Poezi nga Nikollë Loka

 

nikolle loka

Poezi nga Nikollë Loka

 

 

Pamjaftueshmëri

 

Nuk më mjafton pamja për ta mbështjellë horizontin,
kur të mbarohen fjalët mbetet diçka pa u thënë,
përpara ardhjes së dimrit, çel një copë verë papritur,
e luleborat në dimër, pranverën e sjellin më pranë.

Nuk më mjafton vetja, dita e as mbrëmjet vonë,
nuk më mjafton nata me yje e me hënë,
nuk ma plotëson mëngjesi frymëzimin që fryn e kalon,
gjithçka ndjej përtej vetes, mungesë që më mungon.

 

 

Te kroi

 

Me ujë burimi
ballin tënd e prek,
dhe vështrimin
e ndal mbi një gur.
Koha klith
e grinë nga sytë ma heq,
bjeshka një ditë larg,
më bëhet qiell.

Në bjeshkë të pashkelura
m’u shfaqe në ëndërr,
Athina e hirshme
me vështrim të Herës.
Sa dole prej gurit
kërkove një shishe,
për ta futur djallin
në atë fillim të verës.

E sa perëndime
përcolla dikur,
pamjen tënde
dot se mbajta peng!
Djalli nëpër vite
u rrit,
u bë burrë,
mbetet djalë i ri,
veç për hatrin tënd.

 

 

 

Qielli

 

Qielli im
hijezohet në diell,
qielli yt
kaltërohet në shi.
Nën qiellin
që hijezohet
jam unë.
Nën qiellin
që kaltërohet
je ti.
Po të çoj
pak hije dielli,
që të ma kthesh
në kaltërsi.

 

 

Përtej mjegullës

 

Zgjatet terri nëpër mjegull,
rrezet pezull.
Nëpër vesë e gjurmoj jetën,
gjysma zgjuar, gjysma fjetur.
Ditë e vdekur!
Ditë nuk ka, dita u shkri,
u bë breshër, u bë shi.
Unë mbi vesë e peshoj veten,
gjysma zgjuar, gjysma fjetur,
përtej mjegullës.

Përtej mjegullës në pasqyrë,
hëna shndrit e qesh me vete.
Dita natë ka në fytyrë.
Nata mjegull nëpër qiell,
pikla vese.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s