Poezi nga Fejzi Murati

Fejzi murati - 1

Poezi nga Fejzi Murati

 

 

ËNDËRR E GRISUR

 

Ngeli vegimi yt
si shtatore e harruar nën shiun e trishtimit,
në shpirtin tënd të ftohtë
nuk gjeti vend
spirancë e dashurisë.
Endrra jonë,
si vesë e kapur befasisht nga dielli,
avulloi,
e si rrobe e vjetër u gris!

 

 

MALL REFUGJATI

 

Ku të kam harruar,
o malli im i largët
nuk di kur do kthehesh
të më shërosh plagët…

Të më sjellësh ninullat,
aromën e blirit,
puthjen – jetë të nënës,
ngrohtësin e gjirit!

Apo do t’më lësh
të vdes tej kufirit!?

 

 

ZHGËNJIM I TRISHTUESHËM

 

Ngarkuar e gjithë kjo kohë
me halle,
me ëndrra shterpë,
me plagë,
të vrarë dhe vrasës që s’njohin pendesë …
Ngarkuar me krime makabre,
varre,
aborte,
shpifje,
dhe horizonte të errët,
pa shpresë.

Nuk e prisnim të vinte kështu jeta,
ku e vërteta
ka frikë nga e vërteta!

 

 

EKSTREMITET

 

Dikur,
ne ishim një;
çdo hap,
çdo fjalë,
çdo mendim,
çdo hall
bashkë e qanim.
Dikur,
edhe shtratin,
edhe gjumin,
edhe jetën,
bashkë e ndanim.

Dikur ishim aq mirë …
me zemrën plotë!

Sot,
jo hapin,
jo fjalën,
jo mendimin,
a shtratin,
a gjumin,
a jetën,
po as ajrin se kemi të pëbashkët!

Sot,
jemi krejtësisht të ndarë,
në dy botë!

 

 

ZHGËNJIM

 

Gjithë mbrëmjen
prita një telefonatë nga ti,
siç pret nata agimin,
gjithë natën prita një fjalë të ëmbël nga ti
siç pret pema e vetmuar blerimin.
Prita me ëndrra të zgjuara
nga darka në mëngjes,
siç pret petalja e etur një pikë vesë.
Por dita e re s’pati zgjim!
Gjithë ajo pritje,
zhgënjim!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s