“Vetvrasja e një Kombi”,dhe shtrembërimet historike të diktaturës / Nga Mërgim Korça

 

“Vetvrasja e një Kombi” dhe shtrembërimet historike të diktaturës.

 

 

mer

 Nga Mërgim Korça

 

 

Nuk kam se si këto radhë mos t’i nis me pohimin madhor të autorit të librit i cili, në faqen e VIII-të të parathënies q’i bën ai vetë librit, thotë shprehimisht e me gërma kubitale :
“… KISHA FILLUE PUNËN ARSIMTAR ME 1917 E FRYTET E KËNAQËSHME I KISHE PARASYSHË DITA E DITËS, FRYTE QË U RRITËSHIN VIT PËR VIT. KISHE PROVËN E PËRDITËSHME SE ISHE TUE SHARTUE SHPIRTIN TIM NË ZEMRAT E TYNE, SIÇ E KISHTE SHARTUE AT GJERGJ FISHTA, AT AMBROZ MARLASKAJ, MATI LOGORECI, NDUE PALUCA, GASPËR MIKELI E TË TJERË VETERANË T’ARSIMIT SHQIPTAR.
Porsa fillojshin të njohin historinë e Atdheut, entuziazmi i flakët, përzí me ankth, pushtonte zemrat e njoma të tyne e etja i shkrumonte me dijtë përherë e ma shumë. Të vegjël me moshë, të rritun në shpirtë, ishin gati me dhanë jetën për Atdhé, për bashkimin e të gjithë Shqiptarëve nën hijen e flamurit të Skenderbeut, e ma vonë, besa, disa nder ata ranë në Ltérin e Atdheut, për zgjanimin e Shqipnisë e për mbrojtjen e saj nga komunizmi.”
. . . . . . . . . .
Kaq, vetëm sa për një hap të parë duke ia hyrë detyrës q’i kam vënë vetes ta ndjek edhe ta analizoj me sy kritik vëllimin e autorit Kol Bib Mirakaj. Por ksisoji, nuk qëndroj dot pa ia bërë të qart’edhe lexuesit se si autori në fjalë atë që ai e quan shumë bukur shartim të shpirtit mësuesit në zemrat e nxënësve, nuk kishte si mos të më ngjallte në nënvetëdijen time një shumllojshmërí ndjenjash si edhe të më prekte thellë ! Pyes veten : A i kanë më, ndërsjelltas të tilla ndjenja, si mësuesit edhe nxënësit e sotëm në Shqipëri ? Apo internacionalizmi proletar, i diktuar dhunshëm përgjatë thuajse gjysëm shekulli nga diktatura komuniste, ua vuri shqelmin këtyre ndjenjave duke ngjallur atë EGOIZMIN E SKAJSHËM që mendimtari i madh Baba Rexhebi e quante :

“ E keqja madhore e cila i ka gllabëruar njerëzit dhe nuk i lejon ata ta shikojnë më … ZOTIN E MADH ! “
 

DY FJALË RRETH VËLLIMIT NË PËRGJITHËSÍ :

 

Që në krye dua ta them se me autorin e librit nuk më lidh asgjë e posaçme pararendëse, qoftë e trashëguar pa lé personale. Kjo e përgjithëshmja. Nga ana tjetër, dua që lexuesi ta dijë se nuk kam patur asnjëherë rast tjetër si përgjatë leximit të faqeve të këtij vëllimi titulluar “Vetvrasja e një Kombi”, që të kem qenë i detyruar dhe, thuajse secilën fjalí të shkruar në të gjitha faqet e librit, ta nënvizoj me ngjyra për vetë sqarimet që ato japin si edhe pozicionimin skajshëm asnjanës që ato paraqesin sa i takon autorit të tyre !

Do të shtoja këtu edhe një këndvështrim tjetër timin sipas të cilit, duke e lexuar këtë vëllim gjatë vitit 2015, shtatëdhjet’e një vite mbas përfundimit të konfliktit të II-të botëror si edhe gjashtëdhjet’e katër vite mbasi u shkrua nga vetë autori, vetë paraqitja e fakteve të kohës, shkoqitja e tyre sipas këndvështrimit të vetë autorit të vëllimit dhe ç’ësht’edhe më e rëndësishmja, paanësíja e skajëshme se si i trajton Z.Kol Bib Mirakaj rrethanat si edhe qëndrimin ndaj tyre,

“… për t’i lanë historishkruesit të së nesërmes nji dokument që t’a kenë të gjithë Shqiptarët për studim”,

tamam që më befasojnë ! Dhe me tëvërtetë që ky pohim i tij, me shikimin mbrapavështrues tonin, për aq sa i njohim zhvillimet e ngjarjeve në përgjithësí e deri në një farë mase edhe më gjerë, sa u takon saktësísë referencave, këndvështrimeve, thellësísë së vlerësimeve e doemos edhe rëndësísë që Z.Kol Bib Mirakaj u jep ngjarjeve vetë e gjithashtu edhe qëndrimeve për t’u mbajtur, të gjitha së bashku përbëjnë një mësimdhënje shëmbullore!

Pikërisht kjo larmí paraqitje faktesh si edhe gjykimesh që jepen nga autori i vëllimit, na e bën tejet të vështirë analizën e kësaj vepre karakteri historik ! Neve në këtë mes na bíje barra, jo e papërfillëshme për nga pesha që duhet mbajtur, të dijmë t’ia paraqisim lexuesit të ndershëm, asnjanës si edhe gjykues të drejtë, aq pohime të Z.Kol Bib Mirakajt sa jo vetëm që mos ta mbingarkojmë lexuesin me thënje të autorit vëllimit por … t’ia forcojmë e aspak të mos ia zbehim shtysën që ai vetë ta lexojë këtë vëllim e përfundimet pastaj t’i nxjerrë në vetë të parë ! Nga ana tjetër nuk mundem t’i shmangem pohimit si edhe ftesës që u drejtoj historianëve bashkëkohës ta studjojnë këtë vepër shkencore karakteri historik ku autori, gërshetimine ndërsjellë të fakteve historike dhe vetëm fakteve, lidhur këta me gjykimin e tyre, ka patur në qëndër të vëmëndjes, gjithënjë kryekreje, INTERESAT KOMBËTAREdhe jo kurrë ato të grupit palé ato vetësore !
Pika kulmore te cilave u hidhet drite nga autori:

Z.Kol Bib Mirakaj që në faqen me # 2 të vëllimit të tij thekson se si

“ … Synimi i bolshevizmit është ZHDUKJA E PERSONALITETIT TË NJERIUT !“E bilé që ky pohim të mos mbetet i përgjithshëm edhe pra i VAGËT, ai përcakton sakt’edhe dy faktorët e përdorur nga ai sistem për ta transformuar njeriun në një maqinë të pavullnetëshme :
1- Faktorin ekonomik
2- Faktorin moral
Dhe né, për ta bërë të prekëshme këtë idé që shtron autori i vëllimit, po sjellim një nga citatet e famëshme të Leninit që thotë : “E gjithë shoqëría do të kthehet në një zyrë si edhe një fabrikë të vetme, me punë të njajtë, si edhe pagë të njajtë.”
Nuk mundemi ta anashkalojmë këtë gur themeli që shtron Z.Kol Bib Mirakaj pa e mbështetur me thënjen e Tij madhore se si :

“ … Kolkozet, (kupto kooperativat bujqësore – M.K.), fermat e fabrikat e çfardotjetër kompleks prodhimi që demagogjia komuniste me propagandë të paturpëshme, kërkon t’i japin iluzionin masave të puntorëve, se gjoja janë pronë e tyre, për dobinë e përbashkët të puntorit e të punëdhanësit, (shtetit) … asht gënjeshtër e pathemel …

Gënjeshtër e paturp, me që puntori asht i detyruem me punue përtej çdo kufini të ligjeve fizike me pagesë urije, pa të drejtë me kontrollue punëdhanësin …

”. E nënvizuam këtë pohim të autorit, sepse deshëm që lexuesi ta shikojë se me ç’realizëm ai vetë, PA I PASË PËRJETUAR SITUATAT ASPAK NË VETË TË PARË, KA NJOHUR ME THEMEL LIDHUR ME SA E SI AI KA PËRSHKRUAR !
Sa i takon gjëndjes europiane pas përfundimit të konfliKtit të II-të Botëror, Z.Kol Bib Mirakaj shprehet sikur bën një parashikim karakteri jo vetëm largpamës por edhe thuajse VEGIMOR tek pohon :

“… Sa çmendí ka kenë m’e lanë Shqipninë nën sundimin e Rusisë, e me sigurí do të jenë kujtue tashma Anglia dhe Amerika, në se u ka dalë kllapía dhe euforía rusveltjane – çërçiljane … se qëllimi i vërtetë i drejtuesve të Kremlinit ishte dhe mbetet : IMPERIALIZMI PANSLLAV, i trashiguem nga Carët, me ndryshim se Carët synojshin me muejtë m’e shtrije Perandorinë deri përtej Dardaneleve e deri në grykë t’Otrantos kurse Carët e kuq synojnë të dominojnë drejtazi apo tërthorazi gjithë lamshin e Botës … Ultimatum duhet me u dhanë tiranëve të Kremlinit para se të jetë tepër vonë që të vihen në hullí t’arsyes … e vetëm tue pasë Bota e Lirë në krye Sh.B.A.- të … mund të shpëtohet njerëzimi nga shkatrrimi i nji Lufte të Tretë Botnore … Ky asht realiteti tragjik qi rrjedh nga hapja e dyerve t’Europës dhe t’Azisë … imperializmitpansllav “.

Mendoj se nuk ka asnjë arësye të shtoj unë komente ndaj këtyre thënjeve të Z.Kol Bib Mirakaj, por i cili ka pohuar edhe lënë me shkrim jo pak, por po e përsëris 64 vite të shkuara, dhe ka ndërtuar një shteg përgjatë të cilit jo vetëm që u shtjelluan ngjarjet gjatë këtyre dhjetvjeçarëve por … edhe sot si sot nuk ke se ç’i luan një presje pohimeve të Tij !
Me këtë rast nuk mundem të hesht e të mos e shtrij vëzhgimin disi më gjerë dhe, mbështetur në pohimet e Z.Kol Bib Mirakaj si edhe në zhvillimet e ngjarjeve në vazhdim, mos ta vé në dukje se sa kobzí ishte qëndrimi i Aleatëve Perëndimorë të cilët për interesat e tyre të çastit luajtën me fatet e miliona njerëzve kombesh të ndryshëm që dashur padashur u inkuadruan në shtetet që formuan t’ashtuquajturin Kampin Socialist t’Europës Lindore ! Konkretisht në vëndin tonë një pjes’e mirë atdhetarësh të mirëfilltë u përfshinë edhe ata fillimisht në radhët e asaj që u emërtua Lufta Nacional Çlirimtare ! Kurse atdhetarët e tjerë, të cilëve shikimi u përfshinte një lak më të gjerë kohor, gjeografik e gjithashtu edhe njohurishë karakteri të mirëfilltë historik e që kryesisht ishin intelektualë si edhe atdhetárë të mirëfilltë që për interesa kombëtare i kishin rrezikuar në mënyrë të përsëritur edhe jetët e tyre, nuk u bashkuan me L.N.Çl., por ama formuan atë kategori e cila me anën e atentateve nga ana e t’ashtuquajturve Njësite Guerrile, ranë që në fillim nën plumbat e atyre që pikërisht u përdorën nga drejtuesit pansllavë si masha kriminale gjaksore kundra elitës së kombit tonë !

Në vazhdim, pjesa tjetër e mbetur gjallë e kësaj kategoríe atdhetarësh, u kositën nga skuadrat e pushkatimeve që vepronin, e ndjej të nevojëshme ta theksoj edhe një herë, nën urdhërat e të lidhurve këmb’e kokë për interesa thjeshtë personale, me drejtuesit sllavë të asaj që qé emërtuar Partia Komuniste Shqiptare !
Me këtë rast më duket sikur e dëgjoj nga përtej gropës ku iu kalbën eshtrat Patër Giovanni Faustit, meshtarit të pushkatuar me 4 Mars të vitit 1947, (si m’i ka pasë rrëfyer Ernest Dema i burgosur që 16-vjeçar dhe i dënuar nga i njejti trup gjykues si edhe në të njajtin grup me Patër Faustin), i cili në fjalën e Tij të fundit qé shprehur :

“… Fillimisht mjér intelektualët si edhe klerikët ! Në vazhdim mjér të kámunit! Mbas tyne mjér klasa katundare seç’kanë me hjekë ! Në vijím, shtegu juej ka me ju çue drejt asaj qi për klasën puntore t’cillën keni m’e krijue, të thuhet mjér ajo! Përgjatë ksí shtegu mandej mjér e gjithë kategoríja drejtuese e cilla e mbështeti krijimin si edhe forcimin e shtetit të diktaturës proletare e mandej si e verbët ecte mbas gjurmëve të diktatorit ! E s’fundit mjér i gjithë populli !“
Me pak fjalë, autori i veprës që po trajtojmë, sikur t’i kishte pasë dëgjuar fjalët profetike të Patër Faustit shprehur në fjalën e Tij të fundit para trupit gjykues, e lidhur kjo me aq përvojë sa mund të kishte parë qartë se si kur Gjermania hitleriane – naziste të mos kishte më se si të përbënte një rrezik për anglo – amerikanët, e kur diktatori i kuq Stalini i kishte shfaqur hapur synimet e tij që ishin bërë të qartë,

Z.Kol Bib Mirakaj ua heq vrejtjen aleatëve perëndimorë që nuk e lejuan Gjermaninë hitleriane të merrej vetëm për vetëm me Rusinë Bolshevike e t’i a dërmonin brinjët ndërsjelltas njera tjetrës ! E pikërisht ndër ato rrethana kur tashmë ishte lëshuar kushtrimi lidhur me gjëndjen e përgjithëshme se MBAROI SHQIPËRIA, Kol Bib Mirakaj bën pohimin madhor

“ENVER HOXHËN ME SHOKË I SOLLI NË FUQÍ SLLAVIZMI ME AMERIKANËT DHE JO AFTËSÍJA E TYRE ! T’I A SHTRIJMË DORËN VLLAZNISHT KUJTDO QË FATI OSE GJYKIMI I SHËNDOSHË E KA SHTYE TË PËRQAFOJË KAUZËN ANTIBOLSHEVIKE …”!
Në vazhdim Z.Kol Bib Mirakaj na jep edhe një mësim tjetër madhor tek pohon se

“ … Raportet në mes popujve rregullohen në bazë interesash e forcash dhe jo simpatíshë, demagogjishë e iluzionesh … e pra nëse nuk do të jemi në gjëndje ti paraqitemi Botës së Lirë si trup kombëtar që mund t’apim kontributin që na përket në kauzën e madhe të mbrojtjes kundra bolshevizmit pansllav, ne do të vazhdojmë të ngelim siç jemi sot, grupthe grindavecësh, element shkatrrimtar e jo ndërtues, askush nuk ka për t’na vue veshin … Né në vend që të përpiqemi për shpëtimin e Atdheut, përpiqemi ti nxjerrim sytë shoqi-shoqit !”
Pikërisht kjo hedhje vështrimi mbrapavështrues ndaj si i shpjegon autori i librit në fjalë situatat qoftë gjatë zhvillimit të ngjarjeve të L.II-të Botërore si edhe në vazhdim, na detyrojnë të pranojmë se si Nacionalizma Shqiptare në përgjithësí rá në kurthin e ngritur nga komunistët jugosllavë që ishin organizatorët e asaj q’u emërtua L.N.Çl. !

Kjo e fundit, e kurdisur prej tyre me qëllimin e caktuar që të luftohej pikërisht ajo kategorí e mirëfilltë e cila e krijoi dhe vazhdoi ta mbështeste forcimin e Shtetit Shqiptar,duke dashur të dërguarit e Jugosllavisë t’i pengoninsi edhe paralizonin brezat e intelektualëve si edhe dashuruesve të Atdheut Shqiptar në lidhjet e tyre me brezat pasues e në vazhdim edhe taasgjësoninatë vijueshmërí !
Lidhur me këtë pozicionim sa për një shëmbull të prekshëm ku historianët bashkëkohorë, ish dishepujt e atyre pseudohistorianëve pjella të diktaturës komuniste, q’e shtrembëruan si deshën historínë si edhe të vërtetat e saja dhe në një kohë që edhe sot njeri syresh, e pikërisht ai i cili mundohet objektivisht të duket sa më i paanshëm, profesor Pëllumb Xhufi shprehet e thotë :

“ … Mustafa Kruja u bë kryeministër i një prej qeverive kuislinge më të urryera të historisë Shqipërisë …”,

për hir të së vërtetës nuk rrijmë dot pa ia kundërvënë dy anë të së njajtës medalje, atë të personalitetit të shquar atdhetár dhe nënshkrues të Dokumentit Pavarësísë e gjithashtu të kryesuesit të qeverisë, por edhe gjuhëtarit më se të shquar Mustafa Krujës, e cila qeveri jo pak por pikërisht 30 (tridhjetë) vite para Kongresit të Drejtshkrimit, e zyrtarizoi si qeverí vendimin e marrë nga Instituti i Studimeve Shqiptare q’e caktoi të folmen e qytetit të Elbasanit si Gjuhë Zyrtare të Njësuar Shqipe, (Vendimi Nr.61 dt.21 shkurt 1942), gjë të cilën asnjeri nga tekstet e historisë e as edhe asnjeri historian i ish diktaturës komuniste kurrë nuk e kanë pohuar !
Gjithashtu lexuesi i vemendshëm po iu referua Ditarit Politik të ish ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë Fashiste të asaj kohe si edhe dhëndërit të Mussolinit, Contit Galeazzo Ciano, do të gjejë se ai, në Ditarin Politik të tij, (botim i Rizzol-it i vitit 1990 në faqen 556), lidhur me emërimin në Shqipëri të Mustafa Krujës si Kryeministër ka shkruar :

“ … ky një lëshim i mëtejshëm ndaj ekstremistëve të nacionalizmës shqiptare !
Ndalemi pikërisht këtu tashti dhe sjellim njërin nga pohimet madhore me të cilët shprehet autori i vëllimit kuptimplotë ” Vetvrasja e një Kombi “, Z. Kol Bib Mirakaj,tek thotë se ç’ka shkruar

“ … asht e vërteta e çveshun lakuriq e ngjarjeve.”

Ja pra si e cilëson qëndrimin si edhe veprimet e Mustafa Krujës autori i vëllimit të sipërpërmendur në faqen 68 ku ai ndër të tjera pohon edhe thotë :
“ Përsa kam pasë rasë ti njoh burrat e Shqipnisë, (në rasa e kohë të mjaftueshme për të mujtë me dhanë nji gjykim), mund të them se, në se ndokush ndër ta e meriton cilësinë që të quhet Burrë shteti e patriot, këto cilësí i ka Mustafa Kruja, me të vërtetë; nder’e vlerë kombtare, kur atyne cilësive u shtohet edhe kultura e gjanë e Tij. Prandej asht dam i madh që nji vlerë e tillë të struket anash …

Megjithse, edhe unë jam i akuzuem nga “ata” që patriotizmin e kanë në maje të gjuhës, dhe “theorinat” i bajnë në tavolinat e kafeve, e ndjej për detyrë të baj edhe nji tjetër dëshmi ndaj këtij Burri :
Prej Majit 1942, e deri në dorëheqjen e kabinetit, kam kenë edhe unë Ministër – Sekretar i P.F.SH., në qeverin e Tij, dhe kam pasë rasë ti ndjek e njoh imtësisht ndjenjat e Tija, përpjekjet e zotsinë e shqueme, dhe dishmoj para Zotit e Kombit, se : Gjithë veprën e Tij, Ai e ka zhvillue me ndjenjën ma të kullueme për të mirën e Atdheut, për aqsa e kanë lejue rrethanat e kohës. Ndershmëninë e Tij ia dëshmon gjendja e Tij në këte mërgim: Ai kje pa bukë në bark e pa strehë ku me shtij kryet mbrendë, po të mos kishin kenë thonjtë e së motrës e bujaria e Mbretit Zog.
Asht Ky, e jo “ai”, që disa të pandërgjegjshëm donë ta paraqesin, kush asht Mustafa Kruja. E për tashti, po e la me kaq këtë atdhetar e Burrë të shquem dhe shumë të vuejtun, për të shpjegue prap tjera gja në rradhën e veprimeve tona.

“ E doemos nuk kam se si mos ta vé në dukje faktin se si me cilësorin disa të pandërgjegjshëm, autori i vëllimit që diskutojmë, ka cilësuar shtrembëruesit e historisë së vëndit tonë të cilët, që nga 7 prilli i zí e në vazhdimin e saj të kobshëm mbas asaj q’e quajnë “dita e çlirimit”, nuk kanë shkruar histori të mbështetur në fakte por vetëm histori t’indoktrinuar!
Gjatë kësaj vazhde, pa ndërhyrë unë fare me mendimet si edhe me pikëpamjet e mia, ia rekomandoj lexuesit t’i ndjekë me vëmëndje të përqëndruar shkëmbimet e mendimeve përballë njeritjetrit të autorit vëllimit, Z.Kol Bib Mirakaj drejtuar Mussolinit në takimin me të më 23 Prill të vitit 1943 si edhe anasjelltas replikat e Duçes. Mbasi t’i keni lexuar unë vetëm një pyetje shtroj : A ka se si të quhen pikëpamje si edhe logjikë e një kolaboracionisti egoist e tradhëtar problemet që shtron Z.Kol Bib Mirakaj, apo pohime të një atdhetari të palëkundshëm ndaj interesave të Atdheut të Tij dhe vetëm Atdheut tek i drejtohet dhe i thotë :

“ Duçe ! Po ta veni Popullin Shqiptar në gjendje m’e mbrojtë egzistencën e tij, do t’i jepni edhe provën konkrete se vërtetë e doni me zemër ashtu siç e keni deklarue. Kësisoji do t’i zhdukni çdo dyshim që ka sot ndaj Italisë … ! “ Dhe më poshtë pastaj vazhdon edhe se si i ka propozuar “ Pushimin e funksjonit të Partisë Fashiste Shqiptare dhe zëvëndësimin e saj me Lëvizjen e Bijve të Shqipes … sepse Ju vetë e dini se një Lëvizje Kombëtare për të kenë i sigurtë suksesi i saj, duhet të ketë zanë fill nga ndjesitë e tradicjoni i Popullit … “
Në vazhdim ndonjë nga pohimet e Duçes në përgjigje zotit K.B.Mirakaj, (pohime të cilët gjënden në arkiva tek dosja – Protokolle Takimesh -) :

“ Jam thellësisht i prekun nga sinqeriteti me të cilin më foli kaq kjartë e me zemër haptë kamerata Mirakaj. Më keni folë burrnishte dhe tjera herë si Ju shkëlqesë, ashtu dhe të tjerë përgjegjësa e patriotë Shqiptarë… Ju jap autorizimin ta shkëmbeni Partinë Fashiste Shqiptare në “Lëvizjen e Bijve të Shqipes” e t’i jepni ato karakteristika e atë frymë që ma mirë e ma me dobi u përshtaten ndjenjave, nevojave e dishirave të popullit tuej … Çdo therorí duhet të bajë nji popull për të dalë me nder ! “
Përgjatë këtij shtegu po sjellim tashti një dokument nga Arkivi i Londrës rreth takimit që kanë patur dy kolaboracionistët me damkë, (sipas historianëve të partisë komuniste), Gjon Markagjoni si edhe Kol Bib Mirakaj me Majorin P.A.B.Neel me 3 Prill 1943. Dokumentin ia sjell jo aq lexuesit të paanshëm i cili nuk ka pse ta marrë mundimin e të hulumtojë aq thellë; kurse e sjell pikërisht për vazhduesit e veprës së historianëve të indoktrinuar të cilëve jo vetëm që ua rekomandoj ta gjejn’e ta lexojnë dhe, pa patur ata asnjë detyrim të më besojnë mua, t’i gjurmojnë vetë zhvillimet e veprimeve të atyre atdhetarëve të shquar që ata vazhdojn’edhe sot e i quajnë kolaboracionist’edhe tradhëtarë të Atdheut vetëm se të ndikuar nga ideologjía e tyre e mbrapshtë komuniste.

Nga ana tjetër e sjellim këtë dokument që të krahasohet me sa e si i hedh dritë takimit me Majorin Neel autori i librit, zoti Kol Bib Mirakaj, krahasuar ato me dokumentin zyrtar anglez :
ARCHIVES – N. 1328 HS5/132
S.O.E. ALBANIA – B.L.O. Report “J”
Volume (Formerly 41/490/19) 116
SUBJECT
ALBANIA B.L.O. Report “J”
W/Cdr. P.A.B. Neel
Capt. J.C. Hiberdine
F.H. Brandt
Ja edhe përkthimi i përmbledhjes sintetike lexuesit të nderuar, (siç e kanë artikuluar në dokumentin arkivor vetë anglezët takimin) :

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s