Për një njeri në turmë. (Shkëputur nga tregimi “Për një njeri në turmë”, i librit me tregime me të njëjtin titull. ) / Tregim nga Syrja Kurti

Për një njeri në turmë.

(Shkëputur nga tregimi “Për një njeri në turmë”, i librit me tregime me të njëjtin titull. )

 

 

Syrja kurti 1

Tregim nga Syrja Kurti

 
Zakonisht mëngjeset e mia janë gjithnjë të nxituara.Megjithëse sinjalet e alarmit dhe zilet e zgjimit janë sofistikuar, unë mbetem përsëri ai i pari.Gjithnjë dal vonë nga shtëpia.Sado mirë ta kem programuar kohën do jetë gjithnjë një shkak i momentit të fundit që do të më vonojë.Nuk ka rëndësi se çfarë është, por gjithnjë do jetë dicka e harruar që nuk është në vendin e duhur kur ti e kërkon, dhe ato minutat e mëngjesit duken sikur kanë një ritëm tjetër.Sikur vrapojnë më shpejt se simotrat e tyre të njëzetëekatër orëve.
Edhe ajo ditë nuk bëri përjashtim.Ndoshta duke shpejtuar pak më shumë se zakonisht hapat,mund të isha në rregull me orarin.Por megjithë nxitimin tim të përhershëm, tek kryqëzimi i rrugëve është një ritual i zakonshëm imi që më merr disa sekonda , ndonjëherë ndoshta dhe një minutë. Pothuajse për çdo ditë, e kthej kokën nxitimthi tek këndi i afisheve dhe lajmërimeve për të parë emrat e atyre që janë larguar së fundmi nga kjo botë.Në rrëmujën e ditëve tona , ndoshta ai stacion final, është vendi ku mund të mësosh me tepër për fatin e miqve , shokëve dhe njerëzve të tjerë që kanë humbur në xhunglën e kohës.Atë ditë në një nga afishet shoh një fytyrë të njohur, afrohem për të lexuar emrin dhe nuk kisha më dyshime.Ishte ai.U harrua orari dhe të gjitha gjërat e tjera që më prisnin atë mëngjes.Kujtesa filloi rrotullimin mbrapsht deri sa ndaloi tek një datë.9 shkurt 1991.
Ajo ditë nuk kishte nisur e zakonshme për Durrësin.Turma të mëdha njerëzish të ardhur nga larg, por dhe nga rrethinat. kishin mbushur rrugët dhe skutat e qytetit që një natë më parë.Kishte njerëz të të gjitha moshave dhe të gjithë profesioneve.Mund të bëje miq të castit, po ashtu sic mund të humbje edhe miqtë e vjetër për arsye nga më banalet.Ishte një kohë e çuditshme, dicka sillej në hapësirë,dicka e pakapshme që futej brenda qenies së njeriut bashkë me ajrin që thithnin mushkërite.Futej tek të gjithë, askush nuk i shpëtonte dot, megjithëse secili e përjetonte dhe e përpunonte pastaj sipas mënyrës së tij.Në ato kohë lajmi qoftë i vërtetë apo i gënjeshtërt, i dalë nga ndonjë zyrë , nga ndonjë bodrum, ose thjesht edhe një thashetheme pijetoresh, shpërndahej shumë shpejt.”Do të hapet porti!”.Kjo ishte thirrja e turmave.Një dorë e kujdesshme kishte vendosur të bënte përplasjen e parë mes shtetit që mezi mbahej në këmbë dhe popullit, i cili kërkonte lirinë dhe hapësirën e munguar prej vitesh.Vend më të mirë se Durrësin për pozicionin gjeografik dhe parullë më të përshtatshme se hapja e portit nuk besoj se kishte në atë kohë.
Edhe qytetarët e Durrësit nuk është se ndenjën duarkryq në rrëmujën e krijuar.Së bashku me njerëz të ardhur nga periferitë dhe nga fshatrat përreth qytetit ata nisën të shtonin radhët e turmës e cila vazhdonte të fryhej gjithnjë e më shumë.Ishte fillimi i vitit 1991 dhe Partia Demokratike kishte vetëm një muaj që ishte krijuar dhe akoma nuk ishte strukturuar mirë si një forcë politike e konsoliduar.Megjithëse më shumë vepronte në bazë të njohjeve dhe grupimeve të ndërmarrjeve e fabrikave, eksponentët e saj lokalë ju bashkuan turmës, për të qetësuar sadopak njerëzit që donin të mësynin portin dhe për ta mbajtur sa më shumë që të ishte e mundur situatën nën kontroll.Ndërkaq në rrethimin e portit nuk ishin më vetëm ushtarët e zakonshëm por ishin pozicionuar edhe forcat e policisë së Durrësit dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë.Pas pak mbërritën nga Tirana edhe forcat speciale të repartit 326, mjaft i njohur për famën e bëmave të tij dhe pjesëmarrës aktiv në çdo situatë të ndërlikuar të kohës.
Dukej sikur një dorë e padukshme i kishte ndarë njerëzit në dy pjesë pothuajse në të gjithë gjerësinë e perimetrit të gardhit mbrojtës të portit.Forca ushtarake të dislokuara brenda e jashtë hekurave dhe përballë tyre një turmë e stërmadhe, me njerëz të llojeve dhe profesioneve të ndryshme.Shumë nga ata nuk e njihnin se cilin kishin në krah , thjesht i kishte bashkuar ëndrra e përbashkët për një jetë më të mirë.Endrra e jetës së përtej detit, e parë fshehtas në kanalet televizive, aq shumë e dëshiruar nga të gjithë.Që fantazia e ndrydhur në netë dhe vite të gjata pritjeje të bëhej realitet, kishte mbetur vetëm një pengesë.Ishte ajo turmë laramane policësh, ushtarësh, specialësh, civilësh, qensh e cdo gjë tjetër që kishin përballë dhe që i pengonte të arrinin objektivin e amëshuar, anijet dhe vaporët që ishin të ankoruara brenda akuariumit të portit, duke filluar nga e famshja “kalata zero” dhe duke përfunduar në skajin tjetër, në kalatën lindore .Nuk kishte fare rëndësi për ta se çfarë mjeti ishte, çfarë tonazhi kishte dhe sa e kishte shpejtësin.Nuk kishte rëndësi nëse, shërbente për peshkim, transport mallrash a për rimorkim.Për ata çdo objekt që qëndronte sipër ujit, mund ti çonte në kufijtë e ëndrrës.Pritej vetëm një shkëndijë,si në nje start por ku dora që jepte sinjalin nuk dukej.Vazhdonte të mbetej e padukshme.
Nuk e di se si ndodhi, çfarë shërbeu si pretekst dhe se kush e filloi i pari por përplasja nisi.Që të jem më i saktë, ajo nuk ishte thjesht një përplasje por një përleshje e armatosur dhe e përgjakshme.Përdoreshin të gjitha mjetet, që nga shkopi i Adamit dhe i Evës, tek tullat, gurët, lopatat xheniere e deri tek shkopinjtë e gomës të prodhuar enkas për të dëmtuar.Pak nga pak përleshja u shtri në të gjithë gjatësinë e portit dhe në sajë te superioritetit numerik turma i detyroi forcat që mbronin portin të terhiqeshin brenda gardhit të tij.Madje në disa vende turma arriti dhe të hynte brenda portit, por forcat e policisë së bashku me specialët dhe ushtarët , të shtuara në numër, u riorganizuan dhe pas përleshjeve të ashpra e shtynë turmën jashtë gardhit me tela, madje kundërsulmuan fort dhe turma nisi të tërhiqej tashmë e copëzuar.Shumica e të ardhurve duke mos e njohur terrenin u pozicionuan në fushë të hapur, tek stacioni i trenit,kurse qytetarët e Durrësit pjesëmarrës në protestë, nisën të tërhiqeshin duke bërë shumë rezistencë nga rruga Tregtare drejt sheshit kryesor për tek shatërvani.Në rrugët e qytetit ata kishin superioritet mbi policinë sepse mjaft nga banorët e pallateve që nuk i ishin bashkuar protestës hidhnin mbi kokat e ushtarëve dhe policëve çfare të mundnin, vazo lulesh, pllaka , tulla dhe tjegulla.Madje atë ditë kam parë të fluturojë nga lart edhe një sobë e vjetër, i zoti i së cilës ndoshta mendoi se ajo nuk do i duhej më , me ardhjen e dyfishtë të pranverës qe ishte në prag…
Në atë shesh dhe në ato rrugë u përzien të gjitha.Mllefi, hakmarrja, urrejtja e mbarsur e të dyja palëve, gurë, xhama të thyer, skafandra, helmeta, qen dhe mburoja policësh, njerëz të gjakosur, makina zjarrfikëse që hidhnin ujë, megafonë që nuk dëgjoheshin fare por thjesht shtonin katrahurën me zhurmën e tyre, ferri me gjthë djajtë brenda ishte aty në atë shesh, në atë përplasje të egër mes dy mendësive, mes dy botëve ku secila mendonte se kishte të drejtën absolute me vete.
Dhe në një moment u dëgjuan krisma.Njerëzit u stepën për një çast dhe megjithëse e morën vesh që ishin fishekë manovër , prapë se prapë ata fishekë sikur nisën ta bënin punën e tyre.Radhët e turmës nisën të rralloheshin dhe pikërisht në atë moment nuk u mor vesh se kush qëlloi me fishekë të vërtetë.Deri në atë kohë britma që mbizotëronte në shesh ishte “Policia është me ne” por në atë lloj katrahure kam përshtypjen që shumë nga policët ishin vetëm me veten e tyre dhe me asnjë tjetër.Pas krismave me fishekë të vërtetë që nuk u morën vesh se nga erdhën, turma ngriti në krahë një djalë të ri të gjakosur.Ajo dora e panjohur u kujdes që njeriu të ngrihej mbi turmë për të elektrizuar njerëzit dhe nisën të dëgjoheshin thirrjet “Na vrau policia!.Turma megjithëse në momentin e parë u duk sikur do të reagonte , nisi të shpërndahej e trembur dhe u copëzua nëpër rrugët dhe rrugicat e qytetit por duke reaguar fort kundër policëve e mbështetur dhe nga banorët që kishin zënë vend në ballkone dhe në tarracat e pallateve.Ndërsa një grup i vogël njerëzish të cilëve në atë rrëmujë i kishte mbetur akoma pak mend në kokë, e morën njeriun e gjakosur dhe e nisën drejt spitalit.Kurse shumë nga të tjerët, që mund të ishin ndoshta edhe pjesa më e madhe e turmës , të pakënaqur që qëllimi final për të çarë rrethimin e portit nuk u arrit, nuk u morën dhe pothuajse nuk u interesuan më për fatin e njeriut të plagosur.Dëshira e tyre ishte të hapej porti, kjo ishte ajo që u interesonte dhe jo solidariteti me atë që kishin në krah.Ai përkrah i duhej për një gur më shumë , për një shkop më shumë dhe për asgjë tjetër.Secili shpresonte që të kishte pak më shumë fat se të tjerët dhe këtu mbyllej e gjitha. Nisën të largoheshin nga sheshi dhe rrugët kryesore ndërsa të ardhurit ndoshta do të vazhdonin të rrinin diku në rrethina me shpresën se tentativa për hapjen e portit do të përsëritej edhe të nesërmen.Në ato kohë ajo dora e padukshme kujdesej që gjithnjë në fund të çdo proteste ose tubimi, të kishte sa më shumë dëme.Edhe ajo ditë nuk bëri përjashtim.U dogjën dyqane dhe u grabitën, u thyen xhama makinash, u përmbysën autobusë, madje u dogj dhe një librari.(Nuk e di se çfarë pune I prishnin librat atyre njerëzve por nejse)…
Në turmë por dhe nga njerëz të ndryshëm, madje edhe nga eksponentë të politikës lokale, pas protestës, tubimit, mitingut, apo sulmit drejt portit,( sepse akoma dhe sot nuk mund ti vë dot një emër) , flitej për disa të vrarë dhe të plagosur me armë zjarri, por unë të them të drejtën, kisha parë vetëm nje dhe u interesova të di më shumë për njeriun e plagosur dhe gjendjen e tij.Ishte një djalë rreth 16 vjec që kishte dalë dhe ai të kërkonte të gjitha ato që i mungonin dhe që i ëndërronte me fantazinë e shfrenuar të një adoleshenti.Ishte ai fatkeqi.Ishte ai njeriu i pafat i turmës.Ishte plagosur në kokë dhe duke parë pozicionin e plagës , mjekët dyshonin se mund të mbetej i paralizuar për të gjithë jetën. Nje pikëllim i vërtetë për të dhe për fatin e tij.të keq…

 
Shkurt 2016.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s