POEZI NGA DANTE MAFFIA
HOMOGJENITET
Udhëtimi nga e qara e parë deri te heshtja,
vetmia e skajshme e lëndinave
me gjithë rikthimet e pranverës.
Në një skutë të errët shekujt janë stivuar
si fara të dekompozuara.
Kush thotë që vdekja do të vijë më vonë,
gabohet!
Gjithmonë ka qenë aty, në përgjim
në buzë të rrëpirave, në shtëpi, në rrugë.
Nuk ekziston vetëm një lloj historie
që i jep kuptim jetës.
Guaska e hapur
nuk të fton në dritë, por në mungesë të saj.
Nuk arrihet kurrë asgjëkundi.
Palëvizshmëria i ngjan lëvizjes.
Kur nuk do të mundem më të shkruaj a të mendoj
do të jenë njësoj: e pathëna dhe e thëna e tepërt.
Qenësia ekuilibron të paekzistueshmen.
Drita dhe errësira janë të barasvlershme;
fjala do të jetë një gumëzhimë
në boshllëkun inkandeshent.
NËPËR FLETË
Nëpër fletët e librit
hedh petale dhe gjethe
që herët a vonë
do të bëhen pluhur,
me një zë të dhimbshëm
prej notash të lashta.
E megjithatë vazhdoj të jem i bindur
se pikërisht ai pluhur
e shmang botën
nga shkatërrime e trazira.
Ka dorë të lëshuar,
rezonanca që shpërbëjnë dyshimet
sa provojnë të ngrenë krye.
DIGJEN SHUMË LIBRA NË GJAKUN TIM
Nuk të fal dot tjetër veç kësaj dashurie
pa zgjidhje. Po të isha det
do të të çoja nga një kontinent në tjetrin
për t’u treguar të gjithëve bukurinë tënde.
Digjen shumë libra në gjakun tim
dhe metaforat sfidojnë njëra-tjetrën
për të gjetur një pasqyrë për ty.
Një mori mëngjesesh nëpër duar
nuk i lejojnë vdekjes të ëndërrojë.
Përleshen joshjet, dergjet
Kimera mes gjumit dhe zgjimit.
Sa do të doja të të falja thesaret e mbretit Mida,
Komedinë, Hamletin, por ti
je një pafundësi e nuk mund
të mjaftohesh veç me qenien time
që shkon drejt rrënimit.
Për një çast të vetëm do të doja të më vështroje
ashtu siç bën me fëmijët,
por shpejtohu, po afrohet koha
kur do të kryqëzohem, i pafuqishëm
për të kapërcyer erën e Veriut.
KATASTROFA E LAMTUMIRAVE
Ah, ta kisha ditur!
Nuk do të kisha lidhur marrëveshje
me jetën.
Do të kisha vazhduar
ta vrisja me etje, furishëm
për të mos i dhënë kohë të errësonte
fluturimin e dallëndysheve, buzëqeshjen
e asaj që kam dashur.
Sa lehtë që rrokulliset nëpër stërka
katastrofa elegante e lamtumirave.
DREJT SË PATHËNËS
Është një veti e përbindshme
ajo që më jep mundësinë të vëzhgoj
nëpër jetë njerëzish dhe
të përfitoj stimuj të dobishëm
për të zbukuruar varrin tim.
Përveç kupolave dhe kështjellave
një fill drite hulumton
mbi fatkeqësitë e pranimeve të detyruara.
Jeta largohet
me një fishkëllimë të mprehtë drejt së pathënës.
VDEKJA
Rrëmbente pa falënderuar
dhe dyshimi
i shtangur kundërshtonte.
Frika na detyroi t’i flisnim:
“E kupton perversitetin tënd?”
U largua duke qeshur.
Jetët tona u kthyen në pritje
pranverash të shquara vagëllimthi:
veç një pështjellim lidhjesh të mundshme.
Më tej, humbëm rrugën
nëpër mjegulla të dendura që krijuam vetë,
në jehona psalmesh në sanskritisht.
u maskuam, por ishte e kotë.
Prej pemëve një ulërimë mori dhenë
e na i ktheu mbrapsht detyrimet
dhe agoninë rrënqethëse të gjuhëve të gjalla.
Shkretëtira tashmë ka zënë pusi,
format pa trajta po shkojnë drejt shpërbërjes.
Përktheu nga gjuha italiane Albana Alia