Poezi nga Seti Vladi

 

13533328_1748378688737385_6495700216723421647_n

Poezi nga Seti Vladi

 

 

LAURESHA

 

Nuk po dëgjohet më lauresha!
Dikur… ,
në hijeshinë e gjelbërimit e të yjeve,
këndonte ajo
dhe mbi çatinë e zyrës së pyjeve.

Sot ,
pyje nuk ka,
as simfoni këngësh e melodishë,
as bar e lule, idile dashurishë,
ka vetëm shkëmbinj e gurë,
në shi e në erë
dhe trungje të prerë…

Laureshës së maleve
i mbeti foleja diku e varur
në ndonjë shtëllungë reje me shi,
poshtë një qielli të nxirë,
mbi pellgje lotësh,
me dritë hëne të ngrirë.

Ajo ,
me pikëllim një ditë fluturoi,
kaloi male e mori dhenë…
në vise të tjera shkoi,
ngriti folenë.

 

 

 

KU PO SHKOJMË

 

Atdhe,
çdo ditë dhembja jote më zgjon!
Vështrimin hedh mbi ty
ku poshtërsia ende jeton,
tek ndërron fytyrë.

Dëshpërim ,
zymtësi ,
shumë egërsi…!

Grabitës lubi , mëkatarë,
nëpër mjegulla të acarta,
në thellësi netësh të pagjumta,
hidhen të unshëm mbi ty
në grabitje të shumta.

Si fantazma ndizen e fiken
në qelizat e gjakut tënd,
me trup e fytyrë të nxirë
vrapojnë e baltosin
shpirtin tënd të dlirë.

Me emrin tënd zgjohej dielli,
këndonte fusha,
mali e pylli.

Kope tinzare vrapojnë nëpër skuta,
në porte, aeroporte,
në malet e mbjella me funebrin e mortjes,
si korbat, ditë e natë fluturojnë,
me katapulte ngjisin katet,
orbitën e pasurisë ndërtojnë.

Ne, të varfëruar, të uritur, të lodhur,
si shqiptarë të duruar
nga krijesat njerëzore të rralla,
përkundemi,
ushqehemi,
përgjumemi me përralla.

Vajton natyra e bilbili,
lulja, gjethi, era, bliri ,
në qiell retë me shi gjëmojnë,
ku po shkojmë,
o ku po shkojmë…!?

Fytyrat janë zvogëluar,
turpet zmadhuar,
kaq shumë turpe ka,
sa, gazetat shtojnë tirazhet,
ekranet reportazhet,
pranverat bëhen dimër,
malet thajnë krojet,
dashuritë bëhen gur,
lotojnë e qajnë trojet.

Me emrin tënd zgjohej dielli,
këndonte fusha,
mali e pylli.

Kurrë s’u ngopën ata nga jeta,
as vila e pallate,
vreshtat me hektarë,
bregdetet hambarë.

Shkëndi ju ndrit Karaburuni,
gjerdan i artë i Gjirit të Vlorës,
hapen kuletat nëpër zyra,
vihen vula, hidhen firma
dora – dorës.

Nesër,
s’dihet se ku ndizen,
Butrinti antik do bjerë pré,
për çdo ditë që shkon e vjen,
në copa kafshohesh,
Ti Atdhe…

Vrapon kopeja e skërmitur
nga zhvillimi vendin ta shkëpusin,
peshë në krah’ atë ta marrin,
në hipoteka, tinëzisht ta fusin

Vajton natyra e bilbili,
lulja, gjethi, era, bliri,
në qiell retë me shi gjëmojnë,
ku po shkojmë,
o ku po shkojmë…!?

 

 

 

MBRËMJE TË BRONZTA NË KALTËRSI

 

Drita e hënës mbi detin ka rënë ,
me një grusht yjesh tek stoli qëndroj,
valët e lodhura gjumi i ka zënë ,
me vargje ninullash ëndrrat ua mbuloj.

Mbrëmjet verore në bronze të derdhura,
me rreze dekolte e penelata të hedhura.

Flladi rrëshqet mbi flokët lëshuar ,
nën pelerinën e mbrëmjes qyteti gumëzhinë,
larmi lojërash në sheshe zbukuruar,
një det me tinguj e ngjyrash na prijnë.

Bregdeti magjistar dridhet nga vallëzimet,
shpërthen si pema lulet , ylberi vezullimet.

S’ka mbrëmje magjike ku syri të shikon
si këto të tuat me pamje madhështie,
ku era e valëve vjen e të pushton ,
ku në gjoksin tënd flen qielli me yje!

Qyteti me legjenda e mantele historish’ ,
me brigje të lyera në argjende hënore ,
në sofrën bujare , dhuratë perëndish’,
ul mbrëmjet me yje të netëve verore.

Ah , ky Durrësi im, me romantik’ ndërtuar,
me zjarre dashurish’, me kaltërsi rrethuar!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s