Rrëfehet Ilo Oxa, piktori i talentuar i hiperrealizmit / Bisedoi: Raimonda MOISIU

 

ilio-oxa

Rrëfehet Ilo Oxa, piktori i talentuar i hiperrealizmit

 

Dashurinë për pikturën e konsideron mrekullinë e talentit që i ka falur Zoti. “Në udhëtimin e tij me penel në dorë, piktori i talentuar i Hiperrealizmit, Ilo Oxa është kaq kreativ rreth portreteve, peisazheve, kompozimeve,-madje edhe impresionizmit dhe realizmit në pikturë, të cilat përtej mjeshtërisë akademike, artisti shqiptar gjen dritën e kohës së vet, duke njehsuar pikturën me dritën. Piktura e Ilo OXA, i ka të gjitha elementet fondamentalë të pikturës hiperrealiste, konstruktimi në dritë dhe pikturimi i ajrit pa prezencën narrative të figurës njerëzore janë karakteristikë e pikturës së tij. Kritika e kohës kombëtare e ndërkombëtare e ka vlerësuar me superlative pikturën e Ilo OXA, që nga Suzana Varvarica, Severino Perelda dhe Arnold Tribus. Aktualisht piktori i talentuar i Hiperrealizmit, Ilo OXA, jeton në Neë York, ku piktura e tij ka hyrë në një fazë të re, duke e promovuar, dhe prezantuar në ekspozita punimet e tij, të cilat mirëpriten nga publiku dhe dashamirësit e hiperrealizmit. Por, jo vetëm kaq, Ilo OXA është në kontakt të vazhdueshëm me mjeshtërat e hiperrealizmit në zemër të New Yorkut, takime që e bëjnë optimist e të suksesshëm karrierën tij. Në këtë intervistë piktori i talentuar Ilo OXA rrëfen pasionin për këtë lloj pikture dhe historinë e suksesit të rrugëtimit me penelin e tij mjeshtëror.

 

 

1-raimonda

Bisedoi: Raimonda MOISIU

 

 

Cilat kanë qenë përfytyrimet më të hershme, se një ditë do të bëheshit artist, dashuria tuaj e parë, ajo që ngjalli interesin tuaj në pikturë- piktura brenda pikturës, apo në termin e artit -Hiperrealizëm?

 

Të jesh i zgjedhur nga zoti për një dhuratë si dashuria për pikturën, është mrekulli dhe si të mos mjaftonte kjo, ishte fati, që bazat e edukimit artistik i mora në studiot e Liceut Artistik “Jordan Misja ” dhe më vonë në ato të Akademisë së Arteve në Tiranë ishte tjetër mrekulli edhe më e madhe. Ishin kohët kur vetë fjala dashuri, ishte njehsim i së mirës, edukatës dhe punës sistematike, që conte natyrshëm në krijimin e një ëndërre, që do të merrte gjithë orët, ditët dhe vitet më të bukura për t’u realizuar, ëndrra e të qenit artist. Si të gjithë nxënësit dita e parë e liceut krijoi te unë ndjesinë e bukur, se ajo ëndërr do të zhvillohej në përfytyrimet, punën e shumtë dhe më kryesorja, që do të kalonte mes ngjyrash, të stinëve, agimeve e perëndimeve të bukura tiranase, që me akuarelet e para, që do të edukonin te unë transparencën dhe dritën. Vete raporti i natyrshëm me letërsinë do t’i jepte ngjyrime misterioze kësaj rruge të saponisur.

 

Kush ka ndikuar në mënyrë të veçantë që iu ka frymëzuar? Si ju lindi ideja të bëni lidhjen e imazheve brenda pikturës, njehsimin e pikturës me dritën?

 

Kujtoj se vetë Liceu si shkollë, ishte një muzë frymëzimi. Studiot dhe programet, si dhe ndershmëria e mësimdhënies se profesorëve, që u jam mirënjohës, si dhe fakti që unë nuk kisha më parë një eksperiencë nga kurset e vizatimit, më ndihmoi shumë. Që ditët e para kuptova se jeta ime ishte shkruar të zhvillohej në mënyrë të patjetërsueshme me pikturën. Fakti që vetë programet e pikturës dhe vizatimit ishin të bazuara në fuzionin e dritës me hijen, krijoi mundësinë që më vonë pas studimeve, unë ndjeva domosdoshmërinë që piktura ime të merrte jetë, të lindte dhe zhvillohej vetëm në dritë, ishte një gjë e natyrshme. Besoj se çdo artist lind me dritën në zemër, ajo dritë që do ta ndihmojë në gjithë rrugën e tij dhe do ta ruajë atë nga zgjedhjet e gabuara në art. Njohja me studimet mbi tavalocën e koloristit të shekullit 19-ë Albert H. Munsell, të Frank Reilly ( 1906-1967- ilustrator dhe docent në Art Student League Neë York ) mbi spektrin e ngjyrave, ndarjen dhe forcën kromatike të tyre, për mua ishte një ndihmë e madhe. Një moment frymëzimi nëse mund te quhet kështu është momenti kur shikoj punët e artistëve të tjerë nga të cilët çdo herë kam mësuar dhe çdo ditë mësoj nga eksperienca e tyre. Ndërkohë puna e përditshme me orë të tëra bënte natyrshëm seleksionimin e gjithë asaj, që quhet eksperiencë e pikturës.

 

Cila është sfida për të bërë një pikturë? Si keni arritur ju, të procedoni “në udhëtimin tuaj” të jeni kaq kreativ rreth potreteve, peisazheve, kompozimeve,-madje edhe impresionizmit dhe realizmit në pikturë?

 

Pas studimeve, ku unë mora gjithë sa më duhej për anën metodike të organizimit të punës, ajo që do të zhvillohej më vonë ishte thjesht një mënyrë për të ilustruar jetën time. Është një ditar i kataloguar e datuar me anë të pikturave apo vizatimeve. Kam pasur fatin që rruga, natyrshëm zgjodha nuk krijonte mundësi devijimi apo kompromisi me sisteme shoqërore jashtë Galerive apo koleksionistëve privatë. Kjo është një cilësi, qëe kam hasur në tëgjithë artistët që ndikuan në pikturën time si Chuck Close, Gerhard Richter, e gjithë grupi i hiperealistëve, deri te Bertrand Minel. E thënë kështu cdo fillim i një pune të re për mua është pritje që do të shuhet mes orëve të punës, për të parë zhvillimin në një dritë të re, krahasuar me punën paraardhëse. Piktura është një sfidë e përditshme me dijen universale të artit, me arritjet e nivelet më të larta të artistëve bashkëkohor. Dëshira për të mësuar çdo ditë, diçka të re është kënaqësi e papërshkueshme.

 

Cilat janë shprehitë tuaja kur pikturoni; dëgjoni muzikë apo dëshironi qetësi? Çfarë është një “muzë”, qoftë për të krijuar, në rastin tuaj kur ju pikturoni? Është aftësi gjenetike sipas mendimit tuaj?

 

Natilie Merchant apo Yanni janë dy mrekulli, që i dëgjoj shpesh me shumë nostalgji për kohën kur i kam dëgjuar për herë të parë. Kanë kaluar vite nga ajo kohë, vërtet shumë vite, por në muzikën e tyre gjej fëmijërinë time, rrugët, librat dhe ëndrrat. Nëse do të kërkoja një muzë për punën time, atë e gjej gjithmonë në arritjet e mahnitshme të piktorëve hiperealistë.

 

 Pikturat tuaja janë të një kalibri të lartë artistik, peneli mjeshtëror dhe ngjyrat ndezin imagjinatën dhe pohojnë aftësinë tuaj profesionale si piktor. Si keni proceduar ju gjatë viteve dhe cilat janë sfidat që keni arritur deri këtu?

 

Piktura është një mrekulli, që kërkon shumë mund për të qenë e tillë, për gjatë gjithë jetës. Për fat, deri në momentin që shkruaj, piktura për mua është mrekulli dhe shpresoj të mbetet e tillë. Pas studimeve në Tiranë, unë pata mundësinë ndër vite ta ndjek pikturën e vërtetë, atë figurative, në muzeumet më të rëndësishëm të artit, në fierat e artit dhe në ekspozitat personale të artistëve të vërtetë bashkëkohor. Ta ndjek pikturën në studimet më të rëndësishme të kritikës, eksperiencat e galeristëve dhe në intervistat e vetë artistëve më të mirë bashkëkohorë. Ta ndjek pikturën me shumë dashuri në anën artizanale të saj, duke kërkuar e punuar me materialet më të kushtueshme, që gjenden në dyqanet më të specializuara për artin. Ta ndjek pikturën si një dritë bukurie, që sa herë kam menduar se i jam afruar në hapin e fundit, ajo largohet për vite të tjerë dhe uroj të ndodhë kështu deri sa të jetë jeta. Piktura ime është një proces i gjatë, që zhvillohet dritë mbi dritë deri sa të mbarojë dhe të ketë një shpirt të vetën.

 

 Ju keni filluar të pikturoni qysh herët, por me kalimin e viteve, ju jeni pjekur artistikisht që në start. Përveç talentit që është meritë e juaja, kujt ia dedikoni arritjet?

 

Nëse do të mendoja një sekondë në këtë mënyre do të thoja emrat e artistëve si Vermmer, Luciano Ventrone, Claudio Bravo, gjithë hiperealistët e mrekullueshëm deri te Bernard Minel. Por eksperienca e artistëve të lartpërmendur, nuk do të mund të kishte mundur të linte një impront jete gjatë, pa atë fillim të lumtur të kësaj rruge. Kujtoj ditët e konkursit në Lice dhe ardhja e përgjigjes që kisha fituar. Isha vetëm katërmbëdhjetë vjec, por kuptova se nga ai moment asgjë nuk do të ishte si më parë. Kujtoj leksionet e para në akuarel dhe vizatim. Ishin natyra të qeta, por drita që hynte nga dritaret dhe zhvillimi i tyre ditë pas dite, nuk do t’i harroj kurrë.

Kujtoj konkurset për të studiuar në Akademinë dhe përgjigja pozitive vetëm vitin e tretë, ishte një lodhje që më bëri të vlerësoja çdo orë të jetës sime. Piktura me eksperiencën dhe rezultatet e mrekullueshme në shekuj, krijon natyrshëm misterin, se për të studiuar nuk do të mjaftonte një jetë e vetme. Mendoj se këto momente janë ato të cilave ua dedikoj çdo arritje, që unë munda të kem në pikturë deri tani.

 

Keni qenë i suksesshëm vitet e fundit si piktor me promovimin e pikturave në disa ekspozita a galeri deri këtu në New York. A jeni habitur kur iu kanë vlerësuar? Si iu bën të ndiheni kjo gjë si intelektual e artist?

 

Piktura ime është e lidhur historikisht me New Yorku-n. Fotorealizmi si fillimet dhe jetën e mbushur me shembuj të mrekullueshëm të artistëve, do të mbeten në historinë e artit e kanë zanafillën këtu. Në vitin 1969-ë kritiku Howard Smith praktikën e përdorimit të fotografisë si bazë e fillimit të një pikture, e quajti Fotorealizëm. Pas periudhës abstraksioniste, piktorët POPART do të rikthenin pikturën figurative. Por vetëm me Robert Bechtle i ndjekur nga gjithë grupi i piktorëve të talentuar, piktura fotorealiste do shihte lulëzimin e saj. Eksperienca e këtyre artistëve e ndjekur dhe rritur me dashuri nga galeritë më prestigjioze dhe në vecanti nga Bernarducci Meissel Gallery e zotit Frank Bernarducci dhe Meisel Gallery e krijuesit dhe studiuesit të fotorealizmit Louis Meisel, për mua është dhe do të jetë mrekulli e vërtetë. Në vazhdim të eksperiencës të shumë viteve, në Europë dëshira për të hedhur një hap përpara, nuk mund të kuptohej pa konfrontimin me këta artistë, njohja dhe bashkëbisedimet në ekspozita me ta. Ndërkohë rezultatet e punëve të para këtu shkuan paralel me pjesëmarrjen në ekspozita. Më e rëndësishme për nga prestigji i vetë aktivitetit, ishte stendi në Art Expo 2015 zhvilluar në 23-26 Prill. Tre muaj më vonë në korrik inagurimi i ekspozitës kolektive në Gallery MC ishte një tjetër eksperiencë mbresëlënëse. Vetë lobi shqiptar këtu është shumë i organizuar. Në ekspozitën e organizuar nga APEN në katër vjetorin me titull POP-UP, pjesëmarrja me artistë të tjerë shqiptarë që jetojnë në Neë York ishte një mundësi për t’u njohur dhe shkëmbyer eksperiencat tona. Ndërkohë e një rëndësie të veçantë është bashkëpunimi me WestwoodArtGallery. E gjitha kjo ndonëse është shumë pak për një qytet ku piktura është në evoluim të përditshëm dhe ku çdo vlerë artistike merr respektin dhe entuziazmin e merituar natyrshëm që edhe për mua ka krijuar dhe krijon çdo ditë emocione të reja.

 

Cili është subjekti tuaj i preferuar, dhe sa kohë iu duhet zakonisht për të përfunduar një pikturë?

 

Për shumë vite unë iu dedikova natyrave të qeta. Ishte një mënyrë për të eksploruar konceptin e kompozimit dhe perspektivës, duke përsosur teknikën kromatike me anë të materies. Vetë fakti që në historinë e pikturës Natyra e qetë është prezente edhe sot si një mënyrë moderne të të shprehurit me anë të gjuhës piktorike, tregon se zgjedhja që kisha bërë duke investuar për shumë vite në këtë drejtim, nuk ishte e gabuar. Piktura hiperealiste merr gjithë kohën që i duhet në dispozicion, që nga përgatitja e telajos e deri sa mbaron. Për një motiv bëhen qindra foto për të zgjedhur një. Është një moment krijimi i vërtetë sepse duhet të mbash konsideratë gjithë historinë e natyrave të qeta me dëshirën e mirë për të shtuar elemente të reja kur je me fat, që të dish e ta bësh atë. Në ato vite arrita të bëja deri në shtatë apo tetë punë në vite. Të gjitha punët e kësaj periudhe, sot janë në koleksione private dhe disa prej tyre janë konsideruar si punë shumë cilësore.

 

Sa kohë u është dashur për të arritur të zotëroni teknikën dhe njohjen e duhur për t’u quajtur piktor hiperealist?

 

Të zgjedhësh një rrugë në art është çështje besimi, aftësi për t’u orientuar mbi eksperiencat më të mira të provuara e konsoliduara në shekuj, të besosh mbi vlerat e vërteta, që ruhen ndër muzeumet më serioze të gjendura kudo nëpër botë. Kjo zgjedhje për mua ishte gjëja më e natyrshme. Unë për fat vij nga Liceu, më i mirë mirat i asaj kohe. Natyrshëm, nuk humba asnjë orë kohë, duke eksperimentuar jashtë asaj që është vetë mrekullia në art, piktura figurative. Njëzet vite më parë unë pata fatin të njihem me hiperrealistin Luciano Ventrone, dhe një vit më vonë ekspozita ime e parë personale në L’INCONTRO GALLERI , Ancona, pas ekspozitës së tij, do të ishte për mua nisja e një eksperience të mrekullueshme, atë drejt sfidave të pikturës hiperrealiste. Në këto vite, piktura me misteret e saj më ka dhënë shumë kënaqësi. Duke kaluar në eksperiencat më të mira, të gjithë hiperrealistëve kudo në botë, duke mundur të lexoja në pikturën dhe jetën e tyre cilësitë më të larta, jam munduar të krijoja profilin tim shumë të qartë mes tyre.

 

Çfarë gjeni të vështirë në artin e pikturës? Çfarë do të dëshironit të kishit arritur?

 

Ajo ç’ka është e vështirë në pikturë është mundësia për t’i dhënë një jetë të sajën, të arrij që ajo të ndihet e dëshiruar në kohën e vet dhe e dashur nga njerëzit që e shohin. Për të arritur këtë në procesin e krijimit, janë një sërë elementësh, që presin të zhvillohen në vetvete dhe në relacion me elementët e tjerë, në një mënyrë, cdo ditë e më të re. Vetë teknika e pikturës është mister pa fund. Materia, drita dhe perspektiva si elementë fondamentalë janë në evolim të përditshëm. Ndërkohë arritjet e artistëve të tjerë krijojnë mundësinë e një diskutimi shumë planesh. Të gjithë janë në kërkim të asaj çfarë quhet pikturë sot dhe pritjet e së nesërmes.

 

Kush është Ilo Oxa? Çfarë ju pëlqen me tepër për të qenë një artist? Kur dhe ku punoni? Keni ndonjë studio?

 

Ndër vite krijohet natyrshëm një eksperiencë që mundëson krijimin e atmosferës së tillë, që ditët nuk i ngjajnë më njëra tjetrës. Vetë akti i krijimit ndihmon entuziazmin, meditimin, konfrontim dhe hulumtimin në mrekullinë e pikturës. Fillimi i një rruge për njohjen e natyrës së qetë të ajo e peisazhit dhe tani rikthimi me një tjetër vizion te portreti, i krijoi jetës time një ritëm vërtet të bukur. Dhe e gjitha kjo do të kërkonte ndryshimin e gjithë asaj që quhet kultura europiane e punës. New York-u është stacioni i fundit, skena ku këndohet në gjithë gjuhët, ku takohen njerëz nga e gjithë bota dhe ku arti konsiderohet një mrekulli e vërtet.

 

 A keni ndonjë pikturë që ju mendoni të jetë kryevepra juaj?

 

Piktura çdo ditë është në evoluim të pareshtur. Është këtu, atje dhe kudo nëpër botë ku artistë të dedikuar dhe me talent mrekullisht bekuar nga zoti me shumë dashuri, krijojnë në jetën e tyre një tjetër jetë paralele, atë të artit. Në këtë udhëtim mes ngjyrave, orëve te gjata të punës dhe arritjeve ndër vite unë kurrë nuk kam menduar se një punë është më e bukur se tjetra. Do të dëshiroja në përgjigje të pyetjes, të ndodhte, që gjithë elementët më të arrirë në punë të veçanta të mund t’i organizoja së bashku në punët e reja që do të vijnë. Kjo vërtet që do të më linte një kujtim të paharruar në jetën time.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s