Poezi nga Mimoza Çoba
LOJA PËR NE SAPO KA FILLUAR
Loja e fund-jetës për ne sapo ka filluar,
si drurët e vjetër rënkojmë në cdo pore,
ankohet palca nën eshtrën e thërrmuar,
dhe ashtu të heshtur presim vdekjen mizore.
Si shelg dridhet trupi teksa rri menduar,
ashtu si lisi i moçëm që bluhet nëpër kohë,
dhe pret ta rrëzojë era kur i sillet tërbuar,
ashtu si pleqërisë qe i rri vdekja mbi kokë.
“Loja e perëndimit” dridhshëm ka filluar,
buzëmbrëmjeve vjen si një murg i trishtë,
njëri prej nesh do mbetet për të dëshmuar,
se si ia lidhi me fjongo buzën pleqërisë.
Supeve shkundim heshtur vitet e arta,
si malet qe shkundin dëborën e bardhësisë,
kur majat ledhatohen nga erërat e ngrohta,
ashtu si thinja që loz mbi ballin e pleqërise.
Pleqëria rrjedh ëmbël, por dhe hidhëruar,
dhe kënga e dashurisë ngjitur rri në buzë,
petale e qëndisur prej puthjes së praruar,
që se lëviz asgjë, as vdekja nuk e tund.
Mbi çdo qelizë të trupit paqja zbret kulluar,
shpresa dhe dëshpërimi përleshen gjithkund,
nëpër kordat e zërit bredhim të dashuruar,
dhe shpirtit tingëllon ninulla deri ne fund.
Bekojmë njëri-tjetrin në ditët e mbetura,
dhe pse koha gri hedh breshër mbi pleqëri,
gëzimi shkel dhimbjen mbi buzët e etura,
që minutat e sekondat t’i jetojmë në ngrohtësi.