Anton MARKU

 Anton-Marku-diplomat-vjene

Anton MARKU

 

Anton Marku u lind më 15 gusht 1971 në Gjakovë, ku kreu shkollën e lartë pedagogjike ‘‘Bajram Curri”-dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Studimet Universitare në drejtësi i përfundoi në Prishtinë, ndërsa në Vjenë magjistroi në studimet evropiane dhe shkencat politike (sttudimet ballkanike).

Ka shtatë vite që jeton dhe punon në Austri. Shkruan kryesisht poezi për të rritur, por dhe prozë të shkurtër. Deri më tani ka botuar pesë libra me poezi, të cilët janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane dhe rumune:

  1. ‘‘Cikloni i dashurisë’’, (2000)
  2. ‘‘Gjurmë mbi hije’’, (2002)
  3. ‘‘Dielli i mesnatës’’, (2004)
  4. ‘‘Vizioni blu’’, (2010)
  5. ‘‘Në duet me vetveten’’ (2012)

Ai po ashtu është prezantuar edhe në revistën ,,Zwischenwelt’’ (‘‘Mes botërave’’, 2014) si dhe në disa antologji me poezi dhe tregime të shkrimtarëve me origjinë të huaj që jetojnë në Austri, si në vëllimin ,,Man fragt mich, ob ich bin‘‘ (‘‘Pyetem nëse jam’’, 2009), ,,Stadtschattirungen’’ (‘‘Dritëhijet e qytetit’’, 2015) dhe në disa antologji të krijuesve shqiptarë në mërgim.

Anton Marku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i PEN Klubit të Austrisë, i Klubit letrar ‘‘Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës si dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’.

 

 

Poezi nga Anton Marku

 

 

QIELLI MUND TË PRES

 

Nëse nuk do

Që në epitafin tënd të shkruhet

‘‘Shkoi pa thënë asgjë’’

Fol. Mos hesht

Mos ik

Pa lëvizur asnjë gurë

Nga vendjeta

Nga vendvdekja

Pa zënë në thua

Më shumë se një herë

Në të njëjtën ëndërr

Për të arritur lart

Duhet lënë gjurmë poshtë

Nisu vetëm

Kur të kesh hargjuar gjithçka

Nga vetja

Rrugë të gjatë ke për të bërë

Deri atëherë

Qielli mund të pres…

 

 

 

LETËR DËRGUAR VETVETES

 

Jeto i lirë

Apostull i paqes

I lindur për qiellin.

Në emër të dashurisë

Pranë vetes mbaj

Ngjyrat e shpirtit.

Nisu vetëm atëherë

Kur zëri të tradhton

Vijës së kuqe.

 

 

 

PA ADRESË

 

Dhembja ime mbeti atje

Ku gurët i rrokulliste era.

Pas lashë zjarr veriu

Që na dogji të gjithëve nga pak.

Loti më përcjelli detrave

I vetëm pa askënd pranë.

Udhëkryqeve më përplasi

Jetë e shumëzuar me asgjë.

Derisa bota po zvogëlohej

Në sytë e mi …

 

 

 

NË DUET ME VETVETEN

 

U miqësova me heshtjen

Për të takuar

Pjesën time të zëshme.

Fushave të minuara mblodha

Shigjetat e pahedhura

Trëndafilat e luftës.

Etja për njeriun

Kurrë nuk u shua

Fanarëve të ndezur

Vizavi.

 

 

 

ERË E VIRGJËR

 

Errësirës i fale aromën e trupit

Derisa zhveshje terrin gjer në mes

Nën hijen e henës u fshehe

Dashuri bëre kush e di sa herë

Mëngjesi të gjeti zgjuar. Flokëprishur

Tek mblidhje ëndërrat e përdala

Të një nate më parë

Me gishtat që dridheshin prekje

Buzët që nuk dinin kë puthën mbrëmë

Nuk i ngjaje më vetvetes

Ishe shndëruar në endacake

Që dhuron të gjitha

Shiu dhe loti u takuan

Për të parën herë në syrin tënd

Pastaj rrodhën poshtë faqeve

Si vorbull. Si ujëvarë

Ti tashmë ishullit ju kishe bërë valë

 

 

 

PRISHTINA PA TY

 

Nuk të gjeta aty ku të lash

As atë mbrëmje.

As kurrë më.

Diçka brenda meje më thotë

Të pres gjer në të fundit frymë.

E vogël do të jetë bota

Për të fshehur nga unë.

Dhe nëse ndodh të ndaloj

Dije se do të gjunjëzohem diku.

Prapë të bëhemi bashkë

Së paku në uratë.

Dje sot përgjithmonë

I ftohtë do të mbetet loti në sy.

E zbrazët

Prishtina pa ty.

 

 

 

NJË TJETËR GRUA

 

Lotët ja fshehin sytë

Buzët e lagura.

Aromë e huaj

Në lëkurën e saj shëtitë.

Dritareve të verbuara

Mureve të shurdhëta.

Atje ku dikur

Një dhe një

Prapë bëheshin një.

Mbi supet e zhveshura

Njolla epshi.

U mbulua

Me pëlhurë ngjyrë nate

Dhe iku pa thënë gjë.

Bosh mbeti

Vendi i saj

Në mua.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s