Poezi nga Vasil Çuklla

 

Vasil cuklla

Poezi nga Vasil Çuklla

 

 

Dialog

 

Sokratin e madh pyeta. Të të tregoj diçka?!
U bind burr’ i lashtë, por – prit pak – më tha!…

– Le të filtrojmë mendimin, pastaj, të dëgjoj
– Filtrim pyeta unë?… Ndërkohë Ai, filloj!…

– Kjo, që do t’më thuash, dëgjuar e ke?!
– Dëgjuar – thashë unë, për kë të bëj be!…

– Pra, është e vërtetë… dhe ti këtë, e di!
– Dëgjuar kam, im zot… Mos paça njeri!

– Pra, ti, nuk e di… nëse është e vërtetë!
– M’a thanë, po t’a them. Ti gjykoje, vetë!…

– Të mirë, a të keqe… kërkon të më tregosh?!
– Të keqe natyrisht!… Ke vesh të dëgjosh?!

– Pra, do t’më thuash diçka, që vet nuk pe…
Veç kësaj është e keqe… Ti vetë m’a the!

– Tani folëm hapur… nëse është e vlerë!…
– Kolerë – thashë unë! Kolerë mbi kolerë!

– Do të më tregosh pra, diçka të pavërtetë…
Të keqe të madhe… Të pavlerë, gjinjëlloj…
Veç haron… dhe një gjë nuk më thua… medet!
Kur mua s’më ndih… pse të rri, t’a dëgjoj?!

Ika përhumbur, akoma njëherë!

 

 

 

Zhgjëndër

 

Flatra flatëruar, ëngjëllor, trrokitën lehtë mbi xham
Hënëz hënuar, rreth kurorë, ndan flatrave, peri!…
Fytyr ikonë, bardhë si dëborë, vështron cazë mënjanë
Mendimi menduar, njerëzor, le mendjen për çudi!
Vite tashmë… e vite prapë
m’u shfaqe, Dashuri!

Flatra flatëruar, ëngjëllor, dhe harku përmbi flatër
Shigjet’ tinëzare, meteor, zemrën shenjon, e di!…
Lule luluar zemra, luleborë dhe qiejt gjithë të kaltër
Harbojnë harbuar dhe gazmor, si dje edhe tani!
Mos më braktis… mos më braktis
e ëmbla, Dashuri!

 

 

 

GRUA

 

Grua!… Galaktikë, vite dritë, prej meje larguar!
Rrënqethje, drithërim, mendim i praruar!
Udhë e pa shkelur, kod pa deshifruar!
Andromede planet, i pa eksploruar!…

Gëlim, shkulmë dëshire, në zemrën harbuar!
Regëtim shpresëndjellës, në syrin verbuar!
Uragan ndjenjash, e det i trazuar!…
Apoteozë ëndre, tek unë mbetur zgjuar!

 

 

 

Dikush të pret…

 

Ajo…
Më priti mua,
si çdo ditë, si çdo javë,
për muaj e vjetë…
Më beso!…
as të dashur e kisha, as grua.
Thjesht duheshim, në heshtje, të dy
duheshim dhe druheshim
tek shiheshim në sy…
Kjo, vetëm kjo, është e vërtetë!

Ajo….
S’qëlloj të ish Penelopë,
madje, as unë Odiseu…
Ajo,
nuk ish nimf, as sirenë,
si kundër unë, jo nuk isha, Orfeu.
Por, më priti – ju them, me muaj e vjetë.
Si ëndër venitur, si makthi që bren.
Kjo, vetëm kjo, është e vërtetë!

Thelldhimbjen që fal pritja, kërkurrë s’ma rrëfeu!
Dimrat tashmë
kanë bërë folezë, mbi flokët e saj
Duart dridhen lehtë, si krahë mjellme pragvdekjes.
Heshton, nuk bën zë!…
Largohem, të mos më shoh, tek po qaj
mua plakun drobitur, të fortë si Anteu!

Pastaj nis flet ëmbël me zërin e qetë,
si pëllumbth i vogël, kur ligjëron gugatur.
Nata mbushet jetë,
kur thotë: Shkojmë i dashur…
Dikush, dikë pret, në natën e zgjatur!

 

 

 

Një rreze dritë është jeta!

 

Dhe kur fatet, duarsh t’i kanë rrëmbyer e marrë
Mos u ligështo! Pakëz dritë kërko!

Duarve sadiste, mos u ndje i mundur, i vrarë
Shpreso për çdo çast, insisto, lufto!

Mes burgë-gishtash gjithmonë ekziston një e çarë.
Pakëz dritë kërko. Pakëz dritë kërko!

Dhe kur dritë s’do të gjesh, s’je mundur, marrosur
Eshtë natë beso! Eshtë natë beso…

 

 

 

Shtiraku

 

Nuk di sot, çfarë fytyre të veshë
Kujt t’i ngjasojë, vërtet, jo nuk di!…
Herë ishte ti, herë unë, e herë ai tjetri
Por kurrë s’i qëllojë, të ishte Ai!

Kur t’a shihni rrugës, ju lutem, mos e tallni
Shtiruni, se nuk e ndjetë këtë ndryshim
Ai veç kafshon, por di, kafshon ëmbël…
Dhe, s’haron të të pyes: “Të dhembi, miku im?!”

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s