Self destruktion / Tregim nga Sotir Athanasi

 

 Self destruktion

 

 

sotir athaasiu

Tregim nga Sotir Athanasi

 

 

Kishim dy javë që e kërkonim “shinandërruesin”, shokun tonë në “kafenenë e preferuar”.

Celulari i mbyllur heshtte; ndërsa kompjuteri, përsëriste automatikisht:

“Numri i kërkuar, mund t’a ketë të fikur telefonin”.

Kjo shurdhëri, jo vetëm që s’fliste për ogur të mirë, por na e rriste tensionin e na i shtonte ankthin. Se duhet t’a pranojmë: ne njerëzit e letrave, që moti, në rininë tonë, kishim vëndin e takimit Bibliotekën në Pallatin e Madh të Kulturës dhe jo në shtëpitë e njëri tjetrit. Ndërsa tani, që kohët ndryshuan, “kafeneja e preferuar”, qe kthyer në strehën tonë të përbashkët. Veç kësaj, ky varg i Dritëro Agollit, qe bërë shkak të përzgjidhnim, jo vetëm lokalin, por edhe njeriun që na shërbente.

Megjithatë, kohët e fundit kishte ardhur një bashkëmoshatari ynë të cilin e kishin braktisur fëmijët dhe…, jo dhe aq për të plotësonte disi pensionin e varfër, se sa për diç tjetër, luante rolin e kamarjerit, ndonëse me kohë të shkurtuar. Për këtë, kishte ndërhyrë njëri nga shokët tanë të poezisë. Vëllimi i tij TRIUMF qe përkthyer në më shumë se pesë gjuhë e kjo ia ngrinte vlerat grupit, si edhe “kafenesë”. Veç se, bashkë me ‘të edhe ” kamarjerit tonë poet” gjjthashtu; megjithëse, vargëzimi i tij, nuk ngrihej dot mbi bejtet.

Sidoqoftë, autori i TRIUMFIT, me gjërësinë karakteristike, i kishte afruar, ndonëse, shumë në të rrallë, një copë vënd krijimeve të tij në organin ku ai punonte, për vargje që, ‘ëmbëlsiht’ ia sistemonte për t’u dalluar disi nga ‘vargëzimet’ e rëndomta e pavlerë. Apo, rendjes e renditjeve bajate, karakteristika dalluese të bejtexhinjve. Hieja e fisnikërisë së tij, mbulonte, megjithatë, varfërinë ideoartistike të bejtexhiut. E mbase këtu duhet kërkuar edhe arsyeje e ardhjes si kamarjer të këtij “poeti”.

E çuditshme, por e njëmendtë. Kohët e fundit, te”kafeneja…, nuk mungonte vetëm shoku, por edhe vargëzuesi ynë me tabaka, për të cilin morëm vesh se qe me leje të zakonshme, (pak si e çuditshme kjo), si edhe poeti ynë i parapëlqyer i vëllimit aq të suksesshëm, TRIUMF.

Dikush nga ne, me qënëse edhe telefoni i këtij të fundit, heshtte gjith – ashtu, kishte shkuar në redaksinë e organit ku poeti qe drejtues dhe ai i kishte thënë se do të rikthehej te “kafeneja…., porsa të përfundonte një studim që kërkonte shumë punë e kohë të veçantë. ”

Për “shinandërruesin” poeti, nuk dinte asgjë.

E megjjthatë, kjo s’duhet të qe e vërtetë. Edhe për faktin se në pesëdhjetë vjetorin e lindjes së FISNIKUT, le t’a quajmë kështu autorin e TRIUMFIT, shoku ynë, nuk ishte parë. Që atëhere kishin kaluar më shumë se dy javë.

S’qe dramë, as përkesë rastësore, s’duhet të ish, veçse, për një befasim , si ato me çudira, sigurisht , që duhet të merrej.

Ndërkaq, shpura nëpërmënd një aksiomë të shkruar nga “shina ndërruesi”, që fliste në romanin e tij të fundit:

“Një zakon I hershëm rinor, kthehet tashmë në sëmundje dhe i ngjet disi të martuarit i cili, kohë pas kohe, në mos kaloftë nga ballkoni i dashurisë së tij të parë (të dështuar), në rrugën e shtëpisë së saj, këmbët do t’a shpien “. Dhe, o Perëndi! S’kisha mbaruar ende perifrazimin, kur u përballa me….,

” Shinandërruesin “.

Ai, miku dhe shoku im i letrave. Për të parën herë, ndër vite, që zhdukur pa njoftiar kërkënd nga shokët tanë. Madje edhe mua, që më kishte si më të ngushtin, ma kishte mbajtur të fshehtë. U përqafuam si të kishim vite pa u parë. – U bënë dy javë që je…, avulluar nga “kafeneja e preferuar…”

– Po, – më tha pa e fshehur aspak shkakun, por edhe pa treguar ende asgjë për të. – Në atë “kafe.., nuk do të më shihni më, – dhe sytë iu skuqën

– Në qoftëse e ke megjithëmënd, a mund të di arsyen?

Ai heshti për një grimë herë dhe më vendosi krahun.

Në paralelen tjetër të rrugës, ishte një “Bar – Kafe” që, nuk më kujtohet shkaku pse e kishim braktisur. Shkuam deri aty, pa këmbyer asnjë fjalë.

Zumë një kënd dhe porositëm nga një teke përpara se të merrnim kapuçino.

– Ti e di që fëmijët e mi i kam në STOKOLM.

– Po.

– Aty kam qënë këto dy javë. Kështu u doli oferta se, biletën ma nxjerrin gjithmonë ata dhe koha e ndënjes, është në vartësi të saj. Mund të ishte edhe një muaj, gjë që do të më torturonte më shumë shkëputja nga shokët, se sa ndarja e përherëshme me…, dikë.

Mua m’u rikthye fytyra në vënd. Atij i iku.

– Fenomeni i Elbasanit, edhe mbas gjysëm shekulli, përsëri do të ngrejë krye. Më ndjek sërish një mallkim i papërfillur nga unë, por që më ka kthyer, pa e kuptuar, në “peng të persekutimit”.

– Nuk të kuptoj , – thashë. – Fol më shkoqur. Jemi apo jo shokë të rinisë?

– Pse jemi të tillë të them se ” kompleksi i shinandërruesit “, bashkë me “fenomenin e Elbasanit”, edhe pse kanë lënë pas një pëllëmbë dekadash, përsëri, ngrenë krye; më mbajnë ” peng ” e më pezmatojnë, si në kohën e LUFTËS SË KLASAVE. Jo me shuplaka fytyrës, por me baltosjen e saj. Gjë, me të cilën, nuk do të pajtohesha kurrën e kurrës.

Unë mbeta pa fjalë. Ai m’a bëri të qartë se çfarë kishte ndodhur, edhe pse e pranonte nofkën ” shinandërrues “, nga që të gjithë e dinim se, në rininë e herëshme kishte punuar në hekurudhë. Qe rasti të spjegonte origjinën e saj:

Përpara viteve ’70-të, miku im, një natë, një dhe të vetme , ai, ishte i detyruar të vetëvihej për të bërë “shinandërruesin” në linjën e trenit të mallrave.

Qe natë korriku, e errët e pa drita. Por dhe pa yje. Ose më mirë, ato ishin arratisur nga hapsira galaktike për të mos qënë të pranishme në një bëmë toksore, krejtësisht të keqkuptuar. Mbase, në një kasapanë të pritshme të kësaj bote.

Vullnetarët për në hekurrudhë, ishin shtrirë, së bashku me paisjet e tyre, në të gjithë hapësirën (përfshi edhe shinat e trenit,) si në freskinë e një fushe futbolli e jo në platformën e hekurudhës.

Aty nga ora tre e mëngjesit, kur të gjithë flinin për shtatë palë qejfe, miku im, i pagjumë, në pamundësi për një zgjidhje tjetër dhe për të evituar panikun po të jepte alarm; ndaj rrezikshmërinë që po afrohej; dëgjonte, jo pa një tmerr të paimagjinueshëm, uturimën e trenit; i cili, tërësisht jashtë programit, po i sulej platformës, si një tufë egërsirash shqerrave.

Shoku im, mbërrin me ngut te pozicioni i këmbimit të shinave. Fatmirësisht, në sekondat e mbrame. Pas vetëm një a dy sekondash,

një garniturë kaloi në linjën e mallrave rezervë.

Makinisti me pak manovrim, frenoi në kohën e duhur. Por, megjithatë, nuk shpëtoi një dëm i vogël material. Dy vagonave me gabie, u qenë thyer dërrasat e amballazhit e mbase, edhe ndonjë gërvishtje në aparatura. Veç kësaj, dikush, ai që duhet të kryente rolin e ” shinandërruesi-t, ia kishte këputur gjumit brënda vagonit, në vënd që të ishte në krye të punës. (Ka apo jo, lëvizje trenash në ato orë).

Kur u zgjua, kuptoi se kishte thyer, vetëm këmbën.

Jo kokën.

Ajo i shpëtoi për t’u gdhirë në burg.

Kaq. Asgjë më shumë.

Kaq, por dikush e ngatërroi keqas gjëndjen. U konsiderua sabotazh. Dhe gjyqi për të, ishte i pashmangshëm. Për më tepër se shoku im e kishte një “kleçkë në biografi”.

Tjetri, u ndodh bosh dhe, nga që nuk kuptonte se çfarë kishte ngjarë, për fundoi pas hekurave në atë mugëtirë.

Nuk u tha as edhe një fjalë e mirë, se shoku im kishte evituar një kasapa -në. Jo. Se këtë ” heroizëm të vërtetë, nuk mund dhe nuk duhej t’a bënte një i deklasuar. Absolutisht, jo. Jo dhe jo. Po të dilte e vërteta në shesh se vullnetarët ishin lejuar të shtriheshin mbi shina, me siguri që, kokat e drejtuesve të stacionit, mbase nuk do të viheshin te binarët, por dy dekada e ca në Spaç do t’i bënin, në qoftëse do të shpëtonin nga “gjysma e lekut “.

Prandaj, u gjet më e udhës të dënohesh gjumashi me këmbën e thyer dhe të çohej shoku im për riedukim në Elbasan, pas një gjyqi në kolektiv. Sepse, paska qënë edhe një shinë tjetër rezervë, që shoku im mund t’a shfrytëzonte. ( U harrua që kjo s’qe detyra e tij, prandaj dhe, afër mëndsh për të mos e dijtur. Por, ky detaj llogjik nuk mund të hynte aty ku vepronte LUFTA E KLASAVE, domethënë, marrëzia,

Të dy shkruanin, se ishin letrarë të rinj. Prandaj iu hoq e drejta për të botuar. Për ‘ta kjo qe, as më pak, e as më shumë, se vënien e kokës tek binarët. Ose, më e pakta, prerjen e duarve për krijimtari. Veçse, në atë kolektiv ishte edhe një ziliqar “vargëzuesi” , që ambicjen për të botuar në organet letrare të kohës, nuk e shihte te mungesa e artit me bejtet e tij bajate të tipit:

 

Jam ushtar, / E ç’të jem / më tepër!

Për ty PARTI/ edhe tëndin distinktiv në setër,

të ma hedhin / Mbi varrin, / do të doja, /

SI gjyshërve të mi të vjetër.

 

Por, e gjente te militantizmi vulgar e madje edhe në keqinterpretimin apo edhe trillimin e shpifjen për ne të suksesshmit . Këtu e ka burimin heqja e së drejtës sonë për të botuar. Zanafilla e së keqes, moçalin erërëndë, me bretëkocat e saj, aty e gjen.

– The se kemi të bëjmë me fenomenin e Elbasanit, kështu?

– Po. Atje kishte një gazetë lokale dhe unë botoja herë pas here. Deri sa doli një “kamarjer”, si njeriu me tabaka i ” kafenesë sonë të preferuar”, dhe intrigoi te K/redaktori i gazetës, historinë e cunguar të shinandërruesi-t, domethënë, timen. Dhe nuk e mohoj, se më duhej të dëshmoja të vërtetën për ngjarjen. E cila, kuptohet e ngarkonte me faj, shokun tim. Kaq.

Edhe vetëm kjo ama, mjaftonte që të më mbanin sa më larg e mënjanë redaksisë.

Më bën çudi ngjajshmëria e të dy tipave.

Në Elbasan ishte një spitullaq që, kënaqësinë e arrinte kur përfliste të tjerët. Qe thjesht një pinguin në prag të periudhën së çiftëzimit, siç e ka nofkuar aq bukur humoristi dhe zv/ kryeredaktori ynë i nderuar, i kafenesë. Mbase e teproj po të them se edhe kamarjeri ynë është një kopje e tij, kur i servir kafenë, poetit tonë të suksesshëm. Përkulja e tij e kalon pragun e “pinguini në çiftëzim. Ky është vetë akti. Megjithatë, kjo s’e ka penguar asnjërin nga ne t’a quajmë POET e madje, t’i japim edhe ndonjë lëvdatë si bakshish për botimin e tij të fundit, ndrequr aq ‘ ëmbëlsisht ‘ nga FISNIKU.

Shefi i redaksisë, në gazetën lokale, me gjithë vlerat e shkrimeve të mia, u distancua. Ndjehesh edhe nga të tjerët mungesa e tij në “Kafenenë te Lulishtja portokalli” në Elbasan.

Humbjen e shoqërisë me ‘të e vuajta gjatë dhe e durova për shumë kohë, si hekuri ngryshkun kur lihet i pambrojtur nga rreshjet.

Dekadën e fundit rinisa dhe kam shkruar disa romane, pa llogaritur dhjetra tregime.

Ngrijtëm gotat e pijes, pas së cilave, ai do të vazhdonte:

– Dhe si një mallkim, afro pesë dekada më pas, në pesëdhjetë vjetorin e lindjes të.., shokun tonë poet, autorin e TRIUMFIT, unë të mos ftohem në këtë jubile. E pse? Për një ngjarje komplet të keqinterpretuar.

Ai nuk shtoi më asnjë fjalë. Zëri i kishte marrë atë ngjyrim, pas së cilës vjen dhimbja e të braktisurit mga shokët, trazuar kjo me një pezm të pashmangshëm. Zgrip, të cilin unë, nuk do t’ia dëshiroja askujt.. Aq më pak shokut tim. Kurrësesi një shkrimtari. Duart e tij, ishin vënë të dya në binarë. Natyrisht, nuk pritej që të kalonte treni mbi ‘to, por edhe vetëm stuhia e beftë e virtuale e tij, të keqen do t’ia sillnin.

Rrugët e atij organi qenë të mbyllura. Por më e keqja nuk ishte këtu. Gjetiu synonte ajo: te hija e zezë e një karakteri të papranueshëm e tërësisht të padrejtë që mbulonte tipin aq të pastër e të panjollosur, të shokut tim. Ndryshe binte vlera e synimit. Shënjestra e tij, devijohej. Oreksi nuk shuhej. Çiftëzimi i pinguinit, nuk kryhej. Por kur realizohej ama, ajo që ai kishte intriguar, mbërthente xhaketën dopiopet (sipas modës tre a katër dekada të shkuara), dhe humoristi i grupit tonë, do të na thoshte: – A nuk është si M-ja e MacDonald-it, ajo pala në shpinën e xhaketës së bejtexhiut tonë?

Gjithsesi, spica të tilla, nuk i bënin fare përshtypje kamarjerit tonë. Vërtet, ato qenë fyshekzjarre përpara intrigantit me peshqirin e kamarierit në do-rë dhe bejtet e pashprehura të “poetit”- kamarjer.

Unë për t’a ndryshuar disi gjëndjen, thashë:

– Nuk e kuptoj, miku im: pse e kemi lënë në harresë këtë lokal anësor, por e kemi zëvëndësuar me “Kafenenë e preferuar në rrugën tjetër paralele?

Ai qeshi hidhur. Por qeshi. Dhe kjo për mua ishte zgjidhja. Ja sepse mora hov. Ai nuk më la. Bindja për ndryshimin e “Kafenesë, m’u shtua.

– Skllavit, miku im, cmira dhe zilia, nuk është aspak e lehtë t’i hiqet. Ajo nis me fjalët: “i mirë, i mirë, është ” iksi”, por në rini ka bërë këtë gabim “. A thua se ai “i ka mbajtur pishën ” . Dhe vazhdon kështu me dekada. Edhe pse ti, s’je më djalë i ri, por mezi ngrys vitet e muzgut të acartë, veç së tjerash, përmes krizave të vazhdueshme ekonomike e shpërfilljes shtetërore të partive që ndërrojnë dhe shpërdorojnë pushtetet, duke kënaqur vetëm klientët e tyre të babëzitur.

Por, le t’i lëmë pushtetarët në PUSHTNINË e tyre. Tiranasit nuk thonë kot: “e keqja nha njeriu, del me shpirtin”.

Tani, miku im, që mësove për ” shinandërruesin e ke të kjartë ” gabimin ” që kam bërë. Ose më mirë, keqkuptimi n e trashë?

– E di çfarë më ra ndër mënd përpara se të takoheshim? – ndërrova temë unë.

Ai tundi kryet.

” Një zakon i hershëm rinor, kthehet në sëmundje…. – nisa unë të përsëris perifrazimin nga romani.

Ai buzëqeshi për të shtuar:

Kamarja e atij që ka intriguar ‘dramën’ për tjetrin, të jesh i sigurtë që , u hap udhën gojëve të tjera të flasin për ‘ tragjedinë ‘e tij. Madje, t’a kome- diografojnë, atë. Ky është ligji i UNIVERSIT…

Shoku im u gjallërua pas kësaj thënie që, ishin në stilin e tij të të shkruarit.

Portreti i ndryshoi disi ngjyrë, siç u ndodh poetëve, kur sapo kanë formuluar një varg vërtetë për të qënë. Por unë që e njihja mirë atë, një vlagë dhimbjeje në mos e lexoja, e merrja me mënd, se gjurmët e saj do të mbeteshin. Si një stuhi që kur kalon, do të lërë patjetër, tragën e një shkatërrimi. Në portretin e shokut tim, unë lexoja: lodhje, hutim, zhgënjim

Ato dy javë, ai nuk ishte rruar fare. Shenjë kjo, jo vetëm e një lloj bjerjeje, por edhe të një shpërfilljeje për gjithçka rreth tij. Deformimi shpirtëror, mbaresat, aty i lë.. Prandaj, më befasonte kurajua e qetësia, (së jashtmi) me të cilën ai e rrëfente (dhe përballonte) këtë cunam, vetëm me dy javë shkëputje nga ne, shokët e tij. Dhe, megjithatë, për mua, ishte ende larg ajo pamja e tij e zakonshme. Por që, patjetër do të shprehte qetësinë, durimin dhe përpjekjen për të përballuar një gjëndje.

Ne e ndërruam “Kafenenë…”.

Kjo s’qe vetëm ideja ime, por edhe e disa nga prej shokëve tanë, për të matur nga do të anonte ballanca.

Nuk e mallkuam. E as hodhëm gurin pas krahëve. Por neveri, nuk mund të themi se s’ ndjemë . Madje, edhe tani që po flasim për ‘të. Prania e atij kamarjeri, ashtu, i përkulur mbi tabaka, na kujtonte vërtet një ” pinguin në periudhën e çiftëzimit “. Duart e tij dridheshin nga alkoli. Ashtu ai qe për t’u mëshiruar….

Ne iu rikthyem. qoshes sonë të vjetër në rrugën paralele. Të nesërmet që pasuan, shokët, nisën dhe ata, një e nga një, të ndiqnin shëmbullin tonë.

Kaluan ditë e mbase edhe javë.

Poeti ynë i dashur u përkthye në Amerikë dhe e ftuan atje për të promovuar ” TRIUMFIN “. Kur u kthye, hoqi dorë nga gazeta. U përfshi në një OJQ – ë mbi të drejtat e njeriut. Organin e shtypit, tanimë, e drejtonte një krijues tepër stigmatizues për shkak të prirjes së tij drejt humorit.

“Shinandërruesi-t, shefi i ri i redaksisë i botoi një cikël të tërë me poezi shumë të arrira. Urimet tona në “Kafenenë e preferuar”, iu dhanë nga të gjithë shokët. Gëzimi, na ishte kthyer thuajse plotësisht.

Kamarjeri ‘pinguin’ mbeti vetëm me bejtet e tij.

Pa poetë.

Pa poezi.

Pa shokë të artit.

Por edhe pa objektin e intrigoi, lëndën e parë bruto për t’a përpunuar.

Iu hoq e drejta për të jetuar çastin magjik,

atë të ‘pinginit në prag të çiftëzimit.

Iu tret si kripa në ujë, motivi i jetës.

Mbi shpinë, nuk dallohej më as MacDonaldi.

K/redaktori i ri kur u paraqit “poeti” bejtexhi me vargjet e tij, i kishte thënë:

“Organi ynë, miku im, nuk është revistë arkeollogjike. Bejtet tuaja aty e kanë vëndin”.

Kjo e zhgënjeu tejet.

Nuk ishte thjesht një përzënie nga fusha e poezisë. Qe më keq. Mbase, e barasvlerëshme me refuzimin e dashurisë së një femre që ai, mëvetësisht dhe verbërisht e adhuronte në distancë, siç mund të biem në dashuri me. . ., H ë n ë n.

Kështu, mbeti tërësisht i braktisur.

Kupën e theu copa – copa, rënia e xhirros dhe zëvëndësimi në lokal, me një djalosh të ri . Por, kjo qe vetëm dukja*).

Mua m’u kujtua thënia tiranase që:

“E keqja tek njeriu, del me shpirtin”. dhe,kafshova gjuhën për të mos e shprehur. Jo. Zëmërata jonë nuk ishte dhe as që shkonte deri këtu. Jo dhe jo. PAFUNDËSISHT JO.

– Jam i sigurtë që poeti i vëllimit aq të dashur për ne, TRIUMF do të vazhdojë të përkthehet edhe në ndonjë gjuhë tjetër dhe ai do t’a ketë …

” përfunduar studimin e tij ” dhe do t’a kuptojë, më në fund, shkakun e largimit tonë. Kot nuk ia vendosa emrin F I S N I K .

Tani që po hedh këto rradhë, më duket se dëgjoj fëshëllimën e TABLET – tit që paralajmëron mbërrijtnen e eimailin të tij, përmbajtja e së cilës, do të jetë afërsisht kështu:

” Miku im, mos di gjë ku e pi kafenë “Shinandërruesi? Ose: – Më duket se e keni ndërruar “Kafenenë e preferuar”. A vjen aty “Shinandërruesin , se dua t’a pi një kafe edhe me ‘të.

 

_______

*) Në lajmet e mbrëmjes, të gjitha kanalet televizive, njoftonin për një vetëvrasje. Ose vetëhedhje nga vinçi i një objekti në ndërtim. Ky qe ish kamarjeri në “Kafenenë e preferuar”, por tanimë, plotësisht i braktisur edhe nga ne krijuesit.

Nuk qe përzënia nga lokali, shkaku depresiv. Diçka tjetër, më e thellë, më e largët, në kohë e hapsirë, te një pasion, që s’ka të bëjë me poezinë, por me diç tjetër. Ajo mbase duhet kërkuar: te mania e tejskajshme e cila, për psikologët, quhet SMIRË. Dhe kjo duhet të qe e padukshmja: “SELF DESTRUCTION ” (“VETËSHKATËRRIM), do të thoshte në anglisht i biri që kishte ardhur nga Londra në cermoninë funerbër; për të cilin thuhej se, i qe dorëzuar një copë letër me shënimin e të atit, përpara se të bënte zgjidhjen fatale. – ENVY (SMIRA), – ia ktheu sërisht në anglisht i vëllai më i vogël, tek po i hidhte lulet mbi arkmort.

– SMIRA?! Thua të lindë bashkë me njeriun dhe e shoqëron deri në të pashmangshmen: GREMINË?

 

 

ATHINË, tetor, 2015!

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s