Sprova e vështirë e familjes / Nga : Hyqmet HASKO

Sprova e vështirë e familjes

 

 

Hyqmet Hasko- 2

Nga : Hyqmet HASKO

 

 

Mihali vështronte në boshin e hirtë përtej driatares, në atë tis errësire të spërkatur me yje që vinin gjer në krevatin e tij si reflektime. Herë herë rënkonte, pasi dhimbjet ishin të padurueshme.
Mjeku, një burrë simpatik rreth të dyzetave, pasi e kishte vizituar dje pasdite, kishte rrudhur sytë duke i picërruar në formë pikëpyetje dhe i pati thënë se nuk i kishte punët në terezi. “Më duhet të ta them troç, nëse nuk të nxjerrim jashtë, këtu s’ke shpëtim. Por jashtë kushton qimet e kokës. Tetëdhjetë mijë euro kushton operacioni. Nuk e di nëse mund ta përballosh apo jo!”.
I sëmuri tundi kokën në formë qortimi, sikur deshi t’i thoshte: “Një fjalë goje! Po tetëdhjetë mijë euro nuk kam ku t’i gjej, sikur tetëqind vjet të më garantohet se do të jetojë!”…
Shoku i dhomës, Tani, një djalë ezmer, rreth të njëzet e pestave, e vështronte tinëz, me një dhembshuri të lexueshme. Edhe ai vuante nga e njëjta sëmundje si Mihali, por mjeku i kishte thënë se nuk kishte gjë serioze, ai i pati rënë prapa në kohë sëmundjes dhe nuk kishte ndonjë rrezik për jetën. Do të rrinte dhe nja tre katër ditë për merak dhe do të dilte. Kështu i pati thënë mjeku, që e kishte vizituar po atë ditë që pati vizituar Mihalin.
Tani u ngrit ndenjur mbi krevat, pastaj zbriti poshtë, veshi pantoflat dhe iu afrua Mihalit tek koka e krevatit:
-Hë mor ushtarak, mos e jep veten, bre burrë!…Ju ushtarakët jeni kockë e fortë, edhe nga pesëmbëdhjetëkatëshi t’iu hedhësh, bini prapë në këmbë!
Mihali më kot rrekej të sajonte një buzëqeshje, e cila i dilte e ngrirë dhe e sforcuar. E kuptonte që djaloshi donte t’i jepte kurajë, por ky ndoshta nuk ishte çasti i duhur, pasi ai ziente përbreda, i trazuar dhe i traumatizuar nga pamundësia për t’u çliruar nga kthetrat e kësaj sëmundje, që po shfaqej në jetën e tij si një përbindësh shumëkokësh.
-Dëgjo, -foli djali duke i vënë dorën tek balli, sikur ta kishte baba. –Nuk të garantoj ploëtsisht, por do të bëj një përpjekje për të të ndihmuar. Në Gjermani kam një të dashur, në vjeshtë do të shpallim fejesën, ajo ka mbaruar për mjekësi dhe punon në një spital modern në Hamburg. Do të flasë një herë me të, mos kushedi…mund ta bind që të të ndihmojë!
Sytë e Mihalit u bënë të vëmendjshëm dhe rishtas mbeten qortues.
-Nuk dua të vë në siklet askënd, tani! Ti faleminderit, por nuk dua të shqetësosh të tjerë për punën time!
-Çështë ajo që thua!?…Kur bëhet fjalë për jetën e një njeriu, duhet bërë e pamundura e mundur. Të premtoj që do të bisedoj që nesër dhe…ndodshta gjejmë një zgjidhje.
Dhe Tani, të nesërmen hyri në dhomë me një buzagaz përshkënditës, teksa u afrua te koka e krevatit të Mihalit.
-Je me fat, Babush, -iu drejtua të sëmurit rëndë,-e dashura më premtoi se do të fliste seriozisht me profesorin e saj, një mjek i shquar gjerman dhe mbase bëjmë ndonjë gjë për ty, miku im!
Kaluan dy tre ditë dhe shpresat e ngjallura të Mihalit rishtas zunë myshk.
“E po një fjalë goje qe kjo e këtij të shkretit, më shumë për të më ngjallur mua një farë shprese, që të mos e lëshoja veten”, mendoi jo pa keqardhje për veten.
E kaploi një gjendje e rëndë shpirtërore. Bile, edhe pse me gjendej tejet të rënduar, ndezi një cigare, por e fiku shpejt, me një lloj alarmi. Edhe cigarja të duhet, o mik, o derëzi, iu drejtua vetes gjithë qortim.
Por shoku i tij i ri e mbajti fjalën.
Të nesërmen i tha se duhej të përgatitej për të vajtur në Gjermani. I tha se duhet të kishte të paktën lekët për të prerë biletë vajtje-ardhje dhe për ndonjë shpenzim të vogël, kafe e gjëra të këtij soj.
-Nëse nuk nuk ke para, -iu drejtua djali, t’i gjej unë, t’i jap hua.
-Mos ki merak, kaq para i kam. Të falenderoj shumë dhe nuk di se si të ta shprehë mirënjohjen.
-Do të vijë edhe unë me ty, -ia ktheu mirëbërësi.-Me këtë rast takoj dhe të dashurën, se më ka marrë shumë malli.
U nisën pas dy ditësh me avionin e një linje, që nga Prishtina, se kishte një okazion në çmim. Shkuan direkt e tek spitali, ku i priti një infermiere bionde, me dy sy të gjallë e plot mirëdashje. Tani kuptonte goxha gjermanisht dhe seç bisedoi me infermierën, e cila dukej se ishte në dijeni të ardhjes së pacientit të sëmurë rëndë nga Shqipëria…
-Kemi porosi të veçantë nga Irma, mjekja brilante nga Shqipëria, për zotërinë që sapo sollët, -foli ajo duke buzëqeshur me intimitet. Dhoma e tij dhe gjithçka është gati, kështuqë që lerjeni këtu dhe shkoni pa merak, është në duart të sigurta, -foli infermierja dhe faqet e saj të freskëta u mbushën me pikëza të kuqe.
Tani iku të takonte Irmën, të dashurën e tij, ndërkohë që Mihali të nesërmen iu nënshtrua operacionit, që përfundoi me sukses. Qëndroi dhe nja katër pesë ditë në spital, që ta merrte veten.
Gjithçka gratis, asnjë shpenzim, as edhe një qindarkë.
E dashura e Tanit, Irma, siç duket, kishte bërë të sajën dhe i sëmuri rëndë i ringjallur nuk dinte si ta shpejte mirënjohjen.
-Të paktën më lejo t’iu japë një darkë ty dhe të dashurës tënde,-iu drejtua Mihali Tanit, -një darkë mirënjohje këtu në Gjermani, mos ma prishni, të lutem…
-E pa prishur qoftë! -foli Tani dhe e lanë që të nesërmen në drekë, një ditë para se të udhëtonte për në Shqipëri, të drekonin në një restorant peshku diku në periferi, nja tre kilometra larg spitalit, që i kishte shpëtuar jetën Mihalit.
Mihali vajti i pari dhe zuri vend në një nga tavolinat e fundit. Erdhi kamerierja, një mulate me sy të bukur, por ai tha se priste nja dy persona, pastaj do të bënin porosinë.
Dhe ja ku u duk Tani, pas e ndiqte një vajzë e re, me flokë të zinj e të dendur. Kaq arriti të vështronte Mihali nga profili, ndërkohë që çifti po afrohej me shpejtësi drejt tavolinës së tij…
O Zot! Çfarë po i shihnin sytë?! Mos ishte në ëndërr?! Apo i kishin nisur haluçinacionet për shkak të sëmundjes?! Jo, as njëra as tjetra. Ajo që po vinte me Tanin, në krah të djathtë të tij ishte Irma, vajza e tij e madhe. O Perëndi, Irma na qënka e dashura e Tanit dhe ajo i paska shpëtuar jetën!…
Ashtu i turbulluar, me lotë në sy e vështrim krejt të shpërqëndruar, u lëshua në krahët e së bijës dhe nuk shqitej prej andej…

***

Pas disa ditësh, Irmës i vajti në shtëpinë e saj me qera, në një qytezë në periferi të Hamburgut, kjo letër, nga Mihali, babai i saj:
“Bija ime! Kur të pashë atë ditë në krah të Tanit dhe e kuptova se ti ishe ajo që më kishe shpëtuar jetën, u ndjeva i emocionuar dhe nuk e zotëroja dot veten. Ti më the të të tregoja se pse ju lashë ty dhe mamin, por aty nuk mund të ta tregoja. Ndieja sikur po vetëmbytesha nga pesha e një ankthi që sikur po më zinte frymën. E kisha të pamundur të të tregoja sy më sy, ndaj po të drejtohem me këtë letër.
Ti e di, gjithmonë ju kam dashur me pasion, juve, dy bijat e mia të dashura dhe nënën tuaj.
Por, kur ti ishe në vitin e dytë në gjimnaz, vëreja me tmerr se po më ndodhte një diçka e panjohur, e huaj dhe ankthioze, për të cilën e urreja veten.
Ndieja një trazim të brendshëm, siç ndjen një burrë për një femër të bukur, gjë që nuk e përjetoja me Tinën, motrën tënde të vogël.
Diçka kishte këtu, diçka të keqe e të frikshme! Kështu mendoja dhe parandjenja nuk më kishte gabuar!
Ç’po ndodhte kështu?
Ato ditë në lagjen tonë vdiq nga një sëmundje e keqe P.T, inxhinier nafte dhe unë kisha dëgjuar ashtu nëpër mjegull diçka për një si idil romantik mes nënës tënde dhe këtij personi, por nuk e kisha besuar kurrë.
Ato ditë pashë se jot ëmë u vesh me të zeza dhe çdo paradite largohej për dy tre orë nuk dihet se për ku.
Sikur e përpinte e panjohura…
Një ditë e ndoqa pas dhe këmbët i mbajta në varreza.
Ajo vajti tek varri i P.T dhe vendosi një buqetë të madhe me lule.
Po kështu bëri dhe të nesërmen, të pasnesërmen, katër ditë me radhë.
Nuk i rashë në sy.
Ditën e pestë, kur po vendoste kurorën me lule mbi mermerin e varrit të ri, iu afrova nga prapa dhe e zura nga supet.
Ajo u drodh, një rrymë korenti e përshkoi nga maja e kokës në fund të këmbëve.
E shtrëngova të më rrëfente sekretin më të madh të jetës së saj.
Gjithçka u detyrua të ma tregonte nga halli, ngaqë e zura gafil me kujtimin e një të vdekuri, kujtim që rronte dhe nuk qe shuar kurrë në shpirtin e saj.
Më tregoi se qe dashuruar me P.T-në që kur ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, ende vajzë në vitin e parë të gjimnazit, por familja nuk e lejonte të fejohej me të për shkak se ai i përkiste një feje tjetër.
Kur u fejova unë me tët ëmë, ajo sapo kishte mbetur shtatzënë me ty, por babai nuk isha unë. Babai ishte P.T. Ndaj prindërit e saj, që siç duket e dinin mjaft mirë të vërtetën, e shpejtuan martesën e të bijës me mua.
Pas kësaj ndodhie, që jot ëmë u detyrua të ma tregonte fill e për pe, e çfarë mund të bëja unë, bija ime, përveç asaj që bëra?!
Por sot ndihem i penduar.
Çdo njeri ka sekretet e tij në këtë botë, disa janë më të rënda dhe dhembin.
Por njeriu duhet ta përballojë jetën siç të vjen.
Unë për pak kohë u njdeva i turbulluar dhe dyshova me të drejtë se nuk isha yt atë, por kjo nuk të bën të huaj për mua.
Ti je ime bijë, njësoj si Tina, edhe pse në dejet e tua nuk rrjedh gjaku im.
Merre shtruar këtë histori, mos e dramtatizo, sepse ti je dhe mbetesh ime bijë sa të kemë frymën gjallë, deri në çastin e fundit të jetës”
Të përqafoj nga larg
Yt atë”
Ajo ra përmbys mbi letër dhe e njomi me lotët e saj të nxehtë, ndërkohë që Tani, i dashuri ia fshinte me një facoletë të parfumosur…

***
Nga avioni i linjës Rinas-Gjermani zbriti një burrë rreth të pesëdhejtave, i veshur shik, me një çehre të freskët dhe plot energji.
Një grua rreth të dyzetave, dy vajza të bukura dhe një djalë mjaft simpatik, po e prisnin në aeroport.
Burri ishte Mihali dhe gruaja që po e priste ishte ish bashkëshortja me dy vajzat.
Djali ishte mirëbërësi dhe dhëndrri i tij, i cili sapo qe fejuar me të bijën, Enin…
Ata u përqafuan të përmalluar dhe morën rrugën drejt shtëpisë, diku në një qytezë të Hamburgut, ku familja do të bashkohej e gëzuar, pas shumë vitesh ndarje, përsëri!…
H..@..B..H.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s