Poezi nga Festim Liti
PENDESË E VONUAR
Kurrë s’ u tha midis nesh,
Ajo fjalë magjike.
Pas dhëmbëve mbeti,
Si një e burgosur e përjeteshme,
në tunelin e shpirtit,
pa hyrje e dalje,
E gërmëzuar pa shpresë,
në qindra netë pagjumë,
ofshama e lotë,
të derdhura heshturazi në terr.
E zemra, si zog i plagosur,
përpëlitet, rënkon….
Kthej kokën majtas e djathtas,
se mos diku vështrimi, të pikas e të takon.
Nga pas më vjen një zë i largët,
nga qielli a nënedheu, s’ e di,
sikur më thërret e me ngulm më kërkon.
Herë-herë më duket,
përpara si dritë më fanitesh,
të shqiptoj premtimin e shenjtë më tundon….
Por, ah, o fat i mjerë e i zi,
tashmë e kam kuptuar,
se është vonë….shumë vonë,
Për t’ u dashuruar përsëri…..
FLUTURIMI I ZOGJVE
Fluturuan zogjtë përmbi glob,
pushtuan meridiane, paralele,
Një trastë me shpresë morën nga e dashura tokë,
E hënën, si një dhimbje të zbehtë,
që paqyrohej netëve nëpër pellgje….
U shpërndanë zogjtë nëpër komtinente,
pendët e brishta me ëndrra i përflakën,
Përmes mjegullës të tjera çerdhe kërkuan,
“Mëhallat e botës me pika malli i spërkatën….
Fluturuan zogjtë, fluturuan,
Çerdhja e vjetër e braktisur,
u tret, u lodh në valë dëshpërimi.
Me sy të përlotur drejt qiellit’
i pëshpërit erës dhe detit i thotë:
“Do kthehen një ditë ata, do kthehen,
se janë bijtë e këtij dielli!”…