Tomi / Tregim nga Syrja Kurti

 Tomi

 

 

Syrja kurti 1

Tregim nga Syrja Kurti

 

 

Si thua, dalim njëherë andej?-pyeti ai.-U bë kohë që nuk kemi shkuar.

-Edhe aq shumë nuk kemi-qeshi ajo.-Por pse jo?Shkojmë.

_Mua më duket sikur kam një jetë pa shkuar.

-Epo unë kaloj atje edhe pa ty sepse andej kam rrugën .Kështu që kujtimet mbeten gjithnjë të freskëta.Sa herë kaloj , e kthej kokën dhe më duket sikur të shoh diku në një cep.Ndonjëhere e quaj favor që e shikoj atë vend dhe ndonjëherë është dhimbje.

Ata sa ishin takuar në qendër të qytetit.Java kishte nisur me shi dhe me erë.Temperaturat ishin ulur papritmas dhe njerëzit kishin veshur përsëri rrobat e dimrit, të cilat i kishin hequr të gënjyer nga trillet e pranverës së porsaardhur.Por atë ditë bënte ngrohtë.Pranvera ashtu si ato vajzat tekanjoze që i kthehen përsëri diçkaje që e kanë flakur tej dikur,i ishte kthyer përsëri ditëve me diell.Ai e hoqi xhupin , e mblodhi në dorë dhe ngaqë nuk dinte si të përgjigjej buzëqeshi vetëm me buzë pa e hapur gojën .

-Shkojmë atje!-foli papritur gruaja-Ne jemi fare afër,-tha pastaj me zë të ulët me shumë për veten se për atë.

Burri nuk foli , buzëqeshi përsëri pa e hapur gojën dhe nisi të ecë me hapa të mëdhenj.Ai ishte i gjatë dhe ajo nxitoi ta arrinte.

Vetëm pas kthesës së parë kur ndoshta nuk ishin bërë as njëqind metra , u shfaq vendi i tyre i preferuar.Ai ishte një lokal njëkatësh ndërtuar me konstruksion metalik.Brenda nuk ishte i madh dhe do të quhej një lokal mesatar, ndoshta dhe i vogël pa oborrin, që nga ana e rrugës ishte i rrethuar me kangjella.Hekurat e kangjellave ishin të mbushura me bimë kacavjerëse, që e bënin akoma dhe më intim ambientin brenda hapësirës së rrethuar.Nga dy anë të tjera oborri kufizohej nga një avlli me gurë të mëdhenj dhe të lëmuar që nga pesha e viteve kishin zënë myshk dhe që dukeshin enigmatikë me atë vjetërsine dhe me madhësinë e tyre.Ndoshta ato që kishin parë përgjatë jetës së tyre të gjatë, ia tregonin njëri-tjetrit netëve të errëta, por për të tjerët ata ishin aty si dëshmitarë të heshtur mbështjellë me misterin e kohës.

Në oborr ishin dhe pesë pemë të mëdha, ndoshta të një moshe me gurët, të cilat me degët dhe me kurorat e tyre të kapërthyera me njëra-tjetrën, bënin hije mbi të gjithë hapësirën kur ishin të gjelbëruara.Ndërsa në vjeshtë kur ato fillonin të zhvisheshin, oborri mbushej me gjethet e zverdhura dhe gruaja luante e gëzuar duke numëruar gjethet që binin në tavolinën e tyre.Por dhe në dimër ai trishtimi i lakuriqësisë së pemëve kishte diçka të veçantë, me atë vetminë e degëve të zhveshura ku dukej aty –këtu ndonjë fole e braktisur zogjsh.

Ata nuk hynë në lokal por i ranë rrotull tij dhe dolën drejt e në oborr.Me shumë se gjysma e tavolinave ishin të zëna dhe atyre nuk i mbeteshin shumë mundësi për të zgjedhur.Zakonisht ata preferonin këndin ku bashkoheshin dy muret, por kur tavolina ishte e zënë uleshin diku tjetër.Si vizitorë të shpeshtë që ishin , i kishte qëlluar të provonin pothuajse të gjitha tryezat dhe në asnjë vend nuk ishte keq por megjithatë si atje në qoshe nuk ndjeheshin rehat askund.

-Qenka i zënë vendi ynë,-tha gruaja dhe rrotulloi njëherë kokën.-Si thua, ulemi pranë atyre druve?

-Edhe aty nuk është keq –foli burri .-Jam dakord!Shkojmë atje!-dhe u nis vetë i pari.

Pranë asaj tryeze gjithnjë gjendeshin një grumbull dru zjarri të stivuara mirë.Ndonjëherë grumbulli ishte i madh dhe herë- herë më i vogël, por asnjëherë nuk mbetej vendi bosh sepse furra e lokalit punonte me dru, dhe gjithnjë duhej të ishte një sasi e gatshme aty për tu përdorur kur duhej.Porsa u ulën erdhi kamarieri , një mesoburrë me atë buzëqeshjen tipike të stamposur në fytyrë.|shte një shenjë e qartë që tregonte se kishte vite që e ushtronte atë profesion.

-Mirëdita! Si keni kaluar?Çfarë do të merrni?Si përherë?Zonja kafe me qumësht dhe zotëria pijen e zakonshme?

Burri miratoi me kokë pa folur.Të dy kamarierët e dinin se çfarë merrte ai.Madje ata dinin dhe diçka tjetër.Pavarësisht se zonja porosiste kafe me qumësht, ajo e kthente ndonjëherë edhe gotën e tij.Të dyve i pëlqente që të pinin në një gotë.

-Një minutë!-tha gruaja duke nxjerrë paketën e cigareve nga çanta.-Sot qeras unë dhe përveç asaj të zakonshmes thuaji kuzhinierit të sjellë edhe diçka për ta shoqëruar pijen.Të përgatisë një pjatë si të dëshirojë.Thuaji që ia le atij në dorë.

Kamarieri miratoi me kokë dhe nxitoi të çonte në vend porosinë.Ai lokal me shumë shërbente si bar dhe të pakte ishin ata që porosnin edhe diçka më shumë Por dhe menyja e restorantit nuk është që ishte shumë e larmishme.Kishte më shumë prodhime të zgarës që përgatiteshin shpejt për të shoqëruar pijet që merrnin klientët.Meqë porosisnin shpesh edhe ndonjë pjatë për të shoqëruar atë që pinin, ata e njihnin dhe kuzhinerin.Madje edhe kur nuk merrnin gjë ata përshëndeteshin me të sepse në shumicën e kohës ai qëndronte pas banakut dhe jo brenda në kuzhinë.Ndonjëherë kur duhej, ai i jepte dhe një dorë banakierit kur lokali ishte plot.

Nga aty ku ishin ulur banaku dukej ,dhe kur kamarieri u afrua për porosinë, kuzhinieri ndodhej në banak.Ktheu pak trupin nga ata dhe miratoi lehtë me kokë.Ai ishte një burrë mesatar,rreth të pesëdhjetave, pak i shëndoshë dhe me tipare të zeza.Dukej shumë serioz dhe nuk ishte tip që shikohej shpesh duke folur.Madje dhe kur ata i flisnin, ai më shumë e kthente me kokë përshëndetjen se sa duke folur.Ose mjaftohej me një fjale të vetme”tungjatjeta”, dhe zhytej përsëri në atë heshtjen e tij.Ishte një nga të paktët aty që nuk e ndiqte ndonjëherë me sy , sikur dhe për një sekondë gruan.Ajo ishte e bukur, me flokë të plotë kacurrela, me ngjyrë te kuqe me sy mjaft shprehës dhe me një trup që tërhiqte vëmendjen.Por ai gjithnjë kishte qenë indiferent.Mjaftohej me atë përshëndetjen e tij të thatë dhe as e kthente kokën më.Ndërsa në kuzhine ai ishte ndryshe.Aty bënte art me mënyrën e tij.Ndoshta ato që linte pa thënë me fjalë, i tregonte me pjatat e tij.Ishin ato që flisnin.Pastaj përgatiste ushqimin e porositur, thirrte kamarierin për ta marrë dhe zhdukej përsëri brenda kuzhinës, ose shkonte pas banakut pa folur.Edhe sot ashtu veproi.Pasi përshëndeti me kokë, pa thënë asnjë fjalë u u fut në kuzhinën e vogël të lokalit për të përgatitur porosinë e kërkuar.

-Kohë e bukur sot-tha burri duke e parë në fytyrë.

-Të shpresojmë që do mbajë kështu- gruaja ngriti kokën për të parë qiellin dhe rregulloi me dorë flokët kaçurrela.-Nuk besoj se do te prishet më.Të paktën sot dhe nesër.

Kamarieri solli duke buzëqeshur filxhanin e kafesë dhe pijen për burrin.

-Tani vjen edhe pjata- tha me një zë që përpiqej të dukej i gëzuar dhe shpejtoi drejt banakut.

-Të gjithë kamarierët më duken njësoj- foli burri duke e ndjekur me sy.

Ndoshta jo të gjithë –tha gruaja –Por deri diku jam dakord me ty.Profesioni i tyre i bën të ngjajnë me njëri-tjetrin në disa gjëra.-U mat të thoshte dhe dicka tjetër por kamarieri u kthye me pjatën e mbushur dhe ajo nuk foli më.Ndezi një cigare dhe mori pozicionin e saj të preferuar që ai ishte mësuar ta shikonte sa herë që ajo pinte duhan.Dorën e majtë të shtrirë mbështetur në bark dhe mbi kurrizin e dorës vendoste bërrylin e dorës së djathtë ku mbante edhe cigaren.Atij i pëlqente ai pozicion dhe shpesh shihte gishtat e saj që mbanin cigaren me delikatesë.Meqë vetë nuk pinte cigare mjaftohej duke parë atë dhe shpesh i pëlqente t’ia ndizte ai.

-Gëzuar!- tha ai dhe ngriti gotën.Sakaq pas avllisë u degjua një si mjaullimë.Të dy kthyen kokën andej.Atje ku mbaronte muri me gurë kishte një boshllëk sepse konstruksioni metalik i lokalit nuk ishte ngjitur me të, dhe pikërisht në hapësirën që ishte aty, u shfaq një mace që dukej mirë nga tavolina ku ishin ulur ata.Ajo mjaulliti edhe njëherë tjetër fort.

-Nga trupi dhe koka më duket se është maçok!

-Ashtu?Ndoshta kërkon ndonjë të dashur-qeshi gruaja dhe i hodhi atij tymin e cigares në fytyrë.

-Tani ja fute kot-qeshi edhe ai.-Periudha e dashurisë së maceve ka kaluar.E kanë në shkurt dhe tani jemi në fund të prillit.

-Epo ku i dihet?Ndoshta është ndonjë dashnor i vonuar-vazhdoi ta ngacmonte ajo duke parë nga macoku që mjaullinte.

-Nëse e dashura e tij do të jetë ndonjë mace me qime të kuqe, mund të kesh të drejtë sepse ato mund ti dashurosh në çdo stinë,- qeshi përsëri burri duke e ngacmuar për flokët e saj të kuq.

Gruaja bëri sikur u ngrys dhe u mat të përgjigjej kur në atë moment u hap dera e pasme e kuzhinës dhe ajo e përqëndroi vëmendjen aty për të parë se kush do të dilte. Edhe burri ktheu kokën andej.Në derë u shfaq kuzhinieri me një pjatë në dorë te mbushur me ushqime.Të dy panë njëri-tjetrin në sy.Ata nuk ishin shumë afër por dhe aq larg nuk ishin sa për të mos dalluar ndryshimin e fytyrës së kuzhinierit.Ishte hera e parë që ata e shikonin të qeshur.Ai nuk i shihte ata ,ose ndoshta dhe i kishte parë por nuk i interesonin fare në atë moment.

-Erdhe Tom?-fjalët e thëna me shumë dashuri , u dëgjuan qartë.

Macoku mjaulliti ,u afrua tek këmbët e tij me kurrizin e ngritur hark dhe me bishtin përpjetë.Nisi ti fërkohej në pantallona pa e ndalur mjaullimën.Kuzhinieri u përkul, la pjatën në tokë dhe e fërkoi me shumë dashuri në shpinën e ngritur hark.Mjaullima u bë me grykore, më e ëmbël dhe bishti u tendos.Megjithëse pjata ishte e mbushur , maçoku nuk e preku atë por vazhdoi të fërkohej tek këmbët e kuzhinierit duke mjaullitur , kurse ai i fliste papushim duke i fërkuar kurrizin.Fjalët megjithëse nuk dëgjoheshin më,dukej që i pëlqenin të dyve.Macoku më në fund ktheu kokën nga pjata dhe filloi të hante ndërsa kuzhinieri vazhdonte ti fliste duke i fërkuar kurrizin e ngritur.Pavarësisht se nga zhurmat përreth , fjalët nuk dëgjoheshin më, dukej që ai ishte i kënaqur nga ajo që po bënte.Fytyra i qeshte e gjitha dhe ai fliste papushim.

-Aq fjalë sa po i flet maçokut, nuk na na ka folur ne për të gjitha ditët bashkë- tha burri me zë të ulët

Gruaja nuk foli,E pa në fytyrë si e hutuar, kafshoi pak buzën si për t’i thënë “pusho se po të dëgjon” dhe ndezi një cigare tjetër dhe vështroi prapë ata të dy.Ajo që po shihte e kishte emocionuar.Por edhe burri pavarësisht se po mundohej të hiqej sikur nuk i bënte përshtypje, kishte mbetur i shtangur nga skena.Aty, në derën e pasme të lokalit, dukej sikur ishte një tjetër , fare ndryshe nga njeriu i ftohtë që qëndronte pas banakut indiferent, i painteresuar se çfarë ndodhte përqark.I ëmbël, i ngrohtë,duke dhënë dashuri pafund.Por dhe i kënaqur që po merrte dashuri.Nuk kishte rëndësi për të se ai që ia falte ishte një kafshë, një katërkëmbësh i vogël që të gjithë atë që ndjente mund ta shprehte vetëm me mjaullima ose me gjestet e tij duke iu fërkuar pas këmbëve.Edhe kaq me sa dukej e bënte atë njeri të lumtur.Dashuria e atij që hante por që nuk harronte në asnjë çast të tregonte mirënjohjen me britmat grykore që lëshonte.Dhe që e bënte kuzhinierin të ndjehej mirë.Në jetën e tij me profesionin që kishte , shumë njerëz duhet të ishin ushqyer nga duart e tij dhe kushedi sa mund të ishin ata të cilëve ai u kishte mbushur barkun.Por siç duket dashurinë, falenderimet dhe mirënjohjen e vërtetë e kishte gjetur tek ai maçok me emrin Tom prandaj dhe sillej ashtu me të.Ndoshta ishte zhgënjyer shumë nga të gjithë dhe tashmë të gjithë dashurinë ia falte këtij katërkëmbëshi laraman.

Pjata më në fund u zbraz e gjitha dhe kuzhineri për një moment i ndërpreu fjalet.Pastaj se çfarë foli , u përkul , mori pjatën bosh dhe foli prapë.Maçoku iu fërkua edhe njëherë tek këmbët, ndaloi pak aty, pastaj mjaulliti fort sa u dëgjua deri tek ata dhe me dy kërcime hipi në murin rrethues me gurë.Muri ishte i gjerë dhe ai kaloi mbi të fare pranë tyre.

-Çët!” -e ngacmoi burri po ai i mësuar siç duket me këto gjëra, nuk u tremb por vazhdoi të ecte me të njëjtin ritëm përmbi mur.

-Të bëftë mirë Tom!-i foli gruaja në emër me zë të ulët , më shumë për vete se sa për atë.

Në atë çast maçoku u hodh nga muri dhe u zhduk.Kuzhinieri po e ndiqte nga larg duke buzëqeshur .Madje për ta parë më mirë ai bëri dy hapa dhe doli në oborrin e lokalit, aty ku mbaronte muri.Kur maçoku nuk dukej më, përnjëherë fytyra e tij ndryshoi, Syte morën atë shprehjen e ftohtë të zakonshme dhe portreti i tij u kthye në atë indiferencën e përhershme që ata ishin mësuar të shihnin.U fut brenda me kokën poshtë duke mbylur derën ngadalë dhe pa kaluar asnjë minutë , ai doli në pjesën e përparme dhe ata e panë pranë banakut duke larë duart por pa i ngritur sytë.As nuk pa fare se kush kishte ikur dhe kush kishte hyrë në sallë për kohën që ai kishte munguar.Nuk ishte bota e tij kjo këtu .Ai e kishte lënë shpirtin atje tek dera e pasme e lokalit.Tani ishte thjesht një robot, vetëm një makinë që duhet të bënte një punë, dhe ai e bënte.E bënte mirë por pa shpirt .Por vetëm kaq.Shpirti i tij nuk ishte atje.Ishte diku tjetër.Ndoshta ishte në ajër, ndoshta kishte mbetur atje, në derën e pasme të lokalit, ndoshta ishte dhe në ndonjë vend tjetër të panjohur që vetëm ai vetë mund ta dinte se ku.

Ata të dy ndenjën një kohë të gjatë pa folur….

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s