Poezi nga Dije Lohaj

 

Dije Lohaj

Poezi nga Dije Lohaj

 

 

ZË DRITE POSHTË NJË VERBËRIE

 

E si do të shohësh
Verbërinë e syve të tu,
Në vjeshtën tënde të fundit?

E si do të mundohesh
Errësirën e tretur të një kohe
Ta zbardhësh përtej ardhmërisë?

Kot do të mundohesh
Të mbëltosh ylberin,
Shikimin e diellit me zë drite,
Me ato gropa
Të matësh largësinë
E verbërisë sate,
Burgut tënd të zi.

Do të shpupuritësh vitet e tua,
Siç shpupuritim
Hirin në oxhak me mashë
E do të mundohesh
Të gjesh një thëngjill
Të ditëve të nxehta,
Kur zjarri bubullonte
Në qenien time
Dhe kur në buzët e mia
Nxehej flaka.

Gropo në kafkën tënde,
Të hapësh varrin për vete,
Por ke fat që shkëndijat,
Që shkreptijnë nga eshtrat e mi,
Nuk i sheh dot me sy.

Duket se kjo paska qenë arsyeja
Që pëlqeve verbërinë tënde,
Në dimrin e parë,
Pa të filluar vjeshta jote e fundit.

 

 

 

JA SI ERDHI DITA NË TOKË

 

Nuk e di si erdhi drita në tokë!
A erdhi lakuriq?
A erdhi veshur?
Me gjithë këto të zeza,
Me gjithë këto të mira?
Me një dashuri të zakonshme,
Apo me një dashuri të pazakonshme,
Duke hapur frikë,
Duke prerë urrejtje në shtatin e saj,
Duke hapur plagë,
Duke vendosur dhimbje
Në flakën e territ,
Në ulërima të natës…

A mos dita në tokë erdhi,
Tek skërmitin dhëmbët hienat
Në një gjithësi me lulezemra të plasura,
Nën mëshirën e jetës…

Apo dita në tokë erdhi,
Nga dashuria në kërkim,
Tek gdhend shpirtin e saj
Nën hijen e një qielli plot yje,
Në çastet e një zemre të kulluar,
Në rrotullim vertikal të globit të saj,
Në çmendurinë e ledhatuar.

Apo dita ra mbi tokë,
Tek ndriçonte drita,
Mbi shtjellën e reve,
Duke shkarkuar poshtë,
Vetëtima epshesh,
Të lidhura me rreze dielli,
Duke shkelur botën
Në shkallaren universale,
Duke puthur borën akullkulluar,
Me reliktin e krijimit
Të rruzullimit miopik,
Në cakërrimin e gotës verëkulluar.

Nuk është mitike,
Sepse dita në tokë solli
Një pranverë për mua,
Një pranverë për ty,
Një trëndafil që të gjembon,
Një trëndafil me aromë ferri,
Një dashuri për mua,
Një dashuri për ty,
Një xhelozi për mua,
Një xhelozi për ty,
Tutje një varr,
Mbuluar me bar
Për kositje të mëdha,
Të jetës,
Të dashurisë.

 

 

 

MITI I XHELOZISË

 

Derdhur shpinës së vajzës,
Gjarpërinjtë me sy zjarri shponin,
Këndej e andej mitit,
Me helm trupin i mbronin.

Meduzë emrin kishte,
E bukura vajzë e xhelozisë,
Gjarpërinj çdo fije floku kishte,
Të mos prekej prej djalërisë.

Preki, më tha Meduza!
Më puth, më shumë më urdhëroi!
Atena nga xhelozia,
Kështu më ndëshkoi.

Vetëm afshi i zemrës,
Dashurinë mund ta shpëtojë,
Edhe kur secili gjarpër
Rri gati të kafshojë.

Gjarpërinjtë gërshetoheshin trupit,
Si flokët e vajzës dikur,
Një mijë vite të tjera të shkojnë,
Nga miti nuk lot dot një gur.

Në gjinjtë e detit përpëlitej muzgu,
Me flokë loznin dhe dallgë të reja,
Nanurisin kohë e vite,
Xhelozinë s’e zë dot rrufeja.

 

 

 

 

KLITHJE PËR KLITHJEN E ATDHEUT

 

Nën qiellin e grisur,
Ik atdheu nga njerëzit e tij.
Ku ik?
Ku shkon?
Ankthshëm atdheu loton,
E cunamët fërgëllojnë rrugëve,
Me uraganë melodish të çmendura,
Në mileniumin e ri.
Oh, atdhe!
Ç’është ky zë që drithëron,
Përplasur ndër gjokse engjëjsh të pafaj.
Koha po gulçon shpirtplasur,
Se bijtë e tu e ndaluan mileniumin,
Yje shkatërrimtarë,
Shtrëngatë e stuhi të sollën.
Shpikën fusnota e nota të zeza,
Në faqe të tua rishkruan hieroglifë evropianë,
E këmbëkryq rrinë në oxhakun tënd,
Shtrojnë e hanë darka të fshehta,
Në tryeza diplomacish të çjerra.
Oh, klithma e atdheut tim!
Zemërvarur mbi gjakun e shkelur,
Në identitetin tënd të therur.
Merri vargjet e tua
E vari me to poetët
Pa pritur ditën e kiametit!

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s