PESHKOMË NJË SIRENË – Juan Ramòn MOLINA (Honduras) / Përktheu në shqip Maks Rakipaj

PESHKOMË NJË SIRENË

Juan Ramòn MOLINA (Honduras)

 

Zër ndonjë sirenë, peshkatar i varfër,

Mos rri kot në breg, mendimesh përhumbur

Ja, hëna e plotë, çasti i duhur

Pasqyrë magjike xixëllojnë valët.

 

Në breg që t’i shohim, nxirri të tëra

T’u shohim gjijtë, që të marrin sytë,

Në kor të këndojnë, këtu te rëra

Atë këngë ah, një nga mrekullitë.

 

Zhytu, më të bukurën kap të parën,

Fute në rrjetë, mos dëgjo të qarën,

Si gratë tradhtare qan. Në të gdhirë

 

Tek unë dielli ta gjejë nemitur,

Në buzët e mija pa pipëtirë,

Nën mua t’i fërgëllojë bisht’i ndritur.

 

 

Maks Rakipaj

Përktheu në shqip Maks Rakipaj

 

Adem Zaplluzha, poeti i metaforave dhe imazheve të fuqishme / Nga : Kujtim MATELI

Adem Zaplluzha, poeti i metaforave dhe imazheve të fuqishme

 

 

kujtim

Nga : Kujtim MATELI

 

Poeti prizrenas, me banim në Prishtinë, Adem Zaplluzha, gjatë vitit 2015  botoi 14 vëllime poetike dhe, në një hark kohor prej 41 vitesh, duke nisur me vëllimin poetik “Puthje” të vitit 1974, ka arritur të botojë 122 tituj librash. Po pena e tij nuk ka të ndalur. Nga krijimtaria e tij në vite, gjatë vitit 2016, ka përgatitur për të dërguar drejt shtëpive botuese dhe 19 tituj të tjerë poetikë, duke dëshiruar që në fund të këtij viti të arrijë 141 tituj librash.

Ky numër i lartë i vëllimeve të tij poetike, e bën atë rekordmen të trojeve shqiptare. Po mund të krahasohet dhe me vende të tjera që nuk e kanë një poet të tillë të përmasave sasiore.

 

ademzaplluzha (1)

Diku në fund të një fillimi

 

Veçse në art ana sasiore është më pak e rëndësishme se sa ana cilësore. Arti është në radhë të parë cilësi. Pashko Vasa, shkodrani ynë i mirënjohur, ka mbetur si një pikë kulmore e letërsisë shqipe vetëm me një poezi që titullohet ” O moj Shqypni”. Ajo poezi ishte një kushtrim për kohën kur u shkrua, që pëlqehet dhe vlerësohet dhe në ditët tona. Kështu ndodh dhe me poetin Zaplluzha, i cili pëlqehet në të gjitha trojet shqiptare dhe diasporë. Kjo shtrirje e gjerë e poezisë së tij do të thotë se ajo ka vlera artistike. Sigurisht, vetëm ana cilësore krijon hapësirë përtej vendbanimit të poetit.

Poezia e Zaplluzhës, gati e ka rrokur jetën njerëzore. Aty shikon se si lëviz bota shpirtërore e njeriut drejt mirësisë dhe dashurisë për njëri-tjetrin, atdheu përjetohet si një qenie njerëzore që mund të vdes, nëse bijtë e saj nuk i gjenden pranë në kohën e duhur. Ata që kanë marrë përgjegjësinë t`i dalin zot, duhet të luftojnë për ta lartësuar atë. Në këto rreshtime gjendet dhe Zaplluzha, i cili lufton fort me vargun e tij për të lartësuar tokën e të parëve duke krijuar besim dhe optimizëm për të ardhmen. Në këtë mision fisnik ai ka krijuar universin e tij poetik ku lëvizin meditimet e fuqishme filozofike, reflektimet për jetën dhe vdekjen, lëviz fëmijëria dhe mosha e thyer e burrit, eleganca e femrës shqiptare.  Ndien në poezinë e tij aromën e luleve, por dhe ofshamën e njeriut që përballet me varfërinë. Aty i ke të gjitha momentet me të cilat përballet një qenie njerëzore si: gëzimin dhe trishtimin, dashurinë dhe urrejtjen, harenë dhe hidhërimin, optimizmin dhe pesimizmin.

*******

Poezia e Adem Zaplluzhës është ndërtuar mbi realitetin e trojeve shqiptare, në mënyrë të veçantë mbi atë territor që quhet Kosovë. Në atë truall ku jeta ka qenë e vështirë, në atë truall ku jeta njerëzore ka kaluar nëpër dimra të acartë. Në kushtet kur jeta nuk mund të jetohet, realiteti fillon të tjetërsohet. Fillojnë masivisht largimet.

“Po shkojnë, na ikën miqtë,

Ndoshta tani janë diku larg,

Nëpër udhët e përtejmes.

Nuk mbetën as qyqet e zeza,

Një nga një po na largohen zogjtë”. Poezia ” Dimri i sivjetëm ishte tepër i acartë” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 15, Prishtinë 2015

Realiteti estetik që krijon poezia e Adem Zaplluzhës është ndërtuar mbi realitetin e rënduar kosovar të shekullit të kaluar, por edhe të këtij fillim shekulli.  Pushtimi shekullor serb u ka sjellë vetëm vuajtje. Madje

“Shkundi dhe gurët

Nëpër brigjet e durimit njerëzor”. Poezia “Dimri i sivjetëm ishte tepër i acartë” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq.15, Prishtinë 2015.

Poezia “Nga larg dukeshin si brirë dreri” tregon largimin nga vendbanimi të shumë shqiptarëve, një largim që i ngjason tufës së lejlekëve që nuk dinë se ku do të qëndrojnë. I shitën dhe gjërat e çmuara.

“Një natë më parë

Nëna e madhe i shiti byzylykët

Dhe unazën e heshtjes vajzërore “Poezia”, nga larg dukeshin si brirë dreri” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 57, Prishtinë 2015.

Më pas, një heshtje e rëndë. Asnjë letër, asnjë shenjë që të tregonte ekzistencën e tyre.

“Me vite të tëra askush nuk trokiti

Në përmallimin e drurit,

Era lakuriqe për çdo mëngjes

Qante me qenin endacak të lagjes.

Qante me ngashërim

Tok me portat e mbyllura”. Poezia “Nga larg dukeshin si brirë dreri” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 57, Prishtinë 2015.

******

Në poezinë e Zaplluzhës natyra lëviz duke reflektuar të gjitha ngjyrat e saj. Ndalesh një çast dhe vëren se si në pasqyrën e detit hëna kreh flokët e thinjura të natës apo yjet që kullotin nëpër flokët e xixëllonjave. Ndalesh një çast dhe vëren se si në sfondin e kujtesës, mbi krahët e një fluture, rrëshqet një varkë e bardhë.

 

 

adem

Adem Zaplluzha

 

Pikturohet me ngjyrat më të ndezura natyra  dhe shpirti njerëzor që lëviz bashkë me të në kohë dhe hapësirë. Aty, në ujin e ftohtë të Lumëbardhit:

“Pastruesit e rrugëve

I lajnë mëkatet e përqafimeve të vjedhura”. Poezia “I lajnë mëkatet e përqafimeve të vjedhura”, nga vëllimi poetik “Zëri i largët i shiut”, fq 61, Prishtinë 2015.

Tek Poezia ” Përtej gjelbërimit të bregut” përjetohet ikja e një dite të zakonshme dhe njerëzit që nuk kanë kohë të përjetojnë qetësisht këtë ikje. Zhurmat që krijojnë rrjetat e peshkatarëve ngjajnë me hingëllimën e kuajve që rendin livadheve të blerta. Aty:

” Vetëm zëri i një varke të vetmuar

Dëgjohet si vaji i detit,

Dënesin dhe varkat në damarët e kripës

Përtej gjelbërimit të bregut.

Etja ishte e madhe

Sa që i kafshonte kokrrat e brishta të kripës”. Poezia ” Përtej gjelbërimit të bregut” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 23, Prishtinë 2015.

*******

Objekt i poezisë së Zaplluzhës bëhet gjithë hapësira ballkanike, ku bashkë me shqiptarët rrojnë dhe popuj të tjerë. Po klima që krijohet nga raportet midis këtyre popujve është e ashpër. Krahas varfërisë ku “fasulja hahet kokërr më kokërr”  jetuan dhe në një klimë të akullt që ishte produkt i synimeve lakmitare të këtyre fqinjëve që nuk kishin kufi në pangopësinë e tyre.

” Një acar i Ballkanit hileqar

Gati dy mijë vjet

Po na i bren eshtrat

Po na e shlyen kujtesën

Me fshikullimën e erërave tinëzare”. Poezia “Një acar i Ballkanit tinëzar”, nga vëllimi poetik “Zëri i largët i shiut”, fq. 42, Prishtinë 2015

Tek poezia” Fluturojnë zogjtë e verbër” jepet realiteti i trojeve tona, ku shqiptari nën qiellin e mjegulluar të pushtimit, ndjehej i huaj në vatrat e shtëpisë së tij.

“Megjithatë nuk u ndalëm asnjëherë

Në kthetrat e kohës,

Kërkonim dritën e shpëtimit.

Ishim ndoshta të parët

që i besuam dritës,

Një tunel i largët, diku përtej mendjes

Na priste me një kandil të ndezur”. Poezia  ” Fluturojnë zogjtë e verbër” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq.37, Prishtinë 2015.

Poezia “Dhe ne u rritëm si lisat në stuhi” tregon se shqiptarët për të ruajtur ekzistencën e tyre individuale, më shumë u shërbyen të huajve, se sa atdheut të tyre. Në këtë luftë për ekzistencë, individi, sado i fuqishëm që të jetë, është i destinuar të kthehet në shërbëtor. Sado të mira materiale që të kishte fituar, kur kthehej në vatrën familjare, nuk vinte si fitimtar. Ishin pa të ardhme në vatrën e tyre.

“Mbështetur për kondakun e thyer,

Nuk ishim më për asnjë punë.

Nëpër llogore trishtimesh

I lëmë peng gjymtyrët”. Poezia “Dhe ne u rritëm si lisat në stuhi”  Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 38, Prishtinë 2015.

Po poezia e Zaplluzhës ndalet dhe hedh poetikisht dritë dhe në masakrat që ushtria serbe bëri mbi popullsinë shqiptare në trojet e Kosovës gjatë vitit 1999. Dhunime e masakra deri përtej kufirit ku arrin përfytyrimi i njeriut. Varri i një nëne të dhunuar:

Është vula më bindëse

Se diku në rruzullin e kësaj toke

Jeton një popull i ngarkuar me shumë mëkate”  Poezia “Një acar i Ballkanit tinëzar”, nga vëllimi poetik “Zëri i largët i shiut” fq 60,  Prishtinë 2015

Shqiptari e ka në traditën e tij që të panjohurin ta kosiderojë mik, ta pres e ta përcjellë sipas zakonit. Të panjohurit i dhurojmë mirësi për shkak të vuajtjeve që ai ka kaluar derisa mbërriti në vatrën tonë. Kështu vepruam me të gjithë ata popuj që u dyndën në hapësirat e trojeve tona,  sidomos në mijëvjeçarin e parë dhe të dytë të erës sonë. Mirëpo, kjo mirësi u shpërblye ndryshe. Dhe poeti shpreh gjykimin e tij për këtë fenomen mbarë shqiptarë.

“Ne pakëz e tepruam me mirësinë tonë,

I hapëm edhe dritaret,

Pa menduar

Se ujqërve u mjafton

Vetëm një plasaritje e murit”. Poezia ” Ta ndjejmë ekzistencën e fjalës” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq.17, Prishtinë 2015

******

Adem Zaplluzha është poet i metaforës. Nëse do t`i mblidhnim të gjitha metaforat e krijuara, do të shohim më mirë përkushtimin e tij ndaj poezisë. Ato nuk kanë qenë dhe nuk janë qëllim në vetvete i autorit, për ta ngarkuar poezinë sa më shumë me këtë figurë letrare. Ato janë të shkrira organikisht dhe janë në funksion të mendimit apo ndjenjës poetike. Secila është në vendin e vet dhe në misionin e saj; ta përcjellë vargun sa më artistikisht tek lexuesi.

Tek poezia “Hapen edhe dyert e mbyllura” jepet realiteti i sotëm që po e ndryshon mentalitetin dhe mjedisin në të cilin jetojmë.

“Lagjja pakëz më ndryshe

Sot po e ndjen frymëmarrjen e së nesërmes”. Poezia ” Hapen edhe dyert e mbyllura” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 25, Prishtinë 2015.

Dhe autori i këshillon brezat e rinj që të përballojnë sfidat e jetës duke gjurmuar nëpër shpirtrat e njerëzve dhe nëpër librat e vjetër.

“Bëhu i urtë biri im!

Saqë nga urtësia jote

të mos lindin vetëm fjalët,

Por malet dhe drurët

Që ecin kah e nesërmja”. Poezia ” Bëhu i urtë biri im” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 33, Prishtinë 2015.

Autori e shikon si të shenjtë vatrën familjare. Brenda mureve të një shtëpie, një familje e madhe apo dhe një çift i vetëm, ëndërrojnë, krijojnë dhe ruajnë vazhdimësinë e jetës njerëzore. Po në kohë të liga, shumë prej shtëpive boshatisen. Asnjë frymë nuk i ngroh më ato mure. Asnjë shpresë nuk fluturon brenda tyre. Vetëm

“Një flutur e verdhë troket

Çmendurisht troket në portat e erës,

Askush prej atyre dyerve të rënda

Asnjë zë njeriu s`lëshojnë ato mure”.  Poezia ” Asnjë zë njeriu s`lëshojnë muret” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 66, Prishtinë 2015.

*****

Zaplluzha e ndërton poezinë e tij mbi imazhe të fuqishme poetike, thelbi i të cilave rroket pas leximit të dytë apo të tretë. Po kur kërkon që ato të depërtojnë që me leximin e parë tek lexuesi dhe që mesazhi që kërkon të përcjellë  të jetë i qartë, siç janë disa nga poezitë ku trajtohet varfëria e tejskajshme apo tema e Luftës Çlirimtare të Kosovës, etj., gjuha poetike i afrohet ligjërimit bisedor, por pa e prekur atë, duke mbetur një gjuhë poetike me mesazhe të qarta që u drejtohen atyre që kanë marrë përgjegjësinë të bëjnë qeverisjen e Kosovës dhe që mund të bëjnë më shumë për këto shtresa në nevojë.

Krahas një realiteti që ndryshon vazhdimisht nga fuqia e mendjes dhe e shpirtit këmbëngulës, i cili shfaqet në autostrada dhe rrugët e reja që lidhin qytete dhe qendra të banuara, ku njerëzit rrojnë në shtëpi një e më shumë kate apo në apartamente të rinj duke bërë një jetë normale; ekziston dhe një realitet tjetër që e përbëjnë njerëzit e varfër, të cilët luftojnë për mbijetesë, për të siguruar bukën e përditshme. Kësaj  shtrese në nevojë poeti Zaplluzha u ka kushtuar disa poezi. Shpaloset aty një realitet i dhimbshëm që kërkon të tërhiqet vëmendja e shoqërisë dhe të kthejë vështrimin drejt tyre për të kërkuar rrugë dhe mënyra zgjidhje për të dalë nga mjerimi. Dhe ata që e kanë përgjegjësinë për këtë shtresë, nuk mund të mos ndihen të zënë në faj pas tablove realiste si:

“Ata përgjumen nëpër stacione trenash

Zgjohen si këndesat e egër

Me një trastë në krah depërtojnë thellë

Në varfërinë e tyre të paskajshme….” Poezia “Më duket se këtyre njerëzve”, nga vëllimi poetik ” Mes telave gjembor”, fq 86, Prishtinë 2015.

Epopeja e madhe e Luftës Çlirimtare të Kosovës kundër pushtuesve serb, ka zënë një vend të rëndësishëm në poezinë e Zaplluzhës. Lufta që hodhi themelet mbi të cilat u ngrit liria e Kosovës. Po ende nuk janë mbyllur plagët e asaj lufte. Ata luftëtarë  u kthyen dhe dikush gjeti çatinë e shtëpisë të rrëzuar, e dikush muret. Po ai ushtar i Luftës Çlirimtare ende nuk ka ndalur:

“Duke kërkuar

Nëpër Kosovën martire

Fëmijët e vrarë dhe gruan e tij”. Poezia “Ai ushtar”, nga vëllimi poetik ” Mes telave gjembor”, fq. 88, Prishtinë 2015.

*****

Në poezinë e Adem Zaplluzhës përshkruhet një realitet tejet i bukur. Këtë bukuri e ka marrë nga trojet tona dhe e ka derdhur në vargje, imazhe që të mbeten gjatë në mendje dhe lexuesi mendon se cilën pjesë të trojeve tona ka pikturuar poeti. Gjen në ato vargje copëza peizazhesh nga Saranda dhe Lugina e Preshevës, nga Përmeti dhe Prizreni, Mitrovica dhe Ulqini, Peja dhe Tetova, aty janë gjithkund  trojet tona të përthyera estetikisht dhe të realizuara artistikisht në vargje nga dora mjeshtërore e poetit. Të shkrira organikisht me peizazhin poetik janë përjetimet emocionale të shqiptarit të sotëm që fatet e veta i ka të lidhura me këto troje. Ai shikon se

“Shiu i ngrohtë i dimrit

Sërish pikon mbi trëndafilat

Kah çelin dhembje,

Hëna e mekur nga udhëtimet e gjata

I këput lulet e fishkura të Lumëbardhit. Poezia “Hëna e mekur”, vëllimi poetik “Në prehrin e pemëve” fq. 17, Prishtinë 2015.

Poeti depërton thellë në shpirtin njerëzor. Njeriu dashuruar me natyrën e jetën. Njeriu që dashuron dhe dashurohet përbën themelin mbi të cilën ngrihet jeta njerëzore. Poeti i thur himn njeriut të dashuruar.

Dy duar dhe nata,

Flokët e mëndafshta të mëngjesit

Notojnë mbi flluskat e vesës së zgjuar.

Sa shumë paska etje ky zgjim,

Sa shumë dete të çmendura

Në syrin e pangopur të dashurisë. Poezia “Në shpirtrat e dy njerëzve” vëllimi poetik  “Ajo nuk erdhi sonte” fq. 25, Prishtinë 2015.

******

U ndalëm vetëm në disa nga poezitë e Zaplluzhës të botuara gjatë vitit 2015, të cilat janë vetën disa çaste poetike, për ta ngacmuar lexuesin të shkojë drejt poezisë së tij, i cili pasi ta prekë atë, nuk do t`i largohet kurrë. Në universin poetik të tij, hyn lexues dhe del poet. Ndaj do t`ua rekomandoja dhe krijuesve të rinj, si një shkollë poetike.

Adem Demaçi, Profeti i gjallë i Qëndresës, Estetikës dhe Lirisë së Kosovës -Me rastin e 80 vjetorit te lindjes. / Nga Hyqmet HASKO.

Adem Demaçi, Profeti i gjallë i Qëndresës, Estetikës dhe Lirisë së Kosovës

-Me rastin e 80 vjetorit te lindjes.

 

 

Hyqmet Hasko

Nga Hyqmet HASKO.

 

Kur flasim për Kosovën e re, për Kosovën e rilindur si feniksi nga hiri i rrënojave dhe plagëve të barbarisë qindrashekullore të shkaktuara nga armiqtë tanë historikë, kur flasim për Koosvën e shoqërisë së hapur dhe sfidave të mëdha të integrimit euroatlantik, për Kosovën e poezisë, artit, fjalës së bukur, që shëron shpirtëra të plagosur, nuk mund të lëmë pa përmendur një ikonë të lirisë, një profet të qëndresës, një shkrimtar të rezistencës më shumë se pesëdhjetëvjeçare kundër makinës së gjenocidit serb, nuk mund të lëmë pa përmendur Adem Demaçin.

Me emrin e Demaçit lidhen plagët dhe mizoritë e një toke të ujitur me lotë e gjak, të cilës ky Mandelë i gjallë i Kosovës martire i vuri dorën e tij mbi këto plagë, vuri shpirtin e tij të paepur, poezinë, sakrficën, përkushtimin e një idealisti të kulluar, duke u bërë një simbol i gjallë i pathyeshmërisë ndaj mizorisë dhe barbarisë.

Kur flitet për Adem Demaçin, nuk gjendet shkallë krahasimi e qasje me dikë tjetër në kohën e re të shqiptarëve të këtij trualli qëndrestar, pasi emir I këtij kolosi të shqiptarisë vjen e lartësohet çdo ditë e orë që kalon nga koha e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, në themele të së cilës ai vuri djersën dhe diturinë e tij, përkushtimin dhe sakrificat e pashembullta në kalvarin e burgjeve sllavo-shovene.

Rexhep Qosja, një figurë madhore akademike dhe letrare e Kosovës dhe e gjithë shqiptarisë, e vlerëson me tone të epërme kontributin e Demaçit për Kosovën e lirë. Duke veçuar faktin se Demaçi i kishte dhënë gjithçka lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Qosja shtroi pyetjen kuptimplotë se çfarë i kishte dhënë Kosova atij. Duke e krahasuar me Nelson Mandelën dhe për meritat që atij ia kishte njohur dhe ia kishte dhënë populli jug-afrikan pas daljes nga burgu, Qosja konkludoi se politikanët e Kosovës dhe shoqëria në përgjithësi nuk u kujtuan për Demaçin, nuk i ofruan asnjë vend, qoftë edhe të këshilltarit të ndonjë qeveritari të lartë, të presidentëve apo të kryekuvendarëve që janë ndërruar në 16 vitet e pas luftës. Demaçin e anashkaluan, nënvizoi Qosja, të gjitha qeveritë e pasluftës, ndërsa në vitet 90-të politikanët pacifistë të kohës e kishin mbajtur në distancë dhe nuk i kishin afruar asnjë vend për meritat e tij dhe 28 vitet që kishte mbajtur burg për lirinë e vendit nga okupimi serb. Ai nuk u shpall deputet nderi, nuk iu dha posti i deputetit, ministrit apo i zëvendës-ministrit, madje as edhe posti i një zyrtari. Demaçi bëri gjithçka për Atdheun, por përfaqësuesit e institucioneve e politikanët e Atdheut, nuk i dhanë asgjë, ka thënë mes tjerash dr. Rexhep Qosja në fjalën e tij.

Në këtë konflikt ekzistencial mes portretit të një simboli të idealizmit dhe pragmatizmit të oborreve partiake që çojnë ujë vetëm në mullirin e interesave të këtyre oborreve, qëndron nja nga dilemat më të forta të realitetit mbarëshqiptar, në një shoqëri që nuk respekton sa duhet elitat, nuk ëgjon fjalën e tyre dhe nuk kërkon t’i ketë në ballë ose më së paku në krah, nga frika e eklipsimit që iu bën hija e lavdisë së tyre.

 

 

Adem Demaci

Adem Demaçi

 

Adem Demaçi u lind në më 26. 02. 1936 dhe u rrit në rrethana tejet të varfëra, tipike për shqiptarët e asaj kohe. Pas okupimit italian më 1941, në plan të gjerë, në Kosovë u hapën edhe shkollat shqipe. Më 1942, me këmbënguljen e nënës së vet dhe me dëshirën e flaktë të vetë vogëlushit Adem, babai arriti ta regjistronte atë në shkollë, ndonëse për nga trupi ai dukej më i vogël se sa e kishte moshën. Në shkollë u tregua fort i zellshëm dhe i suksesshëm, por me guximin dhe kureshtjen e vet, shumë herë shkaktonte “skandale politike”.

Adem Demaçi, krahas krijimtarisë letrare, ishte shumë i gjallë në kontaktet e tij në mesin e inteligjencës së re dhe shumë i afërt me popullin e thjeshtë të Kosovës së robëruar. Kudo ku shkonte ai dënonte shpërnguljen masive nën dhunë të shqiptarëve për në Turqi. Dënonte diskriminimin e shqiptarëve në çdo hap, fushatën e ashtuquajtur të mbledhjes së armëve që ishte ushtruar në dimrin e 1955 – 1956, arrestimin e dënimin e grupit të studentëve me në krye Rexhep Latifin dhe Nysret Novakazin në Prishtinë dhe grupin e Burhan Pashollit në Shkup, sepse këto raprezalje frikësonin edhe më shumë turmat shqiptare dhe bënin që edhe më shumë të merrte hov shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi. Në pranverën e vitit 1958, në revistën letrare me emër dhe me tirazh shumë të madh, “Jeta e re“, falë guximit dhe përkujdesjes së poetit Esad Mekuli, në dy numra rrjesht u botua romani i Adem Demaçi “Gjarprinjt e gjakut”. Romani ishte shkruar me shumë dialogje në gjuhën popullore dhe kjo bëri që ai të kuptohej shumë mirë jo vetëm nga inteligjenca, por edhe nga turmat e gjera të popullit. Romani, nën petkun e një stili letrar simbolik modern, me aludime dhe metafora pothuaj të hapura ishte në të vërtetë nje mesazh politik për fatin e shqiptarëve të Kosvës nën regjimin kriminal të Beogrdait. Mesazhi i këtij romani ishte që shqiptarët t’i linin mënjëanë mëritë dhe ngatërresat me njeri tjerin dhe krejt energjitë e tyre t’i drejtonin kundër pushtuesit. Regjimi policor serb nuk e pati të vështirë ta kuptonte sfidën e Demaçit. Pas afro njëzetë rrëfenjave dhe romanit të botuar, popullariteti i Demaçit u rrit fort jo vetëm në qarqet letrare shqiptare gjë që bëhej një pengesë jo e vogël për regjimin totalitarist. Edhe në romanet dhe tregimet e tjera të shumta të tij ndihet pulsi i disidencës, kundërshtitë e një shpirti të rebeluar, që kërkon të zgjojë vetëdijen e popullit të tij për qnëdresën eradhës kundër shkjaut dhe barbarëve sllavë.

Emri i Adem Demaçit po lakohej me dyshim të madh nëpër zyrat e policisë sekrete serbe. Kupa po mbushej dhe së shpejti ai do të vihej para provës dramatike jetësore: ose do të përkulej dhe do të përshtatej në strukturën e regjimit, në funksion të vazhdimit të robërimit të popullit të vet, ose do të ndodhte ajo që në fakt ndodhi me të: një kalvar biblik i pashembullt në Ballkanin e trazuar.

Demaçi do të ishte pjesë aktive në krye të rezistencës shqiptare për liri, çfarë do të bënte që të përndiqej sistematiksht, të burgosej disa herë, duke bërë që shumica e jetës së tij të kalonte burgjeve dhe në ilegalitet, për një kohë tjetër të Kosovës së tij martire.

Kontributet e tij letrare, përveç një përkujdesje mjeshtërore estetike, më së pari janë pjesë e angazhimit të tij atdhetar, pjesë e asaj kredoje që e ka motivuar atë gjatë gjithë jetës, për të qenë në ballë të sakrificave më sublime për komb, flamur e atdhe.

Ja disa vlerësime të figurave të letrave dhe mednimit shqiptar në Kosovë për Adem Demaçin:

Duhet thënë se filozofia politike, atdhetare dhe estetike, gnoseologjia e veprës së Demaçit, janë një fushë, që mund të përbënte një objekt hulumtimi për institucionet ose akademitë e shkencave. Kjo, sepse një hulumtim si ky, individual, nuk do të mund t’i përfshinte të gjitha sferat, që të mund të kënaqnin lexuesit në të ardhmen e largët. Në fakt, nga kjo afërsi kohore, rëndësia historike e Adem Demaçit, si institucion kombëtar, që ka vepruar personalisht dhe brenda burgut, sidomos për kauzën e lirisë në përgjithësi dhe njëkohësisht për kauzën kombëtare, jashtë burgut, me idetë dhe ndikimet e tij, në masat e reja të popullit,nuk mund të ezaurohet veçse nga një qëndrim institucional akademik mbarëshqiptar.

Sado që të shkruash për Demaçin, kurrë nuk je i sigurt që ke thënë mjaft për letrat e tij, për romanet, novelat, esetë, për jetën e tij aktive në shërbim të kauzës shqiptare, sepse jeta dhe vepra e tij është një minierë e artë. Kanë të drejtë disa akademikë, në Kosovë dhe Shqipëri që shprehen se shembulli jetësor i Adem Demaçit, me plotë të drejtë, atë e ka shndërruar në INSTITUCION në vete, çka nuk mund të thuhet, qoftë edhe për një njeri tjetër në Kosovë.

Akti shumëdimesional i Adem Demaçi i sfidoi të gjithë, madje edhe atëherë kur u keqkuptua, edhe atëhere kur nuk u përfill dhe sot kur qeveria dhe shteti i Kosovës nuk i ka ofruar atij asnjë rol në ecurinë madhore të Kosvës së re. Ndaj ka ndodhur dhe kjo duhet thënë me forcë se kur të gjithë prisnin prej tij që të paralajmëronte një luftë revolucionare, ai nga burgjet serbe paralajmëronte një mision afatgjatë historik kundër Jugosllavisë së mbështetur nga Lindja dhe Perëndimi. Kur të gjithë prisnin prej tij që të kundërshtonte Jugosllavinë si shtet dhe si përbërje etnike, duke përfaqësuar individin që nuk lufton për demokracinë jugosllave po për lirinë e popullit të vet, ai mbështet mendimin e disidencës jugosllave për lirinë dhe çlirimin e të gjithë popujve. Edhe pas rënies së sistemit komunist dhe madje fillimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kur të gjithë prisnin prej tij që të niste një fushatë kundër populizmit serb, ai i identifikon ata si ‘vëllezër’ të një misioni të përbashkët.

Jemi mësuar që Demaçin ta vlerësojmë në radhë të parë si simbolin e gjallë të rezistencës kombëtare, shqiptarin e pathyeshëm dhe më meritorin ndër të gjallët për lirinë e Kosovës. Jemi mësuar tashmë me paraqitjet e tij realiste, qëndrimet e tij të drejta, shpeshherë të ashpra, por gjithherë të vërteta, të shëndosha, të pastra dhe pa paragjykime.

Shumëkush në Kosovë, Shqipëri e gjetkë ndër shqiptarë, kur përcjellin paraqitjet e tij në opinion, çiltërsinë, rininë e mendimit dhe elegancën e qasjeve politike e estetike, kanë pyetur e pyesin sot e gjithë ditën, se ku e merr tërë atë energji ky kalorës i fjalës dhe i mendimit të lirë?! Nga i buron ajo energji, ai humanizëm, ajo shpirtdëlirësi, ajo dhunti e dashurisë për njerëzit, që është cilësi vetëm e profetëve?

Edhe pse mosha ka bërë të sajën, çuditërisht, Demaçi vazhdon të shfaq një portret tepër të gjallë e dinamik, një energji të brendshme e të thellë shpirtërore, e cila e ka përcjellë gjatë tërë jetës, në trajtën e një dhuntie përtej natyrore, thuasje hyjnore, si virtyt unik, si fenomen i llojit të vet. Tash në moshën 80 vjeçare, Demaçi, në botën e tij të pasur me energji krijuese e meditative, duket se është po ai i moshës rinore. Gjithnjë energjik, i paepur, i sinqertë por edhe i ashpër, sipas momentit dhe rastit, kurdoherë i dashur për popullin, të cilit shpeshherë ia qan hallin, duke u bërë zëdhënës i shpresave të tij, në një Kosovë të re, që aspiron me guxim e kurajo dyert e Bashkimit Evropian.

Ajo që duhet thëbnë në këtë shkrim është se duke e parë Demaçin si kryeaktivistin dhe njeriun e kasionit politiko-atdhetar, duke u marrë me burgjet dhe vuajtjet e tij në ferrin e inkuizicionit pansllavist, në njëfarë mënyre krijimtaria e tij letrare artistike ka mbetur në hije, nuk i është dhënë ai vend që meriton, edhe pse është krijimtari e thellë dhe e një niveli të lartë estetik, edhe pse, në fakt, tërësia e saj e deritanishme, nga të gjitha pikëpamjet ideore, artistike, stilistike e gjuhësore, e radhit Demaçin në avaguardë parë të krijuesve kombëtarë e më gjerë. Duhet thënë se tregimet dhe romanet e Adem Demaçit janë po aq të freskëta, të shkruara bukur e me shumë frymë jetësore në letërsinë tonë, sa është i veçantë dhe befasues edhe vetë autori i kësaj krijimtarie të gjërë e të larmishme me jetën dhe disidencën politike të tij.