Albana Methoxha publikon vëllimin e dytë poetik “Mallëzime shpirti”
“Mallëzime shpirti”, një tjetër yll-ndjenjash në Galaktikën e Poezisë se bukur Shqipe.
Nga : Merita Prifti Kazaferi
Albana Methoxha, poetesha e re del përpara lexuesit me këtë libër të saj të dytë. Ajo paraqitet në këtë libër në mënyrën dhe stilin e saj të veçantë. Shpërfaq të gjithë botën e saj të ndjenjave të të gjitha dimensioneve. I thur vargje dashurisë, në çdo plan, ku ajo shfaqet. Këto janë vargje-zemre të gruas që në çdo pjesë të saj ka dashuri. Dashuria për prindërit, për fëmijët, për njeriun e saj të zemrës, për të gjithë ata që janë bashkëudhëtar në rrugën e saj të jetës.
Albana Methoxha
Me vargje dhembshurie i këndon dashurisë për prindërit, babain, nënën, motrën, mbesën dhe epiqëndra e dashurisë janë fëmijët e saj. Çdo gjë për ta. Për ta arrin të transformohet në bishë, në djall. Për ta thur vargjet më të bukurat, kur zemra gëzon me praninë dhe pëlcet nga mungesa e tyre.
Thurë vargje të thjeshta, por të mbushura me ndërlikime ndjenjash.
Prek tema të thjeshta, por të mbushura me probleme të shumëllojshme.
Vargu i saj rend hareshëm drejt konsolidimit të idesë qëndrore të poezisë.
Mbështetja për të është dija dhe kultura letrare në përgjithësi.
Mitologjia dhe personazhet e saj e ndihmojnë të shpreh mundësinë dhe pamundësinë reale të bumerangut Shpirt.
Filozofia e ndihmonë të gjej paqen e munguar me veten dhe botën që e rrethon.
Duke patur kënaqësinë e reaktimit dhe korrektimit të krijimeve të saj, i uroj suksese dhe jam e bindur që lexuesi do arrijë të hyjë në botën e saj shpirtërore, duke i dhënë vlerësimin e duhur.
Suksese e dashur për ty dhe poezinë tënde!