I tradhëtuari / Tregim nga Skënder Braka

I tradhëtuari 

 

 

Skender Braka

Tregim nga Skënder Braka

 

Nuk do ta kisha pikasur postobllokun e ngritur enkas nga policia, sikur të mos më kishte prerë rrugën një fëmijë që për pak desh e mora përpara. I bër i tëri sy e vesh, vazhdova të ecja ngadalë pothuajse me një të katërtën e gazit. Për momentin e gjykova se e kisha të pamundur ti shpëtoja kontrollit. Vrisja mëndjen të kuptoja nëse ky ishte një kontroll rutinë, apo dikush nga radhët e bashkpunëtorëve tanë në polici kishte vendosur të më bënte kurban. Ktheva makinën me të shpejtë dhe nga pasqyra e brendshme e saj, u mundova të shihja nëse policia më kishte pikasur dhe se ishte vënë në ndjekjen time apo jo, por për fatin e keq, nuk munda të shihja asgjë pasi një autobus i linjë Tiranë – Athinë, që për pak më nxorri nga rruga, më shkoi fare pranë, aq sa për një mend e humba përqëndrimin.M’u deshë disa të dhjetat e sekondës ta rifusja makinën në korsi dhe të shtoja shpejtësinë. Nuk ishte gjë e thjeshtë të të kapnin me njëqindë kilogram hashash. Kur e mblodha veten, gjëja e parë që më erdhi ndër mend ishte të gjeja se cili duhet të më kishte tradhëtuar. Xhili, tek i cili të gjithë kohëve të fundit kishim nisur të dyshonim se bënte një lojë të dyfishtë, vazhdote të mos bëhej i gjallë që prej dy javësh dhe në kishim humbur çdo shpresë se ai mund të ishte i gjallë. Të gjitha dyshimet e mia të para binin vetëm mbi Alqin. E quaja krejt të pakuptimt të ngarokja me faj Almën sidoqë më shkonte ndër mend se ndoshta diçka duhet të më kishte rrëshqitur, kur i thashë se nuk do të kthehesha aty para dy ditëve. Alqi m’a kishte bërë gjithçka të sigurtë. Nëpërmjetë miqëve të tij në polici, të cilët i ushqente me euro, më kishte garantuar se deri në Vlorë nuk do të më hynte gjëmb në këmbë. Por duke ndjekur imtësisht gjithë fijen e ngjarjes, Alqi ishte i vetmi njeri tek i cili nuk mundet të ngrija fijen e dyshimit. Më kishte telefonuar paraditen e së shtunës dhe më kishte thënë se kërkonte të takonte pa tjetër me mua për të diskutuar një çështje tepër të rëndësishme. E mora me mend përsë bëhej fjalë. Nuk e dija shumën që i duhej për të likuiduar për të hequr qafe atë që i’a kishte kërkuar eurot me aq ngulmë. Ishte një rast i rrallë që nuk ma kishte përmëndur emrin e atij. Më kërkoj vetëm të bëja këtë gjë. Ndryshe dhe unë nuk kisha se si të mund ta ndihmoja pasi më kishin mbetur as më shumë e as më pak nga pesë mijë euro dhe kësisoj i shuaja çdo lloj shprese. E vetmja mundësi ishte të mbrrija me ngarkesën deri në Vlorë. “ Ç’mut fati “, murmurita me vete, i mbushur i tëri me inat, të cilin nuk dija se ku dhe kujt t’ia zbrazja. ‘Përse dreqin më zgjodhi mua dhe jo ndonjë tjetër?” Devijova rrugën. E quaja më të sigurt të mos merrja rrugën nga autostrada, por atë nga Ndroqi. Po vrisja mëndjen se si të dilja nga kjo mesele. Më tepër se si do të mund ti shpëtoja policisë, po mendoja si të justifikohesha përpara Alqit. Po sikur ai të ngulmonte se policia nuk do të më kontrollonte? Ia kisha lënë gjithçka rastësisë dhe fatit derisa të hyja në Kombinat.

Gjithçka kishte nisur fare rastësisht, kur familja ime si shumë të tjera, pas humbjes së besimit dhe shpresës për një të ardhme më të mirë, la fshatin dhe erdhi e u shpërngul në rrethinat e kryeqytetit, që asaj kohe të gjithë i thoshin “Metropoli i vëndit”. Isha në moshën që ëndërroja për gjithçka dhe i prirur për udhëtime dhe aventura të largëta. Por pikërisht atëherë kur kishim menduar se i ishim arratisur një herë e përgjithmonë varfërisë, nisëm të ndjenim zhgënjimin më të madh. Isha i shtrënguar të shisja në tregun e djajëve të pashpirt virgjërinë e ëndrrave të mia. Ngandonjëherë më dukej sikur kisha marrë përsipër diçka që i kapërcente kufijtë e mundësive të mia, por çuditërisht gjithnjë ia kisha dal në krye.

Tani që po kthehesha, ndihesha si kurrë ndonjëherë sa i dëshpëruar po aq edhe i hidhëruar.

Kur parkova makinën në garazhd dhe u ngjita në apartamentin e Almës, vërejta se ishte bërë një grusht njeriu dhe se në fytyrë i dukej qartë ankthi që kishte përjetuar. Ngriti kokën me vështirësi të madhe dhe ashtu duke u munduar të shkëputej nga portmontoja ku qëndronte e mbështetur me duar të kryqëzuara përpara gjoksit, si më hodhi një shikim me ata sytë e saj të kthjellët e të kaltër, me buzë të dridhur më shpjegoi se si kishte ardhur një djal, emrin e të cilit nuk e dinte, por që mbante mënd se diku ishte takuar, i cili si e kishte përdhunuar dhe djegur cigaren paksa mbi gjoks, kishte marrë të pesëmijë eurot dhe kishte ikur pa lënë gjurmë. Nëse do t’i merrja të vërteta thëniet e Almës, nuk kisha pikën e dyshimit që ky ishte një lloj kurthi që më ishte ngritur për të më hequr qafe. Mbase isha nxituar edhe unë kur u’a kisha bërë me dije se tani që kisha nisur të bashkëjetoja me Almën, do të shkëputesha nga grupi, duke varrosur një herë e përgjithmonë gjithçka që dija dhe që kishte lidhje me sejcilin prej nesh. Mbase nga të lodhurit prej mendimeve të shumta që më vërshonin, si një rrebesh i pambarimt shiu dhe suferine, po filloja të ndjeja dhimbje koke. Alma me frikën se pas kësaj mund t’i bëja gjithçka, më qëndronte larg e mbështetur tek cepi i portmontosë, duke ngrënë mishërat e thonjëve. Qëndrimi mëshirues i saj më bënte të ndihesha fajtor gjer në majën e thoit, si dhe një burr krejt i pavlerë, në kuptimin e asaj që nuk kisha qënë i zoti të mbroja nderin e familjes sime. I thash të më dridhte një cigare dhe kur e pyeta për paraqitjen e jashtëme të atij, më shpjegoi me pak fjalë, duke më risjell në kujtesë herë njërin person, herë një tjetër, por pa qënë i sigurtë se cili ishte prej tyre. Pas nja njëzetë minutash, kur porsa kishte nisur të binte muzgu, u ngritëm dhe dualëm. I thash se nuk duhet të kthehej në apartamentin tonë para ndonja një jave. U largua e mërzitur dhe e trëmbur. Doja medoemos të takoja dikë që të më ndihmonte me një telefon për një bisedë pak minutëshe, por nuk po pikasja asnjë. I erdha një herë rrotull “Komunës së Parisit”, por nuk po shihja asnjërin. Të gjithë ishin zhdukur nga vëndi ku ne qëndronim dhe pinim hashash çdo ditë, sikur t’i kishte përpirë dheu.Të vetëtmin që takova ishte një gjimnazist, klient i Enos, që serbes erdhi dhe më kërkoi dy qese mall. Zemra thuajse më ndali.

– Më tha ta prisja këtu se do të shkonte t’ia bënte për kunj gruas së një ish shoku të tij, dhe nuk po duket që prej tri orësh.

“Kurva”, thash me vete dhe pa i dhënë arsye gjimnazistit dhe pasi futa duart në çantën prej meshini që kisha hedhur krahëqafe për tu siguruar që e kisha aty pistoletën, nxitova. Nuk kisha pikën e dyshimit se ishte Enua, dhe se gjëndesha në ndjekje të policisë, por edhe sikur mishin të m’a bënin një mijë copash nuk do të rrija pa e ndëshkuar atë plehër. Cili mundet t’i kishte thënë atij se unë nuk ndodhesha në shtëpi, përveç Alqit. “Bastardi. Më ka futur në kurth”

Kishte rënë errësira dhe po binte një shi i imtë, kur mora me të shpejtë rrugicave për të shkuar tek bar “Learti” në periferi të Ali Demit. Ai gjimnazisti sikur ma kishte hequr me dorë dhimbjen e kokës. E merrja me mënd që Enua më mos ishte zhdukur në ndonjë lagje tjetër, duhet të kishte ndrruar lokal. Por qënia i sigurtë që unë këtij momenti duhet të isha nën pranga, mbase nuk e pengonte të bënte ritualin e zakonshëm. E gjeta pikërisht atje, të ulur në një tryezë nga ana e pasme e lokalit, me një gotë wiski përpara dhe me sy mbi tirtat e Tv New 24. Mesa duket priste me padurim daljen e ndonjë deklarate të policisë mbi arrestimin tim dhe konfiskimin si provë materiale të njëqindë kilogramëve hashash. “Bastard, – thash me vete. Ku dreqin ke me e shkërdhy të tëmë qën bir qëni, tani që të gjeta.?

Ngriti shishen e birrës të cilën si e ktheu me fund, e uli përtokë pranë këmbës së tavolinës. Më bëri përshtypje qetësia me të cilën e priti ardhjen time aty. Duke tundur kokën si me dyshim, mori nga paketa një cigare dhe e ndezi. Kuptova se nuk ishte i sigurtë nëse unë kisha qënë në shtëpi apo jo, sepse në çast bëri një gjysmë rrotullimi dhe më provokoi duke më afruar të ulesha. Nuk kisha pikën e dyshimit që po përpiqej të bënte të paditurin, dhe se donte me çdo mënyrë t’i shmangej të vërtetës, por kur unë iu afrova, e nuhati që gjithçka e kisha seriozisht dhe se nuk kisha ndër mënd ta kurseja.

Nxora pistoletën nga çanta e meshinit, por në momentin që ula siguresën dhe drejtova dorën e tendosur në drejtim të kokës së tij, ndjeva një si pickim grenxe në krahun e majtë. Qëllova gjashtë herë rresht, derisa ai u plandos përdhe. Nuk doja ta lija aty pistoletën. Dora me të cilën shtrëngoja fortë plagën më ishte mbushur me gjak. Pak nga pak gojën po e ndjeja të hidhur, sikur të më thahej në të pështyma dhe po më merreshin mend. Më dukej sikur nga çasti në çast do të nxirrja zorrët e barkut. Mbase kjo më vinte më tepër, mendoja ngaqë ndihesha i tradhëtuar dhe tërësisht i zhgënjyer. Kur arrita në shtëpinë e nënës së Almës duhet të ishte thyer mesi i natës. Plumbi më kishte çpuar tej për tej muskulin e parakrahut. Alma e mori me mend që e kisha gjetur dhe e kisha vrarë. Çuditërisht nuk më bëhej të shfaqja as edhe shenjën më të vogël të ndjenjës së hakmarrjes dhe të triumfatorit. S’kisha ndjer kurrë në jetën time dhimbje aq të mëdha sa ato kur Alma po më mjekonte plagën. Me dorën e saj të butë më fshiu bulëzat e djersës që më kishin rënë mbi buzët që më zjarrmonin. E dija që i kisha vënë në siklet, por e kisha të domosdoshme të mjekohesha prej njerëzish të njohur. Zjarrmoja i tëri. Doja të qëndroja i qetë për pak minuta. Nuk besoja se e ëma e saj do të njohtonte policinë. I kishte ardhur një rast ideal për të më hequr një herë e përgjithmon qafesh, por isha i bindur se ajo nuk kishte për ta bërë kurrë një gjë të tillë. Nuk e di por kjo ndjesi m’u krijua nga mosbesimi i dikurshëm që kisha patur për të, të cilin tashmë ajo me veprimet e saj të atyre çasteve e kishte përmbysur të tërin. Ndjeu keqardhje kur më pa që isha plagosur. Kur më doli gjumi qëndronin të dyja pranë meje, njëra brinjë tjetrës, duke më ndërruar herë pas herë kompresot me ujë të ftohtë nga balli. E ëma e Almës u ngrit nga vendi ku ishte ulur dhe qëndroi përpara meje. Mbase sa ajo vet nuk e kuptonte, por po habitesha me të që po tregohej aq e mirësjellt ndaj meje. E kisha mëse të qartë se prej saj nuk prisja as edhe një lloj zgjidhjeje, jo se i mungonte dëshira, por sepse ishte e pafuqishme. Pas kaq kohësh qëndrimi dhe të sjellurit e saj po më mbushnin me kurajo dhe po më ngjallnin ndjenjën e mrekullisë.

– Çfarë zgjidhje më afron tani ? – e pyeta ndërsa ngrita kokën dhe në vend që ta hidhja shikimin nga ajo, pash nga Alma, që dridhej e tëra. Më krijonte përnjëherësh përshtypjej sikur edhe ajo atij çasti më tepër së për hallet e veta, ishte duke luftuar me telashet e mia. Dhe pse po e ndjeja se gjëndesha brënda një rrethi të zjarrtë që sa vinte e më ngushtohej, më tëpër se për vete, po ndjeja keqardhje për atë.

Mamaja e Almës nuk më ktheu përgjigje. “ Duhet ta kishe menduar që më parë në të gjitha detajet. Tani është tepër vonë.”, m’u duk sikur po më thoshin sytë e saj.

– E di që më duhet të iki, – u thashë, ndërsa hodha vështrimin tej dritares dhe pash që ende nuk ishte zbardhur. U ngrita në të ndenjur dhe u mbështeta.

– Të më kishe dëgjuar mua, nuk do t’i kishe hyrë kësaj rruge.

– Telashet ia shtova vetes për ta bërë sa më të lumtur vajzën tënde, prandaj qepe atë kamare, buçe!, – iu hakërreva, si të doja që atij çasti t’i zbrazja gjithë mllefin që më ishte mbledhur që prej rrëmbimit që i kisha bërë Amës. Vjerra nuk foli më, por thellë -thellë dukej sikur mezi priste që unë të largohesha. E dija që nuk ishte nga ato që e fshihte frikën. – Më hëngri bytha pa i hyra këtyre telasheve dhe atëherë kur unë doja që tu shmangesha, ishin ato që nuk donin të më linin. Sikur të kishe ardhur edhe ti me ne atë natë, kur u bëmë gati për të ikur në Itali, gjërat do të ishin më ndryshe sot. Asgjë e keqe nuk do të ndodhte, por ti nuk më besove.

Më dëgjonte e menduar. Zaten, njeriu kur bie në hall të madh nuk di se ku ta kërkoj mbështetjen për zgjidhjen. Erdha rrotull nëpër shtëpi. Nuk më zinte vëndi. Më dukej sikur ato edhe pse më shfaqeshin të tilla, më fshihnin diçka. Megjithse asgjë nuk kishte ndryshuar që kurse kisha hyrë në atë apartament, përsëri po më bëhej sikur dikush ishte futur brënda tij dhe më përgjonte.

Ecja rrotull e më dukej sikur nga çasti në çast do të vinin police për të më arrestuar.

– E di që do të më këshilloje të vetdorzohesha, – i thashë. – Vërtetë mendon se jam aq trap sa ta ndjej veten njeriun më të pa vlerë në botë. Nuk ka për të ndodhur kurrë kjo pa e gjetur se kush m’a ka bër këtë gjë. – Si thash kështu, ndjeva një çarje në thellësi të gjoksit e më pas një si lloj pështjellimi të cilin doja ta nxirrja por nuk mundja. Në ato pak raste që takoheshim, u shmangej gjithmonë bisedave me mua. Druhej se unë mos e shkelja jo më tepër me përdorimin e fjalorit të rrugës, se sa me ndonjë veprim të nxituar, i irrituar prej momentit. Më pyeste për gjëra të pa rëndësishme, pastaj largohej. Kështu sillej përherë me mua. Më bënte të ndihesha gjithnjë fajtor dhe këtë gjë e gëlltisja vetëm e vetëm për hatër të Almës. Më pa në sy sikur donte të më thoshte diçka, që nuk e pata të vështirë ta kuptoja. Nuk po e ndjeja më veten të qetë. U ngrita dhe zura të vija rrotull nëpër atë dhomë të vogël, që dikur kishte qënë e Almës. Nëpër mure kishin mbetur ende copëza prej rinisë së saj. Kisha dëshirë të mendoja rreth atyre që po më rrokte syri, por ndjenja e frikës ma tërhite më shumë vëmëndjen. Po më bëhej sikur ndjeja trokitjet e hapave të policëve në rrugë. Nuk i shihja fytyrat e tyre, por i miagjinoja dhe thosha me vete, me bindje se shumë prej tyre gjëndeshin aty jo më tepër për të bërë detyrën se sa për t’i bërë ysmet rrogës që merrnin. Tani që ndihesha i tradhëtuar edhe prej Alqit, dhe pa mbështetjen e askujt, nuk më mbetej veçse të bëja të pamundurën për të gjetur një shteg sado të vogël veçse për të qënë i lirë.

Dola jashtë. Vetëm kur ndjeva vendosjen e prangave në duart e mia e kuptova se kisha humbur gjithçka.

Në kokën time, më dukej sikur nuk po më çonin jo në qelinë e burgut, por në fshatin tim të lindjes. Ishte vërtetë e çuditshme se si po më silleshin të gjitha ndër mend. Ndjeja çudi se si më shfaqeshin befas përpara syve të mëndjes mëngjeset dhe mbrëmjet e bukura tek shtriheshin luginës, që më bënin të ndjeja mall për gjithçka që kisha lënë atje. Më dukej sikur më ndiqte nga pas dhe më shoqëronte për në qeli po ajo era e lehtë dhe e ëmbël që frynte mbi njomishte, po ai qiell i kthjellët, po ato zhurmat gazmore të atyre shtëpive gjysmë të rrënuara. Po më dukej e çuditshme, e pabesueshme dhe gati e habitshme se si e kisha ndërruar që lehtësisht lirin time të dikurshme me prangat e kësaj jete të pështirë.

 

Shkurt 2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s