ROMANCË PARISJENE (PARAMNEZI*) / Nga Sotir ATHANASI

 

  ROMANCË PARISJENE

      (PARAMNEZI*)

 

 

sotir athaasiu

Nga Sotir  ATHANASI

 

– Ai s’ qe thjesht një vështrim, por vetëtimë e nisur nga matanë kaltërsisë përqëndruar në atë qelqe e cila, si pickimin e bletës, tejet ëmbëlsisht, në fillim e ndjeva.

Por, kur ula kryet në dritarezën çark, kuptova se ishin në të vërtetë dy shigjeta të ngulura thellë, në kraharorin tim. Prandaj ndjeva dhimbjen e një lëkurëkuqi raca e të cilit, jo vetëm me të bardhët, por edhe brënda llojit lufton.

– Po. Dhe kur ndodhi kjo “katastrofë femrore”? – e ngacmova unë, mikun tim.

– Pesë vjet më parë.

– Pesë vjet dhe e mban mënd me detaje atë?

– Po.

– Atëhere duhet të kesh qënë rreth të dyzetave, besoj?

– Në kokë më ke rënë.

– Po ajo?

– Besoj te të tridhjetat. Por mos më ndërprit se nuk është si befasimi, për të cilin, të kam folur dikur.

– Pa m’a kujto pak, se ty, çdo pesëvjeçar, do të ndodhi diçka për t’u rrëfyer, – e ironizova për t’i dhënë shtytje të më tejshme gjasës.

– Mos u tall se nuk është subjekt romani.

– Atëhere duhet të jetë ROMANCË.

– Po. Edhe mund të merret si ROMANCË.

– Të kthehemi miku im, te vështrimi I asaj tridhjetëvjeçareje.

Ai kridhej ndër yje drite e hije bashkë ku:

brenga, vuajtja e ndrydhja, pa vështirësi lexohej. Madje, ngjante i përhershëm dhe kurrsesi spontan.

Aq më tepër, teksa mundohej t’a fshihte me një buzëqeshje të sforcuar,

të turbullt e krejtësisht të natyrshme. Kjo e tregonte megjithatë edhe më të hutuar, por edhe më joshëse dhe….,

dalldinë e zalisjen, shfaqja e saj, në gjoksin tim, provonte.

Si shitëse, bashkë me grishjen për tregtimin e mallit, ishte e detyruar të buzëqeshte.

Por ç’e kishte, që e marrtë djalli e marrtë, atë strukje e cila,

në tablonë e atij portreti, i ngjante busullës akrepat e të cilit qarkonin në drejtim të kundërt?

Kë priste dhe çfarë kërkonte?

Se unë i kisha propozuar tashmë dhe ajo: as nuk i flakte tej si marrëzi të çastit, fjalët e përbetimit e përgjërimit tim tronditës,

sepse të tilla ato ishin.

Por, nuk është se i miratonte, sido që të qenë ato.

Ajo vetëm buzëqeshte hidhur, si të qe e sigurtë për njëmëndësinë e tyre,

megjithatë, tërësisht të parealizueshme. Pra, të pavlerë.

Shkaku?

Për çastin, do të mbetej plotësisht monopol i saj.

Gjithsesi, sa më përkiste mua, nuk besoja për ndonjë kauz që ndalonte të dashuronte një shqiptar. Ndonëse frëngjishten e flisja rrjedhshëm dhe ajo as që e vuri fare në diskutim kombësinë time. Përveç faktit që, ishim në Paris dhe këto koncepte kanë shekuj që janë gremisur.

Të nesërmen, avioni më ktheu në Tiranë duke më larguar çdo tentativë për t’a riparë atë…, kometë.

Se e tillë m’u shfaq në qiellin parisjen dhe po me atë ngut, m’u zhduk

Megjithatë, të vërtetën, do t’a mësoja vetëm pesë vjet më vonë. Saktësisht javën e shkuar kur u ndodha sërish me shërbim në Paris.

Por le të mos shkëputemi edhe për një grimë herë nga çasti i parë:

– Pagova kollaren bordo që ma paketoi ndihmësi I saj, vërsniku që, (siç do të mësoja pesë vjet më vonë,) ishte adashit im algjerian.

Unë, u bëra gati të largohesha pa marrë kusurin.

Ajo më ndaloi vetëm me një fjalë:

– Monsieur! – dhe bëri shenjë për reston.

Më kot kurseu fjalorin.

Ndofta nga që e dinte se zëri i saj qe një tjetër tregues magjepseje dhe donte të mënjanonte humbjen e rëndesën tek unë.

Dhe kishte të drejtë.

Timbri i atij zëri, qe radiofonik dhe plot muzikalitet.

Ajo e njihte vetveten.

Kurse unë, si përpara një ndriçimi, isha jo vetëm larg dallimit të çdo tipari të saj, që fekste me pamje breroreje, a harku gjigand kometeje,

por kisha harruar tanimë edhe emrin tim.

Veç kësaj, një ngazëllim I beftë më largonte edhe nga çdo arsyetim.

Algjeriani, që mesa dukej, e kishte zakon t’i numurojë mbetjen në kohën që pronarja e tij, i nxjerr të hollat nga arka,

vuri re që ato ishin me tepri. Kur ia tha, zonjusha bëri rinumërimin dhe

bashkë me purpurin në fytyrë,

më hodhi një buzëqeshje të plotë mua që të zbrisja nga qielli i shtatë. Dhëmbët e saj si inxhi,

në atë gojë të bukur, për mua qenë një tjetër befasim e një tjetër ngasje që s’kishte të bënte me përcjelljen e klientit.

Por mbase me të kundërtën: mbajtjen, gozhdimin, a robtimin e tij.

Portreti i saj, o Zot, pas kësaj,

qe kthyer në një aorerore të mëvetëshme.

Në atë kioskë, Hëna shfaqej e Plotë edhe pse ishte mesditë!

Mua më mjaftonte edhe vetëm ky hutim i natyrshëm, që të bindesha se edhe ajo e kishte gëlltitur, pa e kuptuar,

atë që e quajmë jo thjesht dëshirë, por dashuri, me shikim të parë.

Se miklimin tim ajo pati përthithur.

Të them se ndjehesha gati të fluturoja pas kësaj, s’mjaftonte

Nuk e di se ç’ishte. Por, vetëm trupërisht gjëndesha aty,

se mëndërisht, kisha kapur majën e Kullës Eifel.

Dhe kjo, ngjante kaq e vërtetë, sa:

në çastin që më lindi një përshtypje e tillë, pranë meje,

o Zot, bëri ballë ajo.

Të dy të gatshëm drejt kozmosit.

Algjeriani I bëjshëm, në fillim me ëmbëlsi dhe tejet I mirësjellë,

më tregoi paketën e kollaros mbështjellur me kujdes dhe,

të lidhur me një fjongo tejet të hijshme, si paping.

Por, kur pa hutimin tim,

me një qesëndi ngacmuese deri në cingrisje, më çiku paksa në gjoks, që të më përmendte. Atëhere ndjeva gravitetin e humbur vetëm nga një buzëqeshje përzier me një skuqje e hutim të atij portreti kthyer tashmë, në kometë të vërtetë në ikje dhe….:

zbritjen time, të detyruar, me këmbë në tokë nga vetëm cikja e një dore arabe.

2,

– Pesë vjet më vonë.

I gjithë grupi I vizitorëve, shkuan në Luvër.

Kuptohet: pavijonet e saj janë objekt i gjithkujt.

Për mua,

Monaliza ishte zonjusha në atë kioskë,

emrin e së cilës nuk e mësova që nuk ia mësova dot. Ndonëse në përfytyrimin tim e kisha quajtur:

“E shenjta pa emër”.

Kuptohet: këtë s’guxoja t’ia thosha kërkujt….

Dhe ngutesha të mbërrija përpara se të bëhej pushimi i drekës,

siç u tha.

Apo, se do të kishte grevë dhe lokalet mbylleshin për të shmangur përplasjen me demostruesit,

siç pëshpëritej.

Dhe ashtu ndodhi.

Unë vrapoja dhe dallova që nga larg se:

qepeni i sapo ulur, u ngrijt.

Një përndritshmëri, si atij që po mbytej në detin e errët,

fari iu shfaq edhe unë qartësisht dallova. Kë, miku im?

Vajzën, emërin e së cilës nuk e dija, po e dalloja dhe isha I sigurtë që më kishte njohur.

“Portat e Qiellit” për mua befas, u hapën.

Kisha po atë veshje, (si ngjyra të para pesë viteve ) dhe përveç kësaj, në këmishë shquhej që tutje edhe kollarua bordo, blerë në dyqanin e saj.

– Mirëse erdhët, zotni.

– Mirëse u gjej, zonjushë! – iu përgjigja.

– Gaboheni zotni. Nuk jam më zonjushë, por zonjë!

“Portat e Qiellit”, në një grimcë të sekondës, u mbyllën

Unë shtanga nga befasia, ndonëse kalimi I saj në një tjetër shkallë respekti qytetarie,

në atë të ZONJËS, ishte plotësisht I natyrshëm.

– Mos ndofta dëshironi një tjetër kollare?

Pas goditjes së parë, erdhi edhe e dyta.

Vetja më ngjau me një penglënës. Ajo më kujtonte kollaron. Më barazonte me blerësit e rëndomtë të saj.

Unë pohova duke ulur kryet dhe jo me tundjen, siç edhe ndodh rëndom.

Në këtë mënyrë, instiktivisht pranoja në një farë mënyre kërkesën dhe, klasifikimin e saj, por edhe pendesën e rishfaqjes sime, kaq vonë,

pas pesë vjetësh.

Ishte po ai zë radiofonik,

po ato tinguj me muzikalitet veçse…,

një vështrim krejt I ndryshëm.

Jo si përpara kësaj gjysëm dekade.

Jo vetëtimë!

Jo si shigjetë!

Jo dhe jo, do të përsëris njëqind herë.

Se “Jo”-ja duhet të ketë brënda dridhjen jo vetëm të buzës e të zëmrës. Por të të gjithë trupit.

Shkaku? Tepër I thjeshtë:

dikur, të gjitha tiparet në atë portret,

më dukeshin në shpërpjestim me botën e saj të brëndshme,

dëshmi ku, një lloj trishtimi dilte më në pah.

Kurse tani. . . . :

Ai vështrim qe:

Plot dritë.

Për më tepër se pranë trotuarit ndali një “Peugeo”.

Prej andej zbriti Algjeriani me një fëmijë tri a katër vjeç.

E zonja e kioskut iu drejtua arabit:

– Ali! Zotnisë paketoi një kollaro bordo dhe fjongon vure Natalinë tonë t’ia lidhi, se ajo është me fat.

Unë zbërtheva kollaren time dhe ia lashë në dorë arabit për t’a paketuar. Kurse të renë e vendosa në qafë dhe u ula që të m’a shtrëngonte miturakja Natali.

Duart e njomzakes e kryen me dëshirën fëminore tërheqjen e atij rripi bordo.

Pagova si përpara pesë viteve me monedhë të madhe.

Francezes po I dridheshin duart tek përgatiste kusurin.

Turbullt, por vërejta në ato duar një tejnderje.

E zonja u mundua t’a paraqiste si tejnxitje, aty më parë, kur i tha të shoqit që të vinte të bijën, Natali, këtë dlirësi kristali si më të denjë, a si një kujtim lamtumire të kësaj “romance” shikimesh e dialog shpirtërash, vetëm në heshtje.

Unë I mora të hollat dhe…

bashkë me faturën e blerjes, edhe një copë pusullë, të cilën s’guxoja t’a hapja e t’a lexoja.

Në çast, qepeni u ul me ulërimë si të donte të ilustronte britmën që ndrynte shënimi. Se të tillë, parandjenja më thoshte.

Sikur të kishin shpërthyer nga Qielli bubullima e vetëtima me shtrëngatë, nuk do të bënin ndonjë efekt më të butë e paqësor.

Gjest, që fliste për ndërprerjen përfundimtare të çdo…, dialogu.

Pas një grimë herë ZONJA e kioskut me fëmijën e saj për dore, po hidhte hapat në trotuar.

– Ali! – I tha arabit. – Do eci pak me vajzën se ka edhe kjo nevojë të lozi.

Ajo më bëri një përshëndetje me dorë përpara se të më kthente shpinën dhe tha me tonin plot muzikalitet. Por zëri i saj, tingëllonte, megjithatë, orakullitaritar.

– Orvua!

Qytetaria kishte fituar mbi çdo mëdyshje.

A më duhej falja e saj, përveçse, si një kujtim i hidhur?

– Orvua ZONJË! Orvua, Natali! – përsërita.

Fjalët më përziheshin me dhimbjen e natyrshme të një ndarjeje përgjithmonë. Zëri më dridhej.

Përkitas ndali hapin një afroamerikan. Pepagalli I tij tha diçka në anglisht: – E ka me ju zotni, – m’u kthye I zoti.

– Dhe çfarë thotë?

– Ai është i veçantë zotri. Ju ka studiuar nga larg dhe e kanë zënë ethet e tij që quhen PSITAKOZË.

– Që do të thotë?

– Ethet e Papagallit. Ato shfaqen me përqeshje.

Unë I dhashë një bakshish dhe ndjeva përqeshjen e një mendtë të tij.

Ky, I kënaqur që I zoti mori monedhën, u ndje I përfillur dhe tha diçka shtesë:

– Paraselenë*)

Ktheva edhe një herë kryet nga ZONJA, emërin e së cilës, nuk e mësova që nuk e mësova kurrë.

Hapat e saj largoheshin dhe vetëm atëhere kuptova se ku ishte burimi i atij trishtimi e mosbesimi në propozimin tim të para pesë viteve.

Këtë ma tregoi pusullë. Aty shkruhej:

“ Lamtumirë! Jam me LEUÇEMI!

Tutje papagalli përsëriste: – Paraselenë, paraselenë, paraselenë.

——–

 

*) Paramnezi = Përzierje e realitetit me fantazinë

*) Paraselenë = Njollë në breroren e Hënës.

SOTIR ATHANASI

Athinë,

Prill, 2016!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s