Poezi nga Lumo Kolleshi

 

lumo kolleshi

Poezi nga Lumo Kolleshi

 

 

TË NGRYSUR LINDIN MËNGJESET 

 

Përditë e më shumë mbledhim gurët e marrëzisë sonë

E ngrejmë përmendoren e heshtjes,

Strukemi thellë në shpellat e indiferencës,

Ne, të kënaqurit me pak.

Kacekë brohorimash i kemi bërë mushkëritë tona,

Duart kalitur i kemi në kudhrën e duartrokitjeve,

Me të vetmin qëllim:

Shfronësim i Zotit dhe  në vendin e tij,

Lavdi i thurim njeriut udhëheqës.

Tërhiqemi në skutat më të errëta të pritjes,

Thithim amonjak thashethemnajash,

Çerekzëshëm flasim, vetëm vesh me vesh,

Përballjen e lemë në muzgjet e shkatërrimit.

Dhe çuditemi pse na lindin të ngrysur mëngjeset.

 

 

 

FËMIJVE VEÇ TË KËSAJ DITE

 

Nuk janë dhe aq fëmijë kopshti,

Dhe pse kopshti gjithë të mirat i ka,

Lodrat i hodhën me plehrat te koshi,

Trazavaçët i prishën ca nga ca.

 

Pastaj marrëzia bën punën e vet,

Ndryshe s’ do thirrej aspak “marrëzi”,

Gurët jashtë kopshtit i bënë kavaletë,

Filluan të qëllojne një selvi.

 

U lodhën fëmijët e marrë,

Selvinë, me gurë dot s’ e përkulën,

Pastaj me gurë e me të sharë

Njëri-tjetrit ndyrshëm iu sulën.

 

 

 

ZHGËNJIM

 

Po, po, një çerek shekulli më parë,

Gatuam një ëndërr në magjen tonë të varfër,

Këtij vendi, fytyrën nga lija vrarë,

T’ a kthenim në rrugën e Zotit të pastër.

 

U endëm, u çendëm, s’ u bëmë dot bletë,

Grerëzat e shprishjes i futëm në kokë,

Zogjtë e atdheut i lanë foletë,

Mundimshëm morën një udhë nëpër botë.

 

Një dorë horrash na mbeti atdheu,

Jo, jo, nuk kanë helm para tyre gjarpërinjtë.

Ëndrra apo mielli vallë na zhgënjeu?

Hambarëve të shpirtit lëvrijnë veç minjtë.

 

Dhe sot, kur bota kërkon të vërë dorë,

Të gëzojmë edhe ne pak drejtësi,

Horri, si horr, me thikën në dorë

Pas shpinës sonë dhe sot po rri.

 

 

 

DASHURI E FSHEHTË

 

Dy yje nga dy qiej të largët

Dhe ata djem, shokë që të dy.

Shpesh tek i shoh, s’ di sepse plagët

E kruajnë pak koren nëpër sy.

 

Nuk dinë ata ç’ ka fshehur Hëna,

Në anën që s’ ia tregon Tokës,

Çezma lotësh hapen dy zemra

Tek ndanin dy kufij mes botësh.

 

Qe nënë e njërit, ata s’ e dinë:

Babanë e tjetrit dashuronte,

Se në dy pole ujërat ngrinë,

Montage e Kapuletë të asaj bote.

 

Veçse ajo s’ u bë Zhuljetë,

Romeo nuk u bë edhe ai…

Plasën burimet diku gjetkë,

Në të tjera zemra dashuri.

 

Dhe ja, tani, dy shokë për kokë,

I shoh tek ndjekin jetën djemtë.

Misteri dhe në u zbuloftë,

Do thonë:  Eh, dashuri e fshehtë.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s