Poezi nga Hyqmet B. Hasko
NGA PERËNDIMI NË AGIM
Perëndim i diellit sonte më fali një mike,
Dhe unë kuptova se asgjë nuk perëndon,
Kur një dashuri është vërtetë besnike,
Me dritën e pashuar të lumturisë kalëron.
Tani natën e quaj ekzistencë të bukur,
Përderisa dashurinë e zgjodha hënore,
Dhe bukurinë nuk e sjellin vetëm buzët,
Por drita tek një hënë me buzë harkore.
Perëndimi i diellit më fali një mike,
Dhe për mua s’ka perëndim, po lindje,
Kur dashuria dhe gjatë natës ka dritë dite,
Mes ledhatimesh e puthjesh ajo behet jetike.
Sepse dy zemra me njëra-tjetrën dashuruar,
Kanë lindje dhe asnjëherë perëndime,
Nëse lumturinë mes dashurisë ke siguruar,
Në jetë ke për të shijuar vetëm agime…