Poezi nga Rami Kamberi

rami kamberi 1

Poezi nga Rami Kamberi

 

 

PËR PYETJEN, QË NUK MË TAKONTE MUA…

 

Pyeta e pyeta, gjithandej botës, kush ka guxim, të më thotë
Si duket loti, mes syve
Kur djalli dhe xhindet, jetën e vdekjen, e pikturojnë mbi tokë

I shfletova edhe librat e shenjtë, të gjejë të shkruarat, për lotin
Bisedova, me profetët dhe shenjtorët
Shtatë kate nën tokë, shtatë kate mbi tokë, që ta lidhi nyje motin

U ktheva, me më shumë dhimbje, duke qortuar veten, pse pyeta, kot
Pyetjen, që nuk më takonte mua, ta bëja e as ta dija
Mes e përmes gjithësisë, kur njerëz, djall e xhinde, i krijoi i madhi Zot.

 

 

 

VETËM ATA, QË E DASHUROJNË DERI NË FUND…

 

Kudo mbi tokë, vetëm ata që e dashurojnë, deri në fund, e dinë
Gjuhën e gjakut, arnuar për jetë
Ta këndojnë shqip, sikur luftëtari mes betejave, që kërkon lirinë

Nëpër terrin e motit, ngarkuar me barrën, e të çmendurës robëri
Që fjalë të parë, vdekjen ta thotë
Nën lëkurën e dhimbjeve, ku arnohen jetët, që shkruajnë histori

Kush e vazhdon më tej, shqip, këtë dashuri, emri do t’i lulëzojë
Nëpër damarët e jetëve, që kurrë nuk sosen
Tek trualli, ku vajet, kullat i gëzojnë, atje ku shqip, të pagëzojnë.

 

 

 

DERISA ROBËRIA, NA DUKET LIRI…

 

Në mes të moteve e jetëve, Shqipëria, do të na mbetet, fjalë
Që na e çelin, pranverat e guximit
Duke i ndezur buzët, me këngët, për të thënë, ne jemi gjallë

Kur rrugët e rrugëtimeve, na kthehen, prapë në melankoli
E nga gojët, padashur
Prej gjakut të ballëkuqeve, shesheve na jehonë, zëri i-liri

Kur me namet e të vdekurve, e kërkojmë bashkimin, një Shqipëri
Nga jehonat e këngëve, na verbohen sytë
Harrohemi nëpër robëri, me gjakun e ndezur, duke thirrur: liri! liri!

 

 

 

PËR T’ IA SHUAR JETËN, PLISIT

 

Nuk mjaftojnë mileniumet, për t’ia shuar jetën, plisit
Para se të lindet
U shënjua, nëpër damarët e truallit, me gjuhën e fisit

Name e nishane, iu dëgjuan, deri te kështjella e vdekjes
Të flasin nëpër kohë
Me këngën e dashurisë, të pagëzuar shqip, lulishtja e jetës

Nuk mjaftojnë, as luftërat, e kohërave pa kohë, që e pikëlojnë
Me krenari, e ruan bardhësinë
Nëpër damarët e lehonive, që tokën shqip, mëmëdhe e pagëzojnë.

 

 

 

MBI NJË COPË, PELLAZGE…

 

Ata
Që tash, pa turp, na e brejnë durimin, tej e përtej, krimit
Po na hynë, nëpër damarët e truallit e fisit
Me trëndafila “dashurie”, për dekorata, nga dita e “çlirimit”

Nëntë shekuj t’i harrojmë, si njëmijenjë, që i harruam më parë
Të mos themi, në këtë tokë, jemi, dem baba dem
Përmendoret e pellazgëve, bukuri të fshehta, të parët çlirimtarë

U valojnë flamujt, me gjuhë paqe, për rrugën e lirisë ligjërojnë
Mbi truall, kufijtë na i përcaktojnë, kosovarë na pagëzojnë
Si të parët e tyre, me majat e shpatave, ardhmërinë na e vizatojnë
Ne, i ndezim, flakadanët e shpresës, miqtë, do të na bashkojnë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s