Poezi nga Vullnet Mato

vullnet

Poezi nga Vullnet Mato

 

 

NJË ÇIFT XIXËLLOJASH

 

Burrë e grua janë kthyer në dy xixëlloja.
Bëjnë jetë nate pa ndriçuar së toku.
Nuk shkëmbejnë më xixa puthjesh te goja.
Ajo xixëllojë te shoqja, ai xixo te shoku.

Struken mbrëmjeve në lokale të veçanta,
Ku vetëm muhabete shoqërie përtypin.
Ai s’është më xixo, që i jep rreze të arta,
Ajo s’është xixëlloja, që i tund atij bishtin.

Harxhojnë mjaft xixa si në dimër e në verë.
Ajo përdor ndriçimin, që fiton me punë.
Ai rrezatimin e tij e harxhon me të tjerë.
Secili bën dritë, ku i pëlqen më shumë.

Ndrisin së bashku, veç natën e Vitit të Ri,
të detyruar nga halli, që kërkon kremtimi.
Në Kryevitin e xixëllimit, struken në shtëpi,
se lokalet bllokohen me xixëllues vallëzimi.

Shtiren sikur bëjnë xixa në fis dhe në lagje,
po dashurisë ia kanë shkulur rrënjët nga gjaku.
Figurojnë të lidhur çift, sa për sy e faqe,
se në zemër ka secili vetëm borë dhe akull…

Problem në shtëpi, do të kenë me xixëllimin,
vetëm dimrin e fundit nga ngricat bllokuar.
Kur do u bëjnë qark të shkurtër xixat e afrimit,
e do karbonizohet secili në shtratin e vetmuar…

 

 

 

E VËRTETA ABSOLUTE

 

E vërteta absolute mbulohej tinëzisht në shekuj,
që nga faraonët, deri te diktatorët e fundit.
Synimet e vërteta dhe arkat e parave të fshehur,
zbuloheshin nën çarçafët e shtratit, para gjumit.

Natën pushtetarët u tregojnë grave besnike,
të fshehtat trupore dhe sekretet e së vërtetës.
Të nesërmen nëpër zyra dhe podiume politike,
flasin dhe ngrenë në qiell nenet e gënjeshtrës.

E vërteta jonë e dhimbshme, pesëdhjetëvjeçare,
u mbulua hermetikisht, të mos i dukej as një qime.
Meqë ishte një gënjeshtër e madhe kombëtare,
zbuluesit e saj mbylleshin nëpër vrimat e minjve.

Sundimtarët e kanë fshehur si arin, çdo të vërtetë,
dhe kanë përdorur pluhurin e varakut gënjeshtar,
që u hidhet njerëzve në sy, për t’i mashtruar lehtë,
apo të përzier me inerte nga të patriotizmit fjalë.

Para turmës, bëhen delirantë, veshur me retorikë,
maska të telekomanduara nga krerët kryesor,
që mbajnë në duar spektrin e shkëlqimit ekonomik,
të duket farsa e tyre, mrekulli e shpëtimit njerëzor…

Por e vërteta absolute, ka dëshmi objektin e qartë,
si atë që u ka treguar njerëzve, krijuesi i gjithësisë,
kur u vuri sferën e diellit, të rrotullohet para syve lart,
të shihet drita e vërtetë, jo hamendjet e fantazisë…

Po prapë njerëzit e errësirës pështyjnë dhe diellin
kur nuk ia shuajnë dot dritën që zbulon të vërtetën,
mbushin thasët me rërë, të thonë se e kanë miellin,
që do populli, veç ta shtyjnë nëpër kolltukë jetën…

 

 

 

TË GJITHA Ç’MË DUHEN TI I KE VETË

 

E di fare mirë ç’ke mbuluar në trup
dhe sërish bëhem tepër kureshtar.
M’i ke ushqyer e ngopur sytë e butë,
po prapë ndjej kërcitje urie të paparë.

Në fillim s’e kuptoja këtë lloj urie në sy,
përherë të ngulitur në trupin tënd.
Mirëpo dhe të fiksohesha vetëm tek ti,
aso kohe nuk kisha pasur ndërmend.

Tentova t’u gjej syve pamje të dyfishtë,
te një tjetër më interesante, diku rrotull.
Por dhe aty konstatoja, çuditërisht,
ishin fiksuar sy të tjerë, të pangopur!…

Kjo dukuri më bindi, se në këtë botë,
me vështrime të dyanshme pangopësie,
kënaqësia e secilit nuk sigurohej e plotë,
përderisa përfundonte te fiksimi i syve.

Se komandën supreme në partneritet,
s’e ka mbretëresha “Besnikëri e vjetër”,
ekziston dhe gjeneral “Kurioziteti i fshehtë”,
që nxit sytë lakmitar, për tek një tjetër…

Por siç ka femra, me pamje e gjeste nazike,
që flakërojnë tre zjarre të ndryshme në ditë,
ti ke aftësi të shkrepësh tri shkëndija magjike,
me të cilat gjithë jetën më ndez zjarrin te sytë…

E, si mund të shuaj zjarrin poshtë e përpjetë,
kur dhe zjarrfikëset e syve, ti i ke të gjitha vetë?!..

 

 

 

KUR DUAN TË VDESËSH BUDALLA…

 

Lind budalla, kur sapo vjen në botë,
dhe bëhesh në jetë fenomen i ditur,
por budallenjtë e çartur që ke mbi kokë,
duan të vdesësh më budalla nga ç’ke lindur.

Mund të sigurosh diku një kolltuk,
me diplomën tënde shkëlqimtare,
papritur zbret “miku” me parashutë,
të vdesësh budalla pa punë fare…

Ke shtëpinë dhe tokën e trashëguar,
del tjetri dokumentin falsifikon,
me vulën e hipotekës përjetësuar,
të vdesësh budalla fare pa pronë…

Je varfanjak, sa më keq nuk ka,
por krenohet zyrtari i qeverisë,
se të ushqen me mish e bakllava,
të vdesësh budalla prej urisë…

Politikani blen votat, aty këtu,
të premton Evropën për një vit,
por gjendesh mes fiseve Zulu,
të vdesësh budalla në Afrikë…

Shkulesh shkon në vend të huaj,
se shkëmbi yt më tej s’të mba’,
por nëpër punë, ku duhen buaj,
nga profesor-doktor, vdes budalla…

Lind budalla, kur sapo vjen në botë,
dhe bëhesh në jetë fenomen i ditur,
por budallenjtë e çartur që ke mbi kokë,
duan të vdesësh më budalla nga ç’ke lindur.

 

 

 

BESIMI TE ZOTI

 

Besimin te zoti, e quaj ndjesi të mirë,
jo fiksimin fetar, por bindjen e vërtetë.
Se kur njeriu ndjen veten shtazarak i lirë,
të kafshon me egërsimin e fuqisë së vet;

Të fshin verbërisht nga jeta tokësore,
ndonëse s’të ka sjellë të jetosh botën.
Po të dijë se ekziston një fuqi madhore,
frenon egërsinë, që u pret njerëzve kokën.

Nuk kuptoj, si fanatiku arrin tek e padrejta,
se është mirë për fenë, shpirtra të marrë,
kur lexon dhe dogmën me nene të shenjta,
se vetëm Zoti është për të gjithë kryegjyqtar?

S’kanë faj shkencëtarët me zbulimet e tyre,
as pafajësia e moshës delikate të viktimave,
por errësira e trurit, te këta kasapë mynxyre,
me mendim primitiv, në këtë kohë të çudirave.

Dhe kjo ndodh paralel ecjes astronomike,
kur njeriu ka kuptuar nga vjen e ku po shkon,
kur dihet se gjendemi në një flluskë kozmike,
e cila mund të shpërthejë shpejt, ose vonë;

Kur kërkohet për njerëzimin planet tjetër,
para katastrofës së pashmagshme diellore,
për të zhvendosur jetën e Tokës së vjetër,
në koshere të re, me ajër dhe dritë qiellore…

Në vend që të shtojnë viktimat e dogmës,
me armët shfarosëse të disa gjakësorëve,
të mendojnë seriozisht, se jemi të përkohshëm,
në shansin që na është dhënë ne, tokësorëve…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s