjarrin e ka përvëlim.
LOZONJARJA
Përballë më rri e qeshur,
Me sytë e bukur lozonjarë,
Buza jote e çelur, e heshtur,
Flet më shumë se mijëra fjalë.
Ti buzëqesh, hesht e vështrimin,
E hedh rrotull nëpër sallë,
Nuk ka pritë ta ndal vërshimin,
Që derdh tek mua valë-valë.
Ky vështrimi yt i marrë,
Dhe të vdekurit i ngjallë.
KY SHEKULL . . .
Ky shekull, i çmendur, i marrë,
Miliona e miliona të pa punë,
Ky shekull, sa ka mbytur e vrarë!?
Shekulli me refugjatë më shumë.
Ky shekull kolerë, ebolë e sidë,
Shekull i mbrapshtë dhe ters,
Shekull që prodhon njeriun ibrid,
Shekull incest, shekull pervers.
Ky shekull dreqi, skëterr, i zi,
Luftë për territore, për pushtet,
Luftë për naftë, për hegjemoni,
Luftë në tokë, në qiell e në det.
Dhe popujt vuajnë, o Zot sa turp!
Ikin nga lufta,kërkojnë shpëtim,
Emigrojnë, për një kafshatë bukë,
Por të shumtit, deti i përpinë.
PËR TY SHPIRTIN KRYQËZOJ.
Për ty i tëri do të tretem
Dhe në kryq shpirtin do vë
Se pa ty s’e dua jetën
Se pa ty, s’ka vler asgjë.
Dhe ashtu i kryqëzuar
Ty perjetë do të pres
Veç një her të t’mbaj në duar
Dhe pastaj moj l’e të vdes.
SI UJTË E DETIT…
Në barazi të plotë i dua shokët,
Të bukura e lozonjare shoqet të jenë,
Si ujtë e detit t’i derdhi lotët,
E bukura që do m’ përcjell’ në ferr.
DASHURIA E FUNDIT
Pranvera ikën e vjeshta më pas,
Dimrit i’a lë vendin si me përtim,
Pse vallë na ndritë i fundmi gaz,
Si një rreze dielli në perëndim?!
Pse vallë mbi ëndrra fluturojmë,
Dhe gjumi na zë bashkë me ‘to,
Këtë rreze ne, pse e adhurojmë,
Ky perëndim dielli pse na ngroh?!
Shpirtin na e ndez më tepër,
Dhe zjarrin na e fut në gji,
Mos vallë nuk është gjë tjetër,
Veçse e fundit DASHURI ?