Poezi nga Rami Kamberi

rami kamberi 1

Poezi nga Rami Kamberi

 

 

QË KOHËS T’I LEXOHET, SI NJË KUJTIM…

 

Një shtatore, poezi, flet pa fjalë, rrugës së poetit të vet
Si germat e revoltuara
Kur dalin nga shpirti, që dritën ta shënojnë, nëpër fletë

Mes e përmes plagëve, të atdheut, nëpër sytë e plisave, të harlisur
Mbetur dëshmitar, të tradhtisë
Duke marshuar rrugëve, me flamurin kombëtar, me liri të shprishur

Shtatore, mes tempullit, ku plaket shtati i poetit, ashtu si di vetë, ai
Që kohës t’i lexohet, si një kujtim
Se si shpohet, kocka e jetës, që shpirti liri i kërkon, me gjuhën poezi

Me sytë e mendimeve, shikimet e lexojnë, shtatoren poezi
E shohin, si plaket edhe poeti
Mes tempullit Shqipëri, ku germat e revoltuara, shkruajnë, liri.

 

 

 

PËR T’U MARR ERË, ME DASHURI LIRIE…

 

Kur do të kallen nuret, mbi faqet e tokës, për kohën pranverë
T’i shtroj lulëkuqet, mbi shtratin e jetës
Për t’u marr erë, me dashuri lirie, mbi lëkurën e truallin fatprerë

Që djallet, lakmi ia patën, agimet e stolisura me name, ndër mote

Përtej ëndrrave, që sytë i vizatonin, me bojë gjaku, mbi bukën e gurit
Motit, kur xhindet ziliqare
E korrnin nëpër ara, jetën e artë, që arnohej me djersë drite, prej grurit

Për sofrën e lumturisë, të plisave, që i këndonin këngët jetë, të kësaj toke.

 

 

 

MBI GJEOGRAFI TË VARREVE, SHQIPTARI…

 

Sot, një zjarr buçet, në zemrën time, për fjalën e pathënë
Për të gjetur, erën e shpirtit
Mes e përmes truallit, babaplaku, amanet ku e kishte lënë

Duke e lidhur gjakun, për shtatin e emrit, që shikon e pret
Tradhti e robëri
Që shpërlahen, nëpër sytë e kullave, kur moti, keqas i vret

Lindjet e reja, dalë prej grykave të pushkëgjatave, me zjarrin, liri
Si lotët e nënave, që rendin, plagët t’i ngjeshin nëpër ballë
Kur malësia, e pushon shtatin, mbi gjeografi të varreve, shqiptari
Aty, ku besa e dhënë, nga tinëzarët proletar, mbeti e vrarë.

 

 

 

KUR SHQIPËRIA, KËRKONTE LIRI…

 

Ngjyra e syve të sharrjanes, m’u lidh, për dashurinë e jetës, me dy pika lot
Mu si rrudhat, qe më lidhen ballit
Si rrënjët e plisave të Sharrit, që lidhen për truall e gur, e nuk shqepen dot

Bashkë me buzët, plot fjalë të zjarrta, m’u qepen për gjuhën, fjalë e besë
Ashtu si qëndiset jeta, mes kullave, të përgjakura
Kur babëloku të burrëron, me ballëkuqen, lavdi e krenarisë, burri si vdesë

Me gërshetat e derdhura, mbi shtat, shikimet, drejtuar kah gryka e hutës
Më foli, me buzëqeshjen e ardhmërisë
Do të pres, lum malësori im, të më kthehesh dhëndër, o’ këngë e lahutës

Iu ktheva, me plagët lidhur për shtati, sytë, përplot shpresë, e me ngjyrat liri
Besën,shtrënguar për plisi, amanet
T’i mbetem, dashuri, për lumturinë e jetës, nëpër kullat, që arnojnë Shqipëri.

 

 

 

EDHE KUR XIXAT, SOSESHIN MBI GUR…

 

Mbi gjuhën e gurit, binin çekanët, më keq se kosa mbi barë
Me forcën e djallëzisë, të kalitur nëpër vdekje
Për t’ia marr, nga palca e fjalës, ngjyrën e shkronjës së parë
Që e ruante ndër shekuj, farë, për lulëkuqe jete

Binin e binin, e nuk ndalonin, edhe kur xixat soseshin, mbi gur
Me flakën e gjuhës
Që deri në qiell, ngjyrat e shkronjës, i shpërndante përplot nur

Toka dridhej, sa herë që çekanët, e goditnin gurin, me katili
Të dukej, palca e fjalës, ku shkronja e parë, pikëlonte
Abetaren e jetës, për shkronjat, që shkruanin, me ngjyrat liri
Mbi gjuhën e gurit, që faqet e motit, shqip i shënonte.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s