Besëlidhja e Vjetër (Bibla)* / Vargëzuar dhe stilizuar nga Prof.dr. Resmi Osmani

Besëlidhja e Vjetër              

       (Bibla)*       

 

 

Resmi Osmani - 1

Vargëzuar dhe stilizuar nga Prof.dr. Resmi Osmani

 

 

 KËNGA E KËNGËVE

 

Nusja dëshëron me gjithë shpirt dhe kërkon dhëndërrin.

 

1

Më puth me gojën tënde,

Buzët e tua, dashuria jote,

Janë më dehëse se më e mira e verërave!

Emëri yt, është më këndellës

Se aroma e parfumeve të tua,

Ndaj edhe çdo vashë thotë: të dua!

2

Pas teje do të ngarend.

Pranë vetes, më merr i dashur,

Më ço në odat e tua,

të kënaqemi e gazmohemi.

Më shumë se verën,

do ta kujtojmë tënden dashuri,

Je kaq i mirë e i ri!

Ndaj kanë të drejtë të të duan.

3

Jam esmerkë por e bukur,

O bija të Jeruzalemit!

Si çadrat e Kedarit,

Si perdet e Salamonit

*Bibla shqip, Diodati i Ri,përkthimi 1991-1994

 

Në jam esmerkë, dielli më ka zënë:

Vëllezërit e mi, pojake më caktuan,

që vreshtat të ruaj.

Ata me mua janë idhnuar,

Se veç vreshtin tim nuk e kam shpëtuar!

4

Më rrëfe, o ti që dashuron zemra ime,

Grigjën ku e kullot?

Në vakt zhegu ku e mrizon.

Pse vallë nën vel e fshehur duhet të rri,

Pranë tufave të shokëve të tu andej-këndej,

Ku mund të të gjej?

5

Po qe se nuk e di,

O më e bukura e vashave ti,

Pas gjurmëve të grigjës shko e hulumto.

Kulloti kecat e tu pranë shatorreve të barinjve

 

 

Shprehje e dashurisë së ndërsjelltë midis dhëndërrit dhe nuses.

1

 

E dashura e zemrës sime,

Ti më shëmbëllen si pela ime,

Midis qerreve të faraonit.

Të bukura faqet e tua me stoli,

E ndritur qafa me gjerdan e inxhi,

Ne kollan të artë, me tokza argjendi

do bëjmë për ty!

2

Teksa mbreti prehet mbi shtroje,

Livanda ime përhap ermirimin e saj.

Ndjesia ime pranë tij,

Është si një qeskë e vogël mirre,

Që prehet gjithë natën

Mes gjive të mia,

Kënaqësia ime është

si një tufë lulesh alkane

në vreshtat e En-Gadit.

3

Je e bukur, e mahnitshme, e dashur,

Oh sa e bukur!

Sytë e tu janë si ato të pëllumbeshave.

4

Sa i hijshëm, je i dashuri  zemrës sime,

Oh sa i dëshirueshëm!

Shtrati ynë lulëzon e bleron si një livadh,

Trarët e shtëpive tona janë prej cedri,

Tavanët prej qiparisi.

5

Unë jam si trëndafili I Sharonit,

Si zambaku I luginave,

Si një zambak midis ferrishteve të livadheve,

Rrëzëllen e dashura ime midis vashave.

6

Si moll’e lulëzuar midis pemëve të pyllit,

Përngjan i dashuri im midis rioshëve,

Nën hijen e tij të prehem, shumë kam dëshiruar,

Dhe ja, aty jam ulur,

Kam qëndruar.

Fryti i tij ëmbëlson gojën time!

Më çoi në shtëpinë e gostive,

Dhe ngriti mbi mua flamurin e dashurisë!

7

Më ushqeni me pite rrushi,

Më përtërini me mollë,

Sepse vuaj nga dashuria!

8

Nën kryet tim, dora e tij e majtë,

E djathta më ledhaton.

Ju përgjërohem, o bija të Jeruzalemit,

Për gazelat dhe drenushat e fushave

Mos e ngisni dhe mos e zgjoni dashurinë nga gjumi

Derisa  vetë asaj kështu t’i pëlqejë!

 

 

MBRETI VIZITON SHTËPINË E NUSES

 

1

 

Jehon zëri i të dashurit tim:

Vjen duke kërcyer mbi male

Duke u hedhur mbi kodrat,

Si një gazelë, si dreri riosh.

Ja ku mbriti para mureve të shtëpisë sonë.

Sheh nga dritaret,

Mes  kangjellave përgjon vështrimet.

Më foli dhe më tha:

“Çohu e dashura ime.

Eja e bukura ime,

Sepse dimëri shkoi

Shiu pushoi,

Lulet buisin mbi dhe

Erdhi koha e të kënduarit

E dëgjon zërin e turtulleshës?

Fiku ngjiz frytet e papjkekur,

Ermirojnë vreshtat në lulëzim

Çohu mikja ime, e bukura ime dhe eja!”

2

O pëllumbesha ime,

Qe folenë e ke në plasat e shkëmbinjve

Në zgavrat e rrëpirave,

Shfaqma pamjen tënde, fytyrën plot hijeshi.

Më bëj të dëgjoj tingullin e këndshëm të zërit tënd

Sepse zëri yt është i këndshëm

Dhe fytyra jote është e hijshme.

I zini dhelprat e vogla

Që dëmtojnë vreshtat, sepse vreshtat tona

Janë në lulëzim.

3

I dashuri, është vetëm imi

E tija unë jam.

Ai kullot grigjën midis zambakëve.

Para se flladi i ditës të fryjë,

E hijet të arratisen,

Kthehu i dashuri im

Dhe sulu si gazelë e drenushë,

Mbi malet që na ndajnë.

4

Sa e bukur je o mikja ime, sa e bukur je!

Sytë e tu pas velit, janë si të pëllumbeshave

Gërshetat e shpërndarave si tufa e dhive në pllajë,

Dhëmbët si kope dhensh të bardha,

Buzët si një fije e kuqe flakë,

Goja e buzëqeshur,

Tëmthat si një thelë shege,

Qafa si kulla e fildishit.

5

Dy sisët e tua, si dy kaproj të vegjël binjakë,

Që kullosin midis zambakëve.

Përpara se flladi i ditës të fryjë

Dhe hijet të ikin, do të shkoj në malin e mirrës

Dhe kodrën e temjanit.

Je e tëra e bukur, mikja ime,

Vetë përsosmëria.

Me një shikim të vetëm të syve të tu,

O nusja ime, zemrën ma rrëmbeve!

Oh sa e këndshme është dashuria jote,

motra ime, nusja ime.

Më e këndshme se vera, është dshuria jote,

Aroma jote më e mira e gjithë ermirimeve.

Nusja ime: buzët e tua, si hoje mjalti pikojnë

Mjaltë dhe qumësht, nën gjuhë tënde qëndrojnë,

Aroma e rrobeve të tua, është si aroma e Libanit

Motra ime, nusja ime, është një kopsht i mbyllur

Burim i mbyllur, gurrë e vulosur.

6

Filizat e tua janë një kopsht shegësh

Me fryte të zgjedhur,

Me lule të alkanës dhe me nardo,

Me nardo dhe kroko, kanellë dhe cinnamon

Me të gjitha drurët e temianit,

Të mirrës dhe aloes,

Me më të mirat e gjithë aromave

Ti je një kopsht lulishtesh,

Një pus ujërash të freskëta,

Rrëkesh që burojnë nga Libani.

Zgjohu o veri dhe fry o jugë!

Fry mbi kopshtin tim,

që aromat e tij të përhapen.

Le të hyjë i dashuri im në kopshtin e tij

Dhe le  të shijojë frytet e zgjedhura.

7

Në kopshtin tim,hyra, o motra ime, o nusja ime,

Mirrën dhe balsamin e mblodha,

Hojen e mjaltit e shijova,

Verën e piva, qumshtin e ngjërova.

Shokë, hani, pini; po,

Dehuni o të dashur!

 

 

Pikëllimi i ndarjes së dytë të dhëndërrit

 

1

 

Unë flija, po zemra ime përgjonte.

Dëgjoj zërin e të dashurit tim,

Që troket dhe thotë:

“Hapma motra ime, mikja ime,

Pëllumbesh ime, e persosura ime,sepse kryet tim

Është gjithë vesë dhe kaçurrelat e mia,

Gjithë pikla të natës.

2

“E zhvesha rroben time,

Si mund ta vesh përsëri?

I lava këmbët,

Si mund ti ndot përsëri”?

I dashuri im e vuri dorën te vrima e derës

Dhe të brendshmet e mia u ngashëryen.

U ngrita për t’i hapur derën të dashurit,

Nga duart e mia kulloi mirra mbi dorzën e bravës,

Ia hapa të dashurit tim,

Por i dashuri, ishte tërhequr dhe larguar!

E këkova por nuk e gjeta,

E thirra por nuk mu përgjegj.

Rojet që sillen nëpër qytet më gjetën,

Më rrahën, më plagosën,

Rojet e mureve më çorrën velin.

Unë ju lutem shumë o bija të Jeruzalemit,

Në rast se e gjeni të dashurin tim,ç’farë do t’i thoni?

I thoni se jam e sëmurë nga dashuria!

“çfarë ka më tepër i dashuri yt,

Se një i dashur tjetër,

O më e bukura e grave?

Kështu pse përgjërohesh?

 

 

Nusja lavdëron bukurinë e Solomonit

 

1

 

Bardh e kuq fytyrën e ka i dashuri im,

Edhe midis dhjetë mijë vetëvë ahquhet ai:

Koka ar i kulluar,

Kaçurrelat pendë korbi,kryet qarkuar,

Sytë si të pëllumbit,

Pranë rrëkeve të ujit, të lara me qumësht

Si dy gurë të  çmuar,

Në unazë ari të ngallmuar.

Faqet si lehe balsami, si lehë barërash aromatikë

Buzët zambakë,që kullojnë mirrë të lëngët,

Duart unaza ari, me diamante stolisur,

Barku i fildishtë, që ndrit i mbuluar me safirë,

Këmbët e tij, kolonada mermeri,

Që ngrihen mbi themele ari të kulluar,

Madhështor në pamje, si kodrat e Libanit,

Goja e tij është vet ëmbëlsia,

Po, ai është tërheqës në çdo pikpamje!

Ky është i dashuri im,

Ky  ësht miku im,

O bija të Jeruzalemit.

2

“Ku shkoi i dashuri yt, o më e bukura e grave?”

“I dashuri im zbriti në kopshtin e tij,

Për të kullotur kopenë në lulet e balsamit,

Për të mbledhur zambakë.

Unë jam e të dashurit tim,

I dashuri është vetëm imi,

E kullot kopenë midis zambakëve.

3

Mikja ime,ti je e bukur si Tristahu,

E hijshme si Jeruzalemi,

E tmerrshme si një ushtri flamuj shpalosur.

Hiqi nga unë sytë e tu,

Ngaqë më turbullojnë!

Flokët e tu janë si një tufë dhish,

Qëe kullosin mbi malin e Galadit.

Dhembët të bardhë si një grigjë dhensh

Që kthehen nga vahu i të larit:

Të gjitha kanë binjakë,

Asnjëra nuk është shterpë!

Faqet e tua prapa velit,

Janë si një thelë shege.

4

Ka në odat e pallateve,

Gjashtëdhjetë mbretëresha,

Tetëdhjetë konkubina,

Vasha pambarim,virgjëresha,

Por vita ime, e përsosura ime,

Është e vetmja, nëna e ka të vetme,

Është e përzgjedhura e asaj që e ka lindur.

Vajzat që e kanë parë, e kanë shpallur të lume!

Edhe mbretëreshat dhe konkubinat,

E kanë lëvduar!

5

Kush është ajo që shfaqet si mëngjesi,

E bukur si hëna, e paqme si dielli,

E frikshme si një ushtri me flamuj të shpalosur?

E dashura ime!

Unë zbrita në kopshtin e arrave,

Për të soditur bimësinë e blerët të luginës,

Nëse hardhitë ishin në  endje,

Dhe shegët në lulëzim.

Nuk e di sesi, por dashuria më vuri

Mbi qerret e popullit tim fisnik.

Kthehu,kthehu o Shalomite, kthehu

Që të mund të të admirojmë.

Ç’farë shikoni te shalomitja,

Si një valle në dy grupe!

 

 

Shprehje admirimi e dhëndrrit për nusen.

 

Sa të bukura janë këmbët e tua në sandale,

O bija e princit!

Rrumbullakësia e ijeve të tua,

Ngjan si stolia e një vepre të artistit,

Kërthiza jote është një kupë rrumbullake,

Ku nuk mungon asnjëherë vera ermirë,

Barku yt është një tog gruri,

I qarkuar nga zambakë!

Dy sisët e tua,

Janë si dy kapronj njomzakë

Të gazelave binjakë.

Qafa jote si një kolonadë fildishi,

Sytë e tu të kulluar si burimi.

Koka të lartohet mbi supe si Karmeli,

Flokët të purpurt,

Një mbret u zu rob  në gërshetat e tua!

Sa e bukur, sa e hijshme me ëndjet që ofron:

Shtati yt si i palmës,

Sisët e tua si vastak hurme. Kam thënë:

Do të ngjitem mbi palmë,

Frytet e saj do t’i kap.

Qofshin sisët e tua, si vilet e rrushit,

Aroma e frymës si ajo e mollës,

E puthura e gojës sate si vera e zgjedhur,

Që zbret ëmbël për të kënaqur dëshirën time,

Duke çikur lehtësisht

Buzët e atij që fle!

 

 

Bashkim dashurie

 

Unë jam e të dashurit tim,

Edhe ai më dëshiron.

Eja I dashur, të dalim nëpër fusha,

Natën ta kalojmë nëpër fshatra,

Të çohemi në mëngjes heret,

Për të shkuar në vreshtat për të parë

Nëse vreshtat kanë  lastarizuar,

Nëse janë hapur lulet e tij,

Dhe nëse kanë çelur lule shegët.

Aty do ta fal dashurinë time

Madërgonat përhapin aromën e tyre

Dhe mbi portat tona ka fryte të zgjedhura,

Të gjithfarllojshme, të freskëta dhe të rreshkura,

Që i kam vluar për ty, i dashuri im.

Ah,sikur të ishe ti,si një vëllai im,

I mëndur në gjinjtë e nënës sime!

Duke të gjeturpërjashta,do të të puthja,

Dhe askush nuk do të na përçëmonte

Do të çoja e të të fusja në shtëpinë e sim’ëje:

Ti do të më mësoje dhe unë do të shpërbleja

Me verë aromatike dhe lëng nga shega ime.

Dora e tij e majtë, qoftë nën kokën time,

Dhe e djathta e tij më përqafoftë.

O bija të Jeruzalemit, ju përgjërohem

Mos e shqetësoni dhe mos e zgjoni

Dashurinë time, deri sa asaj kështu ti pëlqejë.

 

 

Dashuri e qëndrueshme

 

Kush është ajo që del nga shkretëtira,

Duke u mbështetur në krahun e të dashurit?

Të kam zgjuar nën mollën,

Ku nëna jote të ka lindur,

Ku ajo të ka lindur, të ka nxjerrë në dritë.

Më ver si vulë në zemrën tënde, mbi krahun tënd,

Sepse dashuria është e fortë si Vdekja,

Xhelozia e ashpër si Sheoli,

Flakët e saj janë flakë zjarri.

Ujrat e mëdha, nuk mund ta shuajnë flakën e dashurisë,

As lumenjtë ta përmbytin.

Në rast se dikush do të jepte,

Tërë pasurinë në këmbim të dashurisë,

Me siguri do të përbuzej.

    

 

 Mbyllje

 

1

 

Ne kemi një motër miturake

Që ende sisët si kan gufuar,

Ç’farë do të bëjmë, për motrën

Ditën që do të vijnë shkesët për të?

Në qoftë se është një mur,

Do të ndërtojmë mbi të,

Bedena  prej argjendi,

Në qoftë se është një portë,

Do ta forcojmë me dërrasa kedri.

Unë jam një mur,

Dhe sisët e mia janë si pirgje.

Prandaj në sytë e tij jam bërë

Si ajo që ka gjetur paqen

2

Solomoni kishte një vresht në Baal-Hamon

Ai ua besoi disa kujdestarëve,

Secili duhet ti çonte nga fryti i tij,

Njëmijë sikla argjendi.

Vreshti im, që është imi, ndodhet para meje.

Ti Solomon, merri njëmijë siklat

Dhe dyqind për rojtësit e frytit të tij!

 

3

Ti që banon në kopshte,

Shokët po dëgjojnë zërin tënd:

Bëj ta dëgjoj edhe unë.

4

Eja shpejt, i dashuri im,

Dhe ngjaji një gazele apo sute

Në malet e aromave!

-0-

 

 

Tiranë, mars 2012, qershor  2016.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s