Takimi me Ali Podrimjen
Ishte viti 2005. Baca Ali kishte pak vite që kish botuar “Te Guri i Prevezës” Një libër poezish për Çamërinë pasi e kishte prekur pëllëmbë për pëllëmbë. Më duhet që t’i shprehja mirënjohjen në një mënyrë të veçantë . Ishte dëshira për të bashkuar vargje e tij me ato të miat. Tash gati 9 vjet më vonë më duket se është pranë nesh me frymën e tij
Kaluan 4 vite . Vite me Aliun dhe vite pa Aliun. Të jesh poet si ai do të thotë që të kesh drite të hapura kudo e kurdo ku flitet shqip
Nga: Namik Selmani
Pikëtakimi ynë
Mund të ishte në Gjakovë..Filat.. Prevezë
Një strehë miqsh të vjetër e të rinj
Mund ta bënim në Strugë.. Berat e Prizren.
Një valë Drini, Kalamaje a Lumëbardhi
Dio të na njomte këmbët e lodhura nga shekujt e rreptë.
Diku, në Jon
Do tëbëhemi kapitenë të një anijeje
Që një flamur-shqiponjë ka në direk
Në kohëtakimin tonë
Nuk duam dorëzanë për Kuvendin e bërë
Tash 3000 vjet
Po ata kemi qenë e ashtu kemi për të mbetur
Dardanë e thesprotë të urtë
Mustakgjatë që krehëri i Jonit e i Bjeshkëve të Sharrit ua ka krehur.
Qaj e qesh me mua, o biri i Gjakovës
Udhëshkelur
Në kontinentet e Gazit, të Brengës e Mbijetesës
Në ç’lisharse t’u përkundën vargjet ?
Ç’mbeti nga dialogu me Gurin e zi të Prevezës?
Kush t’i shëroi fjalët e duhmat e shpirtit?
Kush t’i vodhi lotët thellë gjoksit fshehur?
Në pëllëmbën e shtrënguar
Do ta kemi edhe dorëen e Lumit
Edhe Abedin Dinon
Që Prizrenin e kish si konakun e vet
Në Tomor
do të takojmë Naimin me dallandyshet mbi supe
Erë e fortë kah Evropa fryn e fryn
Ballë këngëve tona, kacekë të dertit e të gëzimit e dertit
Të gjithë qenkan veshëshpuar, verbëruar , gojëmemecë
Ani, poet Zëbjeshka!
Ani!
Ta zgjoke lulen e Drenicës s’qenka e lehtë!
Kalaja e Pargës
E dashka dhe një flamur tjetër në majë
Hije t’i bëjnë krenisë ilire
E ndërrojmë një tupan me një violinë ullinjsh
Sa mosha e detit thinjëbardhë?
Se koha s’pret më!!!!!!!
Se ferra na është ngulur në këmbë, në brinjë
Ne, fajtorëve të pafaj
Në rrugë na pret Bajron zemërvrari
As ia rregullojë palët e kostumit suliot
Në garën e Bakllavasë së nuseve
Për ty do votoj
Gjykatës i rreptë pa droje të jesh
Në karvanin
Që dërgon paja nusesh ilire në Ballkan
Kryekarvanare do vë këngën tënde
Si një epos që zgjat njëmijë vjet.
Në Urën e Artës do kalojmë Natën e lume
Magjes së brumit në furrat e nxehat
Do t’i hedhim maja me amanete e urime
Do të vëmë lulet e fundit në Monumentin e fjalës së urtë
Dodonës do t’i kërkojmë të tjerë orakuj fjalëmençurie
Shpërthejnë sëndykët e dalin bajrakët e kuq
Me pelena të reja carrokët shqiptarçe qajnë
Heej, poet!
A s’ia shtojmë dhe ne një ninullë?
Krah zëëmblave tona a s’ia shtojmë dhe një fjalë?
Të ecim,
Të ndalim në dhjetra Kuvende Gjaku të falur?
Sa shumë na u dashka sot besa
Kur ecim në dhëmbëzat e shkëmbinjve!
Lotët e gazit të pajtimit mos i fshehim nga burrat zëbajrak
Kordelet me ngjyrën e qiellit dhe diellit
Asnjëherë mos ua kursejmë fëmijëve
Një kalë i bardhë të na mbajë në supe
Të na dërgojë në dhjetra shtëpi
Ku fryma e munguar i ka rrëzuar trarët
Të na kalërojë si miq të vjetër e të rrallë
Mbamë, fisnik!
Në supet e këngës tënde ka vend për të gjithë!
E gjoksi i fjalës
Qënka më i fortë se gjoksi proverbial; i Osman Takës
Hej, Ali Podrimja
Gjog më gjog ta puthim fjalën!
Buzë më buzë ta prekim valën!
Qiell më qiell shiun ta njomim,
Grykë më grykë të rrokim këngën!
Plis më plis në Motin e ri ta mbjellim!
A po më dëgjon Baca Ali?? !!