Poezi nga Vaso Papaj

 

Vaso papaj 1

Poezi nga Vaso Papaj

 

 

S’keni parë gjë akoooma…

 

S’keni parë gjë akoooma…
Jo, jooo…
I kam parë të gjtha, që kur linda:

Borën mbi kangjelet, në rrugën Mbretërore.
Atë ditë rëndonte ftohtësia dimërore
Mbi degëzat e thara të mimozave.
Doktorin italian që më mbajti në krahë për së pari.
U vra nga muzika që prodhonte gryka e mitralozave.
E ç’muzikë !? Me zë të lartë njoftonte çuditërisht
Fitorjen e fitorjeve.
Nënën, më të bukurën në botë,
Me fjalët e saj si rreze drite, që më sillnin shikimin.
I pashë ata që u binin me kondakë bam- bam portave.
Prangosnin njerëz në gjumë.
I kujtonin copa trungjesh të thatë,
që i rrëmben me vrunduj dallgësh pakthim një lumë.
Ishin shumë. I kam parë vetë. Ishin shumë.
Po edhe puthjet e prindëve i kam parë.
Pashë dashurinë për herë të parë
Dhe kam ndjerë lumturi që erdha në jetë prej tyre
Në atë dhomë të vetme bodrum.

S’keni parë gjë akoooma…
Jo, jooo…
I kam parë të gjitha, që fëmijë:

Kam parë anijet që sollën ndihma nga perëndimi.
Thërrime mbetën, tranzit, në veri, tek fqinji.
Dhe ndërrimin e gjuhëve, herë “motra”, herë “mike”
E kam parë,
Nga turqisht, greqisht, serbisht, etj, etj, gjer rusisht…
Vetëm gjuhën e urtë të nënës, rrallë, shumë rrallë denjësisht…
Ndërrimin e flamujve… Në çdo xhep, gati, nga një.
Mësuesen e fillores që na dhuronte dashuri.
Shkollën qytetëse : Atë të dashur, që s’është më
Dhe bukën me triska, tollonët që na solli ajo liri.
Kam parë gëzimin e kalamajve,
Kur sosi e para hekurudhë.
Këngën e vullnetarëve në Port.
I kam jetuar refugjatët ardhur në atdhe nga jugu,
Të vrarë, të djegur e të uritur nga një mort.
E prapë e prapë,
Miljona brava s’arritën të ma burgosnin zemrën
Dhe zemra më rrahu tërë kohës fort-fort.

S’keni parë gjë akoooma…
Jo, jooo…
I kam parë të gjitha, që në rini:

Luftën ndaj fëmijëve, se dikur një gjysh kishin pasanik.
Kokën, në atë botë, petritave të luftës
Me dyshimin, se kishin vënë kokën e njëshit në rrezik.
I pashë, si i thyen kryqet, si i hodhën minaretë…
Si Zotin e bënë nul, se zotër donin të ishin vetë.
Pastaj, luftën me veten gjersa vetja u kalbëzua.
Është akoma në qivur. Të bëjmë sikur…, të bëjmë sikur…
Filozofia e maskës që një ditë të vë me shpatulla në mur.
I kam parë të gjitha, Ç’të shoh më!?
S’mjafton koha t’i numëroj një nga një.
Kam parë katapulte nga stalla e lopëve në Ministri,
Gjersa vendit zemra i pushoi. Nga padia u bë fli.
Të rinj të burgosur në miniera dhe lypës fatlumë në pleqëri.
Fatlumë, se mijëra të tjerëve Otranto iu bë fushëmort,
Aq sa ndonjëherë arrita të besoj gabimisht, se jeta ishte short.
E prapë e prapë,
Miljona brava s’arritën të ma burgosnin zemrën
Dhe zemra më rrahu tërë kohës fort-fort.

S’keni parë gjë akoooma…
Jo, joo0…
I kam parë të gjitha, i shoh dhe sot:

Mushkonjën kthyer në avion, po dhe avionin në mushkonjë.
E kam parë dhe jam pleqëruar me zgavrën e ullirit mijëvjeçar.
Me atë që në gjuhën tonë e quajnë zgërbonjë.
E kishin dënuar me vdekje ullirin, në gijotinë.
Luftën e kish fituar betoni, me në krye babëzinë.
Kam parë politikanë dhe s’dua t’i shohë më.
I mbytën ekranet duke dhënë mend edhe pse janë gdhë.
Janë shtuar lypsarët, sa nuk i dalloj dot,
Më kanë zënë sytë.
E kur i prek , më ziet dhe një fjalë e vetme në fyt.
Brenda natës kapen dhjetra peshq të vegjël me miell
E po atë natë lind nga hiçi dhe një bos më shumë,
Që thotë hapur, pa drojë: Për këtë qytet, diell jam unë…
Zot, ndihmomë ta dua atdheun edhe kështu!
Bëje të marrë frymë, hapja atë aortë!
E prapë, e prapë,
Miljona brava s’arritën të ma burgosnin zemrën.
Ajo më rreh akoma dhe nesër do më rrahë edhe më fort.

S’keni parë gjë akoooma…
Jo, jooo…
I kam parë të gjitha, s’dua të shoh më.
Dua ndryshe ta bëj, ndryshe, çdo gjë.

 

 

 

Lermë me kujtesën

 

Mesnatë,
Sillmë ca trokëllima trotuari!
Hëna ka humbur kujtesën, qesh si budallaqe,
Bashkoji me trokëllimat e mia
Dhe mos prit të më shohësh lot në faqe.
Rënkimet e erës i kanë përplasur ato kapicë,
Si gjethet e thara tek porta e shtëpisë së vjetër.
Dua t’i shoh, t’i shkel, mos t’i kem.
Nesër po vjen edhe një ditë tjetër.

Mesnatë,
Lermë me kujtesën!
Lermë të vetmuar nën dritën e hënës,
Të kërkoj tërë kohës ç’është lumturia?!
Lërma të jetë gjallë kujtesa !…
Çdo dritë rruge duket sikur mposht një të keqe,
Largon një të shtënë të verbër,
Më shton shpresa.

Prekmë pra, mesnatë!
Jam vetëm me kujtesën e ditëve të mia,
(qoftë me shi, qoftë me diell).
Prekmë, që të kuptoj se lumturia s’është një mit,
Është një ditë e re më shumë (dhe një tjetër ditë).

 

 

 

Një burrë dhe një grua

 

Një burrë dhe një grua,
Njëri ulur, tjetra në këmbë.
Njëri, ishte mishrashkulur,
Tjetra kurrizdalë, padhëmbë…
E në mes kazanë plehrash,
E vetmja lumturi që u dhëmb.

Një burrë dhe një grua.
Gati urrejtja, bam, të shtijë.
Nata gjer në kockë i ftohu…
Oh, ç’dëgjojnë veshët e mi!…
“Gungaçeee, lër kazanë, qërrohu!…”
“N’atë botë do i marrçë, o i zi?…”

Një burrë dhe një grua,
Dy njerëz që kurrë s’prehen.
Për ata nuk pyet njeri.
Kocka mbi plastmasë u shkrehen.
S’kanë atdhe, as natë, as ditë…
Kanë uri që i bën t’urrehen?!

Një burrë dhe një grua
Dhe kazanë plehrash në mes…
Duhma bajate e natës
Nuk më thotë as mirëmëngjes.

 

 

 

Vargje lakuriq

 

Dikur heshtja të kish mbyllur kufijtë, “çështje vize”,
Por prapë, kurrë s’u ndodhe midis hiçit, kuturu.
S’u bëre kurrë një buratin lidhur brenda një kornize.
Shtëpia e poetit, ka qenë dhe do të mbetet qielli blu.

Ngjizur me rrok të lindën vargjet, përmbi tastjerë,
Ngrohur me të ftohtët e kasolleve me qiell eternit.
Shpërthyen bravat e godinave veshur në mermer
E prekën zemra njerëzish që kërkonin vetëm dritë.

E këto vargje ngjanin me rrokun, s’kishin shtrat,
Binin e ngriheshin kurdo, natën, ditën, në çdo stinë.
S’kish rëndësi në ç’vend: rrogoz, mëndafsh a baltë.
Edhe në s’deshe, erdhën dhe ta morën qetësinë.

Si rroku shtriqen të sinqertë dhe mbi tryeza Bari.
U ngjajnë kërcimtarëve striptizë që mijëra sy përpijnë.
Janë vargje lakuriq, që prekin zemrat për së mbari,
Sa dhe të lodhur, ulërijnë me nerv për drejtësinë.

Një kafe, buzë rruge. Kalojnë me mijëra sy e veshë.
Je dehur krejt, ashtu siç dehesh me polifoninë.
Këto kohë, ëndrrat me rrok e poezi me vete do t’i kesh
E si përçartje nate, ato vetë natës i falin dashurinë.

 

 

 

TIRANA…. !!!

 

E pashë Tiranën, nga fëmijët të pikturuar,
Nëpër klasa kopshtesh, ku qielli është zënë peng.
Ku tiranas, bërë prej ajri, me zemër diku harruar,
Shëtisin rrugëve me libra, trasta, benza, indiferentë.

Tirana është shtrirë si një faqe gazete suplement,
Ku me shumicë, falas, gjen falsitet mbi falsitetet.
Ndonëse secili nxiton, fjalor të nxjerrë nga xhepi i vet,
Humbasin së bashku kohën, të thërmojnë monumentet.

Qielli i Tiranës i ngrysur, si sy vjeshte,
Po na gostit me shi vuajtjesh, në indiferencë të plotë.
Një ditë më pak në kalendar për ne, mes kësaj heshtje,
Pluhur kozmik na quajnë, rënë pa dashje në këtë botë.

Sot në Tiranë mbijnë, kurdo e ngado, lloje qivuresh.
Dhe s’ka askund, asgjë, qoftë një qiri, për të shpresuar.
Është trishtim të rrish i vetëm brenda katër muresh.
Sigurisht, mos sot, nesër, do të fundosesh, i harruar.

Tirana duket se e njeh tashmë dëshirën që troket.
E netëve kërkon të mëkatojë, të mëkatojë…
S’është idiote demodé… E bën me të vërtetë!…
Pastaj, e lodhur, e mashtruar, s’di tjetër ç’të kërkojë.

Tiranë!… Lëkura ime e rreshkët, truri, shpirti im!!
Tiranë!…E ndezur tërë kohës si një llambadar.
Nën tavanin e përjetësisë, të lutem, jepmë pak besim.
Heshtja jote është: vetëm i thelli, gjumi im i parë.

Një dhunë qorre e ka kthyer në një shtrat për lugetër
Edhe qiellin tënd, viktimë smogu, më mbyt mushkëritë.
Prej kohësh që s’harrohen, ky pullazi ynë i vjetër,
S’besoj se do të vdesë papritur, mëkateve një ditë.

Po Tirana ka kohë që ëndërron një tjetër jetë,
Se e sotmja s’është “tjetër”, veç një rendje kuturu.
Do të doja, në këtë udhë, të ish mik me veten ky qytet.
Vetëm kështu nuk do të vdiste kurrë, vetëm kështu.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s