Poezi nga Lida Lazaj

 

Lida Lazaj

Poezi nga Lida Lazaj

 

 

NJË DHOMË MË VETE
(kujtesë për vete, për mikesha e të tjera gra si unë.
Sipas Virginia Woolf)

 

Një krah mashkulli mbi shpatulla,
që mund të ndryshojë ndikimin
sipas ngjyës së humorit dhe rrënjëve
që ushqehen në mendësi superioriteti.

Disa dhjetra metër kub ajër i parfumuar
imitues aroma dorëzonjash
dhe pylli në maj,
rrethuar me mure të fortë
prej një burri të pushtetshëm
që të mbrojnë nga zhegu, ftohti e stuhitë

Garderobë veshjesh të modës së fundit
shtrat i ngrohtë, nënkresë e butë sfungjeri
që përthith lotë e psherëtima, etj. etj. si këto
nuk janë një dhomë më vete
për mua,
për ty
e për femra të tjera si unë.

Një dhomë më vete
ka formën e zemrës
me përmbajtje dëshirash e vetëvlerësimi
ka guximin e mërmërimës
për t`u bërë britmë
për ndarjen e drejtë
të së drejtës dhe detyrës.

Një dhomë më vete: ngrehinë shumëkatëshe
me llaç e tulla nëpër këmbë.

 

 

***

 

Një tufë dallëndyshesh
më bëhen si skuadrilje avionësh.

Të mjerët sytë e mi
kush ju a veshi ngjyrën e trishtë, që botën e shihni me kokën poshtë?

E mjera zemra ime ti,
që si nxë gjith fëmijët e rrezikuar!

O ju pjella të së keqes, që mbillni vdekjen
lirojani qiellin diellit e zogjve dhe foshnjave tokën!

 

 

 

Të nesërmen, pas festës

 

Dita nisi ditën me sandalet e përditëshme,
pasi mbylli këpucët elegante,
në kutinë e ëndërrave të riciklueshme

Puna e parë: pastroi rrugët
dhe ngjeu me varak mëngjesi
qepallat e vogëlushëve

“Ç`festë do ketë qënë,
që koshat e plehnave janë fyt më fyt
me lule t`shkalafitme,
e që ai imi, dje, pasi i dorëzova lekët
më futi një t`puthme?!”
mendohet një luleshitëse.

 

 

 

Na shpërlaftë shiu i pranverës

 

Jemi statujëza prej balte muzgë,ne,
që kyçim gojën,
mbajmë sytë përpjetë,
tubohemi dhe yshtemi si delet,
derdhim një pikë lot
dhe një kokër mel,
sa për t’i shtuar vobektësisë agoninë.

Statujëza prej m..i jeni ju të tjerët,
që ne vetë ju veshëm me pushtet

Na shpërlaftë shiu i pranverës,
e gërryeftë këtë tokë deri në thelb.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s