Lidhësia harmonike në trinomin : Poeti, Zagoria, Kombi. / Nga Elda E. Dilo

 

Lidhësia harmonike në trinomin :  Poeti, Zagoria, Kombi.

 

 

Elda

Nga Elda E.  Dilo

 

Për t’u njojtur më nga afër me Çajupin na duhet të shkojmë në vendlindjen e tij, atje ku nis atdheu për të.

Nisem herët në mengjes. Rruga është e vështirë dhe moti mund të bëhet kapriçioz. Sa dal nga Përmeti ngjitem në një  të  përpjetë që të  nxjerr në Leusë, një fshat i dëgjuar që i ka dhënë atdheut njerëz të ditur dhe martirë për çështjen shqiptare. Atje, më del përpara një kishë , nga më të  vjetrat e më  të  ruajturat me dhemshuri atdhedashurie ,një  krua me ujë  të  ftohtë  e të  bollshëm nga zemra e malit që të  fton të ndalesh dhe pasi e kam lënë fshatin marr rrugën drejt majës së  bukur të Dhëmbelit .

Eci ngadalë nën hijet e para të pemëve të pyllit . Edhe pse jemi nisur me një kohe të mirë, papritmas, në këtë vend, ku mbi kokë ke vetem një shoshë  qiell prerë  nga majat e maleve, retë  i mbledh era ; errësohet,  bëhet pus. Pus quhet dhe vendi . Mund të na zërë shiu, të nisin shkrepëtimat, vetëtimat e të gjëmojë mali. Ndjehesh në fund të një pusi gjigand . Mure ka majat e larta, gdhendur prej natyrës me daltën e saj. E vetmja dalje është një e çarë shumë e thellë, mu në zemër të malit gjigand, kurse rruga gjarpëron buzë një gremine të frikshme. E mendja më shkon neë24 marsin e vitit 1300 kur Dante Aligeri humb rrugën në një pyll të errët , por nëse ai do të ishte duke shkuar drejt luginës së Zagorisë nuk do të ishte e nevojshme t’i shfaqej hija e Virgjilit dërguar nga qielli prej Beatriçes. E të zbrisnin më pas në ferr, ku në 9 rrathë dënoheshin mëkataret për fajet të cilat Dantja i ndan sipas teorisë se Aristotelit . As të ngjiteshin në 7 rrathët e Purgatorit për të bëre pastrimin e shpirtit nga fajet të cilat Danteja i ka ndarë sipas teorisë së Platonit. Atë do ta shpinte fluturimthi Beatriçja në qiejt e pajarsës nëpër 9 qiejt Danteskë.

Kam “mposhtur” malin. Kam lënë pas Qafën. Sheshet e Lenës. Pusin. Rrugën e vështirë buzë greminash.Dhe më shfaqet para syve përralla.

Nga njëra anë, kënga e zogjve që ka vërtet vlerë kur ka kush e dëgjon,  nga ana tjetër, brenda vetes sonë, kënga që bashkon e lidh brezat, që dëshmojnë historinë,  të dyja, të dëfrejnë e të mallëngjejnë,  të lidhin me kujtime… Nëse do të hyjmë në këngë, mund të shohim “nga larg”, në thellësinë e shekujve,  gjejmë legjendën a mitin që “pjell” historinë, folklorin që ruan historinë. Ecim në këtë faqe mali ku: “era punë e madhe \ Bilbili ia thotë /  gratë si sorkadhe”.

Sa e sa herë do të jetë ngjitur Çajupi në këtë mal Çajupi e do jetë mrekulluar nga bukuria e natyres dhe sikurse  thotë Platoni :

” natyra nuk është një makinë e vdekur, por një bote e formave virtuale, një botë shpirtërore përtej botës së ndjenjave”

Pra Çajupi harmonizoi vendin, historinë dhe natyrën  dhe kur harmonia u realizua shkroi poezi:

”ku na duket balta / më e ëmbëlt se mjalta?”

Vargje me erën e barutit e me aromën e këndshme të mjaltit nga trëndelinë e këtyre maleve.

Kur arriti të bëhej personalitet i dëgjuar, sa herë me zemër të ngrohtë për arritjet e reja, ka zbritur këtej, ka përshkruar këtë fushë , për t’u prehur në gjirin e fshatit të tij! Kur e ka pasur të pamundur të kthehej ç’përmallim për truallin amtar!

“Dërgomë një gur,dërgomë  \ Ta vë jastëk ndër krye” – shkruante Çajupi .

Të lodhur , e të deshperuar kjo tokë i jepte fuqi , si Anteut që kanë krijuar grekërit e vjetër, pasqyrë e mendimit të tyre të mprehtë që del në pah në situata e në gjendje emocionale të caktuara dhe i ka ndihmuar të formonin Unin e tyre si komb. Shqiptarët, atdhetarët e zjarrtë e demokratët e vërtetë,  midis tyre dhe atedhetari zagorit, luftonin për Unin e tyre si komb.

Balta e poetizuar e mëmëdheut, gatuar me djersë e me gjak, me pluhurin e eshtrave të të parëve tanë, malli i pashuar për vendlindjen – “besomë, shkruan Çajupi, zemra m’u mallëngjye”

Pres të na shfaqet ikona e shtëpive:

“me kishë e me varre/ rrotull ca shtëpi/ të vogëla fare…”

Mes tyre shkolla, ku ngrihej shtëpia e Çajupit. Vetëtimthi, vegëtime miturake me zërat e njerëzve më të dashur, me zërat gazmore në shkollën e bukur që na mësoi “kush ka qenë trim një herë”. Pak e nga pak do të kuptonim kush e deshi mëmëdhenë.

“Ecim” tani me atë botën e bukur fëminore rrugës që gjarpëron lëndinave. “Ecim“ me Çajupin, Rilindësin zagorit që u studjua dhe mbeti i njohur për të gjithë. I mirënjohur anë e mbanë kombit më 1902 me “Baba Tomorrin”, vargjet e tij u bënë, si thonë kritikët tanë, bombë e flamur. ”Ja të vdesim, ja të rrojmë, për Shqipëri!”. Ndezën flakët e atdhetarisë: “Ku kemi lerë?/ Ku na bëjnë nderë?…” Ndiçonin udhët, u bënë flatra shqiponje:  ”Luften që prish njerëzinë,/ nuk do ta doja kurrë, / Po, po të më shkelnin kufinë,/ do të luftoja si burrë.”

”Shqipëria është e Shqiptarëve, shkruan Çajupi, qofshin Muslumanë, qofshin të Krishterë. Besime … mund të ketë shumë në këtë botë, Atdheu është vetëm një.” Ishte koha kur kristalizohej shqiptarizmi si ideologji nacionaliste: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Çajupin e kemi në radhët e para të atdhetarëve.

Po si e kemi në kujtimet e sheperiotëve?

Në Sheper, sipas kujtimeve të sheperjotëve, veprimtaria atdhetare e Çajupit nis “në vitet e fundit të shekullit XlX. Çajupi kërkoi shkollë shqipe”. Më vonë, kur kishte aguar shekulli i ri, XX, fëmijët, sa nisnin të belbëzonin, mësuan diçka nga vjershat e “Baba Tomorrit”,  pastaj,  e kishin në orën e mësimit, në teatër, në festa e gëzime, në librat më të dashura që mbanin në duar,  kurse në polifoninë e gjerë të poezisë sonë, narcistika çajupiane, me zërin e ëmbël thithur prej gurrës së pashtershme popullore zagorite, me zërin e historisë e me zërin e jetës, mbeti model komunikimi me lexuesin. Derdhet mallëngjimi: “Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë…” dhe të rrëngjeth në këngën popullore.

Mungëllon malli i dashurisë për vendlindjen, për atdheun e largët:

“Atdhe, me male të lartë,/ ti që më rrite që djalë,/ dërgomë një grusht me baltë/ ta puth, të të nxjerr mallë””

… Kur vjen Andoni i Çakajve në Shqipëri, në Sheperin e tij, të shikojë atdheun, “nënë e babë” sy më sy e jeton me hallet në Shqipëri, me zemër të lënduar do të shkruajë:

“I dashur mëmëdhe / të dua dhe kështu siç je/, po, kur të të shoh të lirë,/ do të të dua dhe më mirë”.

Qoftë si romantik tek “Baba Tomorri” “Fron Perëndie”, të bukur, madhështor ; qoftë si realist (“…mëmëdhe / Të shoh me buzë të plasur / si me she “), e ka të gatuar poezinë e tij me frymë të thellë atdhetarie e humanizmi që buron nga zemra e vuajtur, nga jeta që ka njohur në Sheper e Zagori, nga dëshira që shqiptari të jetë më shqiptar. Në krejt veprën, shpaloset karakteri i tij, shpesh me atë temperamentin zemërak zagorit…

“Ju që mbroni skllavërinë / ju që bëni të këqia / ju që mundoni njerinë / e gjeçi nga Perëndia!”  “O Shqiptarë të mjerë, / ç’u ka marrë koka erë / derdhni gjakun për të tjerë!”

Shqiptarët flijohen për interesat e të tjerëvet, pa e kuptuar interesin e vet! Mish për top!

“E gjeçi nga Perëndia!”,  “I ka marrë koka erë”, shprehje popullore në Zagori, i ka bërë të flasë si kambanë alarmi në poezi. Zemërimi që buçet në vargjet e tij, të hedh në historinë e largët e të afërt. U bë kushtrim.

Në luftë për vetvete dhe me vetveten, për të çliruar mendjen e për të fisnikëruar shpirtin, në luftën për çlirim.

Sheperiotët që e kanë njohur nga afër, të thoshnin që fjalën e kishte me një forcë të madhe logjike dhe shakanë në majë të gjuhës..

Shqipërisë i duhej të forconte shpirtin dhe të ndriçonte fytyrën. Andon Çako – që i mori emrin asaj pllaje të bukur, Çajup, rrethuar nga maja malesh, ku lulja i thërret lules e zihen në valle – bir i thjeshtë i këtyre maleve të Zagorisë, u bë një nga bijtë e shquar të Shqipërisë në misionin për të forcuar shpirtin, për të ndriçuar fytyrën e atdheut të tij, për të parë triumfin e dritës që do të çante errësirën.  “Zëri i tij buçiti në Shqipëri si krisma e armëve të malësorëve në Kosovë e Labëri.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s