Replikë me Apollonët / Nga Rezart Palluqi

Replikë me Apollonët

 

Letërsia nuk është pronë e askujt. Letërsia, ashtu si qielli, është qejflie e madhe. Ajo puthet me qiellin çdo shekull dhe sjell fëmijë të rinj letrarë të talentuar!

 

Rezart palluqi - 2

Nga Rezart Palluqi

 

 

Përpara se të lexoni shkrimin e mëposhtëm më duhet të bëj një sqarim të domosdoshëm: Unë nuk kam ndonjë konflikt interesi as me Ag Apollonin, as me vëllain e tij, Ben Apollonin. I kam takuar shakarazi në Prishtinë. Thjeshtë jemi përshëndetur për kortezi dhe kaq. Edhe shkrimtarin Rexhep Murtez Shala e njoh shumë më pak, ngaqë ky i fundit nuk përdor rrjete sociale. E kam njohur për herë të parë vjet. Kemi pirë një kafe letrare dhe qysh atëherë nuk kemi folur më.

Arsyeja e kësaj replike është letërsia. E kam fjalën për letërsinë anonime. Atë zërin magjik që na pëshpërit vizione letrare me të cilat edhe ndriçohet ose argëtohet njerëzimi. Shkrimtarët e mëdhenj e urrejnë emrin e tyre. Për ta letërsia ka më shumë vlerë se sa emri i tyre, përveç Ag Apollonit. Për të emri i saktë, që tingëllon bukur, ka më shumë vlerë se sa letërsia. Ndaj edhe ai, nga Agim Teneqe e ndryshoi emrin në Ag Apolloni.  Me këtë emër ai shpreson se Letërsia do ta pranojnë si të denjë.

Sot është publikuar në portal në Kosovë një recensë e imja rreth romanit “Anonim Profan Wor(l) d” të shkrimtarit Rexhep Murtez Shala.

(Është ribotuar edhe nga Gazeta Express: http://www.gazetaexpress.com/arte/universi-i-nje-megaromani-168390/)

Ky roman, sipas mendimit tim, i rrallë në hapësirën shqiptare (e them këtë me përgjegjësinë më të madhe intelektuale) është mohuar totalisht prej kritikës letrare në Kosovë. Njëri prej këtyre kritikëve është edhe Ag Apolloni.

Njëkohësisht, i njëjti njeri/kritik, ankohet shpesh dhe thotë: “Letërsia shqiptare ka vdekur”. Kësaj i thonë: ta shpallësh dikë të vdekur ndërkohë që ai jeton i mbyllur në një arkivol. Njeriu i gjallë, ose në këtë rast, romani, “Anonim”, i ulërin Agut dhe Benit: ej, nuk kam vdekur. Jam gjallë! Ejani me nxirrni prej këtij arkivoli të kuq ku më keni futur. Por jo! Ata arkivolin e gozhdojnë çdo ditë me gozhdë të reja.

U desh një vit, derisa gjeta kohë ta lexoj romanin në fjalë. Mbasi e lexova me vëmendje, por edhe kënaqësi të madhe, vendosa të shpreh mbresat e mia. Më pas , për fat të mirë recensa u botua dje në webin kulturor Kultplus.

Ç’ndodhi do të më thoni ju të dashur miq? Ç’ndodhi? Epo ndodhi ajo që ndodh në ato vende, ku të ashtuquajturit “shkrimtarët” e rinj nuk merren me letërsi të mirëfilltë. Nuk merren as duke i lexuar librat kolegëve dhe bërë recensa, qofshin ato negative, por merren për të futur në arkivol ato  romane të rinj, si ky i Shalës, që dalin jashtë kornizave mesjetare/idioteske ballkanike.  Dalin jashtë shinave thashë? Po, po! Thyejnë tabutë e marra, që shkrimtarët e tjerë të mirënjohur shqiptarë,  i mbrojnë ato me patriotizëm mesjetar.

Ndaj, vëllezërit Teneqja ( nuk bëj shaka, kështu e kanë pasur mbiemrin, dhe nga kompleksiteti psikologjik e kanë ndërruar) sot hapën një sulm ndaj recensës sime. U morën me mustaqet e Çelo Picarit- themi ne andej nga Elbasani, duke u kapur tek një gabim shpejtësie që më kishte shpëtuar. Më konkretisht, në një citat të autorit Shala, unë fjalën të “përçudshëm” e kisha bërë “përçuditur”. E pranoj se konotacioni i fjalës është ndryshuar totalisht, por kjo nuk ia ul apo ngre vlerën, as recensës, as romanit.

Sa për 3 gabimet e tjera drejtshkrimore (pra një “j” më shumë) e kujtoj Agim Teneqen se në novelthën e tij “Zazen” kam ndeshur 24 gabime. Po, po! 24 gabime drejtshkrimore dhe sintaksore. Kush është më e rëndë? Të të shpëtojnë ca gabime në një recensë që ka dalë direkt nga dora e autorit, apo prej një novele të botuar, që ka kaluar më parë nëpër disa duar korrektuesish dhe redaktorësh?

Ja, që vëllezërit Teneqja çuan sot njerëz në redaksinë e kultplus dhe u ankuan për këtë mini-mini-gabim tim të vogël. Kush tjetër i dërgoi ata? Por edhe nëse s’e kanë bërë ata, vëllezërit e legjitimuan direkt ankesën e tyre duke e postuar lajmin direkt në facebook , disa minuta mbas ankesës. Sa shpejt që reagojnë ndaj ndonjë gabimi miskroskopik?  Sa mirë që heshtin ndaj vlerave të romanit në tërësi?

Vëllezërit Teneqja, njëri eseist/novelist, Ag Apolloni, tjetri Arben  Apolloni, regjisor i novelave të vëllait të tij, po, po, regjisor i teksteve të vëllait të tij, në vend që ta lexonin romanin në fjalë dhe nxirrnin në pah vlerat ose antivlerat e tij, ata heshtën. Kjo quhet heshtje kriminele! Mirëpo heshtja nuk i shpëtoi ata. Romani “Anonim”, që ata kurrë nuk ia kanë honepsur shkëlqimin, u shpëtoi nga duart. Doli nga arkivoli i kuq, ku e ruanin me syhapësi të madhe. Por edhe më kënaqi,  më  zbukuroi të paktën 3 ditë të javës që shkoi.

Ndaj, sot vrapuan të ngrenë pluhur ndaj një gabimi tim të vogël drejtshkrimor!! Hapën një debat të madh në facebook dhe ofenduan publikisht shkrimtarin dhe profesorin e nderuar, njeriun e urtë dhe mjaft te kulturuar, Rexhep Murtez Shala!

Vëllezërit Teneqja, si edhe disa të tjerë, si Albatrosi, që kanë uzurpuar mediat elektronike dhe të shkruara dhe pushtuar makineritë letrare në Kosovë, nuk duan që romane si ky i Shalës, “Anonim”, të dalin jasht modeleve të tyre, të letërsisë rozë!! Sepse atëherë krijimet e tyre  “kryesisht imitacion/plagjiaturë” do të biejnë në  pusin e zi. Por përveç kësaj , edhe yjet e tyre  letrarë, që edhe ua kanë hapur dhe ua mbajnë dyert mediatike të hapura, do të kalojnë në hije! Humbje e madhe kjo! Humbje e dyfishtë. Romani i Shalës dhe romane të tillë, kur godasin një penallti, shkelmojnë dy topa njëherësh.

Vëllezërit Teneqja, ashtu si edhe shumë të tjerë, përpiqen me mish e shpirt që të ruajnë të paprekur mitet Kadare-Qose! Këtë e bëjnë në rrugë të ndryshme. Duke shumëzuar me zero letërsinë e së kaluarës. Duke përdhosur rilindasit tanë dhe bërë konkludime të pabesueshme si ajo e Agim Teneqes, vjet: se “rilindasit nuk i kanë ofruar asgjë letërsisë shqipe”.  Duke u tallur me viktimat fatkeqe komunist dhe mohuar disidencën e tyre, siç e bëri  Agim Teneqja ndaj poetit disident Bilal Xhaferrit para dy muajsh, pa harruar edhe Trebeshinën. Duke mbuluar dobësitë letrare dhe gënjeshtrat apo krimet morale të shkrimtarëve oborrtarë komunistë në të dyja anët, atë tiranase dhe prishtinase!  Ata i frikësohen shkrimtarit humanist, disident që nuk bën kurrë kompromise me diktaturat për leverdi të tyre personale, si fama, çmimet letrare, etjer!!

Dhe sot, duke u kapur mbas dy gabimeve të vogla të recensës sime, që as e varfërojnë, as e pasurojnë romanin.

Por epiqendra e vërtetë e problemit nuk prehet tek mohimi i romanit Shala. Ai është vetëm maja e asbergut! Agim Teneqeja ose Ag Apolloni, jep   letërsi në një Universitet të Prishtinës. Ai pra, u fsheh farën e re letrare studentëve të tij. Ai i edukon studentët e tij me mentalitetin e miteve letrare. Në botën perëndimore mitet letrare nuk ekzistojnë, sepse vendet ose shoqëritë e hapura pjellin artistë të mëdhenj çdo dekadë. Por për Agimin, ata ekzistojnë. Ky mentalitet përkon me atë diktatorial. Sipas saj, Diktatorët lindin një herë në 1000 vjet. Edhe shkrimtarët e mirë po ashtu! Epo Agimi dashje pa dashje frenon civilizimin e letërsisë shqipe. Dhe meqenëse është edhe krijues, kjo e bën një keqbërës të dyfishtë!

Të jesh mësimdhënës i letërsisë shqipe; kundër  letërsisë që ua mëson. Ku ndodh kjo? Xhelozia letrare ekziston kudo, por jo që të rrëshqasësh drejt greminës vrastare, duke e marrë letërsinë me vete, kjo është fatale.

U bëj thirrje vëllezërve Teneqja të kthehen në origjinë. Përpara se të përgojojnë dhe shajnë kolegët e tyre, siç e bënë sot, në facebook me profesorin e nderuar dhe shkrimtarin Rexhep Shala, të ripërqafojnë mbiemrin e tyre atësor. Të mos heshtin me vetëdije , siç bënë ndaj romanit në fjalë, dhe të mos sillen si ushtarët e Enver Hoxhës, që nëse dje ruanin kufinjtë me tela me gjemba, sot ata mbajnë jasht katedrave universitare romane të guximshëm, si Anonim Profan Wor(l) d që thyejnë tabutë dhe çdo lloj idiotësie ballkanike që edhe na kanë kapur prej fyti, këtu e 3000 vjet!!

Duan apo nuk duan vëllezërit Teneqja e shumë të tjerë, letërsia shqipe do të dalë nga izolimi ku e kanë futur ata dhe ujqërit politikë që qëndrojnë mbrapa tyre! Do të dalë me shpirtin dhe mendjen e  saj, pra palcën dhe shpirtin shqiptar, dhe jo duke imituar shkrimtarët e huaj botërorë, siç është bërë deri më sot modë në letërsinë e mirënjohur shqipe!!

Letërsia nuk është pronë e askujt. Letërsia, ashtu si qielli, është qejflie e madhe. Ajo puthet me qiellin çdo shekull dhe sjell fëmijë të rinj letrarë të talentuar!

Por vëllezërit Teneqe dhe yjet e tyre letrarë e përfytyrojnë letërsinë si një grua vejushe që do ta  mbyllë jetën e vetme dhe vetëm me dy fëmijë!!

Në mbyllje, për lexuesit e këtij shkrimi, dua t’ju njoftoj se këtë shkrim u përpoqa ta botoj në faqen e facebook ku edhe vëllezërit Teneqe qimen e kanë bërë tra. Por vëllezërit Teneqe, nuk e pranuan anëtarësimin tim. Perkundrazi më bllokuan direkt.1800 anëtarët e asaj faqeje,  kryesisht studentë, duhet të dëgjojnë edhe zërin tjetër. Por jo! Teneqetë kujtojnë se zërin e letërsisë do ta mbyllin në barkun e tyre prej llamarine. Harrojnë se letërsia shpon barkun e çelikut dhe jo me atë të llamarinës.

Ky është edhe një fakt tjetër se këta vëllezër e kanë frikë debatin e lirë. Sjellja e tyre, për fat të keq,  vjen era diktator, smirë nihiliste ndaj letërsisë së tjetrit dhe censurë!!

Bota ndryshon duke filluar nga vetvetja. Si mund ta ndryshojmë botën, ne shkrimtarët, kur ne sillemi si kriminelë dhe shkojmë deri aty sa që përpiqemi të groposim veprën e tjetrit?

Atëherë, shkrimtarë të tillë nuk janë as edhe një grimë më të mirë se sa një Diktator.

E megjithatë, unë të paktën nuk e kam ndjekur, as do ta ndjek shembullin e vëllezërve të  lartpërmendur. Ata që më njohin nga afër e dinë mirë, se unë jam ndër të paktët shkrimtarë shqiptarë që e lexon kolegun e tij. Veprën nuk ia lëvdon kurrë kur nuk i pëlqen, ama ia lexoj. Nuk hesht kurrë kur një libër me poezi ose roman më pëlqen. Atëherë shkruaj për të me sinqeritet dhe pathos, me qëllim që ai libër të merret më seriozisht, ose zgjojë kureshtjen e lexuesit, si në rastin e romanit “Anonim”. Tekembramja, koha do ta tregojë jetëgjatësinë ose jetëshkurtësinë e tij.

Vlerësimin sa më të sinqertë të prozës ose poezisë së tjetrit, e shoh si një detyrim timin moral por edhe detyrim ndaj të gjithë folësve të gjuhës shqipe, që pa artin e pakompromentuar nuk do të dalin kurrën e kurrës nga këneta e madhe imorale, ku edhe janë zhytur!

 

 

Amsterdam, 15 shkurt 2016 

One thought on “Replikë me Apollonët / Nga Rezart Palluqi

  1. Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, viti 2015, ka shkuar për Rexhep Murtez Shala për veprën “Anonim Profan Wor(l)d”.
    Dmth qe libri eshte vleresuar me cmimin me te larte dhe vleresimi dihet se nga cfare kritere bazohet. Ndersa cmimi eshte njera ane e vleresimit per nje veper, ana me kryesore e bindese per meriten e tij eshte vazhdimesia preferuese e saj nga lexuesi.
    Sa per kritiken, e kam thene dhe e them qe ajo eshte e vetmja gjini e artit qe ndodhet ne krize te rende, edhe pse ka jo pak emra te njohur qe pretendojne se bejne kritike. Mendoj qe vete kritika ka nevoje per nje gjini te re te artit, qe une e quaj Kritike ndaj kritikes. Duke lexuar kete replike te Rezartit, nuk ndjeva gje tjeter vecse shtimin e argumentave te mia per Kritiken kunder kritikes. Duke mos njohur librin ne fjale, nuk mund te them me teper se kaq, kurse Rezartit, nisur nga njohja me te i them qe e vetmja gje qe nuk pranon kritika eshte subjektivizmi i kritikut apo i kujtdo tjeter qe edhe pse nuk eshte kritik, ben shkrime me fryme kritike. Bashke me subjektivizmin, kritika perjashton dhe dufin e kritikut, ndryshe perfundon ne pazar fjalesh.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s