ATDHEU I PAÇMUAR DHE I KALTËR I ZAPLLUZHËS… / Nga Lulzim Logu

ATDHEU I PAÇMUAR DHE I KALTËR I ZAPLLUZHËS…

 

 

 

Lulzim Logu ALBANIA

Nga Lulzim Logu

 

Ka qenë befasi e vërtetë takimi im me poezinë e poetit nga Kosova, Adem Zaplluzha!

Kohë më parë, në prag të Manifestimit Tradicional “ Ora e Poezisë” që tash katër edicione zhvillohet në Tropojë, e kisha ftuar të merrte pjesë ,së bashku me disa poetë, ndër më të njohurit e Kosovës, pasi kisha lexuar disa poezi mbresëlënëse prej tij dhe isha surprizuar nga numri i madh i publikimeve të tij letrare.

E prisja me kërshëri, por edhe me detyrimin ndaj veprës së tij letrare, këtë përshtypje e ndava edhe me miqtë e mi, të cilët më folën me respekt për këtë poet dhe veprimtarinë e tij. Ai nuk mundi të vinte për shkaqe të ndryshme dhe letërkëmbimi im korrekt me të, veçse sa e thelloi nevojën që në një mënyrë apo në një tjetër ta njoh dhe të kontaktoj me autorin e 93 publikimeve poetike në harkun e 56 viteve.

Rasti e solli, që me bujari dhe respekt, autori të më sjellë librin e tij më të ri, ta kem në duar, ta lexoj, ta ndjej natyrshëm ritmin dhe tharmin e poezisë dhe të kontribuoj sadopak në sendërtimin e strukturës së tij solide, e cila mbante një peshë të madhe të mesazhit poetik, social dhe patriotik, harmonizuar në mënyrë adekuate me figuracion tronditës, frymë realiste dhe freski të çuditshme të motiveve dhe trajtave poetike.

Aty është fati historik i atdheut, fëmijëria rebele,shpirti i baladave,koha e arkeologëve, kalërimi në rrugët e ëndrrave,loti i hijes së barit,gjëma e barotit,refrenet e duarve të varfra të lypsarëve,shijet e harruara të rinisë, humbja e gishtave të butë të dashurisë, nostalgjia e natës së vendlindjes, shpresa e një bime të porsa mbjellë…

Një kaleidoskop ngjyrash, fatesh dhe personazhesh, ku çdo lexues mund ta gjeje një pjesë të vetes, të mendojë, gëzojë dhe zhgënjehet bashkë me poetin, shpesh të bëhet njësh me shpirtin dhe ndjenjat e tij, të shndërrohet në një natë të gjatë përjetimesh të lumtura, por edhe protestash njerëzore, ku fjala e tij është zëdhënësja më e mirë dhe mishërimi perfekt i të qenit të angazhuar me fatet e atdheut dhe fatet personale të ditës që shkoi dhe të asaj që vjen.

 

 

adem

Adem Zaplluzha

 

A s’është në fund të fundit ky misioni fisnik i poetit të kohës tonë, të evokojë, dashurojë, vuajë, thërrasë dhe përjetojë së bashku me lexuesin e vet, ani pse shpesh, ah’ sa shpesh, thirrjet e tyre humbasin pa gjurmë në tymnaja turbulluese të kohës, ku politika e mbrapshtë dhe varfëria mundin shpirtin bujar të poetit dhe ftohin lexuesin e tij në angazhimin e përbashkët për një jetë dinjitoze?!

…as mushkonja nuk paska

Se ku të ngjyejë thimthin e uritur!

Klith poeti në protestën e vet, në përjetimin realist dhe bashkëkohor dhe tonaliteti më i lartë ndjehet në ciklin e parë të librit me titull:”Kalaja që ecën kah e nesërmja’’

Kalaja është qyteti i motmoteve të vrazhdë të luftës dhe i ditëve të trazuara të lirisë, që pashmangshëm shkon vetëm kah shpresa, kah drita e re që ngazëllen zemrat e praruara.

…mëso si ta shuash dhembjen

Kur krahasohet me atë të gurit

Gatuaj bukën e përditshmërisë

Me lotin e hijes së barit…

Mbi peshën e moshës, përvojës dhe të qenit bashkëbisedues gjysmëshekullor dhe tejet aktiv me lexuesin e vet, poeti Zaplluzha ja lejon vetes të mbartë dhe përcjellë poetikisht dhe emocionalisht disa të vërteta njerëzore, për të cilat ndonjëherë njeriu i zakonshëm ndihet i luhatur dhe mosbesues, në mënyrë figurative vargjet e tij janë gurët e rëndë të një ure prej dhembje, trishtimi dhe gëzimi çmendurak, që dukshëm e afron këtë poezi nga rilindasit tanë, po aq sa edhe afër Migjenit, fryma e të cilit të duket se shket papritmas në ndonjë varg a rrokje si puhizë që shkund kujtime dhe shpresa:

…Ishte vonë

Shumë vonë kur mësuam

Për vdekjen e perëndive

Asnjë totem nuk kishte mbetur

Në sarkofagun e shakullinës…

Heronjtë e zakonshëm, të prekshëm dhe krejt të besueshëm në aktin e tyre për atdheun si Mic Sokoli, të varfrit me shikime tej shpuese, trenat e verbër të halleve të ditës, piskamat e lutjes nëpër kalldrëmet e gurta ku s’gjenden veç ashte’, janë kësisoj paralele sa të rastësishme, por po aq të prekshme dhe të besueshme si dikur.

Kohërat në librin e Adem Zaplluzhës ndërrohen pikërisht përmes sensit të afirmimit të fatit historik të popullit të tij, ndërtuar nga shumëzimi i fateve dhe ndodhive të çdo dite njerëzore, që kapet në perceptimin e thellë të autorit dhe transmetohet në metafora të mrekullueshme, të pahasura më parë diku tek një autor apo vepër tjetër, autenciteti dhe origjinaliteti i tyre përbën vlerën më të madhe të librit, përpos tematikës fine të shkrirë në një rrjedhë kronologjike, që i siguron lexuesit vëmendjen e shtuar dhe ritmin deri në fund të librit:

…Kapelën e shqyer të erës

E hodha në lumë

Po ashtu edhe këmishën time

E vara në kujtesë

Si një copë të dhembjes së djeshme…

Gjithçka, si në një shtjellë e erës së bjeshkës sillet kah atdheu, nocioni i atdheut krejt natyrshëm frymon ne motivet epike dhe lirike, mbi atë’ ndërtohet kuptimi dhe lidhja e tre pjesëve apo cikleve, ai simbolizohet si ndjenjë e ngrohtë, si dhembje e pareshtur, si dashuri e vjetër dhe e re, me të mirat dhe të këqijat e udhëtimit historik prej gjeneze e deri më sot, si një re e kaltër, si një shpresë, si nostalgji e fundit:

…Pushkën dhe malin i pate në zemër

Sa herë që të ftuan

Nuk prite thirrjen e dytë

Por si një bajloz i bardhë

Dole në bejleg

Ti varri i im

Dhe atdheu im i paçmuar !

Poeti në çdo varg dhe në çdo fjalë rrëmon në kujtesën njerëzore dhe atë kolektive kah angazhimi i prosperitetit të individit dhe të atdheut së bashku , përtej çdo note prej moralisti të mërzitshëm, ai sjell një poezi me peshë të rëndë, që sigurisht ndjehet dhe shijohet jo bash menjëherë sapo e lexon atë, por të mëshon ndjenjave të përziera pas një pauze meditative, kjo dëshmon maturinë dhe cilësinë e saj, vargjet janë mesazhe, fjalët sikur trokasin me trokthin e kuajve të erës, era është koha e re e shqiptarëve që rrjedh me shpresë dhe me dritën fatthënëse të shekullit të ri, me emrin e lirisë, pavarësisë dhe dashurisë. Pavarësisht moshës, poeti gëzon dhe lumturohet si një fëmijë i lumtur!

… Ne të gjithë një ditë

Do të vdesim

Por secili mënyrën e vet

Do mbërrijë në shtegun e fundit

Ashtu siç jetoi …

Një libër që meriton radhën që ka, nderon më tej emrin e poetit, të vendit ku ai frymëzohet dhe jeton, por edhe të lexuesit që ka fatin ta ndeshë rrjedhës së jetës dhe të përballet me faqet e tij si me faqet e një stine të bukur përplot ngjyra!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s