Njëri nga djajtë / Shkëputur nga tregimi me te njëjtin titull i autorit Syrja Kurti

 

Njëri nga djajtë

 

 

Syrja kurti 1

Shkëputur nga tregimi me te njëjtin titull i autorit Syrja Kurti

 

Ai nuk ishte i keq.Ose të paktën kështu mendonte për veten.Ndjente se akoma kishte diçka të mirë brenda qenies së tij të cilën ndonjëherë dëshironte dhe ta shpërndante tek të tjerët.Por kjo ndodhte rrallë.Madje dhe kur ndodhte, më shumë i habiste njerëzit se sa i kënaqte.Ishin mësuar ta shihnin ndryshe dhe energjia pozitive që ai mundohej të jepte në ato çaste sikur e shkëpuste nga figura e përditshme, dhe e shpërfytyronte.Dukej sikur e prishte atë murin e padukshëm e të ftohtë, i cili e ndante nga pjesa tjetër e njerëzve.Dhe megjithëse mundoheshin të silleshin ndryshe, të dyja palët ndjeheshin keq.Ishin më mirë në gjendjen e zakonshme, kur në mes ishte ai muri i acartë nga kalonin të gjitha llojet e lidhjeve dhe marrëdhënieve.Dhe duke qenë se ishin mësuar ndryshe, ai pak terren i mbushur me energji pozitive, u dukej si një livadh plot lule , por që nën gjelbërimin e tij fshihte mina nga të gjitha llojet të cilat mund të shpërthenin nga casti në cast.Prandaj nxitonin të ktheheshin secili në llogoren e tij ku të paktën e dinin që palën tjetër e kishin përballë .

Ai nuk është se nuk dinte të sillej.Ishte sjellë mirë , madje më shumë se duhet me të gjithë ata që kishin në dorë fatin e tij.Ishte përkulur më shumë se të tjerët, kishte pështyrë e lëpirë më shumë se të gjithë, i kishte flakur tej skrupujt, normat parimet, principet dhe cipën bashkë.Dhe më në fund kishte mundur të ngjiste disa shkallë dhe ta shikonte një pjesë të botës nga lart- poshtë.Por tani kishin mbetur pas të gjitha ato që kishte kryer .Dëshironte ti harronte dhe mundohej ti kujtonte sa më pak.Por jo gjithnjë arrinte ta bënte .Sepse në një pjesë jo të vogël të vartësve të tij ai shikonte veten, dhe përpjekjet titanike të tyre për tu ngjitur lart me cdo mënyrë, i kujtonin veten por dhe e frikësonin.Dhe kjo ishte një arsye e justifikueshme që e shtynte të bëhej i keq.I sulmonte pa shkak, mundohej ti gjente ndonjë të metë ose gabim që pastaj ta zmadhonte sa më shumë dhe nëse nuk kishin , përpiqej të gjente një shkak sa do të vogël për ti sulmuar.Dhe i sulmonte pa mëshirë.Ndonjëherë edhe i kishte frikë sepse kishte nga ata që ja lakmonin vendin.Prandaj nuk linte asnjë nga këta të ngrinte kokën dhe të shihte lart dhe jo më pastaj të mendonte të ngjitej deri tek ai.I linte të gjithë në fund të shkallëve, madje duke i kujtuar që edhe mund ti flakte fare për gabimet qe kishin , por gjithsesi per momentin po tregohej zemërgjerë dhe i linte aty duke pritur që të përmirësoheshin dhe ta meritonin vendin ku ishin.Ky përmirësimi ne fakt nuk vinte kurrë sepse ata të shkalles së fundit nuk kishin mundësi për të treguar veten sepse ishin gjithnjë nën presion dhe mund ti përdorje si të doje dhe ku të doje.Dhe ai e shfrytëzonte më mirë se të gjithë mundësinë për ti përdorur.Por nuk pranonte të quhej i keq për këtë. Ishte dicka që futej tek gjërat e domosdoshme për tu bërë.

Por ishte dhe një kategori tjetër njerëzish qe ai nuk I duronte dot fare.Ata që ishin të lumtur.Ose të paktën që atij I dukeshin si të tillë.Një fytyrë e gëzuar dy sy të qeshur dhe aq më shumë një buzëqeshje, atë e bënin të ndjehej keq.Në fëmijërinë e tij kishte qeshur shumë pak dhe akoma më pak kishte qenë i lumtur.Atje në fshatin nga vinte ushqimi kryesor kishte qenë buka e misrit dhe kur në shtëpinë e tyre mbërrinte ndonjë bukë gruri,kjo quhej lumturi.Nuk bëhej fjalë për më shumë.Prandaj nëse në biseda, ose më saktë në copëza prej tyre, kur dëgjonte që dikush ndjente nostalgji për fëmijërinë, për mënyrën si ishte rritur dhe kishte jetuar një fëmijëri të gëzueshme aq sa për të quajtur të lumtur, ai e shpallte përnjëherë armik në mendjen e tij.Dhe nëse ata vazhdonin të ishin akoma të lumtur ose të paktën të qetë dhe të kënaqur me jetën e tyre, ai do gjente një mënyrë për t’ia cënuar qetësinë dhe lumturinë.Ose të paktën do përpiqej ta bënte.Arma kryesore që ai kishte në dorë ishte kërcënimi per shkarkim ose dhe perjashtimi nga puna.Dhe kjo nuk ishte gjë e vogël për asnjë.Nuk kishte shumë rëndësi nëse personi e meritonte apo jo këtë penalizim.Ai do mundohej ti hiqte buzëqeshjen dhe qetësinë në fytyrë sa do kohë dhe energji ti merrte.Ndërsa në rastin më të mirë për të ,( dhe më të keqin për viktimën), kur dikush nga këta njerëz ishte në vështirësi, ai ishte njeriu që i mbyste fare.Nuk është se kishte gjë personale me ta.Thjesht donte të provonin edhe ata shijen e “moslumturisë se tij”.Të provonin dhe ata shijen e bukës së misrit në një mënyrë tjetër tani.Kështu ndjehej i ngopur ai, njësoj si ato rastet e rralla në fëmijërinë e tij kur kishte mbushur barkun me bukë gruri.

Ai tani kishte para.Kishte shumë.Por nuk është se ndjente kënaqësi kur shihte kartat e kreditit në portofol, ose kartëmonedhat e ndryshme.Do dëshironte të kthehej koha mbrapsht dhe të gjitha do i ndërronte me një biletë kinemaje, ose me një palë pantallona.Atëherë në atë fëmijërinë e largët.( Në fakt ajo nuk ishte dhe aq larg, por ai kishte një dëshirë të fshehur për ta degdisur thellë, sa më larg që të ishte e mundur nga fushat e mendjes se tij.Por ishte vonë , shumë vonë dhe ai tani e ndjente kënaqësinë vetëm duke ja privuar të tjerëve keto.Nuk është se dilte hapur, ishte një dëshirë e brendshme që e pushtonte të tërin porsa shihte një fytyrë të lumtur.Lumturia e të tjerëve e bënte keq.Sepse ai ishte ngjitur lart, por në një mënyrë të panatyrshme.Ajo ngjitja nuk kishte ardhur gradualisht dhe kjo e mundonte.Sepse shumë nga të tjerët , kolegë dhe homologë të tij, nuk është se ishin kushedi se çfarë më të mirë nga ai,madje kishte dhe më të këqinj por kishin një ndryshim që në dukje ishte i vogël por që kishte një rol vendimtar.Të gjithë ata që ishin ngjitur lart, pavarësisht mënyrës së ngjitjes, nuk kishin aq shumë defiçenca, faqe të errëta dhe shkallë bosh.Dhe ai e ndjente inferioritetin, e ndiente brenda qenies së tij.Dhe kjo e bënte të mos duronte lumturinë e askujt.As atë të eprorëve të tij nuk e duronte, pavarësisht se para tyre qëndronte si qen i rrahur,dhe mllefi perbrenda ishte akoma më i madh.Sepse nëse tek një vartës ai kthehej në një luan dhe i zbrazte mbi kokë gjithë të këqijat e botës, vetëm për një grimacë lumturie , këtu ishte i detyruar të buzëqeshte kur në fakt i vinte që të kafshonte.

Ndërsa marrëdhënia me femrat ishte e cuditshme.Në fëmijërinë dhe në rininë e tij, nuk kishte pasur të dashur.Kishte qenë jo i bukur (sepse nuk dua te them i shëmtuar)i drojtur, i paveshur mirë dhe nuk kishte se çfarë ti afronte vajzave.Disa nga ato e tallnin për mënyrën e të veshurit dhe të të sjellurit,sepse kishte dhe një zakon te keq, fuste shpesh gishtin në hundë .Kurse disa të tjera nuk talleshin me të,por as nuk i flisnin dhe as e shikonin fare, duke e lënë në atë vetminë e zymtë të tij.Por ai megjithatë edhe ai atëherë si çdo djalosh tjetër adoleshent kishte idhujt dhe të preferuarat e tij.I kujtohej një mësuese në shkollë..,,kushedi sa herë kishte ëndërruar sikur shkonte në krevat me atë në netët e tij djaloshare, megjithëse ishte i ndërgjegjshëm se ajo mund te ndodhte po aq sa mund të shkonte ai në hënë me gomarin e shtëpisë së tij .Dëshironte dhe dashuronte edhe një vajzë madje dhe e kishte ndjekur disa herë nga pas por ajo nuk ja varte fare dhe veprimet e saj që shkonin gati në përbuzje e kishin detyruar të hiqte dorë.Sa do donte ti takonte ,ose me saktë ato të shikonin se ku kishte mbërritur dhe sa lart ishte ngjitur ai.Megjithëse tani mësuesja duhej të ishte shumë e vjetër, ai përsëri do të bënte dashuri me të , me të njëjtin vrull, me të njëjtën dëshirë si në rininë e tij të parë, kur ajo ishte e gjithë bota për të.Ndërsa kur fytyrën e asaj vajze ose shikimin e saj tallës e ndeshte tek ndonjë nga femrat e institucionit ose dhe tek ndonjë tjetër jashtë tij me të cilat kishte marrëdhënie pune bëhej keq.Nëse nuk kishte se çfarë të bënte prej pozicionit që shikim-sfiduesja mbante, turfullonte me vete dhe nxirrte nga arkiva e pasur e tij një buzeqeshje që gjithsesi ngjante më shumë me një skërmitje cakalli.Ndërsa nëse ishte vartëse e tij , ndryshonte puna.Ajo do paguante edhe për ato të cilave ai nuk kishte se çfarë tu bënte.Me të gjitha menyrat, me të gjitha mjetet e sulmonte dhe ia nxinte jetën.I kërkonte llogari dhe për një minutë vonese kur për dikë tjetër mund të mbyllte sytë edhe për një orë,dhe mundohej në cdo moment ti gjente ndonjë punë që ti kërkonte llogari dhe të nxirrte dufin e tij.

Por ai kishte dhe diçka tjetër që i thellonte gropat e moslumturisë të ditëve të tij.Bashkëshortja.Kur ishin fejuar por dhe në fillimet e martesës së tyre, kishte pasur nevojë për familjen e saj , prandaj e kishte bërë krushqinë.I duhej nje tullë, një gur për të vënë këmbën për të filluar ngjitjen.Pastaj ai u ngjit lart,shumë lart dhe ai guri i parë i fillimit që dikur i ishte dukur sa një mal, tani kur e shikonte i dukej si një kokrrizë rëre.Por ajo kishte mbetur tani pjesë e jetës së tij me të njëjtën mënyrë sjellje si atëherë. Ishte munduar ta bënte pjesë të shoqërisë së lartë( të paktën të asaj që ai e quante si të tillë) , duke e marrë me vete në festa dhe ceremoni.Por me kot. Ajo nuk ndjehej mirë në ato ambiente se nuk dinte të sillej.Ishte munduar ti mësonte gjuhë të huaja, ta detyronte të lexonte diçka por nuk ja kishte dalë.Megjithëse blinte rroba të shtrenjta dhe të modës së fundit, përsëri kishte diçka që nuk shkonte dhe e bënte atë të ndjehej keq.Ajo kishte mbetur njësoj.Por megjithatë kur ishte në fisin e saj ose në njerëz më inferiorë se veten , ajo transformohej dhe ndjehej mirë.Niste të përmendte drekat dhe darkat ku kishte marrë pjesë dhe ku të pranishëm kishin qenë dhe shumë personalitete të cilët niste dhe i numëronte. Vetëm kaq dinte të bënte.Ajo kishte mbetur në vend, në shtëpinë e tyre të vjetër kur i shiste mend komshinjve edhe kur dikush nga fisi i saj bëhej brigadier.Tani kishin ndërruar apartamentin, mobiljet , makinën por ajo kishte mbetur akoma atje. Por pavarësisht koefiçientit të ulët intelektual, pavarësisht mënyrës defiçitare të sjelljes dhe shëmtisë së saj, ai nuk kishte se çfarë të bënte.Ishin fëmijet në mes dhe ai nuk dëshironte një familje të divorcuar.Jo sepse ai nuk ishte i aftë financiarisht të mbante dy familje por në sytë e fëmijëve , po ashtu dhe të asaj pjese të botës që i interesonte, ai mundohej të hiqej ndryshe.Si një njeri që nuk shkelte parimet.Dhe kishte gjetur një rrugë të ndërmjetme.Të mos divorcohej por as mos ti përkushtohej jetës bashkëshortore.Kohën e munguar në shtëpi e justifikonte me orët e zgjatura në punë ku ai detyrohej të qëndronte megjithëse ,( gjithnjë sipas tij) kishte dëshirë të ishte pranë familjes.Nuk i bëhej të kthehej herët.Për të qenë më i qetë dhe për tia mbushur kohën, i mori një diplomë dhe e futi në punë në një zyrë.Edhe atje ajo nuk është se shkëlqente dhe bënte ndonjë punë por për të ishte më mirë që ajo të ishte atje.Kur ta pyesnin në biseda, të paktën të përgjigjej dhe të thoshte se bashkëshortja punonte në një institucion të rëndësishëm shtetëror, megjithëse në fakt e vetmja punë që bënte ajo ishte qerasja e shoqeve të zyrës , madje ndonjëherë edhe të zyrës ngjitur.Dhe në fakt megjithëse kishte bërë të gjitha këto , edhe pse shkonte kur të dëshironte në shtëpi pa i kërkuar askush llogari , nuk ishte i lumtur.Ai kishte para dhe mund te paguante nje femër nga më të mirat, kishte dhe vartëse të cilat vinin vetë pa ia kërkuar , dikush për të ruajtur vendin e punës , dhe dikush tjeter sepse ashtu ishte mësuar.Kishte dhe shumë të tjera që pa u lodhur fare mund të shkonte në shtrat me to.Nuk është se nuk e kishte bërë dhe nuk kishte shkuar sa në një shtrat në tjetrin por të gjitha këto kategori e bënin akoma dhe më të palumtur.Kërkonte diçka tjetër, të veçantë, që me pastërtinë e saj, ta bënte të ndjehej ndryshe.Ta mbushte sadopak atë gropën e madhe të moslumturisë së tij.

 

(Vijon)

(Shkëputur nga tregimi me te njëjtin titull)

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s