Poezi nga Seti Vladi

seti vladi 1

Poezi nga Seti Vladi

 

 

ZGALEMI I DETIT
( DURRËSI )

 

E ulur në fronin e lashtësisë tënde
Bukuroshja e Durrësit hap portat e arta ,
tinguj harpesh në salla me argjende
përzier me mozaikë e kapitole të larta.

Në themelet e tua , muze të ndritura ,
qytetërimi yt pushon e shkëlqen ,
epoka e artit e mendjeve të ditura ,
stoli me brilante brezin të mbërthen.

Kordone yjore botën e qëndisin
Akropol , Kolose , harqe lashtësie ,
ke edhe ti yje që të ndrisin
mbi supet e tua , metropol Ilirije.

Është pak të thuash je busull e shtigjeve ,
as dhe të thuash , Durrës i bukurive ,
ti je diamant i ndritshëm i brigjeve ,
sirena e zgjimit të agimeve .

Epidamni e Dyrrahu shiritin ta prenë ,
themelet t’i ngritën mbi valët e detit
s’u lodhën ato të vijnë e të venë ,
freskore për ty u bënë , o fron i mbretit.

Gjerdani me kulla e bedena rrethuar
zbukurojnë trupin tënd shekullorë ,
Nga Perandori Bizant , Anastas , dhuruar
për ty , Luan i detit , një kurorë .

Nga porta e kalasë shekujt vështrohen… ,
amfiteatri me shkallët e gurta vigane ,
oshëtima ndeshjesh e dramash dëgjohen
ku vinte e dëfrente dhe paria romane .

Sa gjurmë shkelën e kaluan këto porta…!
Ciceronë , ushtarë e Jul Çezar ,
vinin nga Roma e vinin nga bota
me Pompeun hesapet për të lar’ .

Torra Veneziane , faqe historie ,
vatër me dragoj ku flaka shpërthente ,
bregu me orteqe zemrash trimërie
mbushur me Mujo ,kthyer në monumente.

Brigjet e tua me larmi motivesh
mbi supe dashrish’ si yje natue ,
me qiell flakëruar , purpur perëndimesh ,
ti yll i detit i ngritur në kate .

Ti flet me rrezet e diellit të artë ,
me detin hambar e valët kaltëruar,
me portin , anijet e vinçat e lartë ,
me kodrat zinxhirë , blerim mbuluar.

Me ura e harqe kalimesh lartuar ,
statuja , kolona e gladiator’ në sheshe,
ushqehesh me muzën e shekujve mbuluar,
mantél mozaikësh trupit i veshe .

Jeton me vrulle zhvillimesh të lira ,
udhëton me valët , Zgalem i pandarë ,
me fytyra të rreshkura nga rreze të nzira,
sirenat përshëndesin , udhën e mbarë!

 

 

 

PARADOKS

 

Pa gjumë ti mbete mendimi im
netëve të gjata a të shkurtra të jenë ,
me brengë në zemër e një shqetësim,
ato vijnë e ikin e zgjuar të lejnë.

Një gjëegjëzë ty seç të mundon ,
si pika në gur bie, bren e thërmon…

I endur n’arrati, rrethuar nga vegime
dimëron shpirti si ortek ngarkuar ,
i akullt syri pa festa, gëzime
dhe ditëve verore mbete i dimëruar.

Fshihet enigma në skuta të errëta…
vazhdon të pikojë në copëza të mermerta.

 

 

 

MENDIMIT RINOR

 

O mendim rinor!
Me vesë mëngjesesh larë,
rritur n’auditore si fllad pranveror,
ushqyer me mjaltin e baltës së artë,
në vullnete zemrash bashkuar
në paragrafe rreshtash të zjarrtë.

Ti , që errësirën e fik dhe ndez drit’ ,
ndryshon poltrone me dorën ngrit ,
fluturo i lirë
si pëllumb i bardhë
mes njerëzve të mirë!

Në bujarinë e tyre mbështete kokën,
me dashurit’ e tyre netëve mbulohu
dhe kur bora e acari ta mbulojnë tokën,
në zemrat e tyre futu dhe ngrohu.

Bëhu qelizë zhvillimi e sofrës tënde!
Mos hidh mbi supe torbën e kurbetit
në kurriz të emrit e dinjitetit!
Njeriu eshtë mbret
në vendin e vet.

Bëhu fushë me grurë,
erë e ngrohtë e tokës,
larto kantiere ku puna të vlojë,
vadit djersën e vjetër me djersën e moshës,
bardhësia jote, zemrat t’i bashkojë.

Netëve pa hënë ndiz llampa e kthe ditë
të mos lutet njerëzia “duam pak dritë…!” ,
shko në shkolla ku cicërojnë dallëndyshet,
bëhu ngrohtësi e duarve të ngrira,
me kostumin e djersës tënde të vishet
çdo shpresë e përgjumur me konture të mpira.

Me dashuri zemrash në zemër ,
ec duke ndriçuar…!
Bëhu Kushtetutë ,
drejtësi e pagabuar!

 

 

 

BINOM

 

Dilni e shihni detin…!
Janë rritur pishat.
E ndjeni aromën e tyre?
Po zhurmën e valëve?
…melodi e një kënge të vjetër.
Valët spërkasin pishat,
pishat u bëjnë hije valëve.
Kënga e valëve
dhe aroma e pishave të blerta,
binom relaksi
për Romeo e Zhuljeta.

 

 

 

Diell dhe Hënë

 

Si stina e parë për pemët,
jeni ju për njëri – tjetrin,
jeni lulja dhe dega,
bleta dhe nektari,
flaka dhe prushi,
Perla dhe gjerdani,
fjala dhe tingulli,
poezia dhe romani,
klorofila që jeshilon,
pranvera që zbukuron.
Jeni borë që shkrin,
dy yje që ndrijn’ .
Ajo për Ty, hënë e artë,
Ti për Atë, diell i zjarrtë.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s