Monstra mediatike e shqiptarit të sotëm / Nga Hamit TAKA

Monstra mediatike e shqiptarit të sotëm

 

 

Hamit Taka

Nga Hamit TAKA

 

Mbase me këtë shkrim duket se edhe unë shtoj një zë në korin e zërave kundër mënyrës së paraqitjes së disa ngjarjeve nga disa media, siç janë rastet e krimit në familje, të pedofislisë apo ai i një 60-70 vjeçari, baba i tre fëmijëve që kërcënonte një adoleshente me armë, për t’martuar me të. Raste të tilla kanë provokuar ndjeshmërinë sociale, kanë nxitur diskutime, protesta të një niveli të ulët dhe reagime në disa nga mediat sociale. Në të vërtetë, ndjeshmëria ime qëndron në atë se disa zëra e disa grupime individësh po drejtojnë gishtin te ndonjë plagë shoqërore, tepër e dukshme, e ndjeshme dhe e dëmshme, por e kamufluar me kujdes pas sloganeve: “shoqëri e hapur”, “liria individuale”, “fjala e lirë” etj., që s’kam si t’i quaj ndryshe veçse amoralitet mediatik. Përballë këtij realiteti qëndron dhe e ashtuquajtura shoqëri civile, e cila mund ta ngrejë zërin e të protestojë për çdo gjë, që ato e quajnë mëkat të qeverisë apo dështim të shtetit(bile dhe të opozitës) deri edhe pse, para disa kohësh, u prenë pemët para Presidencës, por jo për perversitetet e disa mediave, që po na çojnë drejt bjerrjes së mjaft virtyteve të çmuara, traditave qenësore autentike, cilësive morale të papërsëritshme, psikologjisë kombëtare në përgjithësi.
Natyrisht, pas një shformimi total të vetëdijes sonë gjatë periudhës totalitariste kërkohej një rimodelim i ndërgjegjes sonë kombëtare, por gjithmonë duke ruajtur esencat tona, që duhet të na dallojnë nga kombet e tjera me një autoritet kulturor të patjetërsueshëm. Sepse shumë gjëra mund të rivelohen në procesin e integrimit në komunitetin europian, por vetëm identiteti kombëtar nuk do të unifikohet në barasvlefshmëri me kombet e tjera. Jo se është bërë temë e modës, as është njëfarë shije për përcaktime pozitiviste ose një lloj onanizmi intelektual që duhet të na nxisë për të përmendur identitetin kombëtar. Identiteti kombëtar besoj se nuk mund t’i drejtohet asnjë filozofie, qoftë kjo edhe ajo e Evropës së Bashkuar, asnjë përkufizimi e asnjë përshkrimi të tipareve dalluese në fizionominë e një grupi e të kombinimit të tyre të veçantë. Kombi ynë u ngjan gurëve dhe maleve tona; ai s’është më shumë se vetvetja, por që dëshiron gjithmonë të jetë diçka më shumë. E për këtë mbase na duhet një projekt kolektiv, mbase i hartuar nga një komitet kombëtar, për të formatuar arketipin e psikologjisë kombëtare, një doktrinë morale dhe një identiteti kombëtar, i cili do të pranojë si të dhëna të natyrshme bashkëjetesën me komunitetin europian e mozaikun e tij kulturor.
Çdo popull ka cenet e tij në individë të caktuar të popullsisë, por, me purifikimin e veseve dhe paraqitjen e tyre pa pikë etike mediatike në mediat e kohëve të sotme, ne po shpërfytyrojmë dhe po riformojmë një model të ri shqiptari: shqiptarin pa moral, të zhveshur fizikisht dhe mendërisht, një model makabër dhe karikatural “bashkëkohor”. Pra, një monstër antipod i “njeriut të ri” të krijuar nga diktatura, që ishte një specie ideologjike, e konceptuar dhe modeluar si njeriu që ndryshonte krejtësisht nga njeriu i paradiktaturës, domethënë nga modeli historik i shqiptarit. Ndërsa, kjo monstra e re mediatike, monstra e promovuar nga emisione si Big Brother, duhet të jetë krejtësisht e kundërt me shqiptarin e diktaturës dhe paradiktaturës. Jashtë këtij modeli hidhet çdo gjë nga personaliteti vetiak, sidomos nga trashëgimia historike, psikologjike dhe kulturore e tij.
Ky njeri “modern” është në fakt një truk delirant mediatik, një kompleks paranojak e dinak, për të goditur individualitetin e secilit, por sidomos esencat e tij kombëtare. Tipari thelbësor i këtij njeriu mediatik është një ekstazë erotike dhe seksualiteti, përqeshja e moralit tradicional dhe çdo trashëgimie kulturore në veshje, sjellje e paraqitje. Lakuriqësia, seksualizmi dhe VIP-izmi në mediat tona patën një jehonë të çuditshme, të qëllimshme, njëkohësisht të neveritshme. Të rinj analfabetë, pa asnjë vlerë shoqërore, ekstravagantë, që s’e kanë për gjë të demonstrojnë antivlerat kombëtare, shpallen papritur “trim mbi trima”, duke u vënë në qendër të vëmendjes mediatike, ndërsa të rinj të talentuar e të përkushtuar, me vlera të mirëfillta të kombit, lihen në hije, madje duhet të mësojnë nga qenie të tilla të mjera, nga subjekte të tilla boshe, nga hibride të tilla surrogate të propagandës mediatike.
Kjo nuk është hera e parë, që modeli moral historik i shqiptarit degradohet. Degradimi rrënjësor filloi nën diktaturën e proletariatit, që krijoi etalonin e “njeriut të ri”. Për 45 vjet rresht, ne ishim vendi më i izoluar në Europë dhe dihet se izolimi e denatyron individin dhe shoqërinë. Kështu që edhe hapja jonë nuk ishte një hapje porte nga dalin kush dëshiron të dalë me rregull e kulturë, por ishte një prishje digash nga vërshuan turmat e papërmbajtura. Të verbuar nga errësira dhe të lëbyrur nga drita, humbën sensin e së mirës dhe të keqes. Dhe e keqja absorbohet më lehtë se e mira. Sidomos te brezi i ri.
Kështu, ikanakët nëpër botë, para së mirës, jo rrallë zgjodhën të keqen. I neveritur nga kafazi moral e shpirtëror i diktaturës, brezi i ri mësoi të keqen para së mirës. Ai u lëshua pa fre mbi ato që quheshin “mollë e ndaluar”. Edhe ata të rinj, që zgjodhën të mos e braktisnin vendin e tyre, të gjendur nën bombardimin e mediave elektronike, internetit, gazetave e revistave me informacione dhe pornografi të çdo lloji, të dëshirës për t’u bërë VIP-a e për të provuar çdo lloj molle të ndaluar, natyrisht që nuk mund të ishin në gjendje vetvetiu të ndërtonin sisteme morale të qëndrueshme, që janë në gjendje të ndajnë të mirën nga e keqja, të lejueshmen nga e palejueshmja. Të tilla barriera duhet t’i ngrejë tërë shoqëria në bashkëpunim me shtetin e vet, shkollën, fenë etj. Por, askush nuk mund të mohojë rolin e padiskutueshëm të medias, sidomos asaj elektronike.
Nuk mund të anashkalojmë qëllimin e mirë të paraqitjes së realitetit objektiv të të riut shqiptar dhe shoqërisë shqiptare nga mediat tona. Por, jo në mënyra të tilla, duke mbledhur steriotipe për audiencë dhe qëllime komerciale. I riu shqiptar nuk është thjeshtë ai që na serviret në tipe të tilla të një “reality shoë”. Ca VIP-a mendërisht sterilë, si këngëtarë, prezantues, humoristë apo figurantë në emisione të pëlqyeshme, kryesisht nga soji i Big Brother-save. Kështu mbetet në harresë puna krijuese dhe sqima morale flijuese e dhjetëra e qindra të rinjve, intelektualëve të ndershëm, biznesmenëve të suksesshëm, shqiptarëve të rrallë në botë në fushën e shkencës, të artit e të kulturës, apo talenteve të ardhshëm të strukur mbi librat, eksperimentet apo krijimet e veta, duke punuar aq shumë në orët e tyre të vetmisë dhe të përkushtimit. Model i dhe që u kundërvihet atyre që përmenda për keq janë emisione të tilla, si “The vois of Albania”,  sa për një shëmbëll pozitiv.
Brezi ynë i ri, të rinjtë tanë, fëmijët tanë kanë nevojë për modele, që mëshirojnë progresin shoqëror, i frymëzojnë për vullnet dhe entuziazëm në vektorin e përparimit. Por, shoqëria nuk ka nevojë për VIP-a e modele të rinj shqiptarësh, që jepen si shtazë pas degjenerimit seksual, pornografisë, ambicieve parazitare apo pas qejfeve në kurriz të prindërve. Realitetin e periudhës postkomuniste e njohim të gjithë.

Problemi qëndron në atë model që ne po ju ofrojmë fëmijëve tanë. Dhe kur media ofron degjenerim, është e drejta e çdo shqiptari të mbrojë vlerat tona historike dhe morale. Unë nuk mund të quaj hapje dhe pasurim të kulturës shpirtërore apo shëndetësore një emision të orës relativisht të vonë, ku një mjeke rreth 45-50 vjeçare, fliste me pasion para adoleshentëve dhe të rinjve në studio, se prishja e virgjërisë nuk është as anormalitet e as mëkat. Mjekja fliste me aq pasion, sa dukej sikur veteksitohej nga fjalët e veta. Edhe një psikolog, relativisht më i ri, i ftuar në emision, i pohonte me tërë gjymtyrët dhe shqisat e tij këto xhevaire. Dhe më e neveritshme ishte pyetja: Hë, si mendoni ju, mund të prishet virgjëria që në adoleshencë? Pasi të pranishmit hezitonin të përgjigjeshin, pyetja theksohej: Po apo jo? Të intervistuarit, pasi zbulonin mendimin e referuesve, përgjigjeshin me një “po” të thatë. Atëherë, drejtuesit e emisionit ndiheshin të lehtësuar dhe si babaxhanë i këshillonin: Veçse duhen marrë masa kundër shtatzanisë së padëshiruar. Më në fund një student i gazetarisë, nuk duroi dot dhe me një dozë humori, dha një përgjigje, që i vuri në pozitë të vështirë mjeken dhe psikologun: “Mirëpo problem im është se si do ta marr vesh unë, kur të martohem me të zhvirgjëruarën, se jam i tridhjeteteti apo i tridhjetenënti në radhë?”…Po aq asgjësues për moralin që kultivonin biseda e mjekes dhe psikologut ishte përgjigjja e pyetjes që u drejtohej djemve: ju do të martoheshit me një vajzë virgjëriprishur? Të gjithë jepnin përgjigjen kategorike: Jo. Edukimi seksual, bëhet përmes lëndeve edukative seksuale në një pjesë të caktuar të zhvillimit arsimor e jo duke ç’informuar apo duke krijuar modele të gabuara mediatike.
Nuk është ngasje nga ndonjë ngjarje e rastit kanë qënë të shumtë shqiptarët që kanë kërkuar largimin e menjëhershëm nga reality shoë “Big-Brother” të konkurrentëve degjenerues, si dhe ndalimin e transmetimeve, bile edhe dënimin e televizioneve që shfaqin programe me tematika të papërshtatshme për publikun në fashorare tërësisht të palejueshme. Nëse ne lejojmë që vlerat tona shekullore dhe qytetare të nëpërkëmben, atëherë po krijojmë me dashjen tonë çdo lloj degjenerimi që na shitet si “liri individuale”. Sepse, me të njëjtin mentalitet të “lirisë individuale” mund të kenë vepruar edhe pedofilët e rasteve të publikuara në mediat tona më serioze. Nëse ne nuk dimë të edukojmë mediatikisht brezat pasardhës, me qëllim ruajtjen e vlerave, atëherë ne jemi të degraduar si popull dhe nuk kemi më shumë vlerë se kafshët. Na ka gëzuar ndonjë rast sporadk, mendoj unë, kur ndnjë grup të rinjsh, si një pjesë përfaqësuese e të rinjve shqiptarë bashkëkohorë, kanë dalë  publikisht, për të shpërfaqur vlerat tona historike.
Njerëzit nuk vishen thjesht nga kushtet atmosferike. E pikërisht në këtë zhveshje trupore dhe mendore, që paraqesin disa media, pa pikë etike mediatike, fillon edhe krijimi i shembullit fiktiv i shqiptarit të nesërm. Shoqëria ka rregulla, por disa media paraqesin një lojë psikologjike pa rregulla, me pretekstin e emancipimit të kulturës shqiptare. Por, nëse zhveshja dhe degjenerimi qenka emancipim, kafshët janë shumë herë më të emancipuara se ne. Të rinjtë shqiptarë dhe tërë shoqëria jonë nuk mund të pranojnë kurrsesi një zhvillim mbrapsht të moralit tonë tradicional e njerëzor.
Ne ende e kemi para sfidën e Europës. Vërtet është fakt se, në planin politik dhe ekonomik, Shqipëria vetëm pas rënies së diktaturës komuniste u fut në strukturat europiane, në të cilat duhej të merrte pjesë prej vitesh. Por, nuk është aspak e vërtetë se, në planin intelektual e shpirtëror, Shqipëria e “zbuloi” Europënnë  këtë çerekshekullin e fundit. Shqipëria jo vetëm që është “produkt” dhe sekrecion i Europës, por ajo është në zanafillën historike të Europës. Ishte një ndërprerje gjysmëshekullore, që vendit tonë i kushtoi jo pak, por, në gjithë shekujt që kemi lënë pas, ne jo vetëm kemi pasur një kulturë europiane bashkëthemeluese, por edhe një doktrinë morali, që e zbatonim, duke u paraqitur para Europës si komb me vlera të spikatura.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s