Poezi nga Zyba Hysa
MBRETËRESHË ME KURORË DAFINE
Duke falënderuar Zotin për mundësinë që dha,
Mes të panjohurës të njohim njëri – tjetrin,
Të ndjellë nga magjia e këngës,
Përmes morsit të zemrës…
Të falënderojmë natyrën që na ka bërë pjesë të saj,
E që shpirtin na e ka ndërtuar fole për dashuri,
Ndryshe… as unë s’kisha për të dalluar,
As do të më njihje dhe ti!
I falemi fatit, a misterit që na mori për dore,
Nga largësi të pamatur largësie na afroi aq pranë,
Sa u shkrimë… një u bëmë!
Tash dashuria ka çelur lastarët e saj,
Dimrat i kanë forcuar me stuhitë e pritjes së gjatë,
Për t’i mbajtur gjallë gjer sërish të çelin në maj…
Sot, më 14 shkurtin e përgjakjes së dashurisë njerëzore,
I them pritjes të presë… të ulë shigjetat harresa,
Vetveten të gjakosë për të jetuar pak çaste bashkë,
Si në atë buzëmbrëmje të marrosur,
Kur kërkonim njëri – tjetrin pa ditur se ku do të na çonin rrugët…
Të ndjej lëkundjen e qytetit,
Tërmetosur nga bashkimi i zemrave në krahët e njëri – tjetrit…
O ndjenjë Perëndie!
Që jeton me frymën e besimit dhe të shpresës,
Ti kurrë nuk kërkove favore pasurie,
Kurrë s’përfille ethet e mishit dhe të gjakut
E pse me ethe ngre dallgë e lëshon tërmete,
Ku ngre e ku shemb mijëra kështjella ëndërrimesh pa fund,
Ku të ngre lartësive qiellore e ku nga lartësia të lëshon si trung…
O dashuri, o frymë Perëndie!
Veç Ti i jep nurë e dritë jetës,
Ti ndriçon dhe guvat më të errëta të saj,
Vetëm ti, më bën të jem mbretëreshë me kurorë dafine,
Vetëm ti, dashuria ime!