Prozë poetike nga Majlinda Mema
Hapi që s’kthehet pas…
(pjesa e VII)
I buzëqeshet agimi natyrës së qetë, shtrihet kudo paqja e vështrimit dhe më vjen të thërras: o mallëngjim mërrmë në krahët e tu e më ço sa më larg. Endem kësaj qetësie të shndritshme, ndërsa shpirti i dehur regëtin si pulëbardhat në fluturim. Më flet çdo gjë me zërin tënd, më shfaqesh në çdo fëshfërimë gjetheje dhe si në mirazh fshihesh si zogu i lirë hapësirës, i cili nuk di të ndalet, por rend e rend hapësirës pa kufi. Nuk dua të ndahem magjisë së rrallë, le të shndërrohem në engjëllin tënd, të të mbroj fluturimit të gjatë, si në shtegëtimet mbi dete e oqeane. Përhapesh si dëshirë e madhe, pushtetin e shtrin si muzg i perëndimeve, je i pranishëm kudo dhe gjithëkund. Afrohu burimit që gurgullon, çdo hap i yti më ngazëllen e më bën të përthyej koloritë të pafundëm ngjyrash. Ti di të shembësh çdo pengesë, depërton kudo si drithërimë, o tingull i vetëm në përgjërim! Lehtësim brenge më je, o dritë që ndriçon përmbi qiej, o rreze e shpresës dhe mallit tim të pa fshehur.
Hapi që s’ kthehet pas
(pjesa VIII)
E kujtoj atë ditë të fundme vjeshte, ku udhët vërshonin ujërat e tërbuara që nuk dinë të shterin, por as të ndalinin. I ftohti mpin trupin dhe paralajmëron dimrin zemërak. Shkëputen ajsbergë të mëdhenj akullsisë pa fund, gjëmon qielli shkrepëtimash të frikshme e takohen meteorë që ndizen e shuhen diku. Përplasja e të kundërtave u bë marshi i dhimbjes, i tingujve të humbur, i stinve që erdhën dhe ikën pa kthim. Lëngoj e iki kësaj mjegullnaje të trishtè, nuk ka një pikë mbështetëse diku, mbetem e ajrit pa peshë e pa formë. Çdo përkufizimi im mbetet pa përcaktim, nuk të formoj dot si tërësinë time, atje tej mbetesh i largët, gati i pa arritshëm. Diku takohemi e përqasemi mbrekullisht, më pas vjen humnera e kufizuar nga brigje të pakapërcyeshme, mbetem zëri që jehon largësitë e kësaj bote. Kështu mbetemi të ndarë në pikën e përqasjes, e përbashkëta humb gravitetin e saj dhe kudo ndihet përjetimi i humbjes.