Jetën e re stis mbi gërmadha -Motiv persian nga Agron Shele / Shkëputur nga vëllimi poetik ” Pasazh i pafaj”

hee

Jetën e re stis  mbi gërmadha

 -Motiv persian nga Agron Shele 

 

1

 

Mes heshtjes tënde zemra plogështon,

Pse brengat rendin muzgjeve plot valë,

Ëndrrat harruar dergjen diku larg…

Pikat përçunduese ndihen prapë dritareve.

 

2

 

Psherëtima, lot! Eh! Sa marrëzi!

Klithma e verbuar çirret pa pushim;

kërkon, rrëmben. Eh! Sa herezi!

Përplaset, derdh, gjer në humbëtirë.

 

3

 

Ditët fshikullon e largëta harresë,

Kohën  rrethon me flatra të gënjeshtërta …

Pse jeta rilindet gërmadhash kujtime,

dhe shpirti dergjet lartësive – hidhërime?

 

4

 

Fjalë, prapë fjalë. Eh! Të mallkuara!

Ku shkoni kështu me kokën ndër duar?

Helm dhe pështjellim villet pa pushuar,

Shkretia e paanë zgjatet hijes tuaj.

 

5

 

Pranë pemës vetmuar hapat kanë ndalë,

të lodhur, të mundur, nga pritja e gjatë;

Krahët e cunguar më nuk fëshfërijnë,

acari i akullt dejeve lëvrin.

 

6

 

Dy fjalë të vetme kujtesën shkallmojnë,

godasin tërbimin me thonj mëkatorë,

Të dua psherëtinë. Më pas kthithmojnë.

Të dua mbi gjithçka! Të dua i shtrenti im!

 

7

 

Diçka ka ndodhur dhe atje mes yjesh,

E përjetëshmja, premtuar dikur, në humbim,

Humbi shkrepëtima, harbim i pafund…

Humbi krenaria. Eh! Sa shumë rrënim.

 

8

 

Era që nga larg. Sa shpërfytyrim!

Gjethet i rrëmbeu, harresa mbulim,

Shiu projektuar nga gjithë ky mejtim

Shpirtin e sfilitur godet pa pushim.

 

9

 

Ndër supe mban flokë përlyer nga dhimbja,

Ndër sy bredhin lot, helm e hidhërim

Ndër buzë mërmërimat veçse pëshpërimë,

Në shpirt s´ka më gaz. Eh! Sa pikëllim.

 

10

 

Jashtë fishkëllen era leshragjatë,

Qetësinë e thellë nga rrënjët shkallmon,

Fëshfërimë e largët fshehur brenda shtratit,

Të kujton vogëlushe. Jashtë bën shumë ftohtë.

 

11

 

Rrëfen veç gënjeshtra, Hëna verdhësi,

Fshehur pas një reje, diçka mërmërin,

Ëndrrat më sqimtare, s’dihet ku i çon,

Qahet e ankohet nga yjet rrëzëllim.

 

12

 

Marrëzi e nisur nuk njeh kurrë kufi,

Thuajse gjithë bota, më nuk ka kuptim,

Vetmia rrëqethëse si një llahtari,

Përpin e thërmon kristalin e shpirtit.

 

13

 

Dita kapërcen pragun e mundimit,

E vrazhdët stiset drejt perëndimit,

E akullt nata gjumin trazon

Kërkon si të mundet mes ëndrrave prej bore.

 

14

 

I largët vjen hapi, dikur fluturonte,

I shuar vjen zëri, dikur veç këndonte,

I tretur vështrimi, dikur rrezatonte,

I ftohtë rishfaqet, dikur përvëlonte…

 

15

 

Vështro zbehtësinë, fshehur si përhapet,

Rrëmbeu fytyrën, gjithë kurmin kërkon.

Vështro edhe arin, si ndryshoka ngjyrën

Ç´po mbetet pretj teje, dot e nuk kupton.

 

16

 

Mallkuar qofshi, mjegulla të errëta!

Pse i fshehni ëndrrat,thellë gjer në varr,

Mendoni për vajzën, si shtrëngoni kthetra

I janë turrur qelqit Hijet më të zeza.

 

 17

 

Si bulëza e vogël nën rrezen e parë,

Fluturoi shpejt ëndrra më e parë,

Pse zemra besoi rrahjen pa kufi

Dhe shpirti nuk gjeti kurrë qetësi?

 

18

 

Shumë dritareve mbetën me jetë

Dhe shumë të tjera u mbytën në dert,

Tronditje pësuan xhamat kristalinë,

Kthjellimin robëruan mendimet kotësirë.

 

19

 

Shaminë qëndisur me shumë pëllumba,

E morën nga duart, s´dihet ku e çuan,

Kërkoje nëpër qiell, netëve yjeshumë,…

Rrëmbeu atë, ç´ka mundën të rrëmbyen.

 

20

 

Në mundsh qeshu, mes heshtësisë kotësirë,

pranë zjarrit ende, e përjetshmja pret

Zboji dhe lotët nga sytë më brilantë,

Ndih pas dëfrimit. Ndihu, shpirt prej gazit!

 

21

 

Zgjatu përtej skajeve, bardhësinë shtrëngo,

Ngjeshi më fort buzët prapë dashuro,

Ditët kapërcejnë, koha zë e thinjet.

Ç´duhet vetëflijimi? Lulja pse venitet?

 

22

 

Vështro nëpër jetë, ndih atë ç´shkon,

Ç´është më e shtrenjta, rrëmbeje pa kthim,

S´është frikë as ndroje,vetëm një harbim,

Përplasu mes dallgëve, gjer në harrim.

 

23

 

Atje ku vetë jeta, buzëqesh ngadhënjim,

Atje dhe ëmbëlsia, ndjell në shpirt kuptim,

Atje ku deti ngre dallgët shkumëzim,

Atje dhe mbrëmje vonë, heq velin stolim.

 

24

 

Vogëlushe! Ku po shkon këtë natë?

Nëpër gjurmë  fantazme, endesh prapë,

Ngrije harkun dhe shpërtheje sfondin gri,

Në mundsh, hap të bardhën, shpirtdritësi.

 

25

 

Larg prej brengës edhe trishtit që ke mbjellur,

Jeto jetën dhe mos ki kurrë të ndrojtur,

Larg prej vrerit- herezi dhe  të pashpresë,

Kërko rreze ngrohtësie dhe  shkëlqim.

 

 

II

 

 

1

 

Ngrihu mbi vështrim, shiko atje lart,

Flaka e përpin pyllin harrakat,

Të djegë ç´të mundë pluhur edhe hi,

Të zhduket nga dheu fjala “pabesi“.

 

2

 

Nuk ke përse hesht, kroit ujëshumë,

Lisi shekullor degët i përkund,

Fëshfërimë e lehtë, ç’ ndjell në zemër di,

Vrapo e rend e gëzueshëm, si një risi.

 

3

 

Magjinë e bilbilit, të vetmin dëgjo…

Eh! Ky zë i rrallë. Ujëvarat i zgjon.

Foli zemrës etur, shprehu si di ti,

Kërkoji fjalë zemre, zgjoji dashuri.

 

4

 

Si yll i larë shfaqu vogëlushe,

Si ëndrra më e parë, ago lumturi,

Si hyjneshë e tokës, detit dhe e qiellit.

Rrezato shkëlqim dhe tejpashmëri.

 

5

 

Ndalu në lëndinën- lule erëmirë,

Përkëdhel petalet, puthi pa pushim,

Aromë dhe jetë shpërthen në lirishtë,

Gaz dhe hare për ty rubair.

 

6

 

Mos harro të endesh nëpër bukuri,

Shpalos krahët e bardhë, nëpër mjegulli,

Kapërce vetveten, flake errëtinë,

Hidhu në dalldi, digju përsëri.

 

7

 

Një ditë patjetër dikush do të vijë,

Do të marrë dorën edhe do të puthë,

Do kërkojë flokët, ku mallin të fshijë,

Do falë gjithçka, do falë mrekullinë.

 

8

 

Ngjyrë e tejpashme, e shumë kërkuar,

Përlotjen e syve ktheje në smerald,

Hidh vështrimin tutje, përtej ngjyrës blu,

Shijo me gaz jetën, shijoje në pafundësi.

 

9

 

Nëse ëndrrat qeshin, lëri, mos i tremb,

Zhytu thellë mes tyre, lundro në hare,

Krahët mos i zgjat kot në zbrazëti,

Përjeto të bukurëzuarën deri në agim.

 

 10

 

Vitet fluturojnë, vitet s´njohin kthim,

Freskia venitet, brehet pa pushim,

Shkallmoji dritaret, ç´vlen gjithë ky mejtim,

Rrëmbe më të shtrenjtën, rrëmbe dashurinë!

 

11

 

Nga pluhuri u ngrite, prapë do të shkosh,…

Ç´do t’i shpiesh dheut? Lëngatën e kotë?

Nxito! Sa je. Ç´ke humbur, fito,

Shembi gërmadhat. Jetë të re ndërto!

 

12

 

U trete. Po çmendesh? Ç´ndien në brendësi?

Shijen më të hidhur përtyp në shkreti.

Nuk e sheh natyrën? Qeshet në blerim

Dhe plagët e vjetra i fsheh pa përtim.

 

13

 

Derdhu sërish rrugës, njëlloj si dikur,

Vështro në sy jetën,  përsëri qesh,

Buzë edhe gaz, zemër edhe zjarr,…

Fale dashurinë,… Pse të ngelet peng?

 

14

 

Një ditë dotë shuhesh, kjo  nuk ka dyshim,…

Ç´kuptim do ketë nesër,  fjala “Lamtumirë!”?

Ç´duhet pra kjo jetë, jetë  e drithëruar?

Mos mendo mëkatin, përjetimin dashuruar.

 

15

 

Prapë do të afrohen, më shumë do të duan,

E qetë në shpirt, do ndiesh lumturimin,…

Ndjenjën e amshuar, çoje gjer në dhimbje,

Dashuro si e marrë. Dashuro dashurinë!

 

16

 

Të vetmet çaste, plot kënaqësi

Mos i fshih zhargonëve, ndrojtje përsëri…

Vrapo, si të mundesh, gjer në dalldi

Çmende të pashtershmen gjer në ulërimë.

 

17

 

Ngado rend harbimi, kudo  netët zgjon,

Diku nëpër rrethina yjet shoqërojnë,

Shpirti më i etur, pangopësi në vlim,

Çaste më të ëmbla zbojnë mërmërimën .

 

18

 

Ëngjëlli dritëplotë si trembet furtunës,…

Retë le të mblidhen, qielli të errësohet,

Rrezja më e fortë e shpërtheka vullkanin,

Ndjenja më e hollë ëmbëlson nektarin.

 

19

 

Mos harro të jesh, jashtë fëshfërin,

Dëgjo cicërrimat, falu ëmbëlsi,

Vështroje njeriun, gjithë ngazëllim,

Merre pa frikë jetën, merre si të vijë.

 

20

 

Gëzoju të tashmes, mëso të jetosh,

Mos lër asnjë çast. Pse të shkojë bosh?

Forca e rilindur tjetër vrull kërkon,

Zemra s´bën mëkate, zemra dashuron.

 

21

 

Vrikthin e fuqishëm çoje gjer në fund,

Dimri le të trembë, prapële të fryjë,

Kapu fort pas thonjëve, mbahu thellë në blu,

Buzëqeshe rrezen, përshëndete në qiellin.

 

22

 

Ëngjëlli dritëplotë, prapë sillet rrotull,

Portën mos e mbyll, pa dyshim do vijë

Gjer në zemrën tënde. Eh, sa rrugë ka ndjekur!

Gjer në shpirtin tënd, ndoshta do të tretet.

 

23

 

Vështro horizonzin, tutje pa kufi,

Vështro atë ç´fshihet, kërko dlirësi,

Rrëmbe ëmbëlsinë, mbaje thellë në gji,

Falju jetë jetës, gjer në çmenduri.

 

24

 

Buzët kërkojnë afshin që të ndizen gjak,

Zemra kërkon zemrën të shpërthejë zjarr,

Dora kërkon dorën në këtë romancë,

Tingujt melodrojnë mbrëmjen më të artë.

 

25

 

Dhuratë më e shtrenjtë nuk njihet gjer sot,

S´dihet sa djersiti më i madhi Zot,

Fali dashuri kudo nëpër botë.

Përse në ngurim? Nuk e solli kot!

 

26

 

Veten akuzon, botën e mallkon,

E hidhur pa shpresë, përse tingëllon,

Përflet e mërmërin kohën pa pushim,

Ngrihu përmbi “Unin“të shikosh më mirë.

 

27

 

Vështro plot guxim, shih atë ç´shkon.

Mos qëndro në hije, hija të verbon,

Nuk ka kurrë trishtim, kur me gaz jeton,

As monotoni, veç kur përgjëron.

 

 28

 

Këput një trëndafil herët në mëngjes,

Merri flakërimën, vëre përmbi gjoks,

Merri bukurinë shndrit si diamant,

Merri dhe aromën, dehu si e marrë.

 

29

 

O zemër zjarr, o shpirt thellim,

Si frymë e shenjtë shty në harrim,

Të shkrihesh a vdesësh, s´përbën çudi,

Copë e thërrime nën qiellin dashuri.

 

 

AgronShele 2

Agron Shele

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s