Cikël poetik nga Myrteza MARA

 

Myrteza Mara - 1

Cikël poetik nga Myrteza MARA

 

 

BESOJ ZEMRËN

 

Më thoni, o njerëz, më thoni ta di
Dhe mos ngrini supet të çuditur.
Sa mund të zgjat në jetë një dashuri?
Më duhet, thjesht, sa për ta ditur.

Unë them “gjithë jetën”, po kush më beson
Të parët që s’besojnë janë shkencëtarët.
“Vetëm nëpër ëndrra-ëndrrat dashurojmë
Ose dhe në librat që shkruajnë shkrimtarët!”

Na japin leksione mbushur me teori.
Plot me formula dhe reaksione kimike
Zgjat shumë pak-thonë-një dashuri!
Por unë besoj zemrën, miken besnike.

Për këtë lloj dashurie po ngjirrem e pyes,
Jo për flirte dhe lajka pragmatiste
Dashuria është baras me njëmijë Jetë
Është fryma e shenjtë në qiej drite!

Dashurinë s’e blejnë dot as mbretërit,
Nuk mund të blihet një Kryembretëri
Rreth boshtit të saj vërtiten planetet
E vetmja që matet me dritëpërjetësi.

Besoni o njerëz, besoni vetëm zemrën
Dhe mos ngrini supet të çuditur.
Dashuria na e zgjat jetën si në ëndërr
Urrejtjet kanë dhëmbë për të përtypur.

 

 

PËRPARA TEJE

 

Përpara teje më merret fryma,
Si kroji i shterur klithmoj i etur.
Ti nuk je rè, nga vijnë vetëtimat!?
Një lutje në duar frymon e mekur.

Përpara teje ndihem kaq i lehtë,
Fluturoj tek shtegu i syrit tënd.
Akili vdiq nga një shigjetë,
Unë do ringjallem në një këngë.

Përpra teje ndihem si në përrallë,
Kur krahët i shlodh mbi supet e mi.
Edhe sikur bota të tretet në zjarrë,
Me puthjen tënde rroj në përjetësi.

Përpara teje ndihem perandor,
Lotin e syrit ma deh me dritë.
Për çfarë ta dua atë kurorë,
Kam ty, sa të gjitha mrekullitë!

***
Përpara teje më merret fryma,
Si kroji i shterur klithmoj i etur.
Ti nuk je rè, nga vijnë vetëtimat!?
Lulelutja në duar frymon e mekur.

 

 

IKJET

 

Ikjet
nuk kanë të gjitha kthim,
ka dhe ikje pambarim.

Mos i plagos
ardhjet drejt teje,
krahëzgjaturat deri tek hëna,
sepse akulli i dyshimit
këput këmbët e urave të lodhura,
ngrinë dhe fryma ndër ëndrra.

Ikjet janë ikje,
zgjatje në drejtim të kundërt,
hija hollohet deri në këputje
deri sa nuk mbërrin drita
as fjala, as edhe lutja!

Ikjet!
Oh, këto ikje pa ardhje
sa shumë ngjajnë me funeralet!

 

 

KËRKOJ QIELL PËR YLLIN TIM

 

Nuk kam gojë, s’kam as fjalë
Dora nuk më shkruan një varg
Psherëtimat si zog i vrarë
Syri humbur nëpër natë.

Kërkoj fjalën, kërkoj dorën,
Kërkoj dhe frymën e shpirtit,
Kërkoj çastin, kërkoj orën,
Dhe ditënetët që më ikin!

Jam i pasuri më i varfër
Gjithçka timen e ke ti.
Jam në zemrën tëndë vatër
Digjem për një lumturi!

Jam i varfëri më i pasur,
Kam një besë dhe një betim
Kam një yll të përflakur
Që shkëlqen në syrin tim!

S’kam asgjë e kam aq shumë,
Kur kam ty kam një planet
Edhe kur lundroj në gjumë
Dhe kur fluturoj mbi det!

Ndaj përherë jam në kërkim:
Kërkoj zjarr të ngroh fjalën
Kërkoj qiell për yllin tim
Dhe një breg ku të lidh dallgën!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s