Në vend të urimit, për 83-vjetorin e lindjes: “I ARTI” BARDHYL XHAMA: SHKRIMTAR E “MËSUES I MERITUAR” / Nga: Sejdo Harka

 Në vend të urimit, për 83-vjetorin e lindjes:                      

 “I ARTI” BARDHYL XHAMA: SHKRIMTAR E “MËSUES I MERITUAR”

 

Nga: Sejdo Harka

 

 

”Puna e Bardhylit  ka ecur parallel, në tri fusha: në publicistikë,në pedagogji dhe në atë të krijimtarisë artistike.Dhe, në të trija, është i shkëlqyer”.

                                                    Dritëro Agolli

 

 

bardh

Bardhyl Xhama, përherë me librin ndër duar…

 

“I arti, Bardhyl”, kështu e thërrasin ndryshe të gjithë ata, që e njohin nga afër ”Mësuesin e merituar” dhe shkrimtarin e mirënjohur, Bardhyl  Xhama. Për të , kisha dëgjuar dhe lexuar shumë  gjëra edhe para se  të njiheshim. Por, kur me të u njoha nga afër (aty nga mesi i viteve ‘70-të të shekullit të kaluar), më bëri përshtypje  ky emër   tepër  i bukur e shumë domethënës,me të cilin e patën  pagëzuar shokët, miqtë dhe të afërmit e tij. Nëse, në fillim, e vrisja mendjen  për të gjetur arsyen dhe kuptimin e këtij karakterizimi  , sa të rrallë aq dhe enigmatik,  shpejt u binda,  se  të gjithë ata që e thërrisnin  kështu, kishin patur plotësisht  të drejtë.

Bardhyli  shkëlqen , jo vetëm me vlerat e tij morale dhe njerëzore, por dhe me ato intelektuale e krijuese. Sa më shumë  ta njohësh atë , aq më i kthjellët  të shfaqet shkëlqimi i njeriut  të butë e tepër të komunikueshëm ,  i njeriut të sinqertë  e shumë punëtor,  i njeriut  të mençur e tepër miqësor, i njeriut të qeshur e shumë gazmor , i krjiuesit të rrallë  dhe mjaft  popullor. Ulesh me të në tavolinë dhe bashkë me kafenë dhe shishen e vogël të rakisë,  të cilën s’e ndan nga çanta e librave, të dhuron  bukurinë e shpirtit dhe bujarinë ,humorin e hollë dhe krenarinë , vlagun e mençurisë dhe  energjinë , me të cilat “vret” problemet  dhe plogështinë, për t’i ringjallur shpresën  e sigurinë dhe për të mundur stresin dhe  pleqërinë.

Ja, te  këto vlera  të padiskutueshme njerëzore dhe krijuese, sa të thjeshta  aq  dhe të bukura, qendron  shkëlqimi  i Bardhylit ,  intelektualit,  që me sjelljen dhe krijimtarinë e tij , i dha kuptim jetës.Në personalitetin e Bardhyl  Xhamës janë harmonizuar bukur vlerat më të mira njerëzore ,me ato intelektuale dhe krijuese. Kështu  lartësohet portreti i tij , jo vetëm para të afërmve dhe të miqëve të shumtë ,por edhe  para  shokëve e  njerëzve të njohur të letrave shqipe.

 

 

bardh 2

Gjithnjë i rrethuar nga kolegë e miq dhe me kujtime të paharruara…Në foto (lart, nga e djathta): Bardhyl Xhama, Sejdo Harka, Murat Gecaj dhe (poshtë, nga e majta); Skënder Hasko e Viron Kona.

 

2.

 

Bardhyl  Xhama “mban dy ditëlindje” , 13 dhe 30 qershor. Në të vërtetë,  ai u lind më 13 qershor të vitit 1933, në Fterrë të Sarandës, në një familje atdhetare dhe arsimdashëse. Por, zyrtarisht, ai mban si ditëlindje 30 qershorin. Babai i tij, Lame Xhama, për merita të veçanta kishte  titullin e lartë “Mësues i Popullit”. Bardhyli ka disa ditë që  ka mbushur plot  80 vjet, (flitet per 3 vjet me parë,-shënimi im, S.H.)  por kushdo që e sheh nga afër nuk beson, se mbi shpinën e tij rëndojnë kaq vite jete dhe pune, sa të vështira  aq  edhe të bukura, sa të lodhëshme aq edhe të lumtura.Edhe pse gjatë tërë   jetës, herë është gëzuar e  herë është trishtuar,  herë është lodhur  e herë  është stërmunduar, atë  s’e kanë tradhëtuar  as kreshtat e flokëve,as freskia e fytyrës , as kujtesa e rrallë, as humori i gjallë, as mendja e mprehtë e hapat e shpjetë, as  pika e rakisë së parë, as pena e rrallë. Çdo ditë rend si djalosh, herë  për  në  “Parlamentin e Fterrës”, herë në takim me shokët te “Kompania lëvizëse” , herë për  në Shtëpinë Botuese “ Toena” dhe herë në biseda e shëtitje me nipër , mbesa e familjarë.

Mësimet e para i mori në fshatin e tij të lindjes, në Fterrë dhe Sarandë, ndërsa  shkollën e mesme pedagogjike e kreu pranë gjimnazit “Asim Zeneli”, në Gjirokastër, ku doli me përfundime të shkëlqyera. Në  shkollë ai shquhej si pjesëtar aktiv i rrethit letrar, bashkë me Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë . Poezitë e tij të para u  botuan në organet qendrore të shtypit të kohës, që në shkollën 7-vjeçare. Në moshë të re, Bardyli binte në sy për pasionin për t’u marrë me vepritmari të bukura jashtëshkollore , si sporti e noti , teatri  e kori . Dallohej,  veçanërisht, në basketboll e hendboll, atletikë e futboll . Shpesh, ka lujatur në skuadrat kombëtare të Gjirokastrës, Sarandës  dhe Delvinës.

Ndërsa hobi i veçantë  i Bardhylit, që e ka shoqëruar tërë jetën, ka qenë peshkimi dhe noti. Ai është zhytyr në thellësitë e shumë deteve të kontineteve të botës. Kjo i ka dhuruar atij, mundësi e ndjesi,  për t’i njohur të fshehtat e detit, të cilat i ka sintetizuar në shumë vepra të tij  artistike për detin, aq sa kritika lertare e ka quajtur atë “ Shkrimtari i detit”.

Për arritje të shkëlqyera në  mëmsimdhënie dhe për vlerat njerëzore e pjekurinë e tij, Ministria e Arsimt dhe e Kulturës, që  në moshën 20-vjeçare, e emëroi “Profesor matematike” në gjimnazin “A.Zeneli’ të Gjirokastrës, ku ai mbaroi studimet e mesme për mësuesi. Më vonë, pa shkëputje nga puna, ai e mbaroi Universitetin Shtetëror të Tiranës, në degën gjuhë-letërsi  shqipe, përsëri me rezultate shumë të larta.  Gjatë jetës, Bardhyli ka punuar mësues  i matemikës, fizikës dhe  i gjuhës  e letërsisë shqipe, në shumë shkolla të mesme të Sarandës, Gjirokastrës  dhe Delvinës.  Për shumë vite ,ka  punuar inpektor arsimi dhe drejtor i Kabinetit  Petagogjik të rrethit,  në Sarandë. Kudo që shërbeu, ai gëzoi respektin e mësuesve , nxënësve dhe të gjithë njerëzve, me të cilët punoi e jetoi.

Bardhyl Xhama  është dhe një publicist i rrallë. Ai punoi për më shumë se 10 vjet, redaktor dhe sekretar i kolegjumit  të gazetës “Mësuesi”, në Minstrinë e  Arsmit dhe Kulturës. Aty ,ai u shqua, jo vetëm me shkrime cilësore e  plot kulturë për problemet e mësimdhënies ,drejtimit, kulturës dhe ato  sociale, por edhe drejtues i rrallë  e tepër komunikues. Në vitin 1982,  emërohet zëvendësdrejtor i Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor. Ndërsa më pas, për 10 vjet  me radhë, punoi  shef i Sektorit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Institutin e Studimeve Petagogjike. Gjatë kësaj periudhe, ka ndjekur shumë studime dhe eksperimenete shkencore e pedagogjike, si: për leximin letar në shkollën 8-vjeçare ,për lidhjen e gjuhës me letërsinë në shkollën e e mesme  , për rolin kualifikues të kabineteve pedagogjike etj. Materialet e këtyre  studimeve janë zbatuar dhe janë botuar në libra ,në gazetën “Mësuesi” dhe në “Revistën Petagogjike”. Në konferenca e seminare kombëtare,ai ka mbajtur rreth 30 tema  për probleme të rëndësishme të  mësimit dhe edukimit në shkolla.

Por, Bardhyl Xhama, në mënyrë të veçantë, shquhet për krijimtarinë e tij letrare. Ai ka botuar 14 libra artisikë, për fëmijë e të rritur. Nga ata, 8 prej tyre janë nderuar me çmime të ndryshme. Kështu, libri “Pse qan delfini”(1996) ka marrë çmimin “Tasim Gjonkutaj”. Ndërsa për librin “Lejleku me akullore”(1998) mori çmimin “La Fonten”; “Djaloshi që kapte rrufetë”(2000), çmimin “Bekim Harxhi” etj. Tri veprat e tij më të mira,  janë përfshirë  nga MASH në listën e librave për leximet jashtëklase, në shkollat 9-vjeçare. Është gati për botim vëllimi i tij me 53 rrëfenja, qëë e ka titullin “Gota e Lumturisë”. Ndërsa,  Shtëpia Botuese “Toena”,  është duke përgatitur kolanën e 8 librave të Bardhylit, me 250 rrëfenja, me tematikë të caktuar. Për vlerat e shumta, që kanë librat e B.Xhamës , 6 prej tyre janë ribotuar disa herë.Krijimtaria e tij është sa e gjerë,aq dhe e larmishme.

Përveç librave të plotë ,ai ka shkruar dhe shumë pjesë teatrore, dhjetëra skenarë , teletregime e telenovela për fëmijë ,skenarë filmash dokumentarë për veprimtaritë artistike në shkolla etj.

Edhe pse ka dalë në pension , që në vitin 1989, Bardhyl Xhama,  jo vetëm që s’u nda për asnjë çast nga veprimtaria krijuese e shoqërore ,por edhe nga puna, redaktor në Shtëpinë Botuese “Toena”. Për mesazhet e ngrohta gjithëkohore dhe vlerat e padiskutueshme, krijimtraia e tij ka tërhequr vëmendjn e kritikës letrare dhe të shumë kolegëve të tij. Gjithashtu, veprimtaria e tij krijuese është bërë objekt i  vlerësimeve dhe analizave  të  shkrimtarit dhe poetit tonë  të madh, Dritëro Agollit. Ndër të tjera, ai  thekson:”Puna e Bardhylit  ka ecur paralel në tri fusha: në publicistikë,në pedagogji dhe në atë të krijimtarisë artistike.Dhe, në të trija, është i shkëlqyer”.

Një ndihmesë mjaft të rëndësishme  ka dhënë Bardhyli në lëvrimin e letërsisë për fëmijë.Me librat e tij ,ai ka luajtur një rol të rëndësishëm per zhvillimin e fantazisë së të vegjëlve. Për studiuesin dhe publicistin Fatmir Tereziu (Londër),krijimtaria e bollshme e Xhamës është një kujtesë e kohërave ,që ndërthur bukur vlerat e letërsisë së shhkruar me ato gojore. Ndërsa  i ndjeri  Skënder Hasko,shkrimtari i mirënjohur dhe ish-miku dhe shoku i tij i ngushtë e i pandarëë, nënvizonte: ”Shkrimtari B.Xhama e ka merituar vlerësimin e kritikës letrare dhe sidomos të fëmijëve, të cilëve  ai u drejtohet”. Për Pandeli Koçin,  kryetarin e Shoqatës së Letërsisë për Fëmijë e të Rinj,ky Bardhyli jep një ndihmesë të madhe, ky është mjeshtër i rrëfenjave,të cilat shquhen për orgjinalitetin dhe gjetjet e goditura,për finesën , moralin e shëndoshë dhe mesazhet e fuqishme, që u përcjell brezave…

Motivet, që spikatin në krijimtarinë e B.Xhamës, janë shkolla dhe libri, puna dhe edukata.Në librat e tij, brezi i ri gjen botën e tij  dhe ëndërrat ,dijet dhe zemrat.Ato mbartin  vlera të papërsëritshme:  edukuese dhe artistike,shkencore dhe didaktike,argëtuese dhe zbavitëse.Kjo, sepse ky shkrimtar,në krijimtarinë e tij  artistike, i shkriu prushin e shpirtit dhe freskinë e mendjes,vlagun e dijeve dhe rrahjet e zemrës.Është kjo arsyeja,  që  veprat e tij lexohen me kënaqësi ,jo vetëm nga fëmijët dhe të rinjtë,por edhe nga prindërit dhe njerëzit e moshave  më të rritura.

Bardhyli është jo vetëm  një shok e mik i rrallë, por dhe një bashkëshort ,prind,gjysh e stërgjysh i mrekullueshëm,  që gëzon respektin e  të gjtthëve.Për punë  shëmbullore, mësues,drejtues shkolle dhe arsimi,gazetar dhe studiues,nga Presidenti i Republikës është dekoruar me “Medaljen e Punës”  dhe Urdhrin”Naim Frashëri” të Kl. III e II, si dhe me titullin e lartë”Mësues i merituar”.Për ndihmesë të shquar në lëvrimin e letërsisë për fëmijë dhe  drejtimin  e gjallërimin e  shoqatës së saj,me rastin e 70-vjetorit të lindjes, u nderua me “Çmimin e Karrierës”. Po kështu, nga Shtëpia  Botuese “Toena”dhe Shoqata e  Shkrimtarëve të Letërsisë për Fëmijë e të Rinj,është nderuar me dy Diploma “Mirënjohjeje”.Ndërsa, në nëntor të vitit 2014, u nderua me çmimin ”Tasim Gjonkutaj”.

T’i konturosh hapësirat e një  jete të gjatë  dhe tepër të vrullshme,  si ajo  e B.Xhamës, duhen faqe të tëra. Por edhe me këto pak fjalë, shpresojmë  t’u kemi sjellë pranë, “të Artin, Bardhyl”.

Qershor, 2013

(Nga libri i Sejdo Harkës, “Modernët e kohës”, Tiranë, 2015)

 

 

Tiranë, 12 qershor 2016

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s