Poezi nga Vjollca Tiku Pasku

 

Vjollca Tiku pasku - 1

Poezi nga Vjollca Tiku Pasku

 

 

LINDJA PRANVERORE

 

Sot qielli lindi pranverën,
përzuri shpërgënjtë e ngrysur të reve,
përqafoi diellin e artë,
me rrezet ëmbëloshe,
që zgjidhën pemët
nga lëkura dimërore e trishtimit,
dhe nëpër degë lulëzuan sythat e parë,
me buzëqeshjen e blerimit.

Tashmë yjet ndezën vatrat
të shkëlqejnë qiellit më shumë se çdo herë,
disa embrione të kuq të tyre,
ranë me flatra në tokë nga lart,
të xixëllojnë me dritë yjore
në zemrën e çdo luleje nëpër natë.

Pranvera po shpërndan,
thesaret e mbretërisë qiellore,
ngjyra, jetë, gjallëri,
dhe me një aluzion vjollce
fërfërinte në zemrat njerëzore:
“Bukuria e qiellit u bëftë
shija e qumështit në jetën tokësore”

Sot fryma e pranverës hyri dhe në shpirtin tim,
do e ruaj të shenjtë nga ngricat e dimrit dhe ciknat e erës…
Mirë se vjen moj pranverë me jetësorin blerim!…

 

 

 

PËR TY GRUA

 

Ti e ndjen që je mrekullia në këtë botë,
me bukurie aromë engjësh huazuar,
ti sa universe brenda kraharorit ke ndërtuar
ku bota mashkullore hyn për ti zbuluar.

Një çast kur puthen buzët e tua,
lind pranvera me tinguj e ngjyra të arta,
një çast kur ndjenja prek kraharorin e ëmbël,
urtësia jote kthehet në magma të zjarrta.

Ti je era e dashurisë që djeg rojen e ëndrrave,
ti je hija që ndjen dhimbje kur dielli rënkon,
ti je kupa ku mbledh kripën e lotëve të jetës së rëndë,
je madhështia ku ripërtërin botën që jeton.

Ti je shtroja e qiellit për fëmijën e porsalindur,
me ngrohtësi hyjnore që rjedh në shpirtin tënd,
nga gjiri yt bashkë me qumshtin mëkon,
bukurinë e dashurisë në gjithë globin në çdo vënd.

 

 

 

NATË BORE

 

Nata tronditet nën borën e ftohtë,
hijet e pemëve zgjaten nga lëkundjet në terr,
aromat e çjerra kuturu nga thikat e erës,
ngarkohen në retë në ajrin e ndotur me vrerë.

Mbytet zëri i trishtuar i një zogu,
nga lemeria e zezë e natës sy shqyer,
në tokën e akullt me gropa dimërore,
jeta ka mbetur e uritur me stomak grryer.

Gjethet e ëndrrave u coptuan në dhëmbë djajsh,
dashuria është fikur në shpirtrat e leckosura,
shpirtrat që kanë jetuar prej kohësh enden si fantazma,
qeshin me akullin e zemrave të prangosura.

Dua të klith me shtërngatë në këtë botë mizore,
në jetën e përlyer me vaj varrezash pa fjalë,
‘O njerëz pse rrini kërrusur në gurrën e lotimit,
jeta është ngadhënjim mbi vdekjen e gjallë’.

 

 

 

SONET TRËNDAFILOR

 

Ah, ç’petale mollëze hënore,
ky trëndafil,
rënë nga rubini i qiellit,
ç’hijeshi madhështore,
derdhur,
nga limfa hyjnore,
në fije tokësore.

Era përkund,
përkëdheljen e lëmuar,
engjëjt ndezin me puthje,
dritëzat,
në fletët e bukurisë,
kupat e ajrit trokëllijnë,
gëzueshëm,
kundërmimin e aromave,
për parfume mbretërore.

Kjo kambanë trëndafili,
me pranverën e lulëzuar,
në mijëra trëndafila,
nga simfonia e rrezatimit diellor,
më bëjnë dhe mua,
të ndjehem,
një trëndafil njerëzor.

 

 

 

VALËT E MALLIT

 

Ti vjen tek unë me flatrat e valës,
në degë rrezesh që lindin çdo mëngjes,
me veshjen e freskët të erës së kaltër,
me dritë ngarkuar me lirën e muzikës det.

Unë dua të shoh imazhin tënd malli im,
përse pengohet në qelqin e thyer të shkumës së bardhë?
Mall shndërroje detin në trëndafila të tejdukshëm,
të shoh shpirtin e pafjetur në pasqyrë ujore, jo dallgë.

Sot lotët më shkrijnë në sytë e smeraldë,
në nxehtësinë djegëse që hap ti largësi,
zhytem në skajin e fundëm të thellësisë blu,
se e di që shpirti i detit je ti që më mban dashuri.

Shpirti yt formuar me valë, zambakë,yje,
hënë, qiell, diell i kuq plazmuara me mirësi,
mbështjell tërësisht shpirtin tim lakuriq,
e vesh me ngjyrat e tua dhe dashuri.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s