Me rastin e 100 vjetorit të lindjes, kujtojmë jetën dhe veprën e patriotit, inetelektualit dhe historianit të shquar PROFESOR IBRAHIM KELMENDI. / Nga : Afrore SHAIPI

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes, kujtojmë jetën dhe veprën e patriotit, inetelektualit dhe historianit të shquar PROFESOR IBRAHIM KELMENDI.

 

 

Nga : Afrore SHAIPI

 

 

 

f 1

PROFESOR IBRAHIM KELMENDI

(1916-1979)

 

Të kujtosh veprën e njerëzve të mëdhenj  të kombit, e në veçanti të figurave dhe veprimtarëve  të çështjes kombëtare gjatë shekullit XX, nuk është vetëm mirënjohje për këtë plejadë atdhetarësh, por edhe vlerë për t’ia lënë brezave vazhdimësinë e punës së tyre titanike.

 

 

Ta mbrosh  me armë  dhe të respektosh me dije e shkencë qenien etnike, kulturën dhe civilizimin e tij, në të vërtetë pasqyron figurën e atdhedashurisë dhe përcaktimit kombëtar nëpërmjet ngritjes së çështjes kombëtare në nivelin më të lartë të idealit të tij. Të krijosh historinë e kombit tënd dhe të shkruash historinë e kombit tënd është mision i njerëzve të rrallë dhe të mëdhenj. Në mesin e të tyre hyn pa mëdyshje edhe figura emblematike e profesorit Ibrahim Kelmendi nga Presheva si historian i parë nga Kosova Lindore e ndoshta edhe nga mbarë Kosova.

 

Ibrahim Kelmendi lindi më 16.04.1916, në Preshevë në një familje me traditë atdhetarizmi dhe arsimi. Shkollën fillore e kreu në Preshevë, kurse në vitin 1938 e mbaroi Medresenë e Madhe në Shkup. Studimet e historisë  i filloi në Universitetin e Beogradit, i vazhdoi  në Peruxha të Italisë, ku për shkak të veprimtarisë antifashiste u përjashtua dhe u detyrua t’i përfundoj në  Zagreb. Pas diplomimit në nëntor  të vitit 1942 u punësua në gjimnazin “Sami Frashëri” të Prishtinës  si profesor i historisë, ku pas një kohe emërohet  zëvendësdrejtor i gjimnazit  dhe drejtor i Internatit të nxënësve.

Me çështjen kombëtare ishte preokupuar  qysh në medresen e madhe. Shpesh është evidentuar si nacionalist, armik, kolonë e pestë, irredentist e reaksionar. Gjatë studimeve në Beograd, për shkak të mospajtimit  të  mësimdhënjes  për historinë e shqiptarëve demonstrativisht e lëshoi fakultetin dhe u transferua në Itali, e edhe atje për veprimtari  të hapur ndaj  fashizmit Italian u përjashtua nga fakulteti. Si shumica e intelektualëve të ndritur, edhe ai u radhit në krahun e nacionalizmit shqiptar, gjegjësisht tek Balli kombëtar. Me bindje ishte antifashist i pastër. Si i tillë ishte anëtar aktiv i kreut të  ngushtë të komitetit të intelektualve të Lidhjes se Dytë të Prizrenit. Ishte këshilltar i Komitetit të Rinisë Nacionaliste Shqiptare, e pastaj ishte në organet drejtuese të Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar, ku u dallua me aktivitetin e tij dhe në funksione të ndryshme në udhëheqjen e saj.

 

Rrethanat e atëhershme të luftës e detyruan të kthehej në Preshevë në shtatorin e vitit  1944, kur e mori organizimin dhe udhëheqjen e popullatës shqiptare  të Kosovës  Lindore në ruajtjen e trojeve shqiptare nga sllavokomunistët dhe bullgarët fashistë. Këtë luftë të turmave të gjëra popullore nuk ka të drejtë askush ta quajë ndryshe, pos luftë e shenjtë çlirimtare, thjesht për liri dhe të drejta tjera njerëzore. Duke u nisur nga ky postulat, vetë Kelmendi thotë  “kjo luftë është thjesht kombëtare, pa mbështetje në ndonjë  politikë, ideologji, mendim e interes  të huaj. Sipas karakterit, mënyrës, qëllimit, kjo luftë nuk dallohet prej të gjitha luftërave antifashiste që kanë bërë popujt e tjerë të Evropës”.

 

Kur lufta në Preshevë dhe rrethinë ishte e pashpresë dhe kur forcat partizane serbo-maqedonase e të tjerë do të hynin në Preshevë, ai i mbeti besnik idealeve të veta. I mbeti besnik dhe i paluhatshëm njësive vullnetare që kishin zgjedhur vdekjen më parë se jetën nën robëri të komunizmit jugosllav. Pas pushtimit të Preshevës, ai së bashku më Mulla Idrizin, Hysen Tërpezën, Adem Gllavicën, Luan Gashin e tjerë, drejtpërsëdrejti me pushkë në dorë mori pjesë aktive në të gjitha përleshjet me forcat partizane në Anamoravë, Ferizaj, Gjilan, Malësi të Preshevës e Drenicën legjendare. Në nëntorin e vitit 1946, u detyrua me një grup veprimtarësh të NDSH të kalojë kufirin dhe emigroi në Greqi, pastaj në Gjermani dhe në fund u vendos në Melburn të Australisë.

 

Profesor Ibrahim Kelmendi  është një prej intelektualëve dhe shkencëtarëve të parë të Kosovës që u mor me hulumtime shkencore nga fusha e historisë kombëtare që nga periudha e parahistorisë e deri  në kohën bashkëhore.

 

Në mënyrë parimore dhe shkencore ai polemizon me autorët serbë për çështjen e Kosovës, prejardhjen ilire të shqiptarëve, autoktoninë e shqiptarëve të Kosovës, vazhdimësinë së tyre në Kosovë dhe të drejtën historike të shqiptarëve të Kosovës për një shtet në një njësi territoriale natyrore, të cilën ai e quan etnike. Me shumë fakte të qëndrueshme kundërshton  dhe e konteston historiografinë glorifikuese serbe në përgjithësi dhe demaskon historiografinë serbomadhe mitike, borgjeze e ekspansioniste ndaj historisë dhe çështjes shqiptare në Kosovë.

 

Angazhimi  i tij politik ishte në dy rrafshe kryesore:

  1. luftën e pa ndërprerë për çlirimin e tokave shqiptare të robëruara dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë e pavarur dhe
  2. luftën kundër komunizmit, të cilin e quante me të drejtë një ideologji pansllaviste dhe thoshte se komunizmi është një proces jonatyror.

 

Ai ka shkruar një mori promomoriesh të ndryshme në aktualizimin e çështjes së Kosovës  dhe çështjen shqiptare para organizatave më të rëndësishme  politike botërore  dhe shteteve të mëdha  për interevenim në mbrojtjen e të drejtave elementare njerëzore të shqiptarëve të Jugosllavisë.

 

Prof.Ibrahim Kelmendi, si një hulumtues i zellshëm, bashkëpunoi me të gjitha revistat dhe gazetat e kohës, që botonte mërgata shqiptare anembanë rruzullit tokësor. Ishte bashkëpuntor i rregullt i: “Albania” e Bostonit, ”Albania “ e Romës, “Përpjekja  jonë” e Nju Jorkut, “Flamuri” i Ballit Kombëtar, “Besa” e Stambollit, “Koha e jonë”, “Rinia kosovare në botën e lirë të Nju Yorkut” etj.  Ndër punimet më të dalluara janë:

“Ilirët në protohistori-origjina, kultura dhe përhapja e tyre”,

“Prej Miteve deri në Butmir”,

“Pak fjalë për të kaluarën e shqiptarëve”,

“E vërteta mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi”,

“Përbërja etnike dhe historike e Kosovës”,

“Kosova në luftë”,

“Të mësuem me u ba fqinjë të padurueshëm”,

“Kosova në luftë me komunizmin”,

“Perspektiva e imprerializmit serb”,

“Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë”,

“Klika Hoxha-Shehu nuk është për Kosovë”.

 

Ibrahim Kelmendi është në mesin e atyre historianëve  të paktë i cili jo vetëm që bëri histori, por edhe e shkroi atë,  jo vëtëm për të mos e harruar por edhe për të mos na u përsëritur ajo. Pra, me shumë të drejtë mund të konkludohet se Ibrahim Kelmendi si historian, luftëtar e patriot, bëri histori, shkroi histori dhe i siguroi vetes vend nderi jo vetëm në historinë e Kosovës e të Preshevës në veçanti, por edhe në historinë e popullit shqiptar në përgjishësi.

 

Për nder të kontributit të tij, me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, Presidentja e Republikes së Kosovës e dekoroi me “Urdhërin e lirisë”; Me rastin e shtatëdhjetëvjetorit të themelimit të Gjimnazit “Sami Frashëri “ në Prishtinë, Ministri i Arsimit i ndau  Fletëfalemnderim (post humno); kurse shkolla fillore më e madhe dhe më me traditë në Preshevë,  mban emrin e këtij patrioti dhe historiani të mirëfilltë.

 

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së këtij personaliteti, po e botojmë një punim të pa botuar deri më tani nga vepra (gjithashtu e pa botuar) “Pak fjalë për historinë e shqiptarëve”:

 

SHQIPNIJA KUNDËR PUSHTIMIT ANADOLLAK

 

Mbas luftës së Kosoves popujt e Ballkanit, njani mbas tjetrit ranë ndër sundimin turk. Më 1396 Bullgaret, më 1453 Konstantinopoli dhe me të muer fund Buzanti i famshëm; serbët të cilët qysh nga lufta e Kosovës gjithnjë kanë njohtë sovranitetin turk, ranë definitivisht më 1459 për t’u ringjallë në shekullin XIX. I vetmi popull qi rezistoi me një kryenaltësi  madhështore qe populli shqiptar. Ai u bë kështjella e fundit e kristinianizmit  në Ballkan. I primun prej Skenderbeut, ai nuk iu përkul 23 vjet pa pushue. Emri i mbretit të shqiptarëve kaloi dete e male dhe si frymë shprese e ngushëllimi  u përhap nëpër Europë. Skenderbeu qe mbiquejtë “Drague i Shqipnisë”, ‘‘Athlet i Kristianizmit” etj.

Në luftën e vitit 1448 Serbia qe konsiderue si vend anmik ndaj Skenderbeut dhe Jan Huniadit, sepse tue qenë vasal i Turqisë, e tradhtoi kauzën kristiane.

Në luftrat me Skenderbeun, ushtria e armikut  shpesh herë e ka arrijtë numrin 100.000. Në fushën e betejës, shqiptarët kanë qenë gjithëmonë të vetmuem por ndihmat morale nga Papa si dhe ato materialë nga Napoli e Venediku nuk u patën mungue.

Shqiptarët janë të lindun  me luftue kundra indovarvarëvet. Sikur e luftuen Romen, dy shekuj me radhë, për nji kohë aspak më të shkurtë e luftuen invadorin turk. Edhe atëhere kur kështjellat e tyne njena mbas tjetrës ranë në duert e turqve, shqiptarët nuk pushuen së luftuemi për lirinë e tyre. Përveç malazezëvet, janë i vetmi popull  i perandorise turke qi nuk u quejt ndonji herë “raja”. Gjatë gjithë kohës turke, shqiptarët  qenë qeverisë vetë duke pasë ligje, zakonet e tyne. Shqiptarët nuk paguejshin taksa dhe gjithënji refuzojshin me u ba ushtarë të rregullt të Sulltanit.

Shqiptarët ishin gjithënji në gjendje revolti. Prandaj njerëzit qi nuk e njohin mirë konstruktin shpirtnor të tyne konkludojnë se nuk janë të aftë me i u bindë ligjeve të shoqënise. Shqiptarët, në të vërtetë, nuk u bindshin vetëm atyne ligjevet qi ishin symbol i sundimit të huej. Zakonet i u qenë bamun ligje shqiptarëvet. Atyre iu bindshin , sepse ato qenë pasuni e tyne e fitueme  ndër shekuj. Edhe ata qi në shekujt XVI e XVII qenë bamë muslimanë, nuk sakrifikuen kurrgja nga karakteristikat dhe zakonet e tyne. Më këtë akt të tyne, lufta kundër invaduesit  turk nuk humbi kurrgja.

Vihet në dukje gjithmonë se ndër popullatat muslimane të Perandoris Turke, të vetmit qenë muslimanët Shqiptarë, qi gjithnji luftuan pa rezervë kundër Turqisë.

H.N.Brailsford thotë: Këthimi i tyne në Islamizëm u ka ndërrue vetëm besimin e tyne, por veset e Islamizmit, poligamia dhe skllavëria nuk i infektuan shqiptarët. Pushtimi Osman nuk qe i zoti as t’i skllaverojë e as t’i  korruptoje temperamentet e tyne të pamposhtun…“

Natyrisht sundimi turk qe mjaft i gjatë. Nuk mohohet se përveç kundërshtimeve  dhe luftravet që i patën me ta, shqiptarët i suellën edhe shumë shërbime të çmueshme. Vullnetarët e tyne derdhën gjak gjithkund. Në Kaukaz, Egjypt, Persi, Krime, Arabi, Vllahi i Molldavi. Numri i Veziravet dhe i pashallarëvet të origjinës shqiptare qe mjaft i madh. N.Jorga thotë: “Qysh prej ardhjes së turqëvet njerëzit politik ma energjik të Perandoris Turke , qenë pa dyshim  shqiptarët.”

Për t‘i shfrytëzue njerëzit e talentuem të popujvet të ndryshëm turqit u treguen shumë të shkathët. Për këtë qëllim , ata nuk i pengonte as feja as rraca. Për t’u bamun personalitet mjaftonte të ishte i zoti. Nicola Jorge thotë përsëri: ”Vezirat, dinjitarët e Oborrit, komandantat e ushtrisë,- shkallë qi me radhë  të gjithë  i kalojnë- qeveritarët ndërmjet  të kristianëvet pa dallim nëse janë me dëshirë ose janë bamun rob lufte a për ndonjë arësye, kanë qenë të shtrënguem  me lanë besimin  e tyne të parë. Kështu kemi si shembull Grekë bile edhe ndër Paleologe sikurse kemi  pamun, Sërbë meqenëse vendi i tyne në momentin e pushtimit ndodhej në shkatrrim të plotë, Bullgarë, por në numër më të vogël meqenëse nuk ishin fort të aftë, Shqiptarët shumë të zotë e të fortë, hypnin njeni mbas tjetrit në radhët e para të botës politike dhe ushtarake othomane..”

Kurdo që Austro-Hungarija  dhe Venediku luftojshin kundër Turqisë, Shqiptarët u ishin aleatë të sigurt. Sidomos  në kohen e Maria Therezës, qe damtue shumë qytetnimi shqiptar e sidomos arsimi i porsa filluem në pjesën katolike. Nga kjo kohë fillestare në Shkup e Prizren, si dhe në vende të tjera kanë mbetë edhe disa dokumente në gjuhën shqipe. Shqiptarëvet u lumtë gjaku sepse Austro-Hungarija dhe Venediku sa herë që bajshin paqë me Turqinë, nuk i përfillën asnjëherë. Sa pushonin luftat, Turqia i kthente armët e saja kundra shqiptarëvet. Ky pat qenë shkaku qi shqiptarët të merrnin udhët e mërgimit në Dalmaci, Srem, Itali e gjetiu.

 

KRYENGRITJE SHQIPTARE

 

“Për ne, perendimorët”- shkruen M.Cyprien Robert-“nji fakt ndahet kjartësisht nga kaosi i shqiptarëvet të dashtun. Ky fakt asht se, në të gjitha epokat, populli shqiptar duket i destinuem me qenë kalaja e fundit e lirivet greko-sllav. Asht ai që i rezistoi ma gjatë romakëvet, i sulmuem ma përpara se grekët, nuk u dha veç se mbas tyne. Kurrë nuk e ka pësue tanësisht zgjedhën e sulltanëvet. Qysh kur se dhelpnija othomane e ka çorganizue, ai ka kethye të gjithë energjinë e tij  drejt luftës dhe mbi fushat e betejës qe shumë herë tmerri i orientit dhe i oksidentit…”

Sikurse në nji kohë, me mjete modeste e patën luftue Bizantin, me nji vrull të madh dhe nji fanatizëm  të rreptë e hutuen edhe pasardhësin e tij Turkinë. Në shekullin e XVIII kur mendimet e reja tronditshin absolutizmin në Europë, shqiptarët të mbështjellun  rreth Shkodrës e Janinës, bajshin nji rezistencë vigane kundër centralizmit e përgjitësisht  kundër Turqisë. Në këtë kohë shihet nji kristalizim  mendimesh ndër ta. Kjo kohë asht e vetmja periudhë – mbas asaj të Skenderbeut kur shqiptarët, paraqiten  të bashkuem. Epet përshtypja se kufijt e krahinave nuk ekzistojnë ma.  Në të dy epiqendrat arrihet nji nivelizim respektiv. Në veri sundojnë Bushatlinjtë e në Jug Ali Pasha. Ndër këta rivalë të fortë kishte edhe mëni. Secili prej tyne mendonte me u ba vetë strumbullar i shqiptarëvet. Më 1819, në mes këtyne rivalëvet të ashpër, bahen edhe lidhje familjare. Kjo provokon nji zbutje në lakmitë e tyne. Ali Pasha kishte miq të fortë në çdo vend të veriut e sidomos në Mirditë. Edhe Bushatlinjëvet nuk u mungonin miqt në Jug. Ky penetrim reciprok, jug-veri asht kristalizimi i shpirtit politik e Kombëtar te Shqiptarëvet. Fqinjëvet të shqiptarëvet, në at kohë, në fund të shekullit XVIII e sidomos atyne të veriut e të Veri-Lindjes u mungonte krejtësisht ideja politike. Me gjith aktivitetin e agjentavet Rusë e Austriak, ata nuk e kuptoninin nevojën e shkundjes së baltës “raja” nga kurrizi i tyne.

 

BUSHATLIJT E SHKODRËS

 

Që nga viti 1741  e deri më 1832, zotnijt absolutë të Veriut ishin Bushatlijtë e Shkodrës. Begollët e Pejës në këtë kohë ndigjohen fare pak. Nga shumë të huej, Bushatlijt quhen dinaste. Ata  qenë gjithënji në përleshje me Sulltanin. Edhe malazezët  nuk i honepseshin. Ndër Bushalijt, ma i ndigjuemi ka qenë kara-Mahmudi. Akti ma politk i tij qe Asambleja e Podgoricës (1786) ku përpara krenevet shqiptare, muslimane e katolike, u betue n’Ungjillë e në Kuran për ta luftue anmikun e liris deri në vdekje. Ky akt i tij provokoi admirimin e çdo kujt. Senatori i Raguzës, n’emën të Republikës së vet, i çfaqi urimet, Franc Jozefi i II i dërgoi nji kryq të artë në vend të dekoratës. Ushtrit e tija luftuen në Shkodër, në Kosovë e në Mal tëe Zi. Pasardhësi i tij, Mustafa me nji ushtri të madhe, të komandueme prej tij  dhe Leshit të Zi , arrijti  deri në Prilep . Atje qe thye nga Rashid Pasha ma tepër me dinakëri se sa me forcë dhe qendresën e fundit e bani ne Rozafat. M.Cyprien Robert-i shkruen:”Perlepi u ba kështu . Kapua e këtij Hanibalit të ri…”

“I falun por i çfuqizuem, plaku(Mustafa) u nis për në Stamboll  dhe në Pranverën e vitit 1832, tak tiki (ushtarët e rregullt) të veshun n’uniformë u nis , hypën shkallët e shenjtatë Rozafat-it per dëshprimin  e madh të mirditasvet (Autori i quen mirditas të tanë Geget)..”

Mbas kësaj disfate , ushtritë  turke banë kërdi në popullatën  shqiptare të shumë vendeve  dhe sidomos të Kyprilisë dhe të Shkodrës. Reshid Pasha  urdhënoi qi në çdo vend krenët të zhduken. Nga ky dënim  nuk shpëtuan  as pashallarët e bejlerët e Pejës, Prizrenit, Prishtinës e Gjakovës.

“Asht e sigurt se ashtu sikur Ali Pasha i Tepelenës e pat shkatrrue feudalizmin trashigimtar shqiptarë në Toskëni, mund të thohet se Veziri i Madh Reshid Pasha e zhduku në Gegni…”

 

ALI PASHË TEPELENA

Më 1788, Ali Pashë Tepelena qe emnue Pasha i Janinës dhe më vonë i Thesalisë dhe i Aharnanis. Suksesi i parë i tij qe qi e qetësoi vendin nga rebelizmat. Më vonë i shtypi edhe bejlerët e agallarët me sa nuk i bindën . Atij iu bindën edhe Pashallarët e Peleponezit dhe bile edhe ai i Selanikut për nji kohë. Kur e pat forcue pozitën  dhe qe organizue ushtarakisht ai dezertoi nga Sulltani. Në shumë vende, ushtritë e tij ngashënjyen  mbi ushtritë turke. Agjentat e tij qarkullojshin në Greqi, Rumani e deri në Syri. Ai qe bamë brenga ma e madhe e Portës. Me të drejtë e quejtën “Burri ma i madh i Ballkanit në dy dhjet-vjetshat e para të shekullit XIX“.

Ali Pasha ishte shumë i zgjuet. Në politikë ishte makiavelist i mbaruem. Për t’ia arrijtë qëllimit nuk zgjidhte mjete. Më përfaqësuesit  e huej ishte shumë i përzemërt. Ai përkrahte çdo renegat qi mund t’i shërbente punëvet të tija. Grekët më 1821 Ali Pashën e kishin mbështetësin kryesor. Nicola Jorga thotë se me dhaskajt grekë bisedonte mbi ardhmënin e popullit të tyne. “… Disa nga krenët intelektualë të kombit shihshin në te “mbretin’ e ardhshëm të Heladhës së Re…” Me Napoleonin ishte  në marrëdhanje të mira. Ai simbas motit këthente gëzofin. Edhe me Anglezët ishte mirë. Por, Ali Pasha ishte edhe symbol i tiranizmit. Më 1882, qe zhdukë trathtisht nga turqit. Mbas vdekjes së Ali Pashajt u shemb edhe karabinaja e tij. Konstrukti i saj qe nji pasqyrë e jetës së sajë të shkurtën. Drejtues i kësaj ndërmarrjeje duhet t’ishte gjithëmonë nji Ali Pasha. Mbasi ky mungoi, ajo ra në duert e dobëta  të Veli Beut, të Zylyftar Podës dhe të Asllan Beut të cilën ishin nji parodi e Ali Pashës.

“… Shkatërrimi i Turqis filloi me vendosjen e pashallëkvet praktikisht të pamvarun siç ishin ata të Shkodrës ndën Mehmedin e Bushatit, të Janinës ndën Ali Pashë Tepelenën dhë të Vidinin ndën Pasvanoglou…”.

Më 1830, pasardhësit e Aliut, që nuk ishin mirë as ndërmjet tyne, tentuen të bajnë nji kryengritje . Mirëpo shpata e Reshid Pashës i shkallmoi. Porta dha nji falje dhe bani nji gosti  të madhe për të gjithë krenët në Manastir. Në gosti muerën pjesë afër 500 krenë shqiptarë – muslimanë. Mbasi mbaroi ngranja e pija, Rashid Pasha ua këtheu armët dhe i pushkatoi që të gjithë deri te ma i fundit. Me këtë masakrim, sui generis, turqit deshtën me shue çdo shenjë gjallënije ndër shqiptarët. Disa vjet mbas këtij tmerri, M.C. Robert shkruen ”Klanet muslimane q’u shpërndanë, të gjithë krenët e tyne qenë zhdukë dhe pa krenë ata përbajshiun  nji masë të vdekun” . Mirëpo populli asht nji bimë e gjallë së cilës nuk i mungon  kurrnjëherë fuqia vegjetative. Me krejt masat e ndërmarruna prej turqvet, shqiptarët nuk i ndërruen zakonet e tyne.

Kryengritjet vazhduen të përsëriten por nuk u banë lëvizje  deri vonë mbasi pengojshin lakmitë e fqinjëvet të mbështetuna sidomos prej Carëvet të Rusise.

Thanë se kryengritje u bajshin gjithënji. Më 1835 u ba nji në Shkodër dhe u pat kushtue Turqvet 15000 të vramë. Tre vjet ma vonë, nën kryesinë e Ali Pagullës në Vlonë e në Berat dhe më 1843 u ba  nji kryengritje në Shkup, e cila u përhap deri në Tetovë e në Prishtinë dhe kështu ato nuk u mbaruen  ndonjëherë. Por mjerisht, interesi i Evropës për Shqipni ka qenë gjithënji i vogël, a ma mire deri  në kohnat e reja për Shqipni nuk ashtë interesuae njeri. Gjatë historisë, Rusia gjithënji i ka përbuzë Shqiptarët. Ajo ka përkrahë fqinjët me u përhapë në kurrizin e damin e Shqipnis.

 

SANXHAKU I JENI PAZARIT

Përveç Kosovës, Metohisë dhe Makedonisë Perëndimore, pjesë e Shqipnisë është edhe Sanxhaku i Jeni Pazarit. Banorët e kësaj krahine malore ndahen  dysh:  Musliman dhe orthodoks. Të parët janë Shqiptar dhe të dytët Serb.  Nji klasifikim të  këtillë e bamë për arsye se të  dy palët kanë origjinë shqiptare. Orthodoksit janë sllavizue në kohë të lashta dhe përveç fizionomisë dhe disa zakonevet nuk kanë gja tjetër shqiptare.

Shumicën e popullatës së Sanxhakut e përbëjnë Shqiptarë. Serbë mund të jenë vetëm 25%. Nji anëtar i komisionit për të caktue kufinin e Malit të Zi më 1878; në të përkohshmen <<Pester Loyd>> më 12 Tetuer 1912 në mes tjeravet shkruente: <<Thuej se krejt Sanxhaku i Jeni Pazarit banohet nga musliman t’origjinës shqiptare>>. Shqiptarët ndodhen të koncentruem në Jeni Pazar, në Sjenicë, në Beranë, në Priepole dhe në Biellspole. Propaganda serbe këta Shqiptarë gjithni i quen serbë të muslimanizuem dhe pastaj të shqiptarizuem. Ata i quajnë si vazhdim natyral të muslimanëve të Bosnjës. Bosnja në çdo pikpamje mbaron në lumin Drina. Popullata e saj asht kroate ose serbe dhe me atë të Sanxhakut nuk ka kurrnji të ngjame. Sanxhakllitë pa dallim feje, me shumicë, kanë fise: Kelmend, Shale, Hot, Kalosh dhe sidomos Kuç. Këta të fundit me shumicë mund të jenë serbizuar; Mjaft i përhapun asht edhe Shkreli. Ka djetarë qi mendojnë se fiset (disa) bërthamën e kanë në këto anë.

Në Sanxhak fliten dy gjuhët: shqipja dhe serbishtja. E para flitet ma shumë, por gjithnji asht tue humbë. Rrethanat politike kanë qenë dhe vazhdojnë me qenë në favor të dytës. Shkolla shqipe dhe libri shqip ende nuk kanë mbërri n’ato anë. Qe ma shum se gjysëm shekulli bahen përpjekje serioze për tí sllavizue, së paku me gjuhë. Në shekullin e kaluem sllavizimi i shqipes asht ba me anë të lidhjevet kulturale qi kishin këta Shqiptarë me muslimanët e Bosnjës dhe të Hercegovinës. Por ma shum me anë martesash. Me gjithë atë shqipja qëndron fort. Katundet thuej se përgjithsisht flasin shqip-natyrisht me sa janë shqiptarë. Sllavizimi asht ba vetëm nëpër qytete. Me gjithë atë e pakta gjysma e popullatës se qytetvet gjithnji flet shqip ose asht bilinguiste. Popullata e Beranes dhe e Sjenicës edhe nëpër qytete flet thuejse vetëm shqip. Për katunde as të mos flasim. Bje fjala Peshteri i gjith flet vetëm shqip; sepse serbë në këtë krahinë nuk ka as për fare. Po ashtu katundet e Jeni Pazarit, të Beranës dhe të Bielopoles dhe të Priepoles Shqiptarët me shumicë absolute flasin shqip. Kufini etnik i Shqipnisë mbaron në lumin Lim.

E kaluemja e këtyne Shqiptarëvet nuk asht tjetër përveç nji varg i papremë dhe i përgjakshëm përpjekjesh për të mbrojtë egzistencën kombëtare të tyne me standardet e Malit të Zi dhe me vojvodët e Serbisë. Motivi ma populluer i poezisë së tyne, në gjuhën shqipe ose serbe, asht gjaku i derdhun në lufta kundra dy armiqvet të sipërm. Dhe serbët e malazezët nuk i thrrasin ndryshe përveç <<Arbanasi>> qi do me thanë <<Shqiptarë>>.

Në kohën e Jugosllavisë së përparshme dhe të kësaj të sodit ata persekutoheshin dhe persekutohen nji lloj si shqiptarët e Kosovës, të Metohisë dhe të Makedonisë Perëndimore. Asht sulm i madh numri i tyne qi tue mos muejtë me i rezistue teoritë lanë shtëpijat e tyne dhe shkuen në Turqi. Nji numër i konsiderueshëm pat ardhë edhe në Shqipni.

Gjindarmi serb dhe malazez ishte autoriteti ma i naltë. Ai vriste dhe priste pa qenë nevoja me dhanë llogari të madhe.

Prej vjetit 1920 deri më 1928 këta Shqiptarë e kanë kundërshtuar ushtarin dhe gjindarmin jugosllav me nji vendomsëni jashtzakonisht të madhe. Nuk ka të madh as të vogël, në mbarë Sanxhakun, qi nuk i din trimnitë e Jusuf Hadrit, të Sahit Hadrit, të Jusuf Mehoviqit, të Husein Boshkoviq Hotit, të Abdyl Kolashin Hotit, të Rexh Ballotës, të Feri Sallkut dhe të shum tjerëvet qi vetmohisht kanë luftue kundra Jugosllavis, për të vetmen arsye pse vehten e ndijshin Shqiptar. Pra, gjatë periudhës së siperme edhe Sanxhaku kishte Azem Bejtat dhe Sadik Ramnat e tij, qi qenë ba tmerri i ushtarit dhe i gjindarmit jugosllav, në luftë për nji kauzë të shenjt, qi ishte bashkimi i Sanxhakut me Shqipni.

Gjatë luftës së dytë botnore Sanxhakllijtë, kanë vuejtë shumë, ndoshta ma shumë se Shqiptarët e krahinavet tjera, qi shtrydhen prej Jugosllavisë. Qysh prej vjetit 1941 çetat drazhiste dhe çetnike pa pre i janë vërsuel Sanzhakut për tí shbije Shqiptarët. Ma vonë këtyne barbarevet të çmendun i u bashkuen edhe partizanët e Titos dhe në këtë mën yrë egzistenca e Shqiptarëvet qe vue në rrezik. Për me kuptue vogëlsinë shpirtnore të këtyne katilavet, mjafton me përmendë krimin qi banë çetat drazhiste, nën komandën e Pavle Gjurishiqit, në nji natë të Frorit 1943, kur dogjën 50 copë katunde të Bihorit dhe vranë afër 7000 gra, fëmi dhe pleq. Nënvizojmë se edhe krahinat e tjera të Sanxhakut nuk kanë kalue shumë ma mirë. Shkaku i kësaj poshtërsije duhet kërkue në imperializmen e pafrenueme të serbvet dhe në faktin se këta Shqiptarë fatin e tyne dojshin me e lidhë me atë të Shqiptarëvet të tjerë.

Faji nuk asht i tyne, por i serbëvet qi mashtrojshin botën me të paqenuna dhe i Shqitarëvet qi nuk ishin në gjendje me luftue nji propagandë t’atillë.

 

  Prof. Ibrahim Kelmendi

 

 

 

afrore shaipi

Afrore SHAIPI

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s