Cikël poetik nga Fatbardha Xhani Myslimaj
–PIKA VESE NË FUNDJAVË
HUMBËSE
Ti je poete
më tha gjethja
duke lodruar me erën.
Jam trung i ashpër, i thashë
luftoj me shiun dhe stuhinë…
Ti je e bukur
më tha lulja
e më dehu me aromë
Jam zemra jote
mbushur me farëra, i thashë
Jetën vazhdoj në çdo frut të lidhur
nga shpirti shkëputur!
Je fitimtare
më tha mëngjesi i vesuar
mbi pemë e pupla zogjsh.
Jam humbëse i thashë
Jetoj me frymën e dashurisë,
dhe përfytyroj
vdekjen e ëmbël…
E SHEH
E sheh
po rrëzohen copa yjesh mbi gjethe
dhe ti që thoje yjet janë larg
zgjati duart
me prekje
frymë marrin zemërimet…
E sheh
hëna rrëzoi najlonin hije
mbi liqene malli
ti mund të prekësh hënën sonte!
NDEZA
Ndeza qirinj për dëshirat
për njerëzit e dashur, ndeza qirinj
për fitoret,
për humbjet gjithashtu
Ndeza qirinj për miqtë
e në fund
për armiqtë, ndeza qirinj…
***
Ne iknim
dashuria na ndiqte si fëmijë i trishtë
dorën e vogël shtrinte në besim…
Me të njëjtin zë, i thamë:
shpirti im!
E FILLOVA ME TY
E fillova me ty
nuk dita e ende nuk di
mendimet lindin e çelen si gonxhe rozë
Dëshirat si palma të gjelbra
përkunden, e veshët fëshfërijnë
Afroje pak kokën
diçka të çuditshme do të të them!
E fillova me ty
Mendimet e tua nga lindin?
Të miat janë vazhdimi…
ËMBËL
Ka një mënyrë për të ardhur ëmbël:
ajo është lindja e lotit!
Ka një mënyrë për të ikur ëmbël:
ajo është, vdekja e lotit!…..
E DIEL…
Sa e nxehtë kjo e dielë
plot buria dasmorësh
e krela të stolisura
me fjongo të bardha
buzëqeshje nusesh shqiptare…
Sa e bardhë kjo e diel
plot dritë!!
NËSE
Nëse nuk ndjen mall
dhembje mungese nën lekurë
ti je ëndërr…
Nëse je ëndërr
me një pistil të ajërt
ti mbars pranverën
me qiell…
***
Ti më dridhesh si beb
në duart e brishtë të ëndrrës
Unë shtigjeve të thepisura të pamundësisë
çirrem, bërtas.
Nuk më mjafton zemra të të dua…
Kam nevojë të humbas shpirt,
kam nevoje të të humbas!