Poezi nga Koçi Petriti
Shkëputur nga vëllimi poetik “Nga dhimbja ime dalin zogj”
Pranvera
Qepallat kur i hapi pranvera një mëngjes,
Ngadalëz kurmi i tokës për kurm të saj u ndëz,
Me puthje përkëdheli jeshilin e përgjumur,
Pa siti nëpër zemra sërish ëndrrën e bukur,
Si çupë faqe-shpuzë shëtiti mes për mes.
Nën velin e mëndafshtë, pranvera zbuloi gjinë,
Burbuqet çelën buzët, tërfilat krahët shtrinë,
E joshi gjithësinë me puthje qumështore,
Pa shtiri dehje aromash e prush në kraharore,
Sa zogjtë e sapokkthyer në mall për të u shkrinë.
Me zëra, trille e ngjyra natyrën e qëndisi,
E ndjenjës i dha flatra dhe trupin e harlisi,
Dre bëri çdo djalosh e shpend çdo shpirt plakush.
Sikur përbrenda kurmit hyn vjedhur tjetërkush,
Me ngasje mëkatare ndijimet gudulisi.