Poezi nga Lumo Kolleshi

Posted on May 22, 2016

0


 lumo kolleshi

Poezi nga Lumo Kolleshi

 

 

PAKËSI

 

Ca miq m’i mori humbëtira,

Derra m’ u bënë ca të tjerë

Pas pushtetit vanë të hira.

Më mbetën pak që hapin derë.

 

Hymn i thur veç pakësisë

Me fjalë që gdhenden mbi një shkemb.

Më mirë i falem kotësisë,

Se miq për lume që urat çmend.

 

 

LULET VDESIN NË ÇELJE TË BLERIMIT

 

Ta humbasësh drejtpeshimin

Dhe qenien tënde ta kthesh të tërën në trill,

Ta dërgosh lotin njerëzor me vështrimin,

Bashkë me bletët të marrësh arratinë në prill,

Të shikosh si vdesin lulet në mes të blerimit

E si të mos përhumbesh tek vajton një bilbil?

 

 

DHIMBJA

 

Shpesh, gjumin tim të vonë e vret grindja

Dhe vuaj,pse u grinda me filan a me fistek.

Veç dua t’ ju bind: po kaq shpesh dhimbja

Me mua e mbështet kokën në një jastëk.

 

 

PISHAT

 

I humbasin pa dhimbje degët e fundit,

Degët e thara, të bëra kripë,

Degët mjerane që dot nuk mundin

T’i lajnë sytë e tyre në dritë.

 

 

MIQVE TË RREMË

 

Se s’ kish e s’ kish kuptim më tutje,

Më tutje, jo, nuk kish kuptim.

Në shpirt më hapet vatra lufte,

Plagë që s’ njohin më shërim.

Zemra kishe s’ pranon më lutje

Dhe gjithë thimjami është bërë tym.

 

 

Posted in: POEZI