Shtëpia Botuese “BOTIMET MALE” publikon vëllimin poetik ” Dashuria është bekim” të poetes Mimoza Çobo dhe redaktim e kopertinë nga shkrimtari Vullnet Mato.

 

mimoza

 Shtëpia Botuese  “BOTIMET MALE” publikon vëllimin poetik ” Dashuria është bekim”  të poetes  Mimoza Çobo dhe redaktim e kopertinë nga shkrimtari Vullnet Mato. 

 

 

 

NJË PËRMBLEDHJE POETIKE ME KRIJIME TË ZGJEDHURA, TË KËRKUARA NGA LEXUESI, PËR NIVELIN CILËSOR TË POEZIVE TË SAJ.

POEZI TË STAZHIONUARA NGA PËRVOJA UNIVERSITARE

 

Në rininë e hershme kisha vëne re, se dërrasat e njoma që dilnin nga gatrat e sharave, shtrembëroheshin në përdorim, kurse me dërrasat e staxhionuara në kombinatin e drurit të Elbasanit, punoheshin mobilje të bukura e të qëndrueshme. Kështu më ndodhi afërsisht edhe me vargjet e poeteshës Mimoza Çobo, e cila ndonëse e ka librin e parë, më befasoi me ndërtimin e poezive të saj, të staxhionuara si në formë edhe në përmbajtje, nga studimet në Universitetin “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës.

Të shkruash, do të thotë të krijosh në mënyrë të pandërprerë, një raport të ngushtë mes njeriut dhe jetës, ëndrrës dhe realitetit, magjikes dhe reales, të bukurës dhe të shëmtuarës. E tillë është poezia, një bashkëbisedim intim me lexuesin dhe kohën, por edhe me brendësinë e vetvetes. Këto parime të përvetësuara nga përvoja e letërsisë botërore, poetesha Mimoza Çobo, i sjell në poezi, me mjaft elegancë, me brishtësi femërore me ndjesi të holla dhe të veshura me një tis magjie herë transparente e herë të nënkuptuara.

 

 

Mimoza Cobo

Mimoza Çobo

 

Një nga poezitë e rralla, të realizuare si asnjëherë nga gratë poetesha, për të portretizuar burrat, është poezia e mrekullueshme: “Bukuria burrërore”, ku ajo fiton kësisoj dimensionet e reja të një poetike moderne, tepër origjinale e të realizuar bukur, ku më tepër se kund, duket koncepti i drejtë i saj për unitetin bashkëshortor, nga brendësia e ndjesive të zemrës:

 

“Bukuria e burrit fshihet te butësia e tij ,

te buzëqeshja që i ngjan një ngazëllimi ,

te sytë që flasin me shpirtbardhësi,

te ligjërimi i fjalëve si rrjedha e burimit.

Te puthjet që i rrjedhin lëngëzuar në gjuhë

si tingujt e ëmbël si të një simfonie,

te mënyra si e mban femrën mbi gju,

tek afshet e nxehta me zjarr burrërie.

Tek përqafimi i bukurisë femërore,

gatuar me shpirtin e të qenit unik ,

kur mbështillet me ndjenjat mashkullore,

Atëherë burri pagëzohet me emrin “FISNIK”…’

 

Botën e brendshme femërore të saj, ndjesitë e holla qe ndjen një grua kur atë e zgjedhin në jetë për të bashkëjetuar me të, janë përshkruar mjeshtërisht nga poetesha Mimoza Çobo në këtë poezi, me ngjyra të gjalla e tepër mbresëlënëse.

 

“Asnjëherë si femër s’më kishin trajtuar,

zemra më kullonte lot vreri e zhgënjim,

sikur kisha një njollë brenda trupit harruar,

dhe shpirti më fluturonte pa sens, e pa argëtim.

Askush në jetë dhurata s’më kish falur mua,

si ato që më bëre ti, pa asnjë paragjykim,

dhe bukuria e syrit që më deshi si grua,

më puthi zemrën që s’kish njohur dashurinë.

Atë çast shpirti, si fëmijë më qau i gazmuar,

kuptova se si femër, kisha akoma vlerë vetë,

ja fala dashurinë, që priste fatin e bekuar,

këtij burri engjëll që më solli sërish në jetë.”

 

Ndryshe, në poezinë tjetër, ku ajo dashurinë nuk e fal për çdo njeri, ku tenton të mbetet kështu një poete me një rezonancë zërash të fshehtë që zbulohen, duke i përjetuar thellë detyrimet e dinjitetit, përmes poezisë së saj të mrekullueshme:

 

Dashurinë njerëzore ua fal atyre që e kanë merituar,

atyre që kanë nevojë për e shpirtit tim të ngrohtësisë,

as e shes, as ua jap badjava cubave shpirtpranguar,

ajo më buron nga shpirti dhe aty ka rrënjët e bukurisë.

Nëse dikush pretendon se do ma rrëmbejë ndër duar,

mos kini kaq besim, se mund t’ia dilni mbanë,

s’e njihni aspak shpirtin tim kur rreh i egërsuar,

dhe pjellë bishën më të fortë, që shqyen dynjanë.

Ndaj lërmani të qetë të rrahë ku zoti e ka dhuruar,

në brendësi të kraharorit, lidhur venat nëpër gjak,

se ajo nuk rreh e s’jeton dot në kraharorë të huaj,

është trëndafil jete, që çel aty ku rreh shpirti i saj.

 

Mimoza e sjellë vargun poetik si një proces të gjatë zbulimi, ku natyrshëm spikat bota e madhe e femrës dhe realiteti, dashuria dhe ëndrrat, të cilat janë këtu nebuloza e krijimit të një realiteti poetik origjinal dhe tepër të bukur, të larë në një ujëvarë drite dhe gurgullimë dashurie, me tinguj të ngrohtë lirik, si te kjo poezi për lumin:

 

“Sonte natën, kur hëna të më zgjojë

dhe gjumi të më përkëdheli në shtrat,

do zhytem në ujë, ku dallga është në lojë,

me valët që prekin magjinë e kristaltë.

Të luaj me mua si të vetmen pulëbardhë,

që vjen si robëreshë e dashurisë së valës,

mbuluar me shkumë fustanin e bardhë,

nëpër të ëmblën natë, shtrirë mes dallgësh.

Me ujin u dashurova qëkur isha fëmijë,

ndien çapat që prekin si pupël çdo valë,

dhe gishtat e butë zhytur nëpër rërën e tij,

që dehin valëzën, kur del në bregun e larë.

Sonte nata le të më përgjojë dallgëve,

po deshi le të zhytet aty ku hëna vezullon,

mes valëve ku shuhen e ndizet mirazhe,

ku refleksi i dritës mbështillet e vallëzon.”

 

Ajo operon në poezinë meditative me një bagazh të pasur mjetesh stilistike figurative, ku realitetit jepet nga një femër e ndjeshme, vibruese, e dridhshme, njerëzore dhe e ëndërrt, me figura të befta e të gjetura me fantazi te veçantë:

 

“Por vjen dita të hapet një derë,

troket në zemër pranvera e madhe,

shpresa mbrohet me shigjetë,

godet frikën edhe hedh valle.

Dhe mërzitja në verë të kthehet ,

në shpirtin e trazuar nga jeta,

nëpër vena gjaku të derdhet ,

aty ku vreri mbrohet me helmeta.”

 

Poezia e Mimoza Çobos, vjen e angazhuar shpirtërisht edhe në jetën sociale, ku dashuria dhe realiteti njehsohen duke u bërë kështu një mesazh i bukur i sjellë përmes një shpirti të ndezur. Aty është femra që flet. Është zëri i saj tingëllues herë si një pëshpërimë, herë si një ledhatim dashurie, herë si një brengë dhe herë si një thirrje, për kohën dhe shqetësimet që sjell ajo, për andrallat e zhvillimi të sforcuar, me lakminë për të arritur kohën moderne në të cilën jetojmë edhe në rrugë të shtrembra:

 

“Vrapojmë duke ndjekur nga pas kohën moderne,

siç ndoqi Hitleri çifutët gjer në rrënjët e mendjes,

por supeve kemi pelerinën e varfërisë ekstreme,

teksa kockat po treten nga dhëmbët e heshtjes.

Por ne prapë vrapojmë të kapim kohën moderne,

të lëpijmë nga një kockë nëpër kazanët e botës,

kokën të na e shtypi jastëku me prerje monedhe,

dhe shtratit përpëlitemi të gjejmë trutë e kokës.”

 

Përfundimisht më duhet të them, se Mimoza Çobo mund të quhet me të drejtë një poeteshë e konsoliduar, mjaft e ndjeshme, me një varg të realizuar mirë, me shpirt të ndjeshëm plot shpresë, plot jetë dhe dashuri. Ajo padyshim mund të quhet edhe mjeshtre e përdorimit të figurave poetike. Krijimtaria e saj poetike është e pjekur dhe mjaft shprehëse, e prekshme dhe e kuptueshme, nga të gjithë lexuesit.

 

 

vullnet

Vullnet Mato – shkrimtar, redaktor i librit

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s